E kemi nisur vitin 2020 duke bërë thirrje që të përkujtohet në mënyrë dinjitoze 30 – vjetori i Misionit të Madh të Pajtimit të Anton Çetës, i cili me 1 maj 1990 mblodhi 500 mijë vetë në vendin e quajtur Verrat e Llukës në Komunën e Deçanit, Kosovë.
Asnjë ushtri, asnjë parti, asnjë ngjarje tjetër tjetër e kombit e përmasave historike s’i ka bërë dot bashkë kaq shumë njerëz, çka tregon fuqinë e jashtëzakonshme të pajtimit ndër shqiptarë. Gjysmë milioni njerëz nuk i ka mbledhur në tubim asnjë burrë shteti, cilido të ketë qenë, kryefirmëtar i Pavarësisë, Mbret i Shqiptarëve, diktator komunist, apo lider i demokracisë, këndej dhe andej Morinit, përpos Gjergj Kastriotit, pesëqind vjet më parë.
Nga e majta ne te djathte: Ndue Dedaj dhe Vilson Mirdita
Por kjo ngjarje kaloi pa asnjë fjalë në Tiranë dhe në Prishtinë. A thua pse?
Pajtimi me sa duket është një virtyt vetëm i njerëzve të thjeshtë, por jo dhe i udhëheqësve shqiptarë, kapërthyer nga interesat politike të pushtetit. Ndryshe si do të ndodhte që burrat e shtetit ndër ne nuk merren vesh me njëri-tjetrin? Mjafton të kujtohet konflikti apo mosmarrveshja mes Presidentit dhe Kryeministrit në Shqipëri, mosmarrveshja mes Presidentit dhe Kryeministrit në Kosovë?! Pa u shtyrë më tej, në ftohtësinë mes tyre të dy kryeministrave të shqiptarëve!…
Post skriptum: E kam shkruar dhe gjashtë muaj më parë, nxitja ime për të shkruar e sensibilizuar për 100-vjetorin e Anton Çetës (1920-1995) ka qenë Ambasadori i parë i shtetit të Kosovës në Gjermani, Dr. Vilson Mirdita, që para një muaji ka kremtuar 50- vjetorin e tij të lindjes, duke e bashkëndarë atë me njerëzit e Dheut të tij të origjinës, Mirditës.
Bashkë me profesor Vilsonin, kërkues shkencor në fushën e përmirësimit gjenetik të bimëve pranë Universitetit të Stuttgart-Hohenheim dhe gjithë bashkëkombasit tanë jemi duke shpresuar se nuk do të mbyllet viti pa ia bërë nderet e duhura shtetërore dhe akademike jubileut të 100 – të të Anton Çetës.