Gara e kadetëve

basha gezimNga Gëzim Basha*

Editor i Revistes Kuvendi

  1. Grupimi kundër Lulzim Bashës, të shokuar nga mbyllja e beftë e misionit të tyre në PD, refuzon ta kuptojë se çdo fillim ka një fund. Kiameti i tyre personal nuk është kataklizmë për PD-në nga që, kudo dhe kohë pas kohe, elitat ndërrohen përmes një procesi cerebral, kryesisht nga lart, pa elegji, dhe më shpesh pa lavdi! Ky është tagri, pavarësisht midesë, sepse siç na mëson Aristoteli, “Politika nuk është profesion por vokacion.” Mund të aktivizohesh përkohësisht por një ditë do t’i rikthehesh zejes së parë, nëse ende e ke një të tillë.

Shumë prej mëtonjësve për “fron” kryetari, a vend të sigurt në listë, ranë në panik sapo zbuluan se ata nuk kanë tjetër zanat përveç rolit të masovikut populist të reduktuar në organizim mitingjesh, fushatash elektorale me dhe pa program, apo  bindjes pa kushte ndaj njëshit. Këtu nis dhe drama e tyre, ofrojnë besnikëri por s’ua do njeri, nuk ka me treg për kinse luajalitetin e tyre!

Të kota kushtrimet kundër ‘kunatit,” ata e kanë nga Ati!

Basha a

Të katapultuar në majë të PD-së nga Berisha, jo për meritë të tyre, ata mbeten kadetë të shkollës politiko-ushtarake që mban emrin e ish-kryetarit, me trajnim bazë luftën e brrylave. Aty, nëpër korridore dhe nevojtore selie, ca me ibrik në dorë, ca pa ibrik fare, filluan të ëndërrojnë karrigen e Atit Politik…U përdorën e u spërdorën, u bën paburrërisht buratino duke pritur një vakt që s’mbërriti kurrë!

Të shkretat marioneta!
Ka shumë mëtonjës por vetëm një fron, kjo është çështja. Të tjerat janë fjalë… shumë fjalë…. Salut, Shekspir, o (ri)shpikës i konflikteve (jo)humane-jo sipas meje por sipas Harold Bloom-it: “Glory to the our light this days! Glorious forever!”

Një pjesë, duke qenë mendërisht të ngathët – kam parasysh Mustafajin – janë kapur pas statutit, por statuti i një Partie nuk është  këmishë metalike mbi trup të partisë, lere më arkëmort i konvertueshëm në barkë shpëtimi; statuti është vetëm një klastër principesh me synim nxitjen e dinamizmit politik brenda grupimit. Largimi i të konsumuarve prej lidershipit, pavarësisht si bëhet, mendoj se do ta atletizojë PD-në për garat e ardhshme të cilat priten të ashpra. Largimi i të pakënaqurve do ta ndajë PD-në prej një rrethi sektar dhe politikisht të atrofizuar, do ta hapë partine me popullin.

Edhe nëse Basha do të sillej zemërgjerë, shumë prej tyre do t’i largonte vetingu.

VETINGU…Gongu do të bjerë!

 

2.Në gati tri dekada, për fat të keq, PD-ja ka kultivuar harresën politike, e ka përdorur amnezinë si narkozë për të siguruar bashkëjetesën e të njomit me të thatin brenda kutisë së madhe të Pandorës, duke e shtyrë për në kalendar greke hapjen e kapakut.

Le të bëjmë pak histori, për të mos mbetur pa të.

Kur në vitin 1997 Arben Imami e shndërroi një tank sovjetik në tribunë nga kërcënoheshin demokratët e jugut, Genc Ruli propozohej nga Fatos Nano në postin e Drejtorit Ekonomik të Ministrisë së Mbrojtjes. Pas shpartallimit të turpshëm të Ushtrisë Shqiptare, po vinte stina e skrapit dhe Ruli, me nuhatjen e tij të rrallë, e ndjente erën e pares si pak të tjerë. Sabit Brokaj e refuzoi prerë kandidaturën e Rulit në favor të Pinarit, por Imami, si shpërblim për rebelimin jo dhe aq kushtetues, u bë ministri socialist i reformës kushtetuese!

Në vitin 2005, Berisha, për shkak të urrejtjes ndaj atyre që iu gjendën pranë në kushtet e debulesës së tij politike, zgjodhi të punojë me ata që iu kundërvunë në 1997-n. Arben Imamin e beri shef të kabinetit dhe më vonë, shi çfarë ironie, ministër të Mbrojtjes. Genc Ruli rihyri në PD si apendiks i marrëveshjes Berisha-Nano-Pashko, ku u investua fuqishëm edhe greko-amerikani, Nicolas Gejxh. Ruli rimori Gjirokastrën, ku falë instinktit të tij të pagabueshëm për të qëmtuar me dorë të gjitha fundërrinat e shoqërisë, për 8 vjet bëri thagmën e radhës. Me shijen e pagabueshme të sekserit, zotëria në fjalë e mbushi Gjirokastrën me drejtorë-cera, duke e zbritur nivelin e administratës në nivele historikisht të turpshme. Sot, i linduri politikisht nga sqetulla e kunatit të ndjerë, lëshon kushtrimin e mjerë, për të qitur jashtë PD-së me kamzhikun e Krishtit një “kunat uzurpator!” Ç’ironi ekstreme e maskuar me sharm parabolash biblike!

Këta dy dallkaukë ordinerë, pra Imami dhe Ruli, këtë herë ndihen – ndjesë për shprehjen -krejt të dhjerë ngaqë nuk ua kërkon kush shërbimet. Pa Imamin, Rulin & co, PD-ja mendoj se do të gëzojë një rikuperim moral më të shpejtë!

Por ka edhe plot të tjerë si Ruli dhe Imami në atë parti.

Jozefina Topalli, për shembull, femra machismo-perfekte në sharlatanizmin e saj-do të mbahet mend gjatë  si mendja, historikisht më e cekët dhe më agresive në krye të Parlamentit shqiptar; epike në injorancën e saj, pa pikë finese mendore apo feminiteti politik, ajo ka kontribut qendror në përzënien e mjaft figurave premtuese nga lidershipi i PD-së. Po përmend vetëm një, Albina Karamitron, një ekonomiste e mprehtë dhe ndër mendjet më brilante që ka kapërcyer ndonjëherë pragun e PD-së. Lista është e gjatë…

 

  1. Me kushtrimin plot pezm për ndërsim militantësh për të nxjerrë “kunatin” nga tempulli, Ruli kërkon t’i nxjerrë gështenjat nga zjarri me duart e të tjerëve. Jo pa intuitë e dinakëri politike, ai nuk e ka më “kunatin” por me Atin – lexo autoritetin – me Sali Berishën, përpara të cilit i bie pika. Kavies së denjë për Dr. Frojdin, nuk i shkon kamzhiku i Krishtit por konopi i Judës.

Me kadetët e pakënaqur, PD-ja nuk humbet asnjë aset, përkundrazi përshpejton rikuperimin e saj moral. Ka ende kohë…

…Ndoshta!

 

*Ish-korrespondent i VOA-s, aktualisht pedagog i Letërsisë dhe Shkrimit Kreativ
Milwaukee, Wisconsin, SHBA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *