Sot, në rrethana ngujimi të detyrueshëm për shkak të nji anmiku të padukshëm që po mbjell vdekje në të gjitha anët e botës, familja zamadhe Ndreu në New York, përcjell në banesën e fundit të Zotin e shpisë.
Miqtë dhe dashamirët e shumtë të Jonuzit, do të jenë shpirtnisht, por jo fizikisht, pranë familjes për të nda dhimën dhe për të hjedhë së bashku dy grusht dhé të kësaj toke mike mbi trupin e Tij.
Për familjarët dhe për miqtë, le të jenë ngushëllim kujtimet që la gjatë jetës së Tij, si familjar i dashtun dhe i kujdesshëm; burrë besnik, i drejtë dhe i guximshëm, antikomunist i palëkunshëm dhe përkrahës i interesavet kombëtare në çdo kohë.
Qyshë në moshë shumë të re, Jonuz Ndreu dëshmoi se ishte bartës i denjë i traditave të të parëvet të vet, nip i denjë i “Gjeneralit me Shajak”, gjithëkund ku e përplasën valet e jetës, prej vendlindjes historike, në kampet e tmerrit të regjimit antikombëtar e antinjerëzor komunist, në Jugosllavi ku dikund prehen eshnat e t’et, në shërbim ushtarak amerikan dhe, ma në fund, në New York, ku nuk pushoi së punuemi për interesin kombëtar (protesta kundër regjimit komunist dhe kundër anmiqve të kombit grek e sllavë, protesta e fushata për lirinë e Kosovës), qoftë nepërmes të Bashkimit Demokrat Shqiptar, qoftë në krah të Komitetit Shqipëria e lirë, dhe sidomos në “Vatër”, të cilës i shërbeu me përkushtim për ma se nji gjysmë shekulli.
Në jetë ai nuk u përkul para vështirësivet, por gjithmonë mbajti besim dhe optimizëm. Edhe 7 vjetët e fundit në karrocë për shkak të paralizës, i bajti me guxim e stoicizëm të admirueshëm.
Këto kujtime janë si dhuratë ngushëlluese për Familne dhe të çmueshme për né miqtë.