Leter Ministrit te Diaspores, Pandeli Majko

I nderuar Z. Pandeli Majko

Ministër i Shtetit për Diasporën

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Nr. 1.1000

Tiranë, Shqipëri

1 Shkurt 2018

 

Re:  Çështjet e Propozuara për Diskutim me Diasporën Shqiptare në Shtetet e Bashkuara — Shkurt 2018

 

I dashur Ministër Majko,

 

Kjo letër është shqyrtuar dhe nënshkruar nga një numër i madh dhe në rritje i anëtarëve dhe drejtuesve të Diasporës Shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë, dhe po ju drejtohemi juve si një grup.

 

Së pari, urime për emërimin tuaj vitin e shkuar si Ministri i parë për Diasporën në Shqipëri.  Ne që jetojmë në Shtetet e Bashkuara presim me kënaqësi takimin me ju për të diskutuar shumë çështje në Michigan, New York, Boston, Worcester, dhe Washington.

 

Më poshtë ne do të parashtrojmë një numër pyetjesh që i vlerësojmë me rëndësi për t’u adresuar gjatë vizitës suaj. Ne besojmë se duke i përgatitur këto pyetje në përparësi të takimeve, do të kemi një strukturë për bisedimet me anëtarët e Diasporës Shqiptare, për të shërbyer si platfomë e qartë e çështjeve që na shqetësojnë, dhe të shërbejnë si pika udhërrëfyese për t’u ndjekur pas vizitës suaj.

 

Në të kaluarën ka patur shumë takime të dobishme midis Qeverisë Shqiptare dhe anëtarëve të Diasporës. Megjithatë, ndjekja në vijim e çështjeve pothuajse nuk ka ekzistuar. Historikisht, të dy palët, si anëtarët e Diaporës Shqiptare, po ashtu edhe anëtarët e qeverisë i janë përqasur këtyre takimeve në mënyrë informale ose personale, dhe jo në mënyrë të mjaftueshme nga pikëpamja institucionale.

 

Ne dëshirojmë të fillojmë ta ndryshojmë këtë përqasje duke krijuar një rekord me shkrim të pyetjeve dhe shqetësimeve tona. Ne shpresojmë se kjo do të na udhëheqë drejt një partneriteti të fuqishëm të sektorit publik dhe atij privat, gjë që ka munguar dukshëm në marrëdhëniet e Diasporës Shqiptare me Qeverinë Shqiptare gjatë këtyre 25 viteve.

 

Pyetjet tona janë si vijon:

 

1)     Prioritetet.  A mund të përmblidhni si Ministër i Diasporës tre prioritetet kryesore afatshkurtra (6 muajt në vijim) dhe afatgjata (për katër vitet e ardhshme) dhe planet përkatëse për të arritur këto prioritete?

 

2)     Çështjet Institucionale.  Cilat janë planet e qeverisë për forcimin institucional për të zhvilluar më tej angazhimin e Diasporës Shqiptare? A mund të na jepni një ide të stafit dhe buxhetit që keni në dispozicion? A keni burime të mjaftueshme për të angazhuar në mënyrë të efektshme Diasporën Shqiptare? Këshilli i Ministrave ndërkohë ka miratuar krijimin e një Agjensie Kombëtare të Diasporës; Kur do të krijohet, sa i madh do të jetë stafi dhe cili do të jetë mandati i kësaj Agjensie?

3)     Bashkëpunimi.  Në ç’mënyrë mundet t’ju ndihmojë më së miri Diaspora Shqiptare?  Çfarë prisni dhe çfarë ju duhet prej nesh? A do të krijohet një Këshill i Diasporës për të formalizuar dhënien e mendimeve të anëtarëve të Diasporës Shqiptare në politikat e Qeverisë Shqiptare? Nëse po, si keni menduar t’i zgjidhni anëtarët e Këshillit të Diasporës?

 

4)     Strategjia e Diasporës Kombëtare.  Kur do të finalizohet Strategjia për Diasporën Kombëtare? A ka patur ndonjë vijim të procesit të përzgjedhjes së mendimeve që filloi para tre muajsh? A do të përfshihet në mënyrë formale një grup me anetarë nga Diaspora Shqiptare në grupin që finalizon këtë strategji? A do të ketë një strategji të përbashkët të Diasporës Shqiptare së bashku me Kosovën dhe Maqedoninë (sikurse përmendet në Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar nga ministrat e Shqipërisë dhe Kosovës në Nëntor) me përfshirjen e mendimeve të Diasporës shqiptare për të siguruar një përpjekje të mirëkoordinuar?

 

5)     Samitet e Diasporës Shqiptare.  A ka patur vijim të çështjeve nga ana e Qeverisë Shqiptare që prej Samitit të Nëntorit të vitit 2016 të Diasporës Shqiptare me anëtarët që morën pjesë në Samit? A ka plane për një Samit tjetër të Diaporës, dhe nëse po, kur dhe ku? Anëtarët e Diasporës shqiptare nuk u përfshinë në grupin e punës që planifikoi Samitin e mëparshëm; A do të jenë këta të përfshirë në mënyrë formale për Samitin në vijim? A jeni i mendimit se një strategji e përbashkët e Diasporës Shqiptare duhet të jetë themeli për Samitin e Diaspores në vijim?

 

Si anëtarë të Diasporës Shqiptare, ne kemi për detyrë t’ju informojmë dhe t’ju ndihmojmë për të arritur qëllimet tona të përbashkëta. Vetëm duke punuar së bashku ne mund të shfrytëzojmë burimet e fuqishme financiare dhe njerëzore të Diasporës Shqiptare. Si rrjedhim, bashkëpunimi ynë i ngushtë dhe me efikasitet mund të shndërrohet në një katalizator për mbështetje të mëtejshme të angazhimit të Diaporës Shqiptare nga komuniteti ndërkombëtar i donatorëve. Në mënyrë specifike, ne dëshirojmë t’ju ofrojmë mbështetjen tonë dhe ekspertizën në fushat e mëposhtme:

 

  •      Strukturën Institucionale dhe Ligjore për Angazhimin e Diasporës
  •      Të Drejtën e Votimit/Përfaqësimit Parlamentar të Diasporës Shqiptare
  •      Politikat Ekonomike të Investimeve nga Diaspora
  •      Promovimi i Shkëmbimeve Profesionale me Diasporën Shqiptare
  •      Shkëmbimet Kulturore dhe në Fushën e Arsimit
  •      Promovimi i Projekteve të Diasporës Vendore në Qytete/Rajone të Caktuara
  •      Filantropia e Diasporës Shqiptare dhe Organizatat Jo-Qeveritare

 

Ju faleminderit shumë për kohën tuaj dhe shqyrtimin e këtyre çështjeve të rëndësishme, të cilat ne shpresojmë do të kontribuojnë drejt një vizite frytëdhënëse tuajën në Shtetet e Bashkuara. Ne presim me kënaqësi bashkëpunimin në të ardhmen për t’u dhënë përparësi veprimeve që do të angazhojnë më tepër Diasporën Shqiptare – në këndvështrimin se Diaspora Shqiptare do të jetë akoma më e rëndësishme, ndërkohë që Shqipëria dhe fqinjët e saj përpiqen të bëhen pjesë e Bashkimit Europian në dekadën e ardhshme.

 

Sinqerisht,

 

Cc:          Kryeministër Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë

Ministër Ditmir Bushati, Ministër për Europën dhe Çështjet me Jashtë të Republikës së Shqipërisë

Ambasadore Floreta Luli-Faber, Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të        Amerikës

Ambasadore Vlora Çitaku, Ambasadore e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Zëvendës Kryeministër Dardan Gashi, Ministër i Çështjeve të Diasporës dhe Investimeve Strategjike të

Republikës së Kosovës

Ministër Edmond Ademi, Ministër për Çështjet e Diasporës i Republikës së Maqedonisë

 

Hedhur per nenshkrim  ne grup e-mailin e Ministrise se Diaspores se Rep. se Kosoves; germinks@gmail.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *