R R U G Ë K O M B A S I T

(Turizmi i Adriatikut pa shqiptarët e Kosovës është as përgjysmë)

 

NDUE DEDAJ

 

Për ta parë më nga afër e për ta kuptuar më mirë atë që ndodhi te “Tuneli” fundjavën e kaluar, shkuam vetë në Kukës e Has. Kishim bërë reportazhe kur po ndërtohej Rruga e Kombit dhe tani jo pa dhimbje shihnim një copë të saj të djegur, thjeshtë se nuk ishte gjetur gjuha me ata njerëz ku fjala peshon më shumë se çdo gjë. Ndaj, ata që ishin gjendur në atë “rrethim” ishin ndërtuesit e saj të djeshëm, që nuk ishin mirëkuptuar. Kur është fjala për refuzimin dhe mbrapështimin e taksës peseuroshe atje nuk ka demokratë e socialistë, por vetëm banorë, që kush me zë e kush pa zë e kundërshtojnë të gjithë tarifën e bashkëujdisur të qeverisë e kompanisë. Kur themi rrugëkombasit, sigurisht që kemi parasysh dhe vëllezërit tanë kosovarë, që kësaj here qeveria e Tiranës i ka trajtuar si të njerkës. Nuk është folur fare rreth kësaj takse me qeverinë së Kosovës, sipas ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, çka do të thotë se mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive nuk kanë dalë përtej kortezisë. Nuk mund të merren vendime të njëanshme për diçka që është e të dyve. Në ka një gjë që duhej të ishte bashkëvendosur, është administrimi i kësaj rruge, e ndërtuar njëherësh nga të dyja qeveritë, me gjeste të përbashkëta inauguruese etj. Madje duket se kjo taksë ka patur si qëllim bash ata, t’i “zhvasë” shqiptarët që vijnë nga ajo anë, që në psikologjinë e këtushme janë më të pasur se ne këndej(!) Dihet se në Durrës a Shëngjin çmimet e shërbimeve dhe mallrave për “kosovarët” janë të diferencuara, domethënë më të larta. Atdhetarizmi në këtë rast ka mbaruar dhe në plan të parë ka dalë fitimi i pandershëm. Siç mund të merret me mend, nuk është fjala për retorika atdhetare, por është interesi i drejtpërdrejtë i biznesit, pasi turizmi i Adriatikut pa shqiptarët e Kosovës është as përgjysmë.

Mos ta kërkojmë të keqen tek protestuesit, paçka se në sjelljen e tyre pati dhunë që dëmtoi sportelet ku do të mbahej tarifa e Rrugës së Kombit. Ata nuk janë vandalë, po thjeshtë përdorues të një rrugë kombëtare nga nevoja. Po të kishte dhe rrugë të dytë, do ta kishin përdorur dhe atë. Ështe absurde të mendohet se rruga dytësore në këtë rast është ajo që i bie nga Fushë-Arrëzi?! Të tubuarit e së shtunës ishin kuksianë, por mund të ishin dhe mirditorë etj. Shpërthimi i Kalimashit ndodhi se mungoi komunikimi i qeverisë me banorët, duke ua bërë fakt të kryer taksën prej pesë eurosh për çdo kalim. Dhe kur i doli “tymi” taksës së vënë arbitrarisht, në vend që të kishte reflektim të mënjëhershëm, ajo që u vu re nga të gjithë ishte mungesa e gjakftohtësisë e Kryeministrit dhe deklarimi i tij i prerë se taksa 5-euroshe është e panegocueshme! Po atëherë, për çfarë do të bisedohet me banorët? Apo do të bëhet ajo që nuk u bë më parë, punë edukative kokë më kokë, që ata ta kuptojnë rëndësinë e taksës së qeverisë, se ajo është për të mirën e tyre etj.

Edhe pse njerëz të një rajoni të varfër, ata e pranojnë taksimin e rrugës, por jo në atë masë, ngaqë është e papërballueshme për xhepat e tyre. Irritimi i atyre banorëve deri në djegien e sporteleve ka vetëm një shpjegim, humbjen e besimit te qeveria, e cila nga ana e saj duhet të nxitojë ta rifitojë atë e jo të përpiqet nga Tirana t’i tregojë caqet kryetarit të Bashkisë së Kukësit, që është aty me votën e popullit. Ndërkohë që kryebashkiaku Shehu dëshmoi se është në lartësinë e mandatit të vet dhe se bashkitë nuk mund të përdorën si zyra “vartëse” të qeverisë. Qeverisja lokale është atribut kushtetues dhe jo levë e komanduar nga Ekzekutivi, që mund të joshet me projekte urbane si lëmosha ndaj saj. Po të ishte bashkëpunuar nga qeveria me bashkitë e Kukësit, Hasit e Tropojës do të ishte kuptuar se nuk mund të vihet një taksë e tillë në një vend ku njerëzit ikin përditë vetëm se nuk e përballojnë dot jetesën. Është në të drejtën dhe dinjitetin e tyre të pyetën e të mos shpërfillën, ndaj iu lumtë këshilltarëve kuksianë, si përfaqësues legjitim të votës së popullit në nivel lokal. Nuk është faji i atyre banorëve që kanë kaluar kaq vite e Rruga e Kombit ende nuk e ka gjetur veten duke qenë jo pak herë lodër në duart e politikës, dhe kur vjen puna ata që paguajnë nuk janë politikanët dhe shtetarët që kanë luajtur me të, por përdoruesit e saj, që nuk kanë një rrugë tjetër nga të venë. Asaj tani i është gjetur mirëmbajtësi, por hesapet e munguara nuk mbyllën më një të rënë të traut mbi autostradë.

Është folur shumë këto ditë se si mund të ketë taksë maskimale vendi më i varfër i Europës? A mund t’u kërkosh banorëve me përkrahje sociale të zonës verilindore të paguajnë nga dhjetë euro në ditë taksë rrugore, apo të tjerëve që punojnë me rroga të vogla, kur ata aq nuk kanë pagesën e ditës së punës? Do të ndryshonte puna nëse asaj rrugë do të kalonin vetëm trafikantët e hashashit etj. Kjo taksë nuk pranohet as nga emigrantët. “Unë, thotë njëri prej tyre, vij me 15 euro taksë rrugore nga Gjermania në Kukës, kurse një e treta e kësaj shumë më kërkohet vetëm për të kaluar me makinë tunelin te pragu i shtëpisë! Shkurt, populli këndej e andej Morinit, mund të thirret me një emër: rrugëkombas. E të tillë nuk janë vetëm kuksianët, tropojanët, hasianët, apo shqiptarët e Kosovës që kalojnë “Tunelin” paradite e pasdite, por dhe gjimnazistët e Vlorës, Sarandës, Shkodrës që shkojnë në malet e Sharrit apo të Grykës së Rugovës për një fundjavë argëtuese-turistike. Përndryshe, ajo taksë nuk është vetëm për makinat, por është e përndarë në çdo biletë udhëtimi, që doemos do të kërcejë përpjetë!…

Së fundi, shumë gjera nuk i kemi kuptuar në kohë dhe pastaj ua kemi parë sherrin. Tipik është rasti i piramidave që çuan në kaosin e 97-s. Ky i Kalimashit është një shpërthim i vogël, që po të menaxhohet shpejt dhe me drejtësi nuk do të shpërthejë në flakë më të mëdha. Prandaj dikush duhet ta këshillojë Kryeministrin për urti e maturi, sot e jo nesër. Pikë së pari ministrat dhe njerëzit e tjerë të Kabinetit, që ndajnë së bashku me të përgjegjësitë e qeverisjes së vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *