ANALOGJIA MES BIBLËS DHE KANUNIT

DEDAJ,NNdue Dedaj

Kanuni si dukuri historike etnokulturore ka të bëjë me të drejtën ndër shqiptarë. Ai është “Bibla” e së drejtës, me frymëzime nga urtësia shqiptare dhe reflektime të së drejtës kanonike (kishtare). Filozofia e Biblës, mësimet morale të saj, vlerat që mbart, kanë hyrë dhe qarkullojnë në të gjitha kulturat e të gjithë popujve dhe përmes këtyre përkthimeve kanë hyrë e qarkullojnë edhe në kulturën e popullit tonë. Jorgo Bulo, “Bibla shqip dhe tradita”, Botimet Toena 2004, fq. 10. Pa dyshim që filozofia biblike është shprehur dhe në Kanunin e Lekë Dukagjinit si një krijesë autentike e shqiptarëve dhe natyrshëm mund të thuhet se ka ngjasime mes Biblës dhe Kanunit në kuptimin e përgjithshëm të të drejtave të njeriut, apo shoqërisë dhe detyrimeve që një individ ka ndaj tjetrit, apo grupimit, pjesë e të cilit është ai vetë. Ndoshta nuk është e rastit që mbarështruesit e Biblës në shqip dhe mbledhjes e kodifikimit të Kanunit/eve janë klerikë të shquar katolikë të një shekulli, Dom Simon Filipaj dhe At Shtjefën Gjeçovi e Dom Frano Illia. Ashtu siç pagëzuesi i Kanunit në botimin e parë të tij është një tjetër njeri i Biblës, At Gjergj Fishta. Kjo nuk do të thotë se dhe fetë e tjera nuk e kanë të gërshetuar moralin e tyre në ligjet dokesore shqiptare.

Bashkëjetesa e detyruar e ilirëve – shqiptarëve më popullin romak, nga viti 167 para Krishtit deri në shekullin V pas Krishtit, ka bërë që ngjasimet kanunore të kenë qenë lidhur ngushtë më ligjet biblike, pasi besimi i Krishterë në vitin 313 qe shpallur besimi zyrtar në tërë Perandorinë Romake. August Franzen,“Breve Storia della Chiesa”, Brescia, 1997, f. 64. Kjo si një gërshetim i konceptit të njeriut biblik me ligjet e të drejtës romake. Paralelizmi mund të jetë shkaktuar edhe prej prirjeve të përbashkëta natyrore si shoqëri njerëzore. Ngjarjet politike të zhvilluara më vonë në terren, flasin për një lloj ndërvarësie të ndonjë kanuni iliro-shqiptar me drejtën romake, me atë bizantine dhe drejtën Langobarde të ngulitur në Itali në shekullin VI, nga ku Kanuni kishte huazuar një varg ligjesh. E. Koliqi, E Drejta e Kanunit Shqiptar dhe e Drejta Romake, “Studime e Tekste”, nr. 1, Romë 1944, f. 26.

Kësisoj kemi elemente të mjaftueshme, për të dëshmuar se secila shoqëri ka pasur huazime prej njëra-tjetrës, e sidomos kur është fjala për shqiptarët, të cilët përkrah hebrenjve hyjnë në vargun e popujve biblikë. Te shqiptarët, edhe pse krishterimin e pranuan që në kohën apostolike, viti 58, kanuni si gojëdhënë njihet vetëm duke filluar nga mesjeta e vonshme, e sidomos nga koha venedikase.

Kultura e njerëzimit e ka zanafillën e vet në besimet, qoftë për pjesën politeiste të historisë (besimi në shumë zota), qoftë për atë monoteiste (besimi në një Zot), ndaj nuk është diçka e rastit që fillimet e shkrimit të shumë gjuhëve dhe kulturave të vendeve lindore apo aziatike e sidomos të popujve të Evropës si ato gjermanike, frankofone, sllave e të tjerë e kanë zanafillën e tyre në përkthimet biblike. Bibla, shkrim i shenjtë, ngërthen të gjitha gjinitë, që nga poema, rrëfimi historik, lutja, dialogu dhe ka me tepër së një mijë personazhe. Dom N. Ukgjini, Kumbona e së Dielles, nr. 11-12, Shkodër, 2009. f. 2. Bibla nuk është vetëm burim metaforash prusiane, por një terren kulturor, model krijimi të vetëdijshëm për veten, për trupin dhe shpirtin. Bibla, thoshte Blaise Pascal, kërkon një lexim fjalë për fjalë si kërkim filozofik dhe iniciatik. Kultura biblike i përket një epoke të shkuar, megjithatë miliona njerëz e shohin Biblën si një libër gjithnjë të kohës. Veshjet dhe zakonet mund të ndryshojnë, por thellë në brendësi njerëzit janë njësoj. Ata përjetojnë gjithmonë të njëjtat ndjenja njerëzore të dashurisë, urrejtjes, xhelozisë, mëshirës dhe lakmisë.

Bibla është e lidhur ngushtësisht me qytetërimin evropian. Studimi i teksteve të shenjta ka qenë një element i rëndësishëm i këtij qytetërimi. Në shekullin XVII Spinoza bëri analizën e asaj që ia e quan fjala e Zotit dhe zgjimi profetik i trashëguar. Filozofia e Kantit dhe Hegelit i kthehet autoritetit biblik. George Steiner, në librin “Nga Bibla tek Kafka” shkruan për disa mënyra të lexuari të Biblës. Bibla figurativisht është mosha e një njeriu. Bibla kuptohet në heshtje. Ajo e sjell gjuhën në zanafillë. “Ajo ka brenda shpirtin e librit”, thotë Maurice Blanchot. Ajo është një bibliotekë labirintike dhe një bibliotekë e hapur. Imazhet biblike u kanë shërbyer mjaft shkrimtarëve për të shkruar veprat e tyre që nga Marcel Proust – i “Në kërkim të kohës së humbur” e deri tek Thomas Mann – i “Jozefi dhe vëllezërit e tij”, si dhe filozofëve: Baruch Spinoza, Emmanuel Kant, Georg Friedrich Hegel, etj. Bibla është një burim i pashtershëm imazhesh, simbolesh, arketipash, formash rrëfyese ose poetike dhe e pandashme nga kultura në të cilën është formësuar. Edhe pse Friedrich Nietzsche ka shkruar se zotat kanë vdekur, bibliofilët thonë se edhe i vdekur një zot mbretëron përjetësisht. Dom N. Ukgjini, po aty.

          Kemi rrugëtimin e Biblës në shqip. Historia e takimit të shqiptarëve me Biblën nis qysh me Shën Jeronimin nga Stridoni i Ilirisë, shekulli V, më përkthimin e tij të plotë të Biblës në gjuhën latine, ose siç quhet ndryshe Vulgata. Në shekujt e mëvonshëm kemi Formulën e Pagëzimit më 1468, kurse në vitin 1555 Don Gjon Buzuku botoi librin e parë shqip me përmbajtje biblike. Do të vijonin përkthime të tjera të shkrimeve të shenjta në shqip, nga autorë si Lekë Matrenga, Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani, Jul Valiboba, Teodor Haxhi Filipi, Kostandin Kristoforidhi, Vangjel Meksi, Fan Noli etj., çka kulmoi më përkthimin i plotë i Vulgatës së Re nga dom Simon Filipaj, botuar nga “Drita”, 1994.

Depërtimi i mësimeve biblike drejtpërdrejt në truallin ilir, nga goja e apostujve dhe në vazhdim, u bë një dëshmi e rëndësishme dhe nisje e re e një filozofie kulturore e këtij populli të lashtë ballkanik. Universalizmi i Kanunit është shenjë e një udhëtimi të pandërprerë si një vlerë shpirtërore e një kohë të caktuar, e shoqërisë pa autoritet shtetëror, i cili lidhet më përmasën kohore që ka të bëjë me antikitetin greko-romak dhe besimit të tyre të krishterë. Përmbajtja e Kanunit dhe përshkrimi e dukurive zakonore, etike dhe letrare në përgjithësi, parakuptojnë një gërshetim e një ndërthurje në mes të vërtetës biblike dhe asaj kanunore. Kanuni pasi përcakton tiparet thelbore të etikës së të drejtës zakonore, përqaset më karakteristikat e koncepteve bazë të etikës biblike, siç janë: ligji, drejtësia, e vërteta, nderi, gënjeshtra, mikpritja, besa, besimi, bujaria, urtia, mikpritja, familja, miku, buka, armiku, dënimi, urrejtja, falja etj. Këto fakte të trashëguara nga Bibla e të interpretuara më mjeshtri në shkrimet e Kanunit, e bënë këtë të fundit si një gur kilometrik i qytetërimit shqiptar më vlera të larta. Shenjat e ndërsjellta dokesore-kanonike komunikojnë mes tyre dhe pasqyrojnë ngjashmëritë e Kanunit me shoqërinë e botës së krishterë, posaçërisht atë shqiptare. Ndue Dedaj, Kanuni mes kuptimit dhe keqkuptimit, Tiranë 2010.

Kanuni ka vepruar në rrethana të caktuara, në mesjetën e hershme, më zgjatim ekzistencial edhe nën pushtimin osman si një pushtet paralel i natyrës morale. Kur flasim për Kanunin, mund të flitet për një element unik të shtrirë në gjithë hapësirat shqiptare, element etik përbashkues të trojeve dhe shqiptarëve, pavarësisht nuancave të ndryshme si toskë e gegë dhe më vonë nga shek XVII, mysliman e të krishterë. Prania e Kanunit në rrethana të caktuara asimilimi, ka qenë edhe një akt mbijetese i kombësisë shqiptare, në kontekstin e gllabërimit të perandorive që kanë shkelur në këtë dhè.

Duke mos hyrë në hollësirat e kanunit, kundrojmë sadopak ngjashmëri të konceptit bazë të etikës së tij më interpretimet e së drejtës biblike. Nga krahasimi që bëhet, vihet re lidhja thelbësore e më shumë se shtatëmbëdhjetë koncepteve etike, të shprehura më lart, të cilat zënë hapësirën qendrore të Biblës, e cila që në kapitullin e parë të Pesëlibërshit (Pentateu) shprehet për identitetin dhe dinjitetin e njeriut, për formimin e bashkësisë-popullit, jetës në skllavëri, lidhjën e Besëlidhjes në mes veti, vlerën e kodit moral, kodin e adhurimit të Hyjit, mëkatin zanafillor (Kaini dhe Abeli) dhe ditën e shlyerjes së tij, postulatet e nderit dhe virtytit, domethënien e ligjit dhe lirisë etj. Besëlidhja, ose marrëveshja, ndërmjet Perëndisë dhe populli të tij izraelit – e bërë nëpërmjet Moisiut si prijës i populli të Izraelit, në Malin Sinaj – është thelbi i tërë Besëlidhjes së Vjetër. Besëlidhja bazohej në dashurinë dhe mirësinë e vet Perëndisë për popullin e tij, të shprehura nëpërmjet “Dhjetë Urdhërimeve” të veta, apo “Dekalogut”, për të pasur njeriu një jetë më të lumtur. Gjysma e parë përmbledh marrëdhënien e popullit më Zotin, dhe pjesa e dytë marrëdhënien e tij më të tjerët, si: liria, dinjiteti njerëzor etj. Këto ligje janë shumë më tepër se një serë rregullash kalimtare për një grup apo popull. Ato janë pranuar gjerësisht si universale dhe të përhershme. Sa për ilustrim po paraqesim pjesën e dytë të Urdhërimeve, duke filluar nga urdhri i katërt dhe në vazhdim: “Ti ndero babanë tënd, nëse dëshiron të jetosh gjatë mbi tokë; Ti nuk do vrasës; Ti nuk do të bësh tradhti bashkëshortore; Ti nuk do vjedhësh; Ti nuk do japësh dëshmi të rreme; Ti nuk do lakmosh njeriun për të keq; Ti nuk do lakmosh asgjë që sështë e jotja. Bibla, Filipaj… Eksodi, 20.

Ka shumë ligje të tjera të shkruara në librat e ligjeve në Besëlidhjen e Vjetër, disa prej të cilave duket qartë se lidhen me jetën siç jetohej në atë kohë duke dhënë udhëzime konkrete se si të veprohej në situata të caktuara, në lidhje më jetën familjare partriarkale, trajtimin skllevërve, punës se krahut, hakmarrjes, zemërimit etj, dukuri këto të shprehura edhe Kanunin e Lekës. Bibla, Filipaj… Levitku 19.

Në Besëlidhjen e Re, konceptet e parimit moral, bëhen edhe më të qarta dhe më të kapshme për masën të cilës u është dedikuar. Jezusi Krishti si themelues i kësaj Besëlidhje, kodin Hyjnor (lex Divina) dhe atë moral njerëzor, e shtjellon duke përdorur shëmbëlltyra (tregime) të ndryshme, si p.sh: Dy borxhlinjtë dhe shërbëtori që s’falte, Vreshtarët e ligji, Ftesë për dasmë, Kreditorët dhe borxhlinjtë, Miku në nevojë, Pasaniku i pamend, Vendet e nderit në dasmë, Djali Plangprishës, Pasaniku dhe Lazri, Samaritani i mirë, Administratori i pabesë etj. Bibla, Filipaj, Ferizaj 1994. Edhe Letrat e Apostujve, si të shën Palit, shën Pjetrit, shën Gjonit etj., duke shprehur mësimet për besimin e krishterë, janë përplot sugjerime praktike mbi mënyrën se si “kjo dije mendore” duhet të zbatohet çdo ditë në jetën e krishterë dhe jo vetëm.

Ligji me i debatuar i Kanunit siç është vrasja dhe hakmarrja, është trashëguar nga Besëlidhja e Vjetër “dhëmb për dhemb e sy për sy”, dukuri kjo që në Besëlidhjen se Re përplotësohet, duke kërkuar qe edhe armiku duhet të falet. “Keni dëgjuar se u qe thënë të vjetërve “mos vra”… e unë po u them: Kushdo zemërohet kundër vëllait të vet (çdokujt), do të jetë përgjegjës para gjyqit… të Zotit. (Mt. 5, 21-22). Në Besëlidhjen e Re jo vetëm qe ndalohet rreptësisht vrasja por në vend të hakmarrjes, predikohet falja si mjet shërimi shpirtëror për njeriun e keq dhe kthimit të tij në rrugën e drejtë qe është ajo Zotit.

Nga koncepti biblik shihet se nga ligji hyjnor (lex divina) rrjedhimisht lind ligji natyral (lex natyralis) dhe nga i dyti rrjedh ligji njerëzor (lex humana). Në këto parime thelbore qe ndërtuar dhe Kanuni Shqiptar, i cili qe ngulitur thellë në ndërgjegjen e çdo shqiptari gjatë shekujve e sot është një lëndë burimore për të kuptuar psikologjinë, etnologjinë dhe drejtësinë e shqiptarëve në kohët parashtetërore.

Shënim. Kjo trajtesë u përgatit me ndihmesën e pakursyer të historianit Dr. Dom Nikë Ukgjini.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *