PAS 63 VJETËSH TAKOHEN NE KAFE KUVENDI

Pjeter Jaku

Ndue Deda dhe Nikollë Syziu takohen pas 63 vjetësh te Kafe KUVENDI, ndërsa Pjetër Toma disa vite ma shumë pa u pa me Nikollën dhe, krejt papritur e takoj para tre muajsh, po te Kafe KUVENDI, ku Nikolli pi kafen, me fare pak fernet, pothuajse çdo ditë.

Pjetri, Nikolla dhe Ndoja, të tre të përsekutuar nga regjimi komunist dhe të ndarë, nëpër burgje e vuajtje, kur prej dekadash nuk dinin asgjë për njëri-tjetrin. Pjetri dhe Nikolla ishin ndarë nga Jetimorja ( Shtëpia e fëmijëve në Shkodër), aty rreth vitit 50-të shekullit të shkuar, kurse Ndoj me Nikollen u ndanë në vitin 1955, nga Konvikti i njohur “ Tomë Kola” i Shkodrës. Si me shaka,- thotë Ndoj, për Nikollin: “ Isha tri klasë pas Nikollës, por më dukej më i madhi i shkollës dhe e shihja me adhurim, si tip, por dhe ndër më të  hijshmit e krejt konviktit.”

Pas konviktit, Nikolla  vazhdoi ish Shkollën Teknike Amerikane të Tiranës “ Harri Fultz”, ku partia komuniste i vuri emrin “ Politeknikumi 7 Nëndori”, në degën elektrike, ku edhe punoi deri në pension ( kuptohet pas lirimit nga burgu ), me ndihmën që i dha Dodë Gjika, Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Lezhës, një nga kudarot më të nderuar të këtij rrethi.

Në shkollën teknike , në vitin e fundit, pak para së të diplomohej, arrestohet për “dashuri amerikane”, i paditur nga Abdulla Metani për tentativë arratisje, si dhe  thënien “ Amerika asht parajsa e botës”, të cilën Nikolla nuk e mohoi, as në gjyq. “ Kam thanë dhe ashtu asht.”- kishte deklaruar Nikolla edhe në sallën e gjyqit, duke marrë denimin maksimal dhjetë vjet, edhe pse në moshë të re.

Vitet e burgut, Nikolla i bani në Spaç, Tiranë dhe në këneten e Tërbufit.

Edhe fati i Ndoit nuk qe i mirë, pasi me martesen e vajzës së  “reaksionarit” Gjon Gjinaj, i cili ishte në Amerikë, e heqin nga puna dhe e shohin përherë me sy të keq. Me aftësitë e tij kishte arritë të bahej officer, por tani, në moshë të re, detyrohet të bëj punë të rëndomta.

Pjetër Toma, i rritur në  Jetimore, me babanë e vrarë në Luftën Italo Greke, si pjesëmarrës Batalionin “ Taraboshi”, me 16 Nënëdor 1940, pati një jetë të vështirë. I përplasur nëpër burgje dhe internime, jeta i mësoi shumë, edhe pse jetim në moshë të re. Për nga pamja, duket si më i riu ndër ta. Duke parë Nikollën, vjen në përfundimin e drejtë, se nuk janë vitet ato që të plakin, plakja vjen nga vuajtjet! Tek dëgjon rrëfimet e Nikollës, se si ia kanë “shpërblyer” mosbindjen për të punuar, nëpër burgjet, ku e vuajti dënimin.

S’ishte vetëm një surprizë e kanshme, takimi i sotëm, por ishte një befasi që të rikthen kujtimet, si një andërr e bukur, e një nate të nxehtë qershori. Kështu është , kur padrejtësia shpërblehet me jetën e mirë që ata kanë sot. Familje të mira dhe shëndet të mirë. “Nuk ka më mirë se kaq”,- thotë Ndoi, tek po ndaheshin për t’u ritakuar prapë. Shtërngimi i duarve sot peshonte sa 63 vite të “humbur”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *