Dr. Ernest Nasto
Kohët e fundit më ra në dorë një studim rreth tipareve të dy revolucioneve të mëdha të fundshekullit XVIII të cilat kanë kushtëzuar fort krejt historinë e mëvonshme, pra amerikanit dhe francezit. E veçanta e studimit është afërsia e madhe me ngjarjet aktuale, sepse ështe botuar në vitin 1800 në Berlin, dhe ka për autor një analist të shquar politik gjerman (ose më mirë prusian), Friedrich von Gentz. Ndërsa publikut amerikan studimi i është dhënë në përkthimin e John Quincy Adams, biri i presidentit të dytë, dhe i cili do të bëhej vetë më vonë presidenti i gjashtë i Shteteve të Bashkuara.
Është një analizë e përqëndruar në konceptet e ligjshmërisë e të së drejtës, një qasje disi e ndryshme nga ajo mbizotëruese në historiografinë lindore, pra edhe në atë me të cilën jemi mësuar ne shqiptarët, dhe e cila vinte në plan të parë ”rolin e masave”, përmbysjen në vetvete, pa u kujdesur për gjëra ”të vogla” si e drejta apo ligjshmëria. Sa për dhunën, gjakun e viktimat e shkaktuara, ato ishin kurdoherë në funksion të qëllimit të lartë.
Ngjashmëria në sipërfaqe ndërmjet dy revolucioneve duket në fakt krejt e vërtetë, sidomos po të nisemi nga parullat e francezit (liri, barazi, vëllazërim) të cilat të kujtonin automatikisht ato të amerikanit 13 vite të shkuara (”të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë…të drejtat themelore… jeta, liria e kërkimi i lumturisë”). Kjo nuk ishte e rastit për vetë faktin se të dy këto ngjarje madhore u frymëzuan nga ideologjia iluministe europiane, por duket se ngjashmëria nuk shtyhet dot më tutje. Kjo sepse revolucioni amerikan në të gjitha fazat e tij u mbështet tek e drejta, ndërsa francezi e shkeli atë hapur, duke sjellë me vete arbitraritet dhe dhunë të pashembullt. Ndryshimet midis tyre autori i analizon sidomos në tre aspekte: në origjinën dhe vijueshmërinë e sejcilit, në objektivat e vëna vetes, dhe në masën e rezistencës së ngjallur prej secilës përmbysje.
Së pari, karakteristikë e dukshme e revoltës së kolonive amerikane ishte gradualiteti, me kërkimin në çdo hap vetëm të ndryshimeve të vogla, aspak rrënjësore, të cilat, dhe kjo është më e rëndësishmja, ishin të bazuara në kuadrin egzistues ligjor. Vetë tipi i organizimit të administratave koloniale e lehtësonte një gjë të tillë, sepse përveç një lidhjeje simbolike me kurorën britanike nëpërmjet guvernatorëve mbretërore, kolonistët gëzonin në praktikë një vetëqeverisje të plotë nëpërmjet asambleve përkatëse. Britania ishte e kënaqur me monopolin e tregtisë, pra me detyrimin e kolonive që të gjitha shkëmbimet tregtare t’i kryenin me tokën mëmë. Kjo gjendje doli nga pika e ekuilibrit vetëm nga fakti që parlamenti anglez donte të siguronte të ardhura shtesë për të mbushur arkat e zbrazura nga lufta 7 vjeçare me francezët dhe indianët vendas. Kriza financiare e shkaktuar nga ajo luftë (French and Indian War, e cila konsolidoi gjithashtu në një masë të madhe ndërgjegjen politike të kolonive) u bë kësisoj fillimi i spirales që çoi në shkëputjen e amerikanëve në krye të një dekade.
Vendimi i parlamentit më 1765 për të vjelë taksën mbi shtypshkrimet (stamp duty ose stamp tax) nuk mbështetej në ligjet apo praktikat e deriatëhershme, sepse kolonitë nuk i kishin paguar kurrë ndonjë kontribut Londrës. Kjo ishte në zbatim të vetë parimit kushtetues anglez se asnjë qytetar s’mund të detyrohej të paguante tatime e taksa, përveç atyre të miratuara nga përfaqësuesit e tij. Në këtë kuptim kolonistët ishin vërtet qytetarë të perandorisë, por nga ana tjetër ata s’kishin përfaqësues të tyre në parlament, dhe taksa rezultonte kësisoj e paligjshme. Për më tepër, monopoli tregtar që përmendëm përbënte në vetvete një kontribut tepër të rëndësishëm të kolonive për financat britanike, dhe një kontribut për të cilin askush s’kishte shprehur ndonjë pakënaqësi.
Prandaj edhe kundërshtimet e kolonistëve ndaj stamp tax e pastaj më vonë ndaj përpjekjeve të tjera të parlamentit për të imponuar vullnetin e tij, ishin të mbështetura në të drejtën e tyre si qytetarë britanikë, dhe në dispozitat ligjore egzistuese.
Në tërësi mund të thuhet se një sërë gabimesh e teprimesh, sidomos nga ana e parlamentit, çuan në situatën e pakthyeshme të korrikut 1776, dhe Kongresi i kolonive, me shpalljen e Deklaratës famëmadhe të Pavarësisë, vetëm sa formalizoi atë që Anglia e kishte bërë në fakt në praktikë, pra konsiderimin e kolonive si fuqi të huaja në gjendje lufte. Bile edhe në përpjekjen e fundit për pajtim kolonistët i kërkonin mbretit George III të ndreqte gabimet që kish bërë ndaj shtetasve të tij besnikë në bregun Perëndimor të Atlantikut, e të evitonte kësisoj ndarjen e tyre nga dheu mëmë.
Revolucioni amerikan rezulton kështu krejt mbrojtës, një revolucion i detyruar si të thuash ”nga halli”, dhe ishte vetëm arroganca angleze ajo që precipitoi ngjarjet ashtu si edhe rrodhën. Amerikanët kishin rezistuar në fakt për më se dhjetë vjet, jo ndaj Anglisë, por ndaj vetë revolucionit, ata nuk kërkonin ndonjë përmirësim të gjendjes së tyre egzistuese, por vetëm parandalimin e keqësimit të saj siç dukej se do të ndodhte nga veprimet e parlamentit anglez.
Krejt i ndryshëm paraqitet në këtë aspekt revolucioni francez, i cili ishte një revolucion ofensiv në çdo fazë të tij, gjatë të cilit s’u diskutua kurrë nëse veprimet e revolucionarëve ishin të mbështetura në të drejtën apo në ligjshmërinë. Në fillim, kur Përfaqësitë e Përgjithshme u mblodhën në Versajë në maj 1789, deputetët ishin pa asnjë dyshim në të drejtën e tyre të ndërmerrnin reforma të thella në lidhje me organizimin politik të vendit, bile edhe në lidhje me vetë pozitën e monarkisë frënge. Por kjo e drejtë mund të kishte kuptim e të ushtrohej vetëm me tre kushte: 1. organizimi i tyre formal, pra i vetë Përfaqësive të Përgjithshme duhej ruajtur e respektuar me çdo kusht, derisa ai organizim të ndryshohej, apo edhe të shfuqizohej, me ligj; 2. vendimet e tyre duhej të hynin në fuqi vetëm me miratimin e mbretit; dhe 3. deputetët duhej të zbatonin udhëzimet e zgjedhësve të tyre, pra t’u qëndronin besnikë arsyeve se përse ata ishin zgjedhur e ishin dërguar në Versajë.
Për fat të keq, brenda gjashtë javëve të para të punimeve, të tre këto kushte ishin shkelur, dhe arbitrariteti kish filluar marshimin e tij të pandalshëm që do të përfundonte në një det gjaku. Kështu deputetët e rendit të tretë, pa as më të voglën të drejtë ligjore, shpallën veten e tyre asamble kombëtare, e pastaj, kur sovrani u përpoq t’i kthente nga rruga pa krye ku ishin futur, ata refuzuan t’i bindeshin, duke e detyruar më në fund të urdhëronte dy rendet e tjera të miratonin këtë uzurpim të hapur. Ata deklaruan edhe se udhëzimet e zgjedhësve s’do të kishin asnjë ndikim mbi ta, dhe shpallën se do të flisnin ”në emër të popullit” pavarësisht se askush s’i kishte autorizuar të vepronin ashtu. Dhe për t’i vënë vulën gjithë kësaj, e quajtura asamble nuk e dënoi aspak kryengritjen e dhunshme të 14 korrikut në Paris e më tej në gjithë vendin, përkundrazi e duartrokiti, e inkurajoi dhe i dha edhe mbështetje ligjore.
Nëse revolucioni amerikan përbënte pra një shembull të përmbajtjes e të maturisë, francezi u karakterizua nga dhuna e furia e paepur, dhe përballë rezistencës së dobët të kundërshtarëve, ai nuk e uli vrullin dhe agresivitetin e tij, përkundrazi erdhi duke e shtuar gjithmonë e më tepër. Duke përfituar nga personaliteti i mbretit Luigji XVI, nga vullneti i tij për të mos përdorur forcën, e për të mos u shndërruar në tiran, revolucionarët e bënë atë vetë viktimë të tiranisë së tyre, duke pasur ndershmërinë e tij si aleaten e tyre më të fortë.
Ky karakter agresiv i revolucionit u dëshmua edhe me mosndaljen e tij para çdo krimi, e pastaj kur s’pati më objekte ku ta përplaste furinë, me kthimin kundër vetvetes e kundër vendeve të tjera, duke zhytur në kaos të gjithë kontinentin. Edhe kurorëzimet e të dy ngjarjeve ishin gjithaq të ndryshme, sepse revolucioni amerikan mbaroi në çastin kur kërcënimi ndaj tij, kërcënimi që e kish detyruar të fillonte, mori fund, por francezi vazhdoi e vazhdoi, sa kohë që kishte ende objekte për t’u sulmuar e për t’u bërë pre e atij vrulli të papërmbajtur.
Së dyti, një tipar tjetër themelor i revolucionit amerikan ishin objektivat e përcaktuara qartë në çdo fazë të tij, dhe vetë zhvillimi i ngjarjeve ishte pak a shumë një vijë e drejtë, me synimin tek ato objektiva. Në fazën e tij të parë, prej ligjit për stamp tax më 1765 deri në shpalljen e 4 korrikut 1776, mund të thuhet se objektivi i qytetarëve anembanë kolonive, e më vonë objektivi i Kongresit, s’ishte veçse ruajtja e statukuosë, pra e të drejtave dhe lirive të gezuara deri atëherë, nga përpjekja antikushtetuese e parlamentit britanik për t’i uzurpuar ato.
Në fazën e dytë, prej shpalljes së pavarësisë deri në arritjen e paqes me Britaninë më 1783, vërtet kolonitë ishin ligjërisht të ndara nga perandoria, por kjo nuk u shoqërua me ndonjë rrëmujë apo anarki, sepse administrata e vazhdoi punën e saj. Guvernatorët e emëruar dikur nga mbreti vetëm sa u hoqën, duke u zëvendësuar me të tjerë të zgjedhur nga asambletë përkatëse të kolonive. Ky zëvendësim bëhej edhe më i lehtë po të mbajmë parasysh lidhjet e pakta të guvernatorëve mbretërorë, e të kolonive në përgjithësi, me Anglinë, dhe ashtu njerëzit nuk konstatuan ndryshime të mëdha në jetën e tyre të përditshme. Merita më e konsiderueshme e udhëheqësve të revolucionit amerikan në këtë pikë ishte se, duke pasur objektiva të qarta, dhe siç thamë, mbrojtëse, ata u treguan të aftë t’i rezistonin tundimit më të rrezikshëm të çdo përmbysjeje revolucionare: pasionit vdekjeprurës për të bërë eksperimente politike me teori abstrakte, apo me sisteme të paprovuara në praktikë (provat e mëvonshme për këtë pas frëngut erdhën në format tragjike të rusit, kinezit e krejt episodit famëkeq të komunizmit lindor). Është e vërtetë që fjalët e përgjithshme për lirinë e barazinë në deklaratën e pavarësisë amerikane ishin të ngjashme me parullat e revolucionit francez, por ndryshimi ishte se amerikani s’i përdori kurrë ato për të shkelur të drejtat dhe liritë e ndokujt, siç ndodhi rëndom me sivëllane e tij në Botën e Vjetër. Në të njëjtën mënyrë edhe lufta revolucionare në Amerikë ishte e matur, në përgjithësi pa teprime, dhe dihej që fitorja e kujtdo pale qoftë, nuk do të sillte ndonjë përmbysje të madhe të raporteve në shoqërinë amerikane, aq më pak në Europë. Kësisoj pas luftës republika e re hyri menjëherë në marrëdhënie paqësore e me leverdi të ndërsjelltë me fuqitë europiane, bile edhe me vetë Anglinë, ashtu si u ka hije palëve të qytetëruara e fisnike.
Nga ana tjetër, si qëllimet ashtu edhe vijimi i francezit ishin një seri goditjesh të pandërprera ndaj çdo ligjshmërie, dhe e vërteta është se me hedhjen poshtë të rendit të vjetër kushtetues, revolucioni fitoi përkrahës të shumtë, të cilët të gjithë kërkonin ndryshime. Mirëpo në mes të asaj katrahure nuk gjendeshin dy veta që të ishin dakord se çfarë ndryshimesh pikërisht duheshin bërë, sa larg duhej të shkonin ato, nëse duhej ruajtur ndonjë aspekt i rendit të vjetër, e nëse po, në ç’masë. Kushtetuta e vitit 1791 ishte këtu një përpjekje për të pajtuar të papajtueshmet, prandaj ishte e destinuar të dështonte ashtu siç edhe dështoi. E vetmja parti që erdhi duke i forcuar pozitat në mënyrë të vazhdueshme, ishin ata që thoshin se s’kish asnjë kuptim t’i viheshin kufij revolucionit, apo të frenohej vrulli i përmbysjes. Ata arritën ta shpallin republikën, por askush nuk e kishte idenë se çfarë duhej të ishte ajo, e prandaj Franca u mbyt në gjak vetëm e vetëm për të vendosur nëse do të ishin federalistët, jakobinët, zhirondinët, dantonianët, hebertistët, apo dhjetërat e -istëve të tjerë ata që do të hartonin kushtetutën republikane.
Kjo u shfaq edhe në marrëdhëniet me fuqitë e tjera europiane, sepse kur plasi lufta me to, synimi francez ishte po aq i pacaktuar sa ai i vetë revolucionit të tyre. Disa, si p.sh. Robespieri, dëshironin thjesht të ruanin të drejtën për të masakruar vetëm vendin e tyre, pa u bërë shumë merak për të tjerët, pra t’ja shfarosnin gjysmën e popullsisë vetëm Francës fatkeqe. Një pjesë tjetër ishin ata që kërkonin të realizonin planet ambicioze të monarkisë së dikurshme të Luigjit XIV për sundim kontinental, vetëm se këtë herë nën flamurin e republikës. Të tjerë akoma ishin betuar të mos i lëshonin armët derisa parimet e revolucionit të mos ishin shtrirë në të gjithë botën e qytetëruar, e derisa të mos e kishin mbjellë të përgjakurën ”pemë të lirisë” prej Lisbonës në Dardanele, e prej Mesdheut deri në Detin e Veriut. Duke lënë të hapur pyetjen se kush kishte të drejtë ta fillonte revolucionin, ata lanë po aq të hapur edhe atë se kush kishte të drejtë ta mbaronte, dhe këtë siç e dimë e bëri përsëri forca, me Napoleonin e më pas me Restaurimin.
Së treti, edhe nga masa e rezistencës së ndeshur, pra nga masa e pështjellimit të krijuar, të dy revolucionet s’mund të ishin më të ndryshme, me amerikanin që i pati këto shumë më të pakta se francezi, e prandaj mundi ta konsolidonte veten shumë më lehtë e shumë më thjesht. Frëngu nga ana e vet vuri në pikëpyetje dhe lëshoi pa kontroll çdo ndjenjë e çdo pasion njerëzor, e për rrjedhojë s’mund të përparonte përveç se me dhunë të skajshme. Po ritheksojmë këtu se kolonitë amerikane ishin organizime politike të stabilizuara dhe pothuaj të vetëqeverisura, me autoritetin britanik më tepër në rolin e një mbrojtësi të fuqishëm, se sa të një sundimtari të drejtpërdrejtë. Prandaj edhe revolucioni i tyre ngjante më tepër me një konflikt mes vendesh të ndryshme, se sa me një luftë civile. Po ashtu popullsia e kolonive karakterizohej në përgjithësi edhe nga një ndjenjë e fortë besimi në drejtësine e kauzës së tyre, ndërsa pala përballë, administrata mbreterore dhe trupat e pakta britanike, ishte e pafuqishme për një rezistencë të ashpër. Vetë ky fakt i paaftësisë për të qenë të rrezikshëm i mbrojti ata nga intoleranca e bashkatdhetarëve të tyre. Edhe ndryshimet ndërmjet shtresave të popullsise koloniale thamë se s’ishin fort të theksuara asokohe, dhe vinin kryesisht për shkak të ushtrimit të detyrave publike, e në këtë aspekt revolucioni vetëm sa hoqi si të thuash anën shtypëse të sistemit të vjetër, duke ja lënë të paprekura anët pozitive. Merita e madhe e amerikanëve ishte pra ajo që ata mundën ta kufizonin veten edhe brenda kuadrit të së drejtës, edhe brenda vetë natyrës së gjërave.
E kundërt u paraqit pamja në Francë ku këto u shkelën fort e në mënyrë të hapur, dhe ku revolta nuk u mjaftua me shkatërrimin e rendit të vjetër kushtetues, por vuri në shënjestër (figurativisht e praktikisht) gjithkënd që kishte sadopak prona apo privilegje, gjithkënd që kishte diçka për të humbur. Kjo çoi detyrimisht në një masë rezistence mjaft të fuqishme, që s’mund të shtrohej me mjete të zakonshme, përveç se me funksionimin e pandërprerë të gijotinës, të shpatës e të pushkës. Krimi i vetëm i viktimave të një dhune të tillë ishte refuzimi për t’iu bashkuar ortekut që po i shtypte, për t’u entuziazmuar nga vrulli me të cilin ata vetë po shkatërroheshin. Kësisoj çdokush që nuk e përkrahu me gëzim stuhinë revolucionare, u trajtua sakaq si armik, e që s’mund të meritonte tjetër veç ndëshkimit suprem.
Për të gjitha këto autori konkludon se më tepër se ngjashmëri, krahasimi tregon një kontrast të thellë ndërmjet këtyre dy ngjarjeve madhore të shekullit zulmëmadh XVIII. Dhe tronditjet që pasuan më vonë, me dhunën kataklizmike të revolucioneve të frymëzuara prej francezit, i kanë dhënë plotësisht të drejtë një analize të tillë.