Pas kuvendeve të mëdha të mbledhura në Ndërfanë në qershor të vitit 1594 e më pasnë vitin 1598 në Blinisht, turqit i shtuan përndjekjet dhe presionin e tyre mbi popullsinë shqiptare. Nikoll Mekajshi, peshkop i Stefanisë e i Bendës i ndjekur nga turqit strehohet në territoret e Dukagjinit. Ai qëndroi fillimisht në Perlat e më vonë në katundin Bisakë të Fanit. Në një letër që më 25 korrik 1601, ai ia drejton Romës, mes të tjerash shkruan “…Këtu në Shqipëri çdo vit bëhen sulme të turqve kundër dukagjinasve… Këtë vit ushtritë e katër sanxhaqeve u lëshuan kundër Dukagjinit. Bënë disa dëme në plaçka e bagëti, morën skllevër dhe dogjën shtëpi. Edhe dukagjinasit nga ana e tyre nuk kanë munguar t’iu përgjigjen: një mëngjes me dy tuba sulmuan fushimet turke. Njëri kapi edhe djalin e Mustafa Pashës së Dibrës. Edhe pse në atë drejtim qenë gjashtë mijë vetë, u thyen, u shpartalluan dhe dukagjinasit i ndoqën më se dhjetë milje, iu morën gjithë flamurët, vranë disa turq dhe kapën mjaft armë e plaçka të tjera lufte”. (1)
Kërkesat e Kuvendit të Ndërfanës të paraqitura me këmbëngulje nga Mark e Gjon Gjini princërve të Europës së krishterë, nuk u morën parasysh. Në atë periudhë siç është pohuar princat e Europës ishin në mosmarrëveshje të ashpra me njëri-tjetrin për shtrirjen e zonave të influencës.
Foto nr 15
Kisha e Oroshit
Foto Agfa Studio Gjermane
Gjithsesi princat dukagjinas nuk ndejtën duarkryq. Po me 15 shkurt të vitit 1602 organizuan një kuvend të madh me pjesëmarrjen e 14 krahinave shqiptare, i cili është dokumentuar si Kuvendi i Dukagjinit.
Nisur nga cilësimi i tij me emrin “Kuvend i Dukagjinit” -pohon studiuesi-Nikoll Doda- që në atë kohë ishte një njësi territoriale relativisht e gjerë, studiues dhe historianë të ndryshëm kanë dhënë mendime jo të njejta për vendin ku u mbajt ai:
– Për disa studiues vendi i mbajtjes së Kuvendit të (Dukagjinit) vitit 1602 është fshati Dukagjin në rrethin e Matit. (2)
– Një mendim tjetër e çon vendin e mbajtjes së kuvendit në fshatin Shën Lleshën në rrethin e Dibrës.(3)
– Për një grup tjetër studiuesish, vendi ku u mbajt ky kuvend, është Mali i Shenjtë mbi fshatin Orosh, në Mirditë.(4)
Atëhere natyrshëm shtrohet pyetja pse studiuesit nuk kanë një mendim të përbashkët për vendmbajtjen e këtij kuvendi?
– Së pari të gjitha dokumentet që kemi pasur në dispozicion të kësaj ngjarjeje theksojnë se: “Mbledhja është mbajtur në provincën e Dukagjinit, në Sant Alessandros”.(5) Po ashtu, të gjitha dokumentet pohojnë se ky kuvend u mbajt në vendin e dukagjinëve e asnjëherë në fshatin Dukagjin. Treva që njihej me emrin Dukagjin, në kapërcyell të shekujve XVI –XVII, dihet qartazi se është territori i sotëm i Mirditës. Po ashtu në këto rrethana është e domosdoshme të shtrohet pyetja se deri ku shtrihej provinca e Dukagjinëve në kohën e dhënë, dhe pastaj të mund të përcaktojmë dhe se ku gjendet Kisha me emrin e Santa Alessandros, ku u mbajt dhe kuvendi i famshëm. Paraprakisht mund të theksohet se nuk ka asnjë pëputhje midis emrit të provincës së Dukagjinit, që përmendet në dokumentin e paraqitur nga L Ugolini, dhe emrit të fshatit Dukagjin të rrethit të sotëm të Matit. Gjithashtu dihet se nocioni krahinor Dukagjin, gjatë shekujve, edhe mund të ketë ndryshuar shtrirjen e vet territoriale. Por një gjë është e domosdoshme të kihet parasysh, se përderisa në dokumentin përkatës jepen edhe emrat e përfaqësuesve të provincës së Dukagjinit, bile të parët në radhë që firmosën në atë dokument, pasi mbledhja po zhvillohej në atë krahinë, e në vazhdim disa radhë më poshtë edhe emrat e përfaqësuesve të provincës së Matit, kuptohet se ajo ishte jo vetëm një provincë e veçantë me atë të Dukagjinit, por kishte përfaqësuesit e vet në këtë kuvend prandaj është e papranueshme që të bëhet unifikimi i tyre.
Sidoqoftë Sanxhaku i Dukagjinit ishte emërtim osman, emri Dukagjin si krahinë, ishte krejt tjetër gjë dhe përfshinte një trevë më të përcaktuar, bile shumë më të përcaktuar edhe në hapësirë.
Po t’iu referohemi dokumenteve në vitin 1609 mësojmë se: “Dukagjini i lirë, aso kohe, shtrihej në zonën malore që nga krahu i majtë i Drinit, i cili e ndante me Pultin e deri në Mat”. (6)
Në vitin 1610 Kthella dhe Mirdita quheshin Dukagjin,(7) ndërkohë që në vitin 1621 ndër të tjera relatohet: “…Janë dukagjinasit që kanë çue krye kundër turqve tridhjetë vjet më parë, të cilët kapën gjashtë mijë luftëtarë, të gjithë me armët e veta. Këta janë njerëz të vendosur dhe të vlefshëm sa s’mund t’i ketë bota, shumë të stërvitun në disiplinën ushtarake, dhe banojnë në malësi mbi Lezhë ndërmjet Shkodrës dhe Krujës…” (8)
Për përcaktimin e vendeve të Provincës së Dukagjinit na vijnë në ndihmë dhe defterët e regjistrimit të tokave dhe të popullsisë gjatë shekjullit XVI. Kështu, sipas defterit të vitit 978 hixhri (1571) dhe atij të vitit 999 hixhri (1591) ky sanxhak përfshinte Nahijen e Zadrimës, të Ragamit, të Dibrit (që përfshinte Lezhën dhe malësitë e saj), të Spaçit, të Pukës, të Fanit të Madh, të Fanit të Vogël, të Iballës, të Mirditës, të Gjakovës dhe të Prizrenit, deri te lumi Drin i Bardhë, të Tropojës dhe Kukësit, Pashtrikun, Lumën, Opojën.
-Së dyti asnjë dokument historik dhe kishtar nuk dokumenton që në fshatin Dukagjin të Matit, të ketë pasur një kishë aq të madhe që të nxinte brenda saj mbi 2000 veta, në një kohë që dokumentet që flasin për këtë kuvend dokumentojnë qartazi se në kuvend morën pjesë 2656 veta. (9)
Së treti. Siç vërtetohet nga dokumentet kishtare dhe nga burimet e tjera historike, kisha e fshatit Dukagjin në Mat emërtohej Santa Alessios (Shën Lekës).(10)
Kurse në dokumentin origjinal flitet për Santa Alessandros që korrespondon me përkthimin në shqip Shën Llezhdrit.
– Së katërti. Popullsia e luginës së Matit në këtë kohë ishte e muslimanizuar, ndërsa dukagjinët ishin të çliruar nga tributë turke(11) pra nuk mund të mblidhej një kuvend kaq i madh në vende ku ishte vendosur sundimi osman. Kjo sidomos për arsye sigurie.
– Së pesti. Nëse duhet të nisemi nga një kishë e emëruar Santa Alessandros ajo detyrimisht duhet të jetë në provincën e Dukagjinit.
Bazuar në gjithë sa thamë më sipër, arrihet në konkluzionin se fshati Dukagjin i Matit, nuk ka të bëjë fare me vendin ku u mbajt Kuvendi i Duakgjinit i vitit 1602. Po ashtu janë të shumta burimet arkivore, historike dhe kishtare, që na çojnë në mendimin e konsoliduar se ky kuvend u mbajt në kishën e Shën Lezhdrit në Malin e Shenjtë, në Orosh të Mirditës.
Burimi bazë mbi të cilin mbështeten të gjithë studiuesit që e trajtojnë këtë çështje, është letra që na paraqet Ugolini, L., në veprën“Pagine di Storia Venete”, dok.1, f. 22-23.i cili pohon se “…Po në vitin 1602, me 15 shkurt, në manastirin e Shën Llezhdrit në Malin e Shenjtë në Orosh, u zhvillua një kuvend tjetër, Kuvendi i Dukagjinit”.(12)
I njejti autor, Ugolini, L. duke iu referuar po atij dokumenti përforcon mendimin e mësipërm kur perifrazon; “…ne pleqtë, krerë dhe të parë të të gjithë popullit të Shqiprisë të mbledhur së bashku, një mendje me të gjithë popullin katolik të besimit romak, jemi mbledhur dymijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e gjashtë veta nga kryesorët, të gjithë të mbledhur së bashku në vendin e Dukagjinit në Shën Alessandër…” (13)
I të njejtit mendim është edhe studiuesi Petër Bartël(15) kur pohon se: Në mesin e shkurtit të vitit 1602, në abacinë e Shën Llezhdrit (S.Alessandro) në Mirditë, u mblodh sërish një kuvend shqiptar, në të cilin u vendos t’i ofrohej Venedikut sovraniteti mbi Shqipërinë. Pjesëmarrësit në tubim, thuhet se kanë qenë 2656 sish, e dërguan si negociator në Venedik ipeshkëvin e dioqezës së Sapës dhe një farë Pal Dukagjinin. (14)
Në shkresën që këta dy shqiptarë e parashtruan atje, përkujtoheshin bëmat e Skënderbeut dhe pohohej se në Shqipëri mund të mobilizoheshin në anë të Venedikut, 100000 burra, që do të rroknin armët për të luftuar kundër turqve. Katolikëve, të cilët ishin në gjendje të organizonin 40000 burra, do t’iu bashkoheshin edhe shqiptarët ortodoksë. Mund të llogaritej edhe me fqinjët serbë e malazezë. Shkresës më tej i ishin bashkangjitur kushtet, nën të cilat shqiptarët ishin të gatshëm t’i shtroheshin sundimit venedikas. (15)
– Venedikasit do të duhej të caktonin një “ capitano general” për Shqipërinë.
– Shqiptarët të marrin poste oficerash.
-Të lirohen nga të gjitha kontributet për armatime dhe nga të gjitha llojet e doganave.
-T’i paguanin vetëm një të tridhjetën e fitimit Republikës së Shën Markut.
– Kjo e fundit të merrte në mbrojtje shqiptarët nga çdo armik.
Venediku natyrisht nuk ishte i interesuar.
Dokumentet historike sugjerojnë se: “…Ka pastaj Shën Llezhdrin të vendosur përmbi malet e Mirditës, e cila është Abaci e mitrueme dhe është kishë shumë në za ndër ato anë dhe me rentë të madh, dhe me nderim të madh…” (16) “…Kisha e Shën Llezhdrit në Mirditë dihet prej nesh se ka qenë, moti dhe tash abaci e mitrueme…..” (17)
Në atë fillimshekulli, pushtuesit osmanë, ndërmorën kundër krahinës së Mirditës, atëherë Dukagjini, fushata ndëshkimore shumë të egra, gjatë të cilave dogjën, plaçkitën e rrënuan duke bërë rrafsh me tokën të gjitha katundet.
Kisha e Shën Aleksandrit në Malin e Shenjtë në Orosh, një abaci e vjetër, shumë e përmendur, e cila ka një rëndësi të madhe, jo vetëm kur i del emri për herë të parë si kishë e Shën Aleksandrit, por ka rëndësi, sepse ka qenë dhe më e vjetra, përderisa ishte qendra e abacisë mitrale. Zakonisht ishin qytetet që kishin abaci mitrale, por dhe monumente shumë të rëndësishme e gëzonin këtë status. (18)
Manastiri ka qenë vend i rëndësishëm ku mblidheshin koncile, ku bëhej mbledhja e kuvendeve të mëdha, siç ka qenë kuvendi i vitit 1602, të cilët mblidheshin në një vend të sigurt, që ishte autonom nga turqit, një vend i mbrojtur dhe i sigurtë nga sulmet e të tjerëve. Dhe të parët që firmosën janë peshkopët e Stefanisë, Sapës dhe abati i Manastirit si dhe princat e vetë Mirditës (19).
Në këtë kuvend morën pjesë 2565 delegatë nga të gjitha krahinat shqiptare. (20)
Kështu gjejmë të përfaqësuara trembëdhjetë krahina të Shqipërisë si: Dukagjini, Kosova, Dibra, Shkodra, Zadrima, Mati, Kurbini, Kruja, Petrela, Elbasani, Durrësi, Myzeqeja e Spindarica.
Kuvendi i mbajtur në vitin 1602 në Abacinë e Shën Aleksandrit në Malin e Shenjtë, ishte gjithshqiptar dhe kishte si qëllim organizimin e një kryengritjeje të përgjithshme antiturke.
- Ugolini është ai që jep dhe datën e saktë të mbajtjes së këtij kuvendi pra 15 shkurt 1602.
“Ne, krerët, pleqtë e parë të të gjithë popullit të Shqipërisë… një mendje me të tërë popullin… jemi mbledhur në vendin e dukagjinasve, në Shënllezhdër dhe kemi dhënë besën për t’i kthyer gjithë popullit të Shqipërisë lirinë e vjetër, si në kohë të prijësit tonë Gjergj Kastriotit.., i drejtohemi kthjelltësisë suaj për ndihmë…” (21)
Kuvendi mori vendim për fillimin e luftës për çlirimin e Shqipërisë. Ky kuvend u drejtua nga Nikoll Mekajshi, Nikoll Bardhi dhe Gjin Gjergji. Po ashtu kuvendi vendosi që të nisen për në Venedik dy përfaqësues të tij, të cilët kishin për detyrë t’i deklaronin senatit të Shën Markut se, nëse nuk ndihmohet prej tyre lëvizja e armatosur e kryengritësve shqiptarë, atëhere krerët e kuvendit do t’i drejtoheshin një fuqie tjetër, e këtu bëhej fjalë për Spanjën. Por ndërsa Austria vendos paqen me turqit, Venediku nuk e ndihmoi Shqipërinë, përkundrazi u përpoq t’i ruante raportet paqësore me Portën e Lartë.
Të parët që firmosën në kërkesën e drejtuar papës dhe fuqive perëndimore ,qenë krerët vendas: Gjin Gjergji, Gjeto Laloshi, Gjon Qafalia, Geg Zajsi, krerë dhe pleq të parë të krahinës së Dukagjinit. Vendimet u nënshkruan nga 52 krerët kryesorë, katër nga secila krahinë.
Letra qartësisht firmoset më 15 shkurt të vitit 1602 në Shën Aleksandrin e krahinës së Dukagjinit (Sant’ Alessandro della provintia di Ducagini). Në letër pasojnë firmëtarët sipas krahinave: të Dukagjinit, të Serbisë, të Dibrës, të Shkodrës, të Sapës (Zadrima me Lezhën), të Matit, të Kurbinit, të Krujës, të Petrelës, të Elbasanit, të Durrësit, të Myzeqesë, të Padenia- Spindarica (?) .
Letra vazhdon më tej, që Venediku do denjojë t’i pranojë e mbështesë si shërbëtorë besnikë dhe të vërtetë. Së pari kërkojnë të caktohet nga Senati një Kapiten i Përgjithshëm për t’i qeverisur, ashtu siç do ta mendojë Venediku. Gjithashtu i kërkojnë Republikës që krerët kryesorë, ata që do zgjedhë Serenissima, d.m.th Gjenerali i mësipërm, të bëhen Kolonelë, Drejtues dhe Kapitenë të ushtrisë, me atë rrogë që ajo do ta shohë të arsyeshme, të gatshëm për të jetuar dhe vdekur nën flamurin e Shën Markut. Po kështu i kërkojnë që të çlirohen nga pagesa e disa taksave dhe pranojnë disa të tjera. Së fundi luten që ajo t’i mbrojë nga çdo armik e t’i konsiderojë për gjithçka si qytetarë të saj. Firmëtarët, që në fund të letrës vërtetojnë me vulën e tyre sa më sipër, janë ipeshkvi i Stefaniakës dhe vizitator Apostolik për gjithë Shqipërinë Nikollë Mekajshi dhe ipeshkvi i Sapës dhe i Sardës Nikollë Bardhi. Letra përmbyllet me firmën e abatit të Shën Aleksandrit fra Bernard Laçit, i cili e shkroi letrën “me urdhrin dhe konsensusin e krerëve dhe prijësve të mësipërm të gjithë Shqipërisë”.
Nga parashtrimi i letrës dhe renditjes sipas krahinave të firmëtarëve të saj, del qartë për ne se bëhet fjalë për Shën Aleksandrin në krahinën e Dukagjinit. Krahas Dukagjinit, por rreshtuar mbas Serbisë, Dibrës, Shkodrës dhe Lezhës me Sapën, vjen krahina e Matit dhe ajo me përfaqësuesit e saj. Pra Mati nuk bën pjesë në Dukagjin në atë njehsim, siç nuk ka qenë kurrë pjesë e Dukagjinit. Por çfarë kuptojmë në ata shekuj me emërtimin gjeografik Dukagjin?
Ndër dokumentet më me vlerë është relacioni i Mark Skurës prej Kruje, arqipeshkv i Durrësit, i cili në Relacionin që i dërgon Kongregacionit të Propagandës Fide në Selinë e Shenjtë, në vitin 1641, shprehet qartë se”…Lisi gjendet ndërmjet maleve të Krujës dhe Dukagjinit. Abacia është në kufi të Matit dhe të Dukagjinit. Mati është një luginë e madhe ndërmjet dy maleve të sipërthëna….Dukagjinasit janë njerëz të lirë nga haraçi turk.” Ndërsa letra e mësipërme drejtuar Venedikut e cilëson abacinë ku u mbajt Kuvendi, si të krahinës së Dukagjinit. Veç kësaj abacia e Shën Llezhdrit në Orosh, është një abaci e shquar, e mbajtur por shumë e vjetër, madje dhe abaci mitrale d.m.th abatët e saj kanë pas qenë ipeshkëv të Arbërisë (episcopus Arbanensis).
Të dhëna të njëjta gjejmë dhe në Relacionin e ipeshkvit të Sapës dhe Sardës, Pjetër Budi, dërguar më 15 shtator 1621, kardinalit Gozzadino. Sipas tij, në anën tjetër të Krujës janë dukagjinasit që kanë ngritur krye para 30 vitesh, dhe që kanë 6000 luftëtarë. Ata banojnë, sipas Budit, në malësi mbi Lezhë, ndërmjet Krujës dhe Shkodrës, ndërsa më tej është krahina e Matit. Në të njëjtin relacion kur flitet për popujt e krahinës së Dukagjinit dhe shtrirjen e tyre përfshihen ndër të tjera Iballa, Fandi i Vogël, Fandi i Madh e Mirdita.
Në kuvend bëhet me dije nëpërmjet letrës, se kanë marrë pjesë dhe ipeshkëvi i Sapës e i Sardës.
Ndërsa kuvendi zhvillonte punimet, turqit, të njoftuar mbas gjasave nga venedikasit, e sulmuan Dukagjinin e asaj kohe (pra Mirditën) nga dy anë: nga juglindja nëpër luginën e Matit në drejtim të Perlatit, dhe nga ana e lindjes, duke u nisur nga Dibra e Poshtme përballë Lurës. Dukagjinasit nuk qëndruan në mbrojtje, por kundërsulmuan me guxim dhe i zmbrapsën me humbje të ndjeshme forcat turke. (22)
Nikoll Mekajshi peshkopi antiturk
Emri i tij pa diskutim është i lidhur fort me luftën dhe qëndresën e tij anti turke, e në veçanti emri i tij del si drejtues i kuvendeve të vitit 1594 dhe 1602 të organizuara në territorin e Mirditës, pra njëri në Ndërfanë e tjetri në Orosh në Malin e Shenjtë.
Nikollë Mekajshi është peshkopi i Shqipëris së Mesme (23). Prelati rebel që në vitet 1592-1615 u bë njëri ndër udhëheqësit kryesorë të shqiptarëve që hartuan projekte dhe udhëhoqën luftën për çlirimin nga pushtuesit osmanë.
Në vjeshtën e vitit 1594 Nikoll Mekajshi së bashku me prijësit mirditas Mark e Gjon Gjini niset për në Romë për t’u takuar me Papën. Në Venedik takohen me kalorësin Tom Plezha që ishte në shërbim të Venedikut. Midis Plezhës dhe Mekajshit pati një mosmarrëveshje që përfundoi me tradhëtinë e plotë të Plezhës, i cili lëshoi një dëshmi me anë të së cilës u zbuloi venedikasve qëllimet e shqiptarëve (24 ) .
Pas kësaj Nikoll Mekajshi detyrohet të kthehet në atdhe dhe u strehua në Mirditë, pasi u dënua me vdekje nga qeveria e atij vendi. (25) Prej maleve të Mirditës ku ai ishte strehuar pas vitit 1594, u shkruan kardinalëve të Romës më 25 korrik 1601. Këtu në Shqipëri çdo vit bëhen inkursione nga ana e turqve kundër dukagjinasve, po ashtu edhe nga ana e dukagjinasve kundër turqve (26). Dhe vijon relacionin e tij Mekajshi… katër Sanxhakbejlerë grumbulluan një ushtri prej 15000 vetash, kalorës dhe këmbësorë dhe u lëshuan mbi këto male ku bënë plaçkitje, dogjën shtëpi e morën shumë robër.(27)
Këtu Nikoll Mekajshi qëndron i lidhur fort me krerët mirditas dhe në vitin 1602 (28)është njëri ndër drejtuesit kryesorë të këtij kuvendi.(28)
Në vitin 1609-1610 kur Nikoll Mekajshi si i dërguar i maleve të Mirditës ngul këmbë pranë mbretit të Spanjës dhe Papës për ndihmë, nga Kosova dhe të gjitha anët e tjera, osmanët ndërmorën një ekspeditë ndëshkimore mbi Mirditë.
Për françeskanët shqiptarë çështja kombëtare ka qenë gjithnjë detyrë. Meshtarët e urdhërit françeskan gjithnjë janë njohur për atdhetarizëm, ka prej tyre që kanë qenë faktorë të rëndësishëm në të gjitha ngjarjet e mëdha që kanë të bëjnë me kombin deri në Shpalljen e Pavarësisë. Në projektet për çlirimin e tokave shqiptare një rol të posaçëm kishte kleri katolik. Ndër pjesëmarrësit e kuvendeve të Dukagjinit morën pjesë klerikë katolikë, asnjë ortodoks dhe kler shekullar nga Myzeqeja e lart, ndonëse dokumentet u hartuan në emër të popullit shqiptar.(29)
Në vitin 1602, Nikoll Mekajshi, në emër të të gjithë shqiptarëve, e fton Papën të vinte në Shqipëri si padron e zot i tyre. Projekti mbeti në letër. (30)
Një vit më vonë, (1603) Nikollë Mekajshi, sipas porosisë së papa Klementit të VIII, hartoi një plan lufte për Shqipërinë nga Shkumbini e lart. (31)
Literatura
- “Dokumente të shekullit XVI-XVII për historinë e Shqipërisë”, Tiranë, 1980, vëll. II, f. 269.
- Zamputi.I. “Lufta e popullit shqiptar kundër pushtuesve turq” botuar në Buletinin e shkencave shoqërore. 1978. nr, 1. f. 84.
- Sadikaj. H. Rreth përcaktimit të vendit ku u bë mbledhja e kuvendit të përgjithëshëm shqiptar të vitit 1602. “Mirdita në shekuj” (konferencë shkencore) 25 Maj, 1994. Kumtesë
- Ugolini, L. “Pagine di Storia Venete”,Romë 1933-1934, Vol.III, f. 17-24.
- Ugolini, L. “Pagine di Storia Venete”,Romë 1933-1934, Vol.III, f. 17-24.
- “Relacione mbi gjendjen e Shqipërinë së Veriut dhe asaj të Mesme në shekullin XVI, vëll. I (1610-1634)” Tiranë, 1963, f, 475.
- Doçi . Pal.“Vetëqeverisja e Mirditës”. Tiranë, 1996 , f.6.
- “Relacione mbi gjendjen e Shqipërinë së Veriut dhe asaj të Mesme në shekullin XVI, vëll. I (1610-1634)” Tiranë, 1963,f , 309.
- Ugolini, L., “Pagine di Storia Venete”,Romë 1933-1934, Vol,III, f. 17-24.
- Hylli i Dritës , Vjeti VII, nr 11, Nëntuer 1931” Relacion i dioqezit të Durrësit, bërë nga Dom Stefano Gaspri, vizitor apostolik i Shqipërisë në vitin 1672, f. 644.
- U.SH.T. Insituti i Historisë dhe Gjuhësisë: Burime dhe materiale për historinë e Shqipërisë nr. 3, Vol. i II.
- Ugolini, L. “Pagine di Storia Venete”, dok.1, f. 22-23.
- Ugolini, L. “Pagine di Storia Venete”, dok.1, f. 22-23.
- P.Bartël. “Shqipëria nga Mesjeta deri sot” Prishtinë. 1999, f. 68.
- Doçi, Pal. “Vetëqeverisja e Mirditës”. Tiranë, 1996 , f. 6.
- “Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë së Veriut dhe asaj të Mesme në shekullin XVI vëll. I (1610-1634)” Relacion i M. Skuraj, Tiranë, 1963, f. 247.
- “Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë së Veriut dhe asaj të Mesme në shekullin XVI vëll. I (1610-1634)”.Relacion i M. Skuraj, Tiranë, 1963, f. 247.
- Meksi, Aleksandër. “Katolicizmi në Mirditë kishte një pozitë të veçantë dhe rrënjë të thella”, “Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën”. Tiranë, 2009, f. 314.
- Meksi, Aleksandër, po aty, f. 314.
- Ugolini, L. “Pagine di Storia Venete”, dok.1, f. 22-23.; Dokumente për historinë e Shqipërisë të shekullit XVI-XVII…, dok . nr. 186, f. 271-275.
- Doçi, Pal, “Mirdita vatër e qëndresës antiosmane” ,Tiranë, 1999, f. 127.
- Zamputi, I. “Studia Albanica”, 1966, nr.1, f.18.
23.Revista “Leka “ 1936, f. 269-270 “Letër e pleqve të maleve shqiptare drejtuar Papës më 1.7.1593; Historia e Shqipërisë vëll. I.1959, f. 17-18
- Ugolini, L., “Pagine di Storia Venete”,Romë 1933-1934, Vol,III f 17-24.
25.Ljubic Starine XXXIV, f.139-140
- Zamputi, I. “Projekti shqiptar për liri..” Tiranë, 1961, f.38.
27.Po aty.
- Zamputi, I. “Projekti shqiptar për liri..” Tiranë 1961, f. 33.
- Zamputi, I. “Relacion mbi gjendjen e Shqipërisë në shekullin XVI-XVII vëll. II, Tiranë, 1963; Dokumente për historinë e Shqipërisë shek. XVI-XVII, vell. II”,. Tiranë. 1989, f. 4.
- Zamputi, I. Dokumente për historinë e Shqipërisë shek. XVI-XVII, vell. II, Tiranë, 1989
31 . Po aty. f.98.
Jeni munduar te sillni mjaft fakte por te cilat jane shume lakonike.
Shpesh here studiues mirditore e nxjerrin dhe Skenderbeun te lindur ne Mirdite nderkohe ketu ju shpreheni se keni qene hapsire e principates se Dukagjineve … atehere lind pyetja si ka mundesi qe nje Kastriot i lindur aty ja paskesh lene vendlindjen e tij dikujt tjeter?
Pastaj ku e keni hasur diku tjeter faktin qe 2000 e ca pjesmarres perfaqesues te mblidhen te gjithe sebashku ne te njejten salle apo ndertese? Mos po flasim ketu per nje kishe gjigande sa ajo e Milanos, Londres apo Parisit?
Jo zoteri kishat ishin modeste pergjithesisht dhe kete e kemi pare nga rrenojat e tyre ne te gjitha krahinat e Shqiperise.
Si perfundim, Dukagjini i Matit eshte me i vjetri me kete emer ne Shqiperi kete e ke te faktuar nga dokumentet e Vatikanit gjithashtu aludimi juaj se Mati ishte islamizuar plotesisht me 1602 eshte krejtesisht i pasakte pasi ne defteret turko-osmane qe ju vete citoni te gjithe pronaret e tokave jane me emra te krishtere ( nder to do te gjeni dhe mbiemrin FRANGU ne Lis te Matit *Marin Frangu pronar tokash) dhe une vete jam pasardhes i atij fisi dhe akoma kam po te njejtin mbiemer.
Ju pershendes dhe gjithesesi ju admiroj per hulumtimin tuaj.
Me respekt Genti.