Ti shpirt qe iken…

Nga Armela Hysa, Athinë

Ti shpirt që ikën ..

– Ti shpirt që mbet

largohesh duke më marrë me vete

e unë askurrë s’do jem më e njëjtë

por jo për besë

s’kam ndërruar për më mirë!

strukur një xhepi justifikimi, pas retinës së syve si pas xhamash

të kristaltë ku presim rrëqethur unë dhe frikët e mia t’ damkosura

shpërndarë në rrathë bashkëqendrorë

prej currilit të gjakut që kullon mbi jetën time.

paqja skelet-shkërmoqur e globit

rrëshqet sumbulla-sumbulla

faqeve të ngrira të njerëzimit…

na thanë se është një kod i thjesht gjenetik acidi ribonukleik

mbi një proteinë njerëzore

nga një mutacion – si nga ata të thjeshtët e tjerë

që na kishin thënë se pak nga pak shfaqën dykëmbëshat

dhe të tetë miliardë botë-ëndrrat mbi planet.

të tjerë të na thonë, gjetën rastin

se bëhet fjalë

për një eksperiment të sëmurë

si për gjithçka tjetër.

se shpirtra shekullor po largohen për dimensione të tjera

masazhisht na thanë, çdo gjë e shkruar

e përcaktuar më parë.

që pemët, malet e gjelbër dhe miq gëzof-butë e këngëtarë s’meritojmë

s’qe nevoja të na thonë

se e kuptuam vetë

teksa tallnim një të tretë, me ndonjë të bërë sikur e njohim, shokë,

duke pirë maça në kupa të florinjta shoqëruar me makarun kapuçino.

na thanë për flakë-tërmet-det-ajër-përplasje me shpejtësi

terror-dhunë familjare-dhunë në rrugë

kovid-nëntëmbëdhjetë

mbyllje goje me zinxhirë-njëzet

mbyllje gojën me zinxhirë ekranik-dy mijë e njëzet.

Botë që je ndërtuar nga një farë kungulli

sa gjithë universit

aq dhe diku brenda meje

ndonëse kaq herë harrova të të ujis

je rritur sa më rrëshqet nga duart;

përkulur para peshës tënde.

pa le të pozoj e kapardisur mbi krenarinë time

si policët e Marizosë dhe Belemit rrinë mbi buajt e tyre fisnikë.

fjalë kalimi – çelësi i vërtetë i drynit dhe prangave të mija

është që na thanë se përtoja ta shihja vetë…

përtoja të bëhesha pakëz banor më i parëndësishëm

pakëz figurë më e lehtë…

p.s.: mirë dhe kaq

më zgjuan e më thanë

sa e sa të tjerë u vranë nga një buton i shtypur

plot milje larg

ndërsa në gjumë ishin bashkë me fëmijët e tyre..!

27 mars 2020

Armela Hysi

Poete, përkthyese, redaktore

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *