PËRMALLIM ATËROR – Poemth –

ILIR SHAQIRI -PËRMALLIM ATËROR  

 

  • Poemth –

 

Ilir SHAQIRI

 

( Kushtuar 98 pleqve të katundit tim Burojë, që ranë për lirinë e Kosovës. )

 

Bukëbardha ime

e burimeve të blerta,

e këngëve të brumta,

e veseve të brymta –

Dafinishtë e etërve tanë të mirë!

 

Brumëtorja e njëfjalëzuar,

kripur me nektar gjelbinash,

përtymje mrizesh,

përvesje vellozanash!

Fjalëshkurtra fjalëshpatë,

ҫ’prej kur vala e fjala rrodhën në duet

për djepësorët e vet – rrugëgjatë!

 

Burishta ime me tri pëllëmbë qiell,

me shtatë lagje e shtatë fise,

në një hise –

përtëritëse!

 

Udhë ku na mbetën opingat në baltë si fëmijë

e trazimi i brendshëm na e zbulonte veten dalëngadalë,

në heshtje, pa fjalë.

Dhevështrues të përligjur

të Varrit që Gjëmonte

pleqërisht.

 

Në dimër këmishëhollë,

në verë faqemollë,

bota jonë e madhe

burishtë – shkollë.

Të shqyer e të grisur,

ashtu, jetëpanisur,

por me ëndrra shumë.

 

Në odë fistarët,

fitil e kandil –

më shumë flakë se dritë,

harruar nga bota

dhe nga perënditë,

tek binin rrufetë –

kullosnin vetë…

 

Në rrasën e kroit përgjunjej rrobagrisuri,

i kafshuar nga qentë e shehrit.

Smilari flokëgjatë, mbrëmë në skenën e Teatrit

kishte shkërmoqur rrjetën e “Gofit”

e zjarrmia nuk po i dilte.

Gjethet shelgore bujtur në krua

ua qëndiste vajzave mbi flokë,

tek grishnin çunat shenjash,

hithrash,

shend Shëngjergji, borzilok!

 

Kroi ishte i vogël që ta flladiste ballin e tij,

mbështetur në rrasën e burimit

dëgjonte lajme londineze

nga radioja që e mbante nën sqetull,

buzëplasuri

shesh djerse mbi vetull,

ujnajë,

urori,

aktori,

syqershori!

 

Ajthi pikasej përditshëm.

Si të mos kuptohej thelbi alegorik i pleqve –

gjëma dhe ndenjësja prej guri nuk lavdërohen.

 

Diku në arat tona ishin mbjellë dhëmbët e dragoit.

Kallinj kallëzuesorë për mendjet e kallkanosura evropiane.

S’ka më nanurisje

turp të vdiset me kokë në jastëk,

duart kallo nga naganti nakatosur

për korrje-shirjet e reja.

 

Pësorja dhe veprorja njëfjalëzoheshin brumshëm.

 

Ta bëjmë të sotmen që të mos skuqemi nga e djeshmja!

 

Arkat me erëmollë

u dendën fishekë e grykëhollë…

edhe arkivolet.

 

Thellësia pëlcet në ne,

atëherë kur kupa e qiellit u shqye

nëntëdhjetetetë copash mbi krye.

 

Gjëmim gjitharmësh.

Qielli mori ndryshe,

blu e furtunë –

e enjte – shenjte!

 

Verëz – sofra bukënore,

djemurisht,

valomë – nisur,

përmallim atëror,

pëlqejsë e pentagramit arbëror,

arbërisht harlisur!

 

Nuk ka komb pa sot,

nuk ka komb pa nesër,

rrugëgjetje e lashtë

ecur…, e paecur…

 

Nëntëdhjetetetë fistarët –

mësimtarët e odave dje

u mbollën në dhe –

për të sotmen – për ne.

 

Baladë e pafundme

që shpon – dhemb

për të papërgjunjurit

që vdiqën në këmbë.

 

Përmallim i shenjtëruar – trofe – dritë!

 

Përherëblerta ime!

 

Fuqibërësit e mi,

ju, që torët qytetërim lirie

përtej tri pëllëmbëve qiell

që u rri mbi krye –

jetëshkrimorë kaltërsie…

One thought on “PËRMALLIM ATËROR – Poemth –

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *