Pas të gjitha gjasave “turizmi i kullave”, në një të ardhme jo të largët do të jetë njëri nga margaritarët e turizmit shqiptar, gjithëvjetor, ndoshta i veçantë në të gjithë arealin ballkanik. Shqipëria, tani që e ka vënë për hulli turizmin e detit, me një fizionomi të re të bregdetit me plot hotele, vila dhe fshatra turistikë, nga Velipoja në Ksamil, është në kërkim të “yjeve” të turizmit malor, që vetëm sa kanë nisur të vezullojnë aty-këtu. A-ja e turizmit shqiptar është orientimi i tij drejt vlerave unike që ka vendi ynë.
Mund të kemi hotele me katër e pesë yje, nesër dhe me gjashtë, ama gjerdani i artë do të jetë autenticiteti i turizmit tonë. Çfarë do t’i ofrojë ai turizmit global që ka shumëçka? Atë që është e përveçme dhe kulla jo rastësisht ka dalë si një aset etnokulturor i dorës së parë. Kulla nuk janë vetëm muret e gurta me qoshe të gdhendura mjeshtërisht, aq më pak ekzotika e keqpërdorur e “frëngjive”, por në këndvështrim etno-turistik më të gjerë e më të thellë, janë ritualet dhe doket e vjetra të kullës, kryekrejet mikpritja, si dhe kuzhina e saj e “egër”, e praktikuar deri vonë në familjet malësore. Veçse, kur themi turizmi i kullave, nuk e mendojmë atë si një habitat të veçuar, por si një gjymtyrë të mbarë universit turistik shqiptar, në harmoni me të gjitha prurjet dhe zhvillimet e tjera të tij.
Edhe pa patur një studim paraprak për këtë qëllim, nuk ka qenë e rastit që para 15 vitesh nisi të zbatohej projekti i 40 bujtinave në Shqipërinë e Veriut, në Theth, Valbonë dhe Pukë. (E vetmja gjë e gabuar ishte emërtimi i tyre “hane”, jo vetëm se kjo është një fjalë e huaj e panevojshme, po se nuk përmban saktësisht kuptimin e kullës malësore – bujtinë, pasi hani ishte diçka tjetër, vendqendrim i thjeshtë, një “çati” mbi krye, sa për ta kaluar natën udhëtarët e rrugëtimeve të gjata, me një haur për kuajt.) Këto bujtina qenë dhe lajmëtaret e para të turizmit malor, apo thënë ndryshe, turizmit të kullave. Turizmi i Thethit sot është i bazuar mbi ato bujtina, që natyrisht janë shtuar e pasuruar me çka kërkon një turizëm i tillë. Bujtina “Laçi” në Pukë është zgjëruar, por duke e ruajtur kullën brenda resortit turistik, si stil ndërtimi, si muzeologji e etnografi, si kuzhinë etj. Edhe pse në një kodër fare afër qytetit, me këtë e bën dallimin ky objekt turistik me hotelin turistik “Puka” në qendër, që gjithashtu e ka përmasë të tijën të fortë traditën e zonës, por me një mveshje bashkëkohore. E njëjta pamje vërehet dhe në Valbonë, ku gërshetohet turizmi i kullave të gurta të Dragobisë me atë të resorteve të reja turistike. “Mrizi i Zanave” në Fishtë të Zadrimës është mbase “kulla” më komplekse e turizmit në veriun shqiptar, ku jo rastësisht pak ditë më parë u “mblodh” qeveria për të dhënë kumtin e zhvillimit të agroturizmit, deri tani spontan dhe i pambështetur gjerësisht nga projektet e zhvillimit rural.
Një model në zhvillim i këtij turizmi është dhe “Katundi i Vjetër” i Rubikut, i konfiguruar si një fshat turistik, me eko-hotel “Marubi”-n modern, ndërtuar me mbështetje austriake dhe menaxhuar nga vendës, si dhe disa resorte të tjerë turistike aty, të frekuantura që nga Tirana e Prizreni, përfshi dhe dy-tre kulla tradite të shndërruara në bujtina vitet e fundit. “Sofra e Kthellës”, po në Mirditë, aq sa resort i tipit “kullë” në proces, është dhe një fermë agroturistike, që ka nisur me mbarështrimin e blegtorisë, krijimin e një vreshte për prodhimin e verës e rakisë, apo dhe vajit të ullirit etj., e gjitha në funksion të kuzhinës “bio”, projekt që meriton përkrahje institucionale, aq më tepër tani që qeveria ka vendosur mbështetjen e sipërmarrësve të tillë, që kanë treguar me punë se çfarë mund të bëjnë ndryshe.
Kullat kanë alfabetin e tyre të gurtë. Si për ta dëshifruar atë në arealin që rrok hapësirën mbi Mat e nën Drin është ndërtuar dhe “Info-Kulla” në Rubik, që i shërben informimit dhe promovimit të turizmit rajonal. Një vepër unike e Marianne Graf, e para dhe e vetmja qendër kësodore në Shqipëri. Hapi i parë nga kjo zonjë austriake, e mirënjohur gjerësisht në Shqipëri e Kosovë prej një çerek shekulli për kontributet e saj humanitare, qe hedhur me kthimin në destinacion turistik të kullave karakteristike të Shul Batrës në Mat.
