DU FU
(712- 770)
Du Fu, është një nga poetët klasikë më të mëdhenj kinezë
të pokës Tan e viteve 600-700.
Përkthyer nga Agim Xh. Dëshnica
Era e vjeshtës
Fryn-fryn me furi.
Me bëmat e mbrapshta
Ia nisi pa mëshirë.
Iu sul kolibes sime,
Katër shtresa me kallam,
I rrëmbeu në çati,
Dhe nga rëndesa
Dy lëshoi matanë lumit
I përhapi shkurreve.
Disa fluturuan
Pellgjeve e gardheve.
Një tjetër,
E vërviti lart-lart.
Dhe çatia u hap e ra
Ashkël, copë e fije.
Çunat çamarrokë
Nga fshatrat fqinj
Qeshin e tallen
Me mua plakun
E posi vjedhës,
Në mes të ditës
Togje me kallama,
Tërhoqën zvarrë- zvarrë
I fshehën skutave
Diku në pyll.
Më në fund, u mburrën
Se, ishin trima.
Gryka m’u tha,
Gjuha m’u mpi.
Çamarrokëve,
Nuk iu bërtita më.
Tashti me shkop
Të pleqërisë, çalë–çalë
I topitur në dritare
Ndalem prapë e rri
Era heshti
Në hapësirë mbi dhe
Retë e zeza sterrë,
Vrik, u shfaqën lart.
Kupë e qiellit
U mbulua anembanë.
Veçse në atë muzg
Nuk shihet asgjë.
Shtrihem nën jorgan,
Në qetësi.
Veçse, mua plakun,
Nuk më groh aspak.
O bir! Në ëndërr, kruspull
Duke u rrotulluar,
E zhvata, sa gjatë e gjerë,
Shumë kohë më parë,
Ja, edhe shiu
Nisi e zhaurin,
Ma lagu krejt
Shtratin tim.
Ujërat rrjedhin
Çurk në kthina,
Shiu -rrebesh
Bie e nuk pushon.
Unë i gjori
I sëmurë,
I pangrënë,
E pa gjumë
Natën si mundem ta kaloj
Gjer nesër në mëngjes?
Oh! Sikur,
Të ndërtohej një shtëpi
Dhe nën çatinë e saj
Madhështore,
Të ishin plot
Një milion kthina
Për të varfërit
Nga fati i mbrapsht të fyer.
Një shtëpi e madhe
Të mos trembej
As nga era,
As nga shiu
E si mal i lartë
Të ish e fortë.
Ah! Sikur,
Të arrija atë dite
Dhe të mundja
Ta shihja i lumturuar.
Atëherë le të shembej
Vatra ime nën oxhak.
Nga e ftofta le të ngrija
Po të ndodhte vërtetë ashtu.