NJË UDHËRRËFYES I KUJTESËS HISTORIKE, TRAKTAT I SHTETIT KOMB DHE SHQIPËRISË EVROPIANE
Pasi lexova librin “Shteti Komb, Domosdoshmëri Historike” dhe vendosa të shkruaj parathënien, që në fillim krijova idenë e trajtimit të librit dhe autorit të tij si një binom.
Azgan Haklaj u bë personazh i njohur i jetës politike dhe i publikut shqiptar dy dekada më parë, në vitin 1997. Shqipëria, për shkak të rebelimit të armatosur që solli rënien e shtetit dhe të institucioneve të tij, u bë arenë e luftës së bandave të armatosura dhe e aventurierëve të politikës, duke rrezikuar jo vetëm rënien në një luftë të përgjakshme civile, por më tepër se kaq, zgjimin e demonëve të përçarjes krahinore, dezintegrimin e unitetit kombëtar, si faktori determinant i sigurisë së tërësisë tokësore, i lirisë dhe sovranitetit të Atdheut. Vlora dhe Tropoja, si dy krahët e shqiponjës, u bënë asokohe epiqendrat e tërmetit të mbrapshtë të Vitit ‘97.
Azgani, djaloshi i denjë për emrin që mban, u përball me guxim dhe kurajë të jashtëzakonshme me bandat e sponsorizuara nga segmentet e politikës. Ai ringriti PD dhe strukturat e saj lokale përmes breshërive të plumbave, shpërthimeve të bombave dhe eksploziveve, dhe në ballë të protestave e demonstratave të qëndrestarëve demokratë e patriotë, i tha “Jo” përgjakjes së Tropojës, përçarjes dhe urrejtjes politike. Ai u lançua në fillim si politikan, si deputet i vendosur dhe stoik në mbrojtje të kauzës së opozitës dhe asaj kombëtare, të lirisë dhe të drejtave të njeriut.
Azgan Haklaj u bë në një kohë të shkurtër një personazh i mediave shqiptare, pikërisht për shkak të kalvarit që ju desh të kalonte, për faktin e vetëm se nuk pranoj pushkatimin politik të Opozitës në Tropojë, dhunën e kartonit dhe revanshin e shtetit, ndaj demokratëve dhe të persekutuarve politik e njerëzve të pambrojtur.
Në dhjetëra intervista të dhëna për mediat e vendit e ato të huaja gjatë kohës kur ishte i burgosur për shkak të hakmarrjes politike, përkundër etiketimeve si bandit politik, nxitës i terrorit për destabilizimin e shtetit, e madje komandant i UÇK të Tropojës, Azgan Haklaj paraqiti profilin e një politikani dhe intelektuali modern e transparent, të njeriut që e njeh në detajet më të holla historinë e vendit të tij, të demokracisë perëndimore, mendimin politik e filozofik të korifejëve të iluminizmit Europian dhe të etërve themelues të SHBA.
“Do të luftoj gjithë jetën time për Demokracinë, Lirinë dhe Të Drejtat e Njeriut”, ju drejtua Azgani demokratëve të Tropojës, të tubuar para Shtatores së heroit të kombit, Bajram Currit, kur në duart e tij dallohej akoma gjurma e prangave. Nga burgu, në parlament e në fushë-betejën e Opozitës. Ky është marshimi i pandalshëm i njeriut që u shndërrua në simbol të qëndresës për mijëra demokratë nga Jugu në Veri. Qindra deputetë kanë hyrë në Parlamentin Shqiptar përgjatë tre dekadave, por janë të pakët ata që kanë lënë gjurmë. Azgani e la në një legjislaturë të vetme gjurmën e tij të pashlyeshme dhe këtë e tregon më së miri fakti se edhe sot pas kaq vitesh njerëzit i drejtohen me respekt: “si jeni deputet” apo “përshëndetje deputet”. Kurajoja, vizioni e vendosmëria janë trinomi frymëzues i njerëzve si Azgani, që me shembullin e tij nxitin të tjerët për të bërë realitet ëndrrat e tyre të mëdha.
Azgan Haklaj nuk i përket racës së atyre që mënyrë të vetme jetese kanë borderonë e parlamentit, apo të një drejtorie të pushtetit. 15 vjet më parë ai themeloi: Unionin Artistik të Kombit Shqiptar (UAKSH), i cili me veprimtarinë e tij artistike–kulturore në të gjitha trojet tona etnike ka tubuar në salla koncertesh, në pallate sporti e stadiume, në sheshet e qyteteve tona, qindra e mijëra shqiptarë. Atë që nuk arriti ta bënte politika e realizoi Azgani me armatën e madhe të artistëve, duke rrëzuar murin e izolimit të shqiptarëve në rajon, në sheshet e Vlorës, Tropojës, Shkupit, Prishtinës, Tiranës, Mitrovicës, Gjakovës, Tuzit, Strugës, Tetovës, Deçanit, Pejës, Karadakut, Plavë–Gucisë, Gjilanit, Sarandës, etj., ku qindra artistë virtuozë nga të gjitha trevat shqiptare me këngë dhe valle dhe koloritin mahnitës të veshjeve kombëtare ngritin peshë zemrat e publikut, me moton: Një Komb-një Histori. Një Komb-një Qëndrim. Një Komb-një Atdhe. Një Komb-një Shtet.
Unioni Artistik Mbarëkombëtar, që drejton z. Azgan Haklaj, është shndërruar tashmë në parlamentin shpirtëror të kombit Shqiptar.
Trashëgimia që Unioni Artistik i Kombit Shqiptar promovon dhe përcjell tek brezat e rinj të artistëve është i një rëndësie fondamentale për të sotmen dhe të nesërmen tonë, sepse e tillë është trashëgimia e jashtëzakonshme e folkut shqiptar, e miteve, baladave, veglave muzikore e kostumeve kombëtare. Folklori shqiptar është treguesi autentik i lashtësisë, i kulturës dhe mënyrës së jetesës të të parëve tanë.
Ne jemi fatlumë e krenohemi me të drejtë për Eposin e Kreshnikëve, një monument kulture madhështor, i cili qëndron me dinjitet në trashëgiminë kulturore botërore. Xhamadani e fustanella, xhubleta e vallja Pirrike, vijnë nga thellësia e kohërave për t’i treguar botës identitetin dhe shkallën e lartë të kulturës e të civilizimit të të parëve tanë themelues në trojet e tyre të lashta të qytetërimeve e mbretërive të ndritshme Iliro–Dardane-Epiriote.
Në gurrën e kristaltë të folklorit të kombeve të tyre kanë shuar etjen e diturisë për t’u përjetësuar në panteonin e lavdisë, korifejtë e kulturës botërore, Homeri, Dante Aligeri e Shekspiri, Pushkini e Gëte, e njëjta gjë ka ndodhur me patriarkët e letrave shqipe, Budin e Bogdanin, De Radën e Naim Frashërin, Sami Frashërin, Gjergj Fishtën, Kadarenë e Agollin.
Nuk ka ngjarje madhore të historisë kombëtare, përvjetor të figurave të shquara historike të kulturës dhe të artit shqiptar, që të mos jetë protagonist dhe lider Unioni Kulturor Artistik i Kombit Shqiptar përmes ideimit dhe lançimit të mesazhit kuptimplotë “Një komb-një qëndrim, një gjuhë, një flamur, një atdhe, një shtet”, i cili është ylli polar që ndriçon veprimtarinë artistike të Unionit Artistik të Kombit Shqiptar.
Kam pasur rastin si Ministër i Kulturës të kem në krah partner dinjitoz Unionin Artistik të Kombit Shqiptar dhe strategjinë e tij kulturore kombëtare ta bëjë pjesë integrale të Strategjisë së Ministrisë së Kulturës, përkundër burokracisë së shtetit dhe institucioneve përgjegjëse për kulturën në nivel qendror dhe lokal që fondet simbolike publike dhe private përpiqeshin (çuditërisht) t’i orientonin drejt mbështetjes së aktiviteteve shpeshherë anonime, larg boshtit të kulturës kombëtare.
Unioni Artistik i Kombit Shqiptar nuk është ndalur në veprimtaritë madhore të kthyera në traditë tashmë si: Sofra Dardane; Festivali i Këngës e Valles Çame; Sofra Shkodrane; veprimtaritë në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë; organizimi i Konferencës Shkencore në jubileun e 800-vjetorit të Shtetit të Arbërit me moton “Jam Arbër: 800 vjet Shtet”; janë aktivitete të denja për nivele akademike, të cilat i bëjnë ndér kulturës kombëtare, kujtesës tonë historike dhe të ardhmes së përbashkët të Shqiptarisë.
Nuk njoh asnjë personazh tjetër si Azgani të ketë rënë kryq e tërthor rrugëve dhe viseve të kombit tone duke mbajtur në dorë si një flakë olimpike pishtarin e pashuar të këngëve dhe valleve mahnitëse shqipe.
Duke i prekur nga afër monumentet e kulturës e të historisë, kullat epike të qëndresës së asaj kohe, të Ali Pashë Gucisë, të Jakup Ferrit, Ded Gjon Lulit, Mic Sokolit, Isa Boletinit, kullat e Jasharajve e të Hajradinajve, ai e ka ndjerë që thellë tokës zërin e Atdheut dhe mesazhin e etërve të kombit për bashkim kombëtar apo për Shtetin Komb, siç e ka shtjelluar në librin e tij të 6-të “Shteti Komb – Domosdoshmëri Historike”.
E lexova që në dorëshkrim librin e tij të fundit dhe u befasova nga trajtimi historik, filozofik e real politik i kësaj ideje madhore e të kahmotshme të prijësve të shquar të lirisë së Popullit Shqiptar.
Libri i Azgan Haklajt është shkruar në një stil të qartë, elegant, të rrjedhshëm, me një fjalor mjaft të pasur dhe strukturimi i publicistikës së tij e bën që të lexohet me një frymë. Fletë pas flete, kapitull pas kapitulli të shfaqet një galeri e madhe personazhesh që nga Gjergj Kastrioti, Shën Tereza, dr. Ibrahim Rugova, Jasharajt, Haradinajt dhe heronjtë e rënë për çlirimin e trojeve shqiptare në vitin 1999.
Autori Azgan Haklaj i ka parë personazhet e historisë kombëtare në një këndvështrim të ri dhe pak të ndriçuar më parë. Kur lexova shkrimin e titulluar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Moisiu Ynë”, tek libri i pestë “Jam Arbër: 800 vjet Shtet”, u mahnita me portretin që i kishte gdhendur Heroit tonë Kombëtar.
Një Skënderbe epik dhe modern njëkohësisht, strateg gjenial e burrë shteti vizionar, ideator e themelues i shtetit të përqendruar Arbëror dhe njëherësh Lideri që e nxorri Atdheun e tij nga kthetrat aziatike dhe e mbrojti atë e Evropën nga hordhitë otomane.
Libri “Shteti Komb-Domosdoshmëri Historike” ndriçon të vërtetën e madhe historike se beteja për Shqipërinë Evropiane dhe beteja për Shtetin-Komb janë dy anë të së njëjtes medalje. Beteja për Shqipërinë Evropiane dhe Shtetin Komb zë fill që nga princat e Shtetit të Arbërit, Dinastia e Balshajve të fuqishëm, Besëlidhja e Lezhës e Shtetit të Skënderbeut e deri në ditët tona.
Nacionalistët e shquar të kombit tonë: Sami Frashëri, Pashko Vasa, Hasan Prishtina, Plaku i urtë Ismail Qemal Vlora, por edhe korifejtë e mendimit politikë Fishta e Konica, ishin të bindur se Shteti-Komb nuk mund të krijohet jashtë suazës së një Shqipërie Evropiane.
Autori Azgan Haklaj në librin e tij na tregon me qartësi dhe argument bindës se pa integrim e bashkim të shqiptarëve mes tyre, pa krijimin e një hapësire të përbashkët e të unifi kuar kulturore, ekonomike dhe shembjen e barrierave ndërshqiptare nuk mund të ketë integrim Evropian dhe as perspektiva afatgjatë zhvillimi.
Faktori Shqiptar në çdo aspekt që ta analizosh, demografik, kulturor politik apo ekonomik është një faktor kyç për paqen e sigurinë në Ballkan dhe më gjerë.
Ky libër është një traktat i patriotizmit Shqiptar, një thirrje e sinqertë dhe bindëse për të krijuar Shtetin Komb, një shtet modern e demokratik, të orientuar nga vlerat e lirisë dhe progresit, një shtet Evropian perëndimor, siç na thërret kujtesa jonë historike.