Teksa prej dhjetë vitesh vizionit të ri të turizmit në Mirditë i ka prirë dhe një projekt kulturor i ansamblit “Mirdita”, pa mbështetje të posaçme financiare, që ka promovuar turizmin e kullave në Nënshejt, Kryezez, Perlat, Pëshqesh etj. E veçanta e tij ka qenë shpalimi folkloriko-etnografik në terren, me pjesëmarrje të gjerë e të larmishme, që nga rapsodët e vjetër të kullave e gjer te fëmijët e kopshtit, me praninë dhe të mjaft të huajve, ardhur nga Italia, Austria, Zvicra, Suedia, Belgjika etj. Rituali i dasmës mirditore ka qenë boshti i një veprimtarie të tillë masive, që e ka tejkaluar krahinën duke i shërbyer promovimit të turizmit kombëtar në Dajt etj.
Kulla dy-tre e katër katshe është mbretëresha e banesës ndër malësorët e Veriut, por dhe të disa zonave të Jugut dhe ashti i saj është guri. Dikur kullë quhej vetëm pjesa e fortifikuar e banesës së lartë, kurse më pas ky emër u bë përgjithësues për vetë banesën me këtë tipologji. Janë të përmendura kullat e Matit, të Malësisë së Gjakovës, ku vetëm Curraj Epër ka 100 të tilla. Jo të gjitha do të jenë bujtina të mirëfillta turistike, ndonëse në funksion të turizmit, si kulla muze e poetit Gjon Gjergjaj në Krushë të Vogël (Kosovë), me mjaft relikte të lashta autentike qysh të periudhës ilire.
Turizmi malor është i gjithë ekosistemi bjeshkëtar, mali, pylli, drurët, ujërat, luginat, livadhet, shkëmbinjtë, shpendët dhe kafshët e egra etj. Profesori veteran i pyjeve, Vezir Muharremi, që ka drejtuar për më shumë se një dhjetëvjeçar pyjet e Shqipërisë, dhe pse në moshë të shtyrë, nuk i ka lëshuar rrugët e maleve, duke udhëhequr studentët në punët e diplomës. Iu thoshte kohë më parë një grupi mjedisorësh: “Më çoni kudo, por jo aty ku pyjet janë shkatërruar”. Katastrofa pyjore nuk është vetëm flaka e përvitshme e verave. Pyjet vazhdojnë të rrënohen dhe nga ndërtimet e rrugëve, hidrocentraleve, guroreve, minierave, qendrave turistike. Mjafton të kundrosh dy faqet e Rrugës së Kombit që prej 9 vitesh nuk është bërë e mundur të vishen sërish me bimësi. Turisti nuk udhëton nëpër “shkretëtirën” e shkaktuar nga njeriu.
Shqipëria e Kosova, por dhe Mali i Zi e Maqedonia kanë turizëm të “përbashkët”, jo vetëm se janë i njëjti rajon, shpesh me të njëjtat male alpine, porse turistët nuk kanë “atdhe”, ata venë njëlloj si në Dajt e Valbonë, si në Kaloshin e Kotorr, si në Brezovicë e Grykë të Rugovës, si në Mavrovë e Shën Naum. Turizmi është “patriotik” atëherë kur atë e bën ashtu si duhet në vendin tënd, që turistët e këtushëm të mos braktisin vetveten nga mungesa e kushteve e standardeve. Dihet tashmë se ne problemin nuk e kemi me komfortin e hoteleve e restoranteve, por shërbimin ende të papëlqyeshëm. Ndoshta dhe këtu mund ta japë shembullin kulla turistike.
Gjithësesi, kulla nuk ka tërhequr vetëm investitorët e turizmit. Edhe Sali Berisha, kullën e tij në Vuçidol, e ka kthyer në një vepër arti të gurtë. Një kullë të pazakontë po ndërton në trojet e vjetra dukagjinase të Kthellës avokati Alfred Duka, dhe pse me banim në Tiranë prej më se njëzet vitesh. Ashtu si poeti i këngës Agim Doçi, që e ka restauruar e pajisur me të gjitha elementet e traditës kullën e të parëve në Shebe. Biznesmeni i njohur i “Ardenos” Tonin Alia e ka kthyer në muze kullën e tij në Kryezi të Pukës. Neo-Kulla e ka quajtur Xhezair Abazi vilën e tij të re në Vleshë të Dibrës. Këto janë vetëm disa raste të rikthimit të vetëdijes së kullave. Intelektualë, biznesmenë, emigrantë i kanë kthyer në identitet kullat e tyre gjithandej, një dukuri që po vërehet përherë e më shumë. Dhe pse këto të fundit nuk janë bujtina turistike, por vetëm për familjarët e tyre, kjo nuk i pengon turistët t’i vizitojnë ato, qoftë dhe sa për një kafe mikpritjeje…