Armata e sigurimsave, spiunëve komunistë, e bijëve të tyre, vijon të jetë po aq vitale e luftarake sa edhe dje. Krimi përherë është vital, sidomos në kombe si i yni, që nuk e njohëm kurrë demokracinë funksionale. Në 1991, në ditët e lirisë së madhe, kur tirania ra, të burgosurit politikë, të përndjekurit, të shpronësuarit, bijtë e tyre, harruan çdo ideal e mision nacionalist dhe morrën “turavrapin” në Amerikë e në Eurpë, duke tundur fort “pasaportën” e viktimës REALE të krimit komunist.
Askush nuk rezistoi, askush nuk luftoi dhëmb për dhëmb për t’u bërë pjesë e MERITUAR e pushtetetit politik. Arratia masive, kapitulluese, e Elitës Antikomuniste e Nacionaliste, ishte firma dhe vula e rikthimit hapur, si mentalitet e pushtet politik, të bijëve të “etërve komunistë”. Diktatura e stome e “bllokut”, e sigurimsave dhe armatës së spiunëve të djeshëm, e bijëve të tyre, ka ndryshuar veç formën.
Diktatura e sotme neoliberale e globaliste vijon të jetë sërish enveriste, sërish në shërbim të interesave Serbe e Greke, sërish autokrate e mizore me popullin e vet, sërish vitale në luftë për të mbajtur pushtet me dhunë e demagogji. Sa për Nacionalistët tanë, shpresa reale e çdo kombi, kanë “ngecur” në facebook, nën shpërfilljen e trishtë kolektive. Vetëm kaq!
Të përçarë, individualistë, pa struktura, të mllefosur e me mërira mes vedit, si në Shqipëri edhe më keq në diasporë. Dëshpërimisht janë shumë, shumë larg vlerave të nacionalistëve të LDB, të cilët sot, po thuaj janë shuar të gjithë. Është kaq e madhe “shkërrmoqja” e Nacionalizmit tonë, sa nuk mjaftuan as tri dekadat e tranzicionit për të ndalur dështimin turpërues të bashkimit në një organizëm të fuqishëm panshqiptar të diasporës.
Një mundësi për të ndërhyrë e ndikuar drejtpërdrejtë në politike e fatet e vendit. Përfshirja (në çdo kohë) e NACIONALIZMIT në POLITIKËN REALE mbetet JETIKE për fatin e Kombit.