SIKUR TE GJITHE TË MENDONIN SI EDA!

 

SIKUR TE GJITHE TË MENDONIN SI EDA!

( Bisedë me EDLIRA HYSENIN, anëtare e Këshillit Bashkiak të Durrësit )

Durrësi, një nga qytetet më të vjetra shqiptare, i lakmuar nga fqinjët, ku që në kohë të romakëve, fëmijë gjeneralësh e mbretërish pushonin në këte gji, ku ndërthureshin klima detare dhe ajo e kodrinave përreth, mesdheu dhe vera jo përvëluese, kultura e shkolla të ndryshme, ku mbretëritë shqiptare lulëzuan në kulmet e tyre, ku deti ndihmoi të gjitha këto, ka dhe një qytetare që mendon shpesh për të, që bën aq sa mundet dhe, sikur të jenë shumë si ajo, ndryshimet për mirë do të prekeshin në një kohë të shkurtër. E, kjo është EDLIRA HYSENI ( EDA )!

Pyetje: Edlira, megjithese jemi njohur vonë, unë vura re tek Ju qytetaren aktive që, me të gjitha mënyrat, natyrisht sipas mundësive, mendoni për qytetin tuaj të bukur, Durrësin. Kuptohet dashuria për qytetin ku ke lindur dhe jeton, por theksimi i kësaj ndjenje klasifikohet pak me shumë. Kush ua nguliti patriotizmin tuaj të dukshëm? Dhe, pa e përfunduar këtë pyetje, edhe pak biografi, nëse është e mundur?

Edlira Hyseni: Më lejoni së pari t’ju përshëndes e falenderoj për këtë prezantim, për vlerësimin tuaj dhe këtë bashkëbisedim që shpresoj të përcjellë sa më thjeshtë dhe qartë mendimet, dëshirat e aspiratat tona, si shqiptar dhe si qytetar të vendit ku jetojmë.

Unë vij nga një familje intelektuale shqiptare, me origjinë nga Çamëria. Të dy prindërit e mi mbartin historinë e dhimbshme të largimit me forcë të shqiptarëve nga trojet e tyre dhe, pa dyshim, ky ka qënë dhe boshti i ndjenjave të forta atdhedashëse të ushqyera tek ne femijët, se bashku me ndjenjën e përgjegjësisë ndaj tokës mëmë.

Patriotizmi është ndjenjë, por është dhe mendim, e nuk besoj se ka mënyrë më të mirë për ta kultivuar atë, se sa nëpërmjet shëmbullit dhe modelit që gjejmë brenda familjes, në shkollë e në komunitetin ku jetojmë.

Unë, në fakt, kam lindur në Lushnjë, në 13 Nëntor 1975 dhe jam takuar me këtë dashuri zemre, të quajtur Durrës, në moshën 6 vjeçare dhe që atëherë, ashtu si çdo dashuri e vërtetë e madhe, jemi rritur bashkë dhe ëndërrojmë gjithmonë për gjërat e bukura, që e dimë se i meritojmë por, që ende duket se po vonojnë.

Kam kryer të gjitha ciklet e studimit para-universitar në këtë qytet dhe çdo kujtim i fëmijërisë time e më pas, lidhet me këto rrugë, lagje e simbole, që për ne janë të shtrenjta.

Pyetje: Duke jetuar dhe emigracionin, mendoj se shumë më tepër ke mësuar se si mund të jetë jeta e nje qyteti. Cila është eksperienca juaj larg Durrësit?

Edlira Hyseni: Kam jetuar për 10 vjet në Itali, në një qytet të vogël pranë Firenze, në Toscanën e bukur, e konsideruar si djepi i kulturës, artit dhe qytetërimit italian dhe mendoj se në formimin tim të përgjithshëm, ato vite aty, kanë impaktin më cilësor dhe më të rëndesishëm në Edën që është sot, si mëndje, mentalitet, botëkuptim dhe sensibilitet.

 

Kjo, jo shumë për ndonjë mënyrë jetese të veçantë në të përditshmen, pasi isha pjesë e jetës së thjeshtë të çdo emigranti në ato vite të para të largimit masiv nga Shqipëria. Proçesi integrues për ne s’ka qënë askund i shpejtë apo i lehtë, por ne jemi njerëz të etur për dije e kulturë, që çmojmë të bukurën dhe të mirën, që dëshirojmë të arrijmë në nivele të larta shoqërore dhe intelektuale, kudo shkojmë dhe kudo punojmë, studiojmë e jetojmë. Ne dimë të marrim e të japim dhe në fund të zgjedhim, që gjërat më të mira ti përvetesojmë e promovojmë. Në Italinë qe dua, kam gjetur modelin e shumë prej gjërave, që do doja t’i shihja dhe në vëndin tim, si në organizimin e një jete me standarte të larta demokratike, të një sistemi arsimor shtetëtor funksional dhe cilësor, të një shëndetësie me fytyrë humane dhe të përgjegjshme, të kujdesit social për çdo moshë e kategori njerëzish në nevojë, të rendit dhe qetësisë, të respektit ndaj gruas, të besimit, pozitivitetit dhe solidaritetit, të një Europe që aspirojmë të jemi pjesë e barabartë apo e përafërt prej kaq shumë vitesh tashmë. Të jetosh ca kohë jashtë Shqiperisë, mendoj se të bën njeri më të mirë, më tolerant, më të emancipuar dhe qytetëruar, më të thjeshtë dhe më pak materialist. E nëse këto cilësi, ke mundësi ti vësh më pas në shërbim të vëndit tënd, ajo eksperiencë të ka bërë dhe më të dobishëm.

Pyetje: A mund të dime diçka për shkollimin tuaj dhe kualifikimin?

Edlira Hyseni: Unë jam diplomuar pranë Universitetit të Tiranës, në Fakultetin Ekonomik dhe, gjithashtu, jam diplomuar në Universitetin e Firenzës, dega Ekonomi, me rezultatin maksimal ( 110 e lode ). Të dyja diplomat e mia universitare i kanë shërbyer formimit tim arsimor dhe profesional, duke i vijuar ato më pas me kualifikimet e nevojshme dhe provimet shtetërore për arritjen e nivelit më të lartë të profesionit që sot ushtroj, atë të Auditueses së Pavarur, për të cilën zotëroj tashmë prej 9 vjetesh dhe Licensën Ligjore përkatëse. Aktualisht, punoj së bashku me nënën time, që është ndër Auditueset e para të Pavaruara të Shqiperisë post-komuniste, në një studio tonë private, në Durrës gjithmonë, ku i ofrojmë biznesit dhe individëve shërbimet e ndryshme financiare për kontabilitet, auditim, konsulencë fiskale, etj.. ( dhe se Tirana thonë që përbën treg më joshës në aspektet materiale, për mua pamjen dhe aromën e detit të qytetit tim, s’ka çmim që e zëvëndëson ).

E dua punën time, e bëj atë me pasion dhe përkushtim, e këtë e konsideroj një privilegj të te madh, për të cilin ia kanë vlejtur shumë vite studimi e lodhje dhe i jam pa fund mirënjohëse e falenderuese Zotit!

Besoj se kam edhe një prirje natyrale për t’u shërbyer njerëzve me durim, qetësi e pse jo, dhe buzeqeshje e mirësi. Motoja ime në punë është: “ Të mendojmë dhe gjejmë zgjidhjen, se për problemin e vështirësitë ka menduar secili vete..  “

Pyetje:  Duke qënë se keni studiuar ekonomi dhe keni punuar e punoni në këtë profesion, si e mendoni zhvillimin e qytetit tuaj? Në radion lokale kam degjuar dhe një bisedë tuajen në grup, më intereson të di: mendon Eda për të drejtuar një qytet si Durrësi, e keni ëndërruar ndonjëherë këtë?

Edlira Hyseni: Durrësi këto vite, ka patur dhe ka në dispozicion buxhete të rëndësishme, miliona e miliona euro që, pa dyshim, mund ta bënin më të mirë jetën e këtij qyteti. Por ashtu si një familje menaxhon buxhetin e saj mujor apo vjetor, duke renditur dhe përzgjedhur me kujdes prioritetet afatshkurtëra, afatmesme dhe ato afatgjata, po ashtu, edhe drejtimi i një Bashkie kërkon analizë dhe administrim të kujdesshëm e të përgjegjshëm, duke u nisur nga nevojat bazë të qytetarëve të saj dhe rritur mireqënien e tyre në jetën e përditshme dhe, më pas, për të projektuar një vizion më lluksoz, apo të aparencës për të tjerët.

Nëse të pikon çatia, ç’vlerë të ka abazhuri mondan me drita shumë?

Eshtë turizmi, mendoj, burimi themelor i ekonomisë tonë, qoftë në nivel lokal, qoftë në atë kombëtar. E Durrësi jonë, pa diskutim, e ka këtë pikën e tij të forcës! Ose më sakte, duhet ta ketë! Eshtë një mundësi e artë që, për sa është shkatërrruar e dëmtuar, ka ende pa fund potencial për t’u ribërë dhe tërhequr fort zhvillim dhe prosperitet. Eshtë rikthimi i vlerave dhe trashegimisë tonë të pasur historike, arkeologjike, kulturore, e identitetit të Durrësit antik që, me shumë pak fonde, mund të rimarr jetë e frymë. Durrësi ka dhe Portin më të madh në vend dhe duhej të ishte qyteti më i pasur e i begatë, por s’ka ditur të përdor burimet që zotëron në të mirë të vetëvetes. Asetet e çmuara të këtij qyteti janë të gjitha këtu, dukshëm apo fshehur, por duhet vetëm dëshira për t’i nxjerrë në dritë dhe rikthyer vlerën e zbehur nga keqtrajtimet afatgjata. E turistët që sot vijnë një herë të parë, të gjejnë interesin dhe kushtet për t’u rikthyer sërisht e serisht…

Pyetje: Eda, Kryetare Bashkie në Durrës? – Pse jo?

Edlira Hyseni: Duke pare rezultatet e punës së drejtuesve meshkuj kaq shume vite, vërtet do thoja: “ Zgjidhni një Grua”  ! Eshtë koha për një dorë gruaje në këtë Bashki, që si një amvisë e mirë dhe një Zonjë që ka ditur të ngrejë jetën me punën e saj, do ti jepte kësaj shtëpie që të gjithë e duam: dritë, dashuri, mirësi dhe begati. E nëse nuk ia del, gjë që dyshoj fort, kollaj të kthehesh tek burrat, që diku në kafe do jenë duke pritur ndërkohë.

Pyetje: Meraku juaj qoftë edhe për një parking të zënë, për qetësinë, për gjelbërimin , për mirëqenien e çdo qytetari, një njeri me formimin tuaj, që kërkon paqe, mirënjohje, që lutet vazhdimisht për një jetë më të mirë, pa vrasje, pa vuajtje, pa mungesa ekonomike, pra një botë shpirtërore që do ta ndihmonte politikanin vizionar, më bën të besoj, se të gjitha këto cilësi, do të jepnin një kryetare model për një qytet, që kanë hyrë me kohë kulturat evropiane, si mund ta arrish këtë ?

Edlira Hyseni: “Po, ne mundemi”  – Më ka pëlqyer përherë kjo shprehje përdorur nga Obama, në Amerikën ku ju jetoni dhe ne këtu e adhurojmë, pasi e konsiderojmë atë aleatën tonë të përhershme, një mike, një model, një ëndërr!

Me punë e përkushtim arrihet çdo gjë! Ma kanë mësuar këtë prindërit që e vogël dhe kam pasur fatin e mirë t’ia trasmetoja dhe unë djalit tim po ashtu, sot një student ekselent.

Si ajo dhimbja e qafes kur lodhesh nga puna ( puna ime të paktën më ka familjarizuar me këto ankesa  ) , si ajo buzëqeshja që ndjen kur një punë e ke bërë mirë, si ajo ndjesia e bukur në zemër që diçka e vlefshme do vijë nga ajo punë që bëre, si ai ushqimi i mendjes për çdo sukses arrin, ja ashtu mendoj se do zhvillohej ditë pas dite, hap pas hapi projekti për një Durrës rrezatues dhe mikpritës, ku çdo durresak do ta shohë atë urë lidhëse me Perëndimin si një bekim, një privilegj, një mundësi, një ëndërr e bërë realitet. Ku çdo emigrant, do të krenohej të kthehej për ato pak ditë pushimesh apo për ndonjë ide më shumë, po aq shumë sa emocionohet çdo herë që trageti i afrohet brigjeve të mëmëdheut. Ku çdo i huaj, do të vinte një herë të parë për kuriozitet dhe do të rikthehej plot herë të tjera për dashuri. Durrësi bëhet, don vetëm pak përkushtim më shumë!

Pyetje: Durrësi, siç e thoni ju në një status në profilin tuaj, ka 5 njesi administrative, me rreth 23 milion euro të ardhura në vit: A mendoni se mund të kishte më shumë?

Edlira Hyseni: Durrësi ka patur këto vite të fundit pothuaj dyfishin e këtyre të ardhurave, nga burimet e veta, nga pushteti qëndror, nga fonde të ndryshme të zhvillimit rajonal, nga financime të huaja etj. Shumë lekë të përqëndruara në pak objekte, asgjë që përmirësoi standartet e jetesës dhe mirëqënies së qytetarit të thjeshtë, për mos të përmendur banorët e periferive apo të zonave rurale përreth.

“Vizion politik” ka qënë shpjegimi…!! I gabuar, do thoja unë..

Ka pa dyshim mundësi dhe hapësirë për më shumë të ardhura, nëse do organizohej më mirë shteti dhe do kishte me pak korrupsion.

Pyetje:  Për çfarë dhe ku do t’i përdornit Ju?

Do doja një qytet të rregulluar dhe funksional, si ato qytetet e vogëla të bukura italiane dhe evropiane që kam parë dhe jetuar. Dhe s’me duket e pamundur!

Kur nje femër bën nje udhëtim e sheh diçka të bukur qe e pelqen, bën çmos që ta sjellë atë në shtëpinë e saj. Sinqerisht, nuk e kam gjetur akoma se çfarë i thotë vetes një kryetar bashkie shqipëtar, pas një udhëtimi jashtë vëndit. Nuk i ngacmon a motivon asgjë në sedër, mendje, zemër, për të kopjuar të bukurën dhe gëzuar ca qindra mijra vetë, që presin prej tij?

Për të ëndërruar e synuar një Durrës të begatë, duhet më parë të nisesh nga mirëqënia elementare e tij. Që do të thotë: të ketë ujë e drita pa ndërprerje, të ketë rrugë pa baltë, puseta të mbyllura, të ketë siguri në ushqimet që blen e konsumon, të ketë ngrohje në çdo shkollë e institucion shtetëror, të ketë ilaçe të vërteta në farmaci e qëndra shëndetsore, të ketë ligje dhe rregulla që respektohen, të ketë informacion të detajuar për të drejtat dhe detyrimet që çdo qytetar ka ndaj Bashkisë së tij, të ketë shërbime të kulturuara dhe cilësore, të ketë asistencë për të moshuarit e njerëzit në nevojë, të ketë hapsira, parqe e gjelbërim sa më shumë. Të fillojnë njerëzit të ndjehen mirë në qytetin e tyre dhe të gjithë bashkë mund të mendojmë pastaj për më shumë.

Pyetje:  I njihni nevojat e qytetit?

Jetoj e punoj në këtë qytet dhe s’do ta ndërroja me asnjë vend tjetër në botë. Më duket si një person që s’ka zë të flasë dot, por që duron shumë, ndaj sot kërkon ndihmë, kërkon zgjidhje, kërkon shpresë. Për të njohur dikë o diçka, nisu nga vetja dhe kij besim. Për të tjerat, lëre zëmrën të të drejtojë dhe përdore mëndjen të të mësoj.

S’ka durrësak që nuk e ka të qartë mirë e fort se për çfarë vuan dhe ka nevojë sot qyteti i tij.

Pyetje: Ju dhe të gjithë shqiptarët, kudo që janë, shtrojnë një pyetje:A bëhët vendi ynë, Shqipëria?

Eda është ende një idealiste që s’don të dorëzohet.. E kam frikë se po mbetemi përherë e më pak në këtë vëndin tonë të lodhur nga pritja, të zhgënjyer nga realiteti.

Kam edhe unë ditë që them a mendoj: “ nuk rrëzohet dot më ky sistem..” Por pastaj kthehem prapë tek idetë e mia, tek besim im që sistemin e bëjnë njerëzit, e njerezit jemi ne, si unë, familja ime, shoqëria ime, kolege e të njohur që ndesh e më rrethojnë në jetën e përditshme… E, jemi më shume ne, njerëzit e mirë, të vlefshëm, punëtorë, patriot… se ata që leku dhe pushteti u jane bërë gjithëçka. Eshtë më e madhe e mira, se sa e keqja !

Unë dua ta besoj këtë! Impenjohem për ta besuar! Dhe besimi kultivohet..

Ndonjëherë, më duket se njerëzit thjesht përtojnë të besojnë, të rebelohen, të përpiqen për të ndryshuar, të luftojnë për vete dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Të duket sikur është më kollaj te qash e psherëtish pa fund, se sa të çohesh e të kërkosh te gjesh mënyrën se si të bësh diçka.

Unë jam edhe ca rebele.. kur duhet.. kur jeta e kërkon, kur e pritura është thjesht humbje kohe dhe askush s’do vij ta bëj luftën tënde, as të të dhuroj asgje gratis.

Ndaj, Po ! Shqipëria bëhet dhe zgjidhje ka ! Duhet vetem pak hapsirë, pak frymë, pak kurajo më shumë. S’do bënin keq të emigronin këta që deri sot e drejtuan këtë vënd, të shkojnë të shplodhen diku larg, sa më larg…. Dhe t’u hapin krahun njerëze të tjerë, krejt të tjerë, krejt të ndryshëm… që ti japin pak nga vetja të ardhmes që presim të gjithë dhe që dëshirojnë dhe femijët tanë, sot larguar nëpër botë. Këtu ndjehen në shtëpi shqiptarët dhe s’ka pasuri që i bën të ndjehen askund tjetër njëlloj!

Pyetje: Si mendoni që të rritet një brez ku patriotizmi të jetë epiqendra e edukimit të fëmijëve?

Dashuria për vendin tënd lind natyrshëm me njeriun, por ashtu si prind s’të bën vetëm fakti biologjik, por të bën ai që ti zgjedh të jesh në jetë, ashtu dhe patriotizmi ka nevojë të ushqehet me të vërtetën, me të bukurën, me të mirën që ti e sheh, e prek, e jeton kudo përreth teje. Ndaj, më shumë se me fjalë e teori, mendoj se është koha të demostrojmë me vepra që e duam Shqipërinë, dhe nëse arrijmë ta bëjmë atë të bukur dhe të begatë, jam e sigurtë që brezat e rinj do dinë ta duan dhe më shumë, dhe më mirë.

Të bukurën e duan të gjithë!

Pyetje: Çfarë mungon në këtë fushë?

Mungon shembulli, mungon modeli dhe kjo nis së pari nga vetja, familja, shkolla, shoqëria. Rinia sot sheh prindër të dekurajuar, të nënshtruar, të lodhur, sheh pesimizëm, sheh dështim, sheh ënderra të thyera. Në pak vite, unë besoj që këtij vëndi mund t’i rikthehet shpresa, nëse e lejnë të lire “kucedrat”.., e atëhere, edhe dashuria e patriotizmi do zbukurojnë zemrat, sytë e buzëqeshjet e çdo moshe, pa diskutim!

Pyetje: Jeni e angazhuar në zhvillimet arsimore te qyetetit tuaj ?

Eksperienca si Këshilltare në Bashkinë Durrës këto vite, më ka dhënë mundësinë të kem më shume informacion mbi qytetin, mbi prioritetet dhe nevojat e tij, mbi mundësitë dhe prespektivat. Di ca më shumë për çdo projekt të ri a të zvarritur, për ndërtime apo rikonstruksione godinash arsimore, personelin e tyre që tashmë menaxhohet kryesisht në nivel lokal, për çerdhe, kopshte, shkolla, etj, sa ka e sa duhen, çfarë u mungon e çfarë kërkojnë. Jam pro arsimit publik, fuqizimit të tij, funksionimit të ti, e shpresoj shumë të rigjendet rruga drejt tij.

Pyetje: Si do t’i ofronit të rinjët që të mos emigrojnë?

Pyetje e vështire kjo… gjithmone me dëshiren për mos të bërë thjesht teori, se nuk besoj sherben me askund… Im’bir po ndjek studimet universitare në Itali, për inxhinieri. Ka zgjedhur degë të vështirë, impenjative, me shumë punë… e unë dëshiroj që ai të kthehet më pas të jetojë në Shqipëri! Në bisedë me të, si çdo 20 vjeçar, unë shoh kërkesat e një rinie që e ka të rëndësishme dhe dashurinë, por synojnë të kenë atë që janë të bindur se e meritojnë. Flasin për meritokraci! Me të drejtë, absolutisht të drejtë! Flasin për mirqënie, për pagë të mirë, për standarte jetese evropiane. Realiteti aktualisht lë vërtet për të dëshiruar, madje, tingëllon ca shumë ëmbel e butë kështu. Djali im parashikon 10 vjet kohë që të ndryshojë ky vend, e mbase atëhere ai dhe shokët e tij do mendojnë të kthehen. Po kush do e bëj këtë vënd, ndërkohë që ikin…dhe ikin vazhdimisht? Po ikin intelektualë dhe profesionistë, e nuk është emigrim për arsye vetëm ekonomike, është kapitullim..

Sinqerisht s’do dija të premtoja asgjë sot. Mendoj thjesht që do nisur puna për të rikthyer të mirën në këtë vënd, kudo nga pak, të gjithë bashkë, si një agim i bukur pas një nate të gjatë të pagjumë. Atëhere, me diellin që lind e ngrihet avash lart, do vijnë dhe zogjtë në folet e tyre, do rikthehen prindërit që sot po ndjekin fëmijet larg…. Dhe Shqiperia jonë do ripopullohet nga njerëzit e saj, nga dashuria dhe gëzimi..

Unë them se bëhet! Mjafton të nisë ndryshimi, me njerëz të rinj, të pastër, të pergatitur e të përkushtuar!

Pyetje: Kush është Eda familjare, Eda grua, nënë, punëtore?

Eda është një “kafshë e butë shtepiake”.  Familja është gjithëçka dhe prindërit janë shtyllat e forta të jetës time. Djali im, Kevin, është dashuria më e shtrenjtë e jetës dhe krenaria ime e pafundme! Falenderoj Zotin, me besim dhe me mirënjohje të thellë në shpirt, për çdo gjë që na ka dhuruar e gëzuar!

Besoj se jam një miks “dolce – amaro” ( embel – hidhur ) J , sepse për sa jam e dashur, e mirë, tolerante dhe e duruar, jam edhe e rreptë në zbatimin e rregullave dhe detyrave, kërkoj përgjegjsi dhe drejtësi e preferoj edhe ca cilësi në shprehje dhe mendime…, (sa një herë Kevin i vogël me tha: “ Sa grua që je o mam..” – të jetë kompliment? J )

Jam nje qytetare e thjeshtë që di të rrijë mirë në shoqërinë e çdo moshe. Me fëmijët dhe të moshuarit kënaqem ca më shumë.

Besoj shumë tek shoqëria dhe respekti për njerëzit, tek edukata dhe mirësjellja, tek traditat e bukura shqiptare, por edhe tek përshtatja me të renë dhe me të ndryshmen. Asnjë formë diskriminimi për rrace, ngjyrë, bindje, besim a çdo gjë tjetër dallon individet mes tyre, nuk është e pranueshme për mua. Shqipëria ka akoma rrugë për të bërë në këtë drejtim dhe rinia që sot udhëton në botën e lirë, do e sjellë këtë ndryshim me siguri.

Pyetje: Çfarë pelqeni nga artet?

Kam një adhurim e respekt të pafund për çdo artist, sepse çdo herë mendoj për sa shumë punë ka pas tyre. Pëlqej muzikën, me jep shume emocion kur e degjoj e, nëse është rasti për ta kërcyer, do më dallonit kollaj mes një salle mbushur plot.

Pyetje: Po nga sporti?

Në tv ndjek ndonjëherë futbollin, si vajzë e vetme rritur mes dy vëllezërve më të mëdhenj e më pas, me një djalë që e ka atë sportin e tij të preferuar. Sa për mua, do zgjidhja të lëvizja vetëm me biçikletë, siç kam bërë per shumë vite në Itali, por që në Durres, s’ka qënë dot pjesë e vizionit politik të asnjë Kryetari infrastruktura e duhur për këtë.

Mbase do e bëj Kryetarja Grua! ( P.J.)

Pyetje: Çfarë mund të bëhët për futbollin durrsak, që të bëhët masiv, me stadiumin plot?

Jam rritur në një lagje afër stadiumit të Durrësit dhe kam bërë gjimnazin duke kaluar çdo ditë para tij. Atëherë për ne vajzat, ishte mollë e ndaluar, por më pëlqenin të dielat që e dëgjoja të mbushej plot dhe ndjehej pasioni i zjarrtë i sportdashësve durrsakë. Njihnim lojtar e trajner, fitoret e humbjet, ndeshjet në fushë apo në transfertë. Kohë të varfëra ekonomikisht ato, por të pasura në emocione të thjeshta e të bukura.

Me ca investime më shumë në këtë drejtim, edhe unë do shkoja me shumë dëshire, sa me shpejtë, për herë të parë në stadium.

Pyetje: Po për këngën, humorin dhe teatrin?

Kënga shoqëron të gjitha momentet e mia të veçanta, edhe ato kur gëzoj fort, edhe ato kur trishtohem për diçka që më ka prekur. E dua, por dhe i “ruhem” muzikës.., pasi ajo arrin të të prekë si askush tjetër…. Por është një mike dhe aleate besnike gjithmonë!

Pëlqej fort muzikën italiane, të cilën e ndjek dhe e njoh mirë, siç jam ende e dashuruar me këngët shqiptare të Festivaleve tona të dikurshme. “Ne duart e tua u rrita o nënë..” – këndonte Bashkim Alibali atëhere dhe unë sot i këndoj fort me zë e me shpirt kur udhëtoj me makinë (vetëm kuptohet  ) – Muzika eshte emocion, kush s’ka nevojë për të?

Për humorin jam tepër selektive, dhe ai shqiptar aktual vështirë të më bindë..

Më pëlqen batuta inteligjente, auto-ironia dhe cilësia në to, e këto ndeshen rallë, por une i kërkoj gjithsesi.

Teatër pak. Durrësi që unë dua fort, i ka dhe ca difekte .., por s’do flasim për to, sepse do i përmirësojmë në kohë…..

Pyetje: Mendoj se jeni në kohë për t’u ba pjesë e garës së këtij viti, a jeni të angazhuara në ndonjë formacion politik?

Aktualisht jam pjesë e forcës politike Lëvizja Socialiste për Integrim ( LSI ) dhe jam ndjerë e vlerësuar, e respektuar dhe e lirë në këtë eksperiencë timen të parë politike. Shpresoj të ketë një vijimësi të suksesshme, cilido të jetë pozicioni im në të. Unë e shoh edhe politikën si punë, e si çdo punë, do bërë mirë, ose lëre të shkojë.

Urojmë të mos na lërë të dorëzohemi ajo ne!

Pyetje: Në përshkrimet per historinë e qytetit tuaj, dimë edhe për “Bukuroshen e Durrësit”. Mendoj se natyra ua ka dhënë edhe këtë dhuratë. Duke e lënë modestinë, ç’mund të thoni për këtë “cilësi” natyrore, që të gjitha femrat do te donin të ishin fytyra e bukur e qytetit të bukur!

Nga Wikipedia lexojmw:  “Dëshmi e zhvillimit të tregtisë janë monedhat prej bronzi e argjendi që janë prerë në Dyrrah. Ndërsa për lulëzimin urban dëshmon mozaiku i një dyshemeje, i quajtur Bukuroshja e Durrësit…”

Edlira Hyseni: Ju me kerkoni te lemë modestinë e do perpiqem ta bëj, por me lejoni gjithsesi te falenderoj për komplimentin!

Bukuria, nëse shoqërohet nga nje mendje e shëndetshme dhe nga nje zemër e mirë, s’besoj ka bërë dëme ndonjëherë.. përkundrazi, ka zbutur tone, qendrime apo sjellje. E, nëse politika shqiptare, dominuar nga “bukuria mashkullore”, s’ka prodhuar ende te miren ne këtë vend, le të provojmë bukurinë femërore, qe kur i buzëqesh shpirti, sytë e buza, rrezaton e ngroh si një diell buzë detit të Durrësit J .

Pyetje: Duke përfunduar urojmë që të realizohen ëndrrat tuaja, tashmë jo vetëm personale !

Një kënaqësi e vërtetë kjo bisedë me Ju! Një falendërim zemre dhe një shpresë për më mirë në këtë Shqipërinë tonë, qe afër apo larg, e duam të gjithë !

Bisedoi: Pjeter Jaku

Shkurt, 2019

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *