KEPUCET DHE GAZETA L’UNITA

Nga Agim Xh. Dëshnica

Vjeshtë e tretë.  Në Grykën e Tujanit, e ngarkuar me re, shkrepnin vetëtimat e gjëmonte. Era shfrynte, këpuste  gjethet e verdha, i hidhte përtokë, pastaj i ngrinte lart, i shtillte rreth e qark e së fundi  i shtynte tej me vrull.  Pas  rrufeve nisi shiu i  hollë, befas  shpërtheu rrebeshi mbi pullaze e drurë, rrugëve, trotuareve e mureve,  me pankartat e ushtarit  të sertë, me pushkë, bajonetë, me një sy e një vesh, me parullën: „Vigjilencë!“ Fortafolësit si gryka ullukësh gri,  të kapur në shtylla  e nën strehët e ndërtesave zyrtare, kullonin ujë çurk dhe dridheshin si në ethe nga zërat e recituesve  të Radio Tiranës, që shqyhenin  me poema, deri në mbrëmje vonë maskën e revizionizmit modern,, ndërsa borgjezisë i kanoseshim me britmën sus! Zërat e disa fortafolësve  në qendër jehonin, në sheshe  e bulevarde. Nga përplasja e tyre në disa zona nuk merrej vesh se ç‘thuhej. Qytetarët në kafe, nën strehë dyqanesh, apo  të lagur kokë e këmbë në ecje e sipër dhe shumë të tjerë në shtëpi, dëgjonin të habitur, se duhej të punonin me nerva të tendosur! Nerva? Punë me nerva? Të punonin si të xhindosur? Të qetë ndiheshin vetëm shurdhët dhe ata, që  s’kishin radio në shtëpi. Ndërkaq në sheshin Skënderbej, nga kapela ushtarake, supet  e krahët e shtatores  në bronx të Stalinit, binin rrëke ujrash të turbulluar.

Agroni tek rrinte në dritare  e vështronte jashtë  pyeste veten, se a mund të shkohej nëpër ato rrugë si lumenj, për të blerë një palë këpucë të reja? Ato që mbante në këmbë, pa u vjetëruar mirë, fusnin ujë sa, kur binte shi pandehte se ecte zbathur, pa le në pellgjet gracka! As ngjitjet, as qepjet, as gozhdët nuk bënin derman. Ndaj, kur rrebeshi pushoi, u nis për te dyqani më i madh i kryeqytetit, me emrin Magazina Popullore, shkurt MAPO, në rrugën e Dibrës, ku shiteshin këpucë të Fabrikës së Këpucëve.

MAPO, për nga madhësia, ia kalonte dyqanit tjetër shtetëror, të cilin, sipas forcës së zakonit, sidomos  gratë, vijonin ta quanin “Xingoni” si në vitet, kur  pronarët italianë botonin në gazeta e revista reklamën: “Zzingone veste tutta la Roma!”. Nëse, ndokush atje blinte kostum e pallto e një palë këpucë, i dhuronin një kravatë, një çadër apo bastun. Pastaj me pakon e lidhur me fjongo e përcillnin gjer në prag të portës me “tante grazie e arivederla!” Në MAPO  pamja qe ndryshe. Në disa ditë të çdo jave, ajo mbetej me kopsa, kordele e basme kombinati me  lajle  e lule që  s’i prekte kush me dorë .  E kështu shitëset e kalonin kohën  e lirë me  histori familjesh  me thirrje nga banaku në banak. Por kur papritur dilnin mallra importi, pa asnjë reklamë. lajmi merrte dhenë. Aty për aty dyqani i madh mbushej përplotë me burra e gra. E ç’të shihje pastaj? Ca majtas e ca djathtas suleshin drejt banakëve, duke u shtyrë me duar, bryle e supe. Një ditë për pardesy, që ua kishin ngjitur emrin “fësh-fëshe”, të holla,  saqë, kur frynte veriu ua hiqte nga supet. ’’Fësh-fëshet” ”  shiteshin    herë të blerta, herë të kaltra.  Dhe pastaj  shetitoret  u ngjanin herë livadheve,  herë  lumenjve. Në Mapo dilnin edhe këpucë çeke grash, ose radio hungareze “Orion”, që kapnin vetëm Tiranën, për habi dhe…Budapestin! Gojët e liga pëshpërisnin, se ua kishin rregulluar frekuencat vetëm për këto dy radio-stacione. Por, disa teknikë të shkathët kundrejt një pagese, thuajse falas, shtonin llampen F-2. Dhe në radion e vogël ngjyrë gështenjë, në trajtë kubi, dëgjoheshin qartë lajmet nga  radiot  e huaja në disa gjuhë, si: “Burasi Ankara!”- “Vi parla Roma!”-“Ju flet Zëri i Amerikës!”-“Bum, bum! Ju flet Londra!…”

MAPO qe edhe një vend i këndshëm edhe për takime e biseda në këmbë, si te Qafa e Pazarit në Gjirokastër. Shërbente për bukuri, edhe si strehë  e ngrohtë për t’u mbrojtur nga moti me shi, vetëtimat, breshëri e thëllimi. Nëpër sallë endeshin, edhe kureshtarë, pa një dysh në xhep. Të gjitha këto u hapnin punë punonjësve të dyqanit të madh, pasi mbyllnin portat për pastrimin e dyshemesë nga letrat, paketat e bishtat e cigareve, llumi i baltës e për largimin e ujrave.

Agroni hyri e shkoi në banakun e këpucëve. Teksa pyeste shitësen për numrat, mbante në duar pas shpine, një gazetë, për ambalazh, sepse këpucët shiteshin pa të. Ndjeu se dikush e preku lehtë në sup.  U kthye të shihte ndonjë mik a shok, por  u befasua, kur  përpërballë pa  vetullziun  e  njohur  të trotuareve të rrugës së Durrësit  e të Dibrës.

Pa e përshëndetur  ai e pyeti:

-Nga e ke gjetur  ti këtë gazetë?

Djaloshi i hodhi një sy gazetës. U trondit e u habit, kur lexoi titullin, “L‘Unita- La Gazzeta di Partito Comunista Italiano”. Ç’t’i thoshte i zënë ngushtë, kur i ra ndër mend se ishim prishur keqas me partitë komuniste të drejtuara nga Hrushovi apo Moska. Mblodhi buzët e ngriti supet i shqetësuar.

-As vetë  s’e di!  E kam marrë për të mbështjellë ndonjë send….Do ta ketë gjetur nëna, mbase në ndonjë autobus. -U shqetësua dhe më, kur përmendi nënën, që punonte në PTT.

Vetullziu për një imtë e pa në sy  e tha:

-Kot  të pyeta- dhe u largua.

Por, Agroni e vuri re tek u mbështet në një banak, pak më tej, me njerin sy drejt tij. Si mumd t‘i fshihej  atij  vëzhgim dinak? E kapi edhe një si e qeshur e hidhur, kur mendoi se po i kanosej një rrezik i papritur, meqë ata lart na qenkan grindur me partitë, dikur motra. Po ai ç’hynte në këtë mes? Kush qe fajtor? Tani nga blerës  e ndiente veten si një i arratisur i çuditshëm, që kërkon shtegun për të dalë, jo matanè kufirit, por …jashtë mureve të dyqanit shtetëror. Ah! Sa zili u kishte atyre që hynin e dilnin nga u vinte më për mbarë. Këpucët i harroi. Gazetën e flamosur e bëri shuk dhe e rrasi në xhep. Ecte e ndalonte para banakëve e pyeste kot më kot shitëset për fustanet, basmet,  çorapet e grave, kopsat dhe kordelet. Shihte vetrinat e MAPO-s me dy porta, ku për një pardesy apo këpucë çeke, nga burrat e gratë thyeshin xhama e pasqyra. Veçse ato pasqyra të bekuara tani po e ndihmonin të pikaste ndjekësin që s‘i ndahej. Tek sillej i mërzitur veshi i kapi, edhe një këngë dashurie burrash e kënduar nga një artiste: “Te desha, të desha, si i marrë…“ Në pasqyra, herë këtu, herë atje, vinte re, se vetullziu i ishte qepuar e s’i ndahej,  si zagar i heshtur. Por atij i bëhej se ai lehte egër: “të kapa, të kapa agjent i poshtër, s’ke nga ia mban!“  Pra, ai po përpiqej të zbulonte folezën e tij,  portën e numrin  e shtëpinë! Ç’drejtim do të merrte „agjenti?“ Ndërkohë djaloshi e hetonte ndjeksin nga ç’krah lëvizte përmes blerësve. Për një hop  Agroni u shtir sikur po shkonte drejt portës së majtë. Në atë çast pa, se „vetullziu“ mori djathtas, mesa kuptohej, për ta pritur jashtë e të shihte se nga do t’ia mbante, tatëpjetë rrugës së Dibrësit për në Bulevard, a përpjetë për nga Spitali?  Atëherë Agroni mori  djathtas dhe e ndoqi zagarin gjer afër portës. Atje ndaloi e pa me kujdes. Kaleci në mëdyshje, priste në trotuar. Meqë s‘po e shihte „agjentin“ ndërmjet njerëzve, që hynin e dilnin, mendoi se i shpëtoi nga duart. Pasi hodhi syte poshtë e lartë, nxitoi tatëpjetë. Djaloshi lëvizi ngadalë e doli jashtë dyqanit.Vuri re se vetullziu kishte humbur  në turmën mizë lisi  në Bulevard, Gjithsesi po e brente dyshimi nga çdo e papritur. U hodh me ndrojtje në trotuarin  përballë MAPO-s, kaloi para dyqanit Flora e u fut tutje labirintit me dyqane të zdrukthëtarëve,  kovaçëve e saldatorëve. U soll rrotull kolonave të kinemasë, dikur “Rex”, më pas “Nacional”, së fundi “17 Nëntori”. Ndaloi në sportelin e biletave e hodhi sytë poshtë e lartë. Për dreq një zë i njohur i thirri në emër. Bëri sikur nuk dëgjoi gjë. Shpejtoi hapat dhe doli te Fusha e Druve, prapa Maternitetit. U kthye nga e majta, preu Bulevardin e hyri  në rrugën Fortuzi me vila doktorësh e profesorësh e me shelgje në dy krahët. Atje eci më qetë  dhe ndaloi te çezma e hekurt, ku nga e djathta zgjatej rruga e Burgut të Vjetër. Matanë rrugës së Durrësit dukej në muzg Ambasada Sovjetike, që përgjohej ditë e natë nga shërbimi sekret. Uli kokën, sikur do të pinte ujë në çezmë,  ndërkohë hodhi vështrimin drejt rrugës, që la pas. Ishte e shkretë…

Në shtëpi përballë çezmës e buzë rrugës së Burgut të Vjetër, i fshehur prapa perdeve vështroi më kot. Qeshi me vetullziun e zemëruar diku në Bulevard… Por befas  nga fqinji burg, dëgjoi  dy herë britmën e rreptë të  rojës: „Ndal!“ Në krahun tjetër të shtëpisë, në hije civilët e sigurimit me shpatulla në mur, vëzhgonin ambasadën.

Iu kujtuan filmat me spiunazh, ndjekës, të ndjekur, pranga, hetues, tortura, pushkatime e burg. Pra, i kishte të gjithë aty tok! Veçse tani për disa muaj duhej të bënte kujdes: të nisej  e  të kthehej  nga puna  vetëm në muzg, ndërsa tek miqtë e vet të shkonte  e të vinte më rrallë  në mot me shi dhe erë, kur fortafolësit  njoftonin me zhurmë e bujë, se ishim çliruar nga sundimi i pushtuesve të huaj….

Shfreu i lehtësuar, por edhe me një farë dridhme, se për pak do të binte në duart e sigurimit komunist për shkak të një gazete komuniste…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *