“TRAJTA TË NËPËRTYMËTA” TË NJË POEZIE ABSTRAKTISTE

NDUE DEDAJ

 

Kur poezia e Zef Zefit të ketë mbërritur plotësisht te lexuesi, poezia shqipe do të ketë fituar dhe një poet modern risor, që me siguri do të lërë gjurmën e vet në të. Themi kur të arrijë, pasi në këtë kohë asgjë nuk ecën më ngadalë se poezia. Megjithatë, ky poet nuk është një befasi për ata që prej shumë vitesh e kanë parë me “trastën” e dorëshkrimeve plot me poezi, tregime e novela, ndonëse rrallë herë i gatshëm për t’i dhënë “ok” publikimit të tyre. Janë të paktë ata shkrimtarë që kanë bërë një stërvitje kaq të gjatë krijuese, duke botuar vetëm tre libra në tridhjetë vite. Në këtë vështrim të kujton Ilirian Zhupën, që iu deshën njëzet vite për të sjellë librin e ri poetik të mirëpritur “Të gjallë e të vdekur”, apo Lazër Stanin, që bëri dhjetë vite për të shkruar librin me tregime po ashtu të “Kohë për nuse” etj. Synimi i Zefit ka qenë më së pari formimi i tij letrar solid, përmes literarurës shqipe dhe asaj të huaj, në anglisht, italisht etj. Ka vite që rron në Firence, qytetin e Dantes, por nuk ka qenë trysnia e këtij poeti të botës që e ka frenuar për të publikuar, po vetëdija e lartë për shkrimtarinë.

Zef Zefi është lindur e mbrujtur në Mirditë, buzë përroit të Shpërdhazës, në prehër të malit të Boshtrimës, me dy maja, si për të na thënë se muza e tij është dyfarësh, poezi dhe prozë. Për më tepër në oborrin e një farke me prush të ndezur, që ishte aty që nga koha e Hefestit, e gjer te farkëtari i minierës së Kaçinarit në vitet ’70, plaku Zef Gjok Zefi, një bard tipologjik i maleve, me mustaqe të spërdredhura gjer te veshët e humor të këndshëm, një qenie gjysmëmistike që imazhin e poetit të ardhshëm e shtynte drejt zanafillës njerëzore. Mbase dhe për këtë poezia e tij ngjan sa tokësore, aq flurore e kozmike. Një poet që e ka ftilluar indin e krijimit falë talentit, kulturës së gjerë, kërkimit shumëvjeçar, sprovave, e pse jo, dhe eksperimentimit letrar, për të mbërritur te zëri i tij autorial. Edhe pse Zefi është një poet modern, në pamje të parë pa ndonjë fill të dukshëm me botën e maleve, ai ka marrë prej saj stilin e të ligjërimit alegorik e disi hermetik, përftuar më parë në letërsinë e Ernest Koliqit, Martin Camajt, Anton Pashkut, Skënder Drinit, Hamit Aliajt, Ndok Sinishtës etj.

Zefi shfaqet në shtypin letrar në fundin e viteve ’80 me cikle poetike, kurse librin e parë poetik e boton në vitin 1998 me titullin “Hapsira e mos-sendeve”, më pas librin me tregime e novela “Matanë muzgut të grave” (2003) dhe së fundi vëllimin poetik “Trajta të nëpërtymëta” (Mirgeeralb, 2017). Një poet e prozator që sjell risi konceptuale e stilistikore. Njohës i thekur i poezisë botërore, ai në të vërtetë është një poet avangardë, çka me siguri kritika letrare do t’ia shënojë si tiparin mbase më të qenësishëm të prurjes së tij poetike, aq më tepër që në lokalitetin e tij të origjinës vetëm një a dy breza më herët ishin rapsodët të vetmit vargjethurës e këndues. Poetët që sjellin risi në poezi nuk pushojnë asnjëherë. Të tillë në poezinë shqipe kanë qenë Migjeni, Lasgushi, poetët e viteve 60: Kadare, Agolli, Arapi, Shkreli, Podrimja e më pas Spahiu, Rreshpja, Zogaj, Lleshanaku etj. Në këtë vazhdë, edhe Zefi është poet me kreativitet të vetin. Poezia e tij është imazhiste-simboliste dhe proza e tij askematike. Ai shkruan poezi sa në Mirditë e Tiranë, sa në oborrin e Dantes. Poezia e tij është risore si stil, si konceptim, si metaforikë. Mund të thuhet se poeti ka ndjeshmëri autentike, si përsa u përket përjetimeve që lidhen me të shkuarën e tij mes rurales dhe qytetërimit, ashtu dhe atyre të sotme metropolitane etj. Nga njëri libër në tjetrin, poeti maturon stilin e vet aristokratik, lëviz në botën e mos-sendeve, sendërtues i një poetike origjinale, ku fjala vjen e shtrydhur, e distiluar, duke krijuar imazh, larg trukeve gjuhësore dhe stilemave steriotipe për të bërë efekte të jashtme retorike.

Te vëllimi “Trajta të nëpërtymëta”, ai e zbulon vetë, veten e tij poetike:

Ylli im lindi në një tjetër konstelacion

Shumë lart. Tjetër fisni

Ndaj vuan e mezi duket

Në këtë yllësi.

Kalimi nëpër poezitë e tij të çon të simbolikat e përdorura, që nuk ngjizën përmes abstraksionizmit si qasje, por krijimit të imazheve të reja si një dezha vu e përjetuar thellë:

“më duhet të ribëj themelesh

i moçmi im,

i shenjti Epidamnos”,

apo diku tjetër:

m’i çoni fjalë Doruntinës

të vijë vetë

se ma morën besën

të pafetë..

Mjaft poezi të tij që marrin shkas nga e shkuara janë ridimensionuese të kohës dhe hapsirës, si Proto-arkeologji, Prometeu i dënuar për vjedhje, Pisha, Paskësh qenë erë, Providencë, Paskajore, Vizatim lirie, Ara ka sy gruaje, Ideograma, Higjena e fjalës, Në Qafë-Vorrëz, Tranzicion, Saga e lisit, Reçensë e lagur, Sukë – Munega etj. Në këtë tufë prej më shumë se njëqind poezish është një toponimi nga Troja e lashtë te “Gabi”, nga Firencia te Munella. Për këtë autor stilemat janë vetanake, si “toka balton”, “shiu autokton”, “meloditë e kalamendura”, “huhurimat e hutinit”, “qyqnojnë” etj. Nuk ka pasur ndonjë “ferr” vetjak, por ferri i diktaturës del nga pena e tij përmes “trajtave të nëpërtymëta” gri, i stigmatizuar përmes sarkazmës mjeshtërore. “Taraca e Mollëve” (poemth) të dikurshme mund të mos frymëzojë asgjë si e tillë, por ndryshon puna kur vëren se koha, aq sa ka vrapuar, ka mbetur e ngurtësuar në subkoshiencën e poetit. Zor se një poet pa të kaluar mund të gjejë shkas për një kundrim të tillë në rrafsh social-politik-filozofik, kurse për Zef Zefin ajo kodër është ngjizja e një sistemi që e krijoi pemëtoren, por duke robëruar njeriun. E megjithatë poeti, i kthyer nga emigrimi i gjatë, i kërkon asaj kodre simbol ta nxjerrë nga sepetet një kokërr mollë. Ai nuk e vështron nga larg, por është i shkrirë shpirtërisht me të, sidomos kur vëren se tashmë ai dhé është i braktisur. Në rrafsh përgjithësues, ajo “taracë mollësh” është vetë Shqipëria. Një simbolikë moderne e krijuar vetvetishëm. Edhe te “Pantomimë” (fshati) e djeshmja është e sotme dhe e sotmja e djeshme, ku vibron një zë i brendshëm që sikur vjen nga prehistoria. Poezi simbolike është dhe “Minatorët ecnin si Gurët Rresht”, ku ata njëjtësohen me gurët. Edhe në poezinë “Andërr futbolli” poeti kundron të djeshmen e vet, ku poezia është përjetim, kontrast, sarkazëm.

opingat gojëhapur

tek njëmbëdhjetë metërshi po i lë

të gjuajnë penallti

me top llastiku

mbi mua lëkurëbardhin – fatzi

që pat’ Shqipërinë komuniste për atdhe

duke ëndërruar

lëkurëziun-fatbardhë,

Pelé

“Kur takohem me atdheun” është poezia e trishtë koniciane e emigrantit çerekshekullor, që, kur kthehet për pushime, të gjithë i fusin dorën në “xhep” për ta zhvatur, nga polici te Kryeministri, në port, aeroport, doganë, për çka: mpihem/, ndërmendem/, ndërdyshem”, po ku pavarësisht kësaj, poeti është e pamundur të zemërohet me Atdheun:

“po se ç’fryn një erë nane

që më dridh gjunjët

më shkrin në një lumni sublime

kaq të veçantë

sa shpirti më fërgëllon

e derdhet papritur

si një lirikë dhimbjeje

në këngë”.

Poezia “Legjenda” jep dilemën e përjetshme hamletiane të çdo poeti të racës: Ç’mu desh që hipa mbi këtë shpend të çuditshëm fjalësh

sikur do të bëhesha poet.

Njëfarë dallimi nga libri i mëparshëm “Hapsira e mos-sendeve” është se, nëse ai ishte disi hermetik, te “Trajta të nëpërtymta” asgjë nuk është bjerrë për nga thellësia e thenies, por receptimi nga ana e lexuesit është më i lehtë, çka do të thotë se autori është kujdesur edhe për komunikueshmërinë e poezisë së tij.

Një shqyrtim më vete do të meritonte lirika e dashurisë, që te ky poet është e burimore, pa poza dhe stilema të vjetëruara, ku femra lëviz natyrshëm nëpër parajsën tokësore initime, teksa poeti na tregon veten dhe “tjetërveten” e tij.

Libri “Trajta të nëpërtymëta”, siç u tha, do të lërë gjurmën e vet në peizazhin e poezisë së sotme. Ajo nuk është një poezi që mund të rroket shpejt, madje në njëfarë mënyre është një poet i pashpjeguar. Ama, lexuesi pasi ta shijojë nuk do ta braktisë këtë poezi, por do t’i rikthehet asaj për reflekset dhe kumtet që përcjell. Poezia e Zef Zefit rreh abstrakten, por jo abstraksionisten. Ajo ka metafizikën e vet, shpall shpirtinn dhe ndjesoren. Autori, siç thorë vetë, parapëlqen të jetë abstraktist si Kandinski, pasi poezia e tij mëton të jetë pikturë. Atij i intereson ajo që don të thotë dhe jo ajo që është mësuar të presë lexuesi i mbërthyer jo pak nga klishetë skematike. Kësisoj nuk niset nga simbolikat e njohura, por rreket të krijojë simbolika të reja të vetat.

Poezia e këtij poeti endemik është një tejqyrë hapsinore që kundron imët dhe padukshëm nëpër trajtat e nëpërtymëta njeriun dhe botën, nëpër shtjellën e vet të kalamendur, përmes shestimesh lirike e shllimesh poetike të vetat. Një tejqyrë që rrotullohet në të gjitha kahjet: lart, poshtë, përpara, mbrapa, anash, që pluskon edhe në det, edhe në qiell, edhe në tokë, duke na provuar se poezia nuk është vetëm horizontale e vertikale, vetëm bardhë e zi, vetëm në rasat tradicionale të gjuhës, por ajo vazhdon të shpiket dhe sot e kësaj dite, si e qielltokshme dhe e mbikohshme.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *