Raimonda Moisiu u rizgjodh kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë Nën/kryetar Vlashi Fili, sekretare- Dr.Yllka Filipi, President- Adnan Mehmeti.
Ne foto: Raimonda Moisiu
Dr.Yllka FILIPI
15 vite më parë, emigrantë krijues të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare, e të vendosur në distancat më të skajshme të kontinentit amerikan, u gjendën të gjithë bashkë me një shtrëngim dore, si një përflakje zemre, u ulën nën një pemë të lashtë dhe lëshuan një sasi rrënjësh në një terren të shpërbërë. Ishtë një atdhe i dytë, atdheu i vargjeve, i poezisë…
Sot, Diaspora Shqiptare ndjehet krenare që ka në gjirin e saj shkrimtarë, poetë, artistë, publicistë, autorë, piktorë, pedagogë, artistë e shkrimtarë me emër e famë, veprimtarë dhe aktivistë të çështjes kombëtare, patriotë dhe adhurues të artit e letërsisë në përgjithësi që i shërbejnë qëllimit të universit të të drejtave të Komunitetit Shqiptar dhe atij Krijues, intelektual e qytetar, në një status të barabartë me botën e qytetëruar amerikane, vazhdimësisë e përjetësimit të traditës, kulturës, gjuhës, historisë së letrave shqipe, ashtu sikundër kanë bërë paraardhësit në ecje me kohën, duke dëshmuar potencialin intelektual, dijet e aftësitë krijuese, talentin e padiskutueshëm, vlerat dhe virtytet e tyre duke forcuar urën lidhëse midis Diasporës e Atdheut. Viti 2016 shënon zgjedhje të reja në kryesinë e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, vit që përkon edhe me 15-vjetorin e themelimit të saj.
Këtë vit do të kremtojmë 15 vjetorin e themelimit të grupimit tonë. Jemi të lumtur dhe me fat, që do të mblidhemi dhe do të festojmë bashkarisht. Në këtë event do ta kemi në dorë librin “Shoqata e Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikanë” (Aktivitete dhe krijimtari).- shprehet presidenti i SHSHSHA-së, z. Adnan Mehmeti.
Rrethana të caktuara jetësore i hodhën këta krijues matanë Atlantikut, prej nga (pavarësisht distancave jashtëzakonisht të largëta), pa zhurmë, tym e flakë, ashtu thjesht, heronj të heshtur të penës, verbtaz ditën ta gjejnë rrugën e përbashkët; në fakt nuk është as rrugë, është një shteg mbuluar nga shkurret, nga ku për të gjetur udhën dhe burimin e dritës, pena/shpatë duhet mprehur mirë e vazhdimisht. Pavarësisht prapambetjeve në shumë aspekte që paradoksalisht vërtiten gjithnje brenda një rrethi vicioz pazgjidhshmërie, si rezultat i mbishtresëzimit subkulturor dhe njëfarë kaotizmi konvencional shpesh artificial, atdheu ynë metamorfozohet në një aureolë individësh që propogandojnë imazhin e njeriut modern, (mjerisht kurrë në një mendje, patologjikisht drejt zvetënimit dhe asimilimit, bjerrjes së arkitekturës së shenjtë shpirtërore, e vetmja që mund të trashëgohet falas, mbi shtyllat e dashurisë dhe humanizmit), dhe masës së gjerë të popullit mbytur në mjerim, sëmundje e luftë për mbijetesë, bijve jashtëzakonisht të talentuar të së cilëve kurrë nuk ju hapën dyert e ardhmërisë.
Kur shkelëm për herë të parë tokën amerikane, pasi lamë pas një qiell me re të përndezura nga flakët e mallit që do na kaplonte jo shumë larg, por brenda të nesërmes së asaj dite, për atë tokëz të vogël, të rrudhur, të mplakur, të bërë doçkë, (bobo, m’u fanit mëmëdheu si një plakë, nënokë e përvuajtur, e mjerë, me një shkop në dorën e djathtë tek dridhej nga i ftohti a nga dhimbja, nga uria a nga tmerri, se bijtë dita-ditës po i gëlltisnin qiejt e tjerë atje përtej largësive të parrokshme nga syri (a shpesh edhe nga imagjnata, aq të frikshme ishin!!!), dhe vështrimi i tmerruar u ndal në kraharor, ja shoh mushkëritë e tejdukshme që pompojnë oksigjenin e brengës, qartë e pastër njësoj si në grafinë që bëmë javën e fundit përpara nisjes larg, dhe papritur e gjithë kështjella prej rëre e ëndrrave, ra pa zhurmë e u derdh nëpër këmbët tona, u fut nëpër gishtërinj duke na e bërë më të vështirë ecjen dhe papritur, për herë të parë në një tokë të re, të pashkelur kurrë, ndjemë dëshpërim të thellë. Ishtë dëshpërimi i poetit! Më ra ndër mend një thënie e vjetër greke: Tymi në atdhe është më i mirë, se sa zjarri në dhe të huaj.( Kujtojmë se ndëshkimi më madh për këtë popull nuk kanë qenë vrasjet, por dëbimi nga atdheu!)
Ndaj jam e sigurt se të gjithë krijuesit që mbërritën shumë vite përpara nesh këtu, kanë përjetuar ndjesi të veçanta si kjo, ndjesi që vijnë spontanisht e pa rrapëllimë, por që sapo prekin lëkurën tënde, me këmbëngulje e kokëfortësi nxjerrin tym e flakë, shkundin këmbët e duart e përpëliten gjersa të përmbushet dëshira. Edhe pse janë kohë të rënda, instiktivisht e gjejnë njeri-tjetrin symbyllazi, e ndërsa ulin penën dhe luten, vështrimi tretet larg, përtej ujërave të oqeanit, tek zemra e krisur, tek shpirti, tek njerëzit e afërm, tek miqtë e shokët, tek ish-kolegët, tek rruga e pafshirë, tek lagjja e vjetër, shtëpia përdhese, çatia e rënë, dyqani i bukës, këpucët me baltë, shkolla, ah, shkolla, tek kafja përballë, stacioni i trenit si në trenat e lindjes… tek lypësi që luan simfoninë e pendesës, tek mbrëmjet poetike të Agron Tufës, tek vrapi nga kodrat e liqenit të tharë, tek kacafytjet e pushtetarëve, tek vdekja e nënës me foshnjën në bark, tek mallkimi, tek bekimi… Kështu që lindi nevoja e ndërtimit të një Katedraleje Shpirtërore.
Por: Si lindi kjo Katedrale në Ekzil? Kush trokiti në Qiellin e Muzave? Sa herë? Sa fort? Sa gjatë?
Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë u krijua si domosdoshmëri e vazhdimit të traditës kombëtare, idealeve patriotike dhe atdhetare, kulturës, gjuhës, trashëgimisë së vlerave shpirtërore, duke u bërë kështu ambasador të identitetit kombëtar dhe zëdhënës shpirtërorë të plagëve të atdheut. Një pjesë e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë i përkasin Letërsisë Postkomuniste të Diasporës, por radhët e saj vijojnë e shtohen nga viti në vit me shkrimtarë, poetë, publicistë, studiues, dijetarë, historianë, filozofë, politolog, gjuhëtarë, përkthyes, gazetarë, patriotë, dhe dashamirës të artit e letërsisë që jetojnë, punojnë e shkruajnë në emigracion, aty ku ngërthehen ëndrrat e paraardhësve me rrënjët historike të së shkuarës, aty ku Fan Noli, Faik Konica, Arshi Pipa, Isuf Luzaj flasin ende shqip dhe trondisin botën, duke i zbutur sadopak plagët e mëmëdheut, me mjaltin e penës.
Ja si shprehet krijuesi dhe gazetari Beqir Sina, 21 gusht