Nga Izet DURAKU* /
E vetëdijshme se letërsia në përgjithësi, libri dhe autorët e tyre veç e veç, nuk e kanë jetën të gjatë pa lexuesit dhe vëmendjen e kualifikuar të kritikës letrare ndaj tyre, autorja e librit /
“Në gjurmë të fjalës”, Raimonda Moisiu ia ka dalë mbanë të realizojë një vepër voluminoze nga ana sasiore dhe të denjë për nga cilësia e saj. Angazhimi i autores më shumë se prej një “urdhëri akademik” buron nga detyrimet e mëvetësishme të shpirtit të saj krijues.
Libri është një kontribut me vlerë për të tërhequr vëmendjen e lexuesit dhe dashamirësve të letërsisë ndaj veprave dhe autorëve të caktuar që meritojnë një përkujdesje më të madhe, për t’i bërë sa më të dukshme e të kapshme vlerat e tyre. Libri ka si kryefjalë vlerat. Të gjitha vështrimet i karakterizon besnikëria ndaj kësaj kredoje që trajtohet kurdoherë me besim e dashuri. Në këtë sens mund të thuhet se edhe ky libër e bën më të përshkueshme xhunglën e sotme letrare ku bashkëjetojnë vlerat, jo vlerat e antivlerat. Autorja nuk e përmend ekzistencën e tyre. Meraku i saj qëndron vetëm në zbulimin dhe rizbulimin e vlerave dhe këtë e bën pa kursim duke derdhur të gjithë dritën e energjive të saj shpirtërore. A mund të vështrohen ndryshe autorët dhe veprat e marra në shqyrtim nga Raimonda Moisiu? Padyshim dikush edhe mund t’i shihte në kënd vështrime të tjera. Mund të evidentonte madje të meta dhe mangësi. Përse as dielli, as hana pa niegullazë mbë faqe nuk asht… do të shkruante para 330 vjetësh Pjetër Bogdani.
Por autorja ka zgjedhur me vetëdije të kërkojë, hulumtojë e qëmtojë për vlera të qëndrueshme estetike dhe etike te shkrimtarët e saj të dashur. Më duket një vështrim i arsyeshëm dhe me mjaft vlera për një përpjekje serioze të përcaktimit të një hierarkie sa më të besueshme të produkteve letrare, duke u mbështetur pikërisht te vlera e tyre.
Ndërkohë si një ecuri joproduktive, është e dukshme edhe prania e artikujve të shumtë në median e shkruar dhe atë elektronike, që ngjajnë me qokat familjare. Autorë që shkruajnë për libra autorësh sipas devizës: më lavdërove do të lavdëroj. Po mielli i këtyre artikujve, që rrjedh nga interesa të vogla, shpesh pa proteinën e duhur artistike, nuk mund të mbruhet e të mblidhet në një libër. E në u mbledhtë, buka e tij do të jetë e bajatshme dhe pa shije.
Si një libër serioz, “Në gjurmë të fjalës” përmbledh shkrime për autorë po kaq seriozë që kanë lënë gjurmë ose vazhdojnë të thellojnë gjurmët e tyre në letrat shqipe. Bien në sy vepra të autorëve të afirmuar prej kohësh, vepra autorësh të njohur, më pak të njohur, madje disa prej tyre mund të jenë në fillimet e tyre letrare. i njohur, i panjohur si terma relative, është e kuptueshme që nuk ngërthen brenda vetes edhe vlerat reale letrare. Sepse dihet që mjaft autorë, ndonëse me vlera të konsiderueshme kanë mbetur jashtë interesimit të kritikës dhe jurive profesionale.
Për të vënë në dukje vetëm një pjesë autorësh veprat e të cilëve janë vështruar siç mund të thuhej sa me akull të mendjes dhe me ngrohtësi zemre, le të përmendim vetëm disa prej tyre: . Nasho Jorgaqi, Vangjush Ziko, Petraq Zoto, Flutura Açka, Skënder Rusi, Ramiz Gjini, Ali Podrimja, Skifter Këlliçi, Riza Lahi, Aqif Hysa, Namik Dokle, Preç Zogaj, Roland Gjoza, Vojsava Nelo, Dhimitër Pojanaku, Elinda Marku…
Interesimi i autores rrok të gjitha gjinitë letrare sipas klasifikimit të hershëm aristotelian: lirikën, epikën, dramatikën. Atë e tërheq gjerësia e pasqyrimit të jetës me konfliktet, kompleksitetin e mardhënieve njerëzore dhe zhbirimet e thelluara në shpirtin njerëzor te romani, ngrohtësia e ndjenjës bashkë me drithërimat e shpirtit te poezia dhe përplasjet e fateve njerëzore te drama. Në fokus të vlerësimeve të saj janë autorë e vepra që kanë tërhequr vëmendjen e lexuesit dhe të kritikës letrare dekada më parë, por dhe autorë e vepra që sjellin me fjalën e tyre një kontribut krejt të ri letrar. Shkruhet për vepra të plota, romane, vëllime poetike, drama. Kamera e pasqyrimit vlerë- sues të autores rrok një pamje sa më të plotë gjith- përfshirëse. Po nuk mungon as vështrimi më në thellësi duke u përqëndruar te një poemë, a tregim i vetëm. Jo rrallë vlerat e rralla shfaqen qoftë edhe në pak faqe.
Duke respektuar origjinën e saj, është i natyrshëm vështrimi i posaçëm ndaj autorëve korçarë. Lumja ti moj Korçë o lule, ngazëllimi naimjan do të vazhdojë të prekë shumë autorë deri në ditët tona. Është magjia e këtij qyteti, pa parfumin e të cilit nuk mund të kuptohet trashëgimia jonë letrare e kulturore. Bien në sy gjithashtu interesimi i autores për shkrimtarët që jetojnë e punojnë në ekzil, larg atdheut, ashtu siç është edhe fati i saj krijues dhe jetësor. Zhvillimet politike pas viteve ’90 kanë shkaktuar mjaft trauma. Lëvizjet e brendshme janë shoqëruar me eksode biblike në kërkim të tokës së premtuar. E gjithë kjo tramundanë njerëzore do të përcillte edhe fatin e autorëve dhe të letërsisë. Historia do të përsëritej. Edhe në prag të pavarësisë së Shqipërisë një pjesë autorësh të rendësishëm që u bënë dhe promotorë të lirisë kombëtare jetonin jashtë vendit. Ndërkohë për një vështrim më të plotë flasin edhe interesimet e autores për vepra të autorëve nga hapësira shqiptare në Ballkan më tej kufijve politik të vendit.
Në mjaft raste në librin “Në gjurmë të fjalës”, hasim edhe botëkuptimin e shëndoshë të autores ndaj letërsisë dhe zhvillimeve letrare në përgjithësi. Sipas autores “letërsia është dashuria për artin e fjalës, në të shprehur dhe në të shkruar, e cila na jep mundësinë ta jetojmë jetën ndjeshëm e natyrshëm në një realitet krejt tjetër, me integritetin e pasionit njerëzor, ambicies dhe sfidës, të cilat lindin energjinë e psikikes dhe shpirtërores, midis ëndrrës dhe realitetit, në jetën reale…”
Gjuha e autores është e kthjelltë dhe plotësisht e kuptueshme. Leksiku i saj ka përjashtuar termat e lodhshëm shkencorë, të cilët për lexuesin e gjerë janë krejt të largët e të pakuptueshëm. Ndoshta kjo ndodh sepse vetë autorja është një krijuese e njohur që ka lëvruar krahas publicistikës edhe gjini të tjera letrare. Dhe mbase formimimi i saj jo akademik letrar, në këndvështrimet e saj letrare nuk ka ndikuar negativisht, përkundrazi. Ajo nuk e vështirëson artificialisht frazën për t’u dukur interesante dhe gjoja erudite dhe e pakapshme, siç vepronte në analizat e veta letrare, kritiku Mitro Karapataqi, personazh i spikatur i romanit të njohur “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” i Dritëro Agollit. Frazat e stërholluara me thyerje kuptimore e gjymtime gjuhësore, mbushur me snobizëm barbarizmash shpesh nuk kuptohen as nga autorët, shpesh fillestarë që nxjerrin ende krye edhe sot, siç bënte dikur edhe heroi agollian.
Ajo shkruan me kthjelltësi dhe emocion. Gjuha e autores vërtetë është e thjeshtë, po jo e thjeshtëzuar.
Vështrimi i autores përpiqet të rrokë thelbin e veprës , të japë aureolën e integritetit profesional, siç shprehet në synimet e saj. Shkrimtarin e sheh jo rrallë edhe me dhunti të tjera artistike si njohës i harmonisë e muzikës, madje edhe si piktor shpirtëror “me inteligjencë e përshkrime të papërsëritshme nga eleganca dhe thjeshtësia”. Ajo shpreh kënaqësinë tek konstaton se si romancieri i saj i preferuar kontrollon; “mjeshtërisht rrëfimin, duke na dhënë përzierjen e absurdes, tragjedinë e thyerjes së brezave me farsën e kompleksitetit moral”. Ndërsa prozën dhe poezinë autorja e sheh edhe si dialog shumëdimensional e gjithpërfshirës mbi tema të rëndësishme të kohës. Ndërsa aftësitë letrare, përmes mendimit filozofik i sheh “të penetrojnë në vetëdijen dhe dinamiken e farsave sociale të realitetit prej rëre të shoqërisë”. Nuk mungon as vështrimi i imtë në tekstin e veprave të shqyrtuara duke analizuar edhe frazat e gjata e shumë të kalkualuara, të cilat asaj ia kujtojnë; “stilet letrare të Tolstoit, Dikensit e Konicës”.
Për tekstet e Bjelinskit kur analizonte Pushkinin e Lermontovin thuhej se konkuronin me bukuritë e autorëve që merrte në shqyrtim. Madje në disa raste guxonte tua shkonte në bukuri edhe drithërima shpirti. Gjuha e autores së librit “Në gjurmë të fjalës” përpiqet të shkojë krahas me lartësitë e teksteve që shqyrton. Janë shkruar me bukuri shpirti.
Vlerat letare gjenden te Veprat letrare. Ata nuk krijohen nga kritika dashamirëse. Aq më pak nga tendencat denigruese që udhëhiqet nga mohimi dhe asgjësimi i çdo vlere. Vlerat letrare nuk shtohen, as nuk pakësohen. Në një vështrim mund të thuhet se vlerat ekzistojnë objektivisht, pavarësisht shqyrtimeve letrare. Ndërkohë që është i vërtetë edhe pohimi se kritika ndihmon që këto vlera të bëhen më të dukshme e më joshëse për lexuesin e etur për letërsinë e mirë. Në këtë sens duhen parë vlerat më të mëdha të librit “Në gjurmë të fjalës”, e shkrimtares, poetes dhe publicistes shqiptaro-amerikane, Raimonda Moisiu.
* Parathënie e librit “Në gjurmë të fjalës”,- Vështrime e Kritika Letrare e autores, Raimonda Moisiu