Si e shpëtoi tregtarin hebraik nga pushkatimi dhe refuzoi shpërblimin
Dr. Gjon Buçaj
Kolë Bib Mirakaj, si ministër i Punëve të Mbrendshme, ka ba shumë për shpëtimin e hebrejve, siç tregojnë disa dokumenta të nxjerrun nga arkivat e shtetit shqiptar në vitet e fundit. Gjithashtu, në monografinë “HALIM SPAHIA”, me autor prof. dr. Nuri Bashotën, përmendet ndima e tij edhe e vëllait, Pashuk Bib Mirakaj, për transferimin e shumë familjevet hebreje, “…në mënyrë të organizuar dhe tejet sekrete dhe me emra krejt të tjerë,,,”, me automjetet e firmës “Vllaznit Spahia”, prej Kosove nepër Shqipni e përtej (lexo në faqen 79 mbi dëshminë gojore që Haime Adizhes i ka dhanë mikut të vet, Nuri Bashotës, i cili asht edhe autori i monografisë në fjalë mbi tregtarin humanist gjakovar). Asht me interes për t’u shënue nji rast specifik, për të cilin i ka tregue ai vetë autorit të këtij shkrimi.
E pyeta Kolë Bibën nji ditë, në se ka pasë ndonji satisfaksion në jetë, tue pasë punue për interesin e atdheut e të popullit të vet, pa interes vetiak dhe pa shpërblim, tue I ndimue gjithkujë në nevojë që iu ka drejtue, gjithmonë me përkushtimin e nji misionari idealist.
Nuk i pëlqente shumë me folë për vetëveten, megjithate m’u përgjegj se po, dy here kishte pasë satisfaksion moral. Kësaj here unë po rrëfej këtu historinë e njenit rast, ashtu si ma ka tregue ai vetë:
Ka kenë vjeti 1946, kur pata shkue nji ditë në BAR Vittoria (në Piazza Fiume në Romë), për me u takue me Eduard Liçon, nji mik i imi. E kam pasë gjithmonë zakon me shkue në takim së pakut pesë minuta para kohe. Hyna mbrendë dhe kalova pranë nji tavoline ku ishin ulun nji grup shqiptarësh refugjatë. I përshëndeta dhe u ula më nji tavolinë vetëm, në pritje të mikut t’im.
Papritmas, nga tavolina e grupit u ngrit nji burrë i thatë, i zbehtë dhe i veshum me petka të vjetrueme. Erdh e u ndal para meje dhe m’u drejtue: “Shkëlqesa Mirakaj?” Po, i thashë, unë jam Kolë Mirakaj, i befasuem që m’u drejtue me “shkëlqesë”. I shkuen lotët dhe pa folë ma gjatë me mue, u këthye kah shokët e vet të tavolinës dhe u tha: “ndoshta ju po çuditeni pse po m’shkojnë lotët tash kur po takoj Shkëlqesën Mirakaj………”, dhe tregoj me emocion epizodin kur ia pata dalë me i shpëtue jetën njenit nga vëllaznit Levi në Tiranë. Në fund të tregimit shtoi: “Sikur ministri Mirakaj t’a kishte pranue shpërblimin tone të merituem, sot mund të kishte nji ose dy pallate në Romë dhe nuk do t’ishte refugjat i vorfun kështu si na.” Ai zotni kishte mbërrijtë në Itali në ato dit, i liruem nga burgjet e komunizmit në Shqipni.
Kureshtja me dijtë ma shumë mbi atë ngjarje interesante, më shtyni me iu lutë që të m’a spjegonte. Unë po sjell spjegimin e tij, por i kërkoj ndjesë lexuesit sepse kam harrue emnat e vëllazënvet LEVI, kurse koha e ngjarjes ka qenë vera e vitit 1943.
Simbas spjegimit të Kolë Mirakajt, nji ditë i kishin ardhë në zyre dy zotnij hebrej, Leo Thürr, përfaqësuesi i Komunitetit Hebraik pranë Qeverisë, bashkë me nji tregtar nga Vlora, me mbiemnin Levi. Vëllaznit Levi merreshin me tregti ari, ishin argjentarë.
Nji vëlla Levi ishte arreshtue nga SIMI (Servizio Informativo Militare Italiano) dhe ishte dënue për pushkatim, sepse kishte dhanë pare komunistavet. Ai nuk ishte komunist, por paret i kishte dhanë nga frika, sepse komunistat u kishin djegë nji dyqan dhe kishin kërcnue me u djegë edhe dyqanin tjetër. Koloneli Italian kishte kërkue 12000 napoleona ar “për SIMI-n”, për t’i kursye jetën të arrestuemit. Ata mund t’i jepshin paret, por kush mund të besonte se megjithate nuk do t’a ekzekutojshin.
Kolë Biba u spjegoi se, tue qenë nën okupimin ushtarak Italian, qeveria nuk kishte fuqi veprimi mbi ushtrinë, por megjithate premtoi se do të merrte masat e mundëshme dhe u kishte thanë të vijshin përsëri të nesërmen, në orën 6 të mbramjes.
Mbas takimit, ministri kishte dërgue dy kabllograme në Vlorë, njenin prefektit e tjetrin federalit, të cilët, kishin konfirmue se faktet ishin ashtu si ia kishin përshkrue Thürr dhe Levi.
Të nesërmen, Kolë Biba thërret kolonelin Italian në zyre i thotë se “Ju mbani t’arrestuem nji qytetar shqiptar dhe unë kërkoj që t’i dorëzohet menjiherë qeverisë shqiptare. “Kush asht i arrestuemi?”, kishte pyetë koloneli dhe kur ndigjon emnin e Levit, ai përgjegjet me arrogancë, më kambë gati me dale përdere: “Ai asht arrestue sepse ka dhanë pare komunistavet dhe nesër n’orën 6 të mëngjesit do të ekzekutohet!” Ministri shqiptar ia kishte këthye me ton të forte: “Ti e pushkaton nesër n’orën 6, por unë do të hypi në aeroplan në orën 9 për Romë dhe do t’i referoj Musolinit se e ke ekzekutue pse nuk të kanë dhanë 12000 napoleona ar!” Kjo e ftofi kolonelin, i cili e ndryshoi tonin: “Shkëlqesë, por për dobinë e të dy palëvet…..”. Kolë Biba i kishte thanë se për dobinë e të dy palëvet ai e donte qytetarin shqiptar të dorëzuem në zyren e tij mbrenda ditës! Ashtu edhe u ba.
Kur Leo Thürr dhë vëllau i të burgosunit erdhën në orën 6 të mbramjes, befasia me gëzim ishte e kuptueshme, kur u takuen me të burgosunin që tashma ishte në dorën e qeverisë shqiptare, që do të thoshte edhe se jeta e tij ishte e shpëtueme. Por befasia edhe ma e madhe, ngarkue me emocion të thellë, ishte kur Kolë Biba u tha se ai tash ishte i lirë dhe mund të shkonte bashkë me ta në shtëpi.
Të nesërmen, të dy vizitorët i vijnë Kol Bibës në zyre për të tretën herë, por kësaj radhë për t’a falënderue. Ai u kishte thanë se kishte ba vetëm detyrën dhe mbas nji bisede të shkurtë, i kishte përcjellë të dera, me premtimin se hebrejt në Shqipni do të kishin mprojtjen nga qeveria si të gjithë qytetarët tjerë shqiptarë. Kur asht këthye te tavolina e punës, ka vërejtë se kishin harrue nji valixhe dore. I ka thane rojes me i thirrë të vijnë me e marrë, por kur janë këthye, i kanë spjegue se nuk e kishin harrrue valixhen dhe se aty ishte nji “falënderim” për shpëtimin e jetës së Levit. “Po çka asht ai falënderim?” i kishte pyetë dhe kur i kishin spjegue për shumën e madhe në franga ar që ishte në valixhe, ai e kishte marrë si ofendim. “E kuptoj gjendjen t’uej shpirtnore, se përndryshe do t’ju akuzojshem për tentativë korrupsioni”. Kot u munduen me u arësyetue se ai e kishte shpëtue jetën e njeriut të tyne pa kurrfarë premtimi paraprak, dhe se ata, si hebrej, e kishin obligim shpërblimin dhe mirënjohjen dhe se për ata kjo ishte e vetmja mënyrë e mundun për me e nderue obligimin e tyne moral, e tjera. Mbas zemrimit në fillim, ministri asht zbutë dhe i ka ftue të ulen, ka porositë kafe dhe ka zhvillue nji bisedë të qetë me ta, u ka spjegue se për ate ishte shpërblim i madh dhe i mjaftueshëm shpëtimi i jetës së Levit.
Mbas atij takimi të përfunduem me mirëkuptim të përzemërt, patën kalue rreth 3 vjet deri në takimin e rastësishëm në Piazza Fiume në Rome.