Një ditë ndryshe
Ika dhe unë
si shumë të tjerë,
kohëve humbas.
Pa vënë re
se vitet janë patericat,
ku ulesh për shlodhje.
Tërhequr pas yjeve,
litarkëputur mbeta,
gjurmë të zbehta lënë pas.
A bëjmë një lojë të re i dashur ?
Mjaft luajtëm me ndjenja dashurie
flluskuar shpirtit !
Ja tani të them :
Lindja e një dite
është një yll në qiell.
Mos qesh zemër,
dikush shkatërroi mendjen
Në një cep të saj
kërkoj dijen…
Ndaj fillojmë të numërojmë
nuk ka problem…
Ehhh , yjet nuk i gjejmë
asnjëherë sa janë
derisa nuk dimë ditën e parë !
Por ,
unë di ditën e fundit
i dashuri im.
Sa planete janë,
aq shekuj këtu do të rrijmë
Lutu , lutu
të shfaqen të rinj.
Ndez shpesh qirinj
ndryshe nga ato që shohim, dim’
I dashuri im!
Gjithshka është si një lojë.
Por ti qesh..qesh..qesh..
Ke të drejtë
Ç’të duhet fillimi, fundi
kur më ke mua pranë
dhe disa para mënjanë!
Po unë ç’të bëj
Mendimet trazoj,
në cep të saj
vegimet zgjoj,
monotoninë sfidoj.
Shumë jetë jetoj
Litarkëputur janë,
qirinjtë i shkrijnë
Por shpirti im
i lidh me frymë
Me sytë tek ndrijnë
Për dashurinë.
Pagjumësi
Ndonjëherë,
dita
është më e bukur se ëndrra.
Ëndrra,
ka më shumë ngjyra se dita…
Ndonjëherë ,
dita dhe nata
më ngjeshin mes tyre,
tek ndjej drithërima frymëmarrjesh
duke më ngritur shpirtin peshë ,
më shumë …
se kur bëj dashuri
me ty i dashur !
Kujt i përket trupi im ?!
Ndonjëherë
nuk jam Njeri.
Bluaj mendjet
i përtyp
e si shkop i drunjtë
ngulem
thellësive të harresës
për t’u përpirë
pas një rrënje
Përse ?!
Përse kur dua të harroj…
të vdes?!
Ndonjëherë
Unë jam Ti
Dhe pse nuk të njoh
Ndaj lindin tradhëtitë ,
ëndrrat , pagjumësitë…
Ndonjëherë malli më ndez,
përqafuar krahëve të drunjta
Ku je ?!
Në krahë xixëllonjash
Në krah xixëllonjash
lehton ajrit
shpirt i përmotshëm.
Dikur,
vizatoi format
e djaloshit të dashuruar
parë se ku !!!
Nga hidhërimi
përshkon trupin e mishtë.
Ndez mendimet nën lëkurë
Bota lëviz.
Ngashërimi u bë frym’
duke u fikur
pëlhurave të rreckosura,
endur
nga duar dhimbjesh…
Asgjë e bukur
nuk ekziston në vetmi !
Në krahë fluturash
lehton ajrit
shpirt i përmotshëm.
Dikur,
vizatoi format
e vashës së dashuruar
parë se ku !!!
Nga lumturia
përshkon trupin e mishtë.
U ndezën ngjyrat
pjalmon bukuria
Bota lëviz.
Diku,
shumë larg…
djaloshi dhe vasha e harruar
pikëllojnë në vetmi.
Kërkojnë shpirtrat e tyre
tretur se ku !!!
…nën trupat e mishtë…
Ky mall i përvëluar
mbi tokë
lind , shemb –dashuritë.
Fija e jetës
Shoh veten
tek tjerr kohën…
Fija e jetës
lëmsh eshtrash përpin.
Me pas vesh hijet
shtroj vitet,
gjithshka me trupin tim.
Mbi pëlhurë end fantazit…
Nje ditë…u zgjuan të gjithë …
Ishte fryma
apo buzëqeshja ime
ku ndezi magjitë !
Unë vazhdoj kohën tjerr,
dashuruar nën të njëjtin diell !
Jam bijë burimesh
Jam bij’ burimesh ,
përtej malit të vdekur.
Sodis skelete
të veshur , të zhveshur.
Ngjyra trazuar
mbi trupa , baltra
Ulërima tingujsh
përplasur rrymave .
Dhe ndonjë përbindësh
tek gjuan me llastik,
atë që s’do të mund
të shohë asnjëherë.
Mos rrëmoni më në mëndjen time
… dua të fle …
Mendove se..
Mendove se…
do vuaja tradhëtin tënde!!!
Atë marrëzi
e flaka në tjetër shpirt.
Unë them se…U kënaqa.
Po , po …u kënaqa !
Sa ishe i imi,
e jotja
ditë-natë hojesh të zjarrta.
Paduruar
gonxhe në shpërthim,
zemrën plasa.
Rrënjë e etur
tek thithin pikla shiu,
zhurritur nga vapa…
Ti se ke menduar
kështu
asnjëherë dashurinë!
Por tharrje petalesh
nën duart e mpirë.
Ka miliona lule
krijuar për ty plot,
ti nuk sheh asnjë
lakmia të verbon,
gjemb mbi to qëndron.
Ahhhhhh!
Unë tash
lutem,
vuaj për ty.
Se për fat,
për dreq…
me ty jam dashuruar keq!
Vuaj kur ikën
Ke harruar
duart e tua
mbi trupin tim,
ende përkëdhelin.
Ke harruar frymën
mbi lëkurën time,
mishin pushpuritin,
gjakun nxehin.
Ke harruar
të vishesh i dashur.
Endesh lakuriqsuar
askush nuk të sheh.
Veçse sytë e mi
harruar tek ti…
Ka shumë tym cigaresh,
smok makinash.
Hijen të kanë holluar
askush nuk të njeh.
Herë tjetër,
që t’ mos harrosh asgjë
Më vdis ëmbëlsisht
Vuaj kur ikën,
thahem si degët,
kërcas dhimbjet.
Kjo botë,
nuk paska vend për dy
Njëri dashuron në çmënduri
Tjetri vrapon tundimeve,
groposur vetminë.
Po bie shi
Po bie shi…
Nën një strehëz
shtrydh dashurinë e humbur
Këmbët e njomura,
piklat e shiut,
thatësirës së tokës
nuk ia shuajnë etjen.
Aq shumë…
Aq thellë
vret , lëndon
një ikje,
mister fjalësh të pathëna.
Duke hapur zgavra
brenda pemë jetësh.
Derisa gërryerja e çudisë,
pikëllimit,
ta këpusë e rrëzuar,
bërë pleh diku…
Më pas
gjelbërimi do freskojë
Shkelur
nga trupa të tjerë dashuruar
por jo më nga ne të dy,
nga unë!
Sot në shi,
shtrydh dashurinë time të humbur
Janë retë më pas
do më mbulojnë lakuriqësinë,
ku unë pa turp
tregoj hiret
transformuar
fërkimeve të epsheve.
Akoma më pas
ylberi ,
do më dhuroj plot ngjyra,
për t’i treguar
një tjetër mashkulli,
sa e bukur jam!
Dashuria vazhdon.
Dashuria është vargshirash
Shtrydhur epsheve të tokës
Për të hapur
zgavra të reja.
Mes pemëve jete
Thahet…përsëri gjelbëron
Kështu bota frymon…
Yll i shuar
Më kilometra
renda tek ti
të puthja buzët
duart
sytë.
…. Të isha ylli më i ndriçuar ….
Kilometra
rrugë
u kthyhen në hi
kur mbi trupin tënd
drita m’u shua,
pas një komete
rrije hutuar.
Lotova!…Veten
Se nuk isha ylli
i dashurisë – qiell mbuluar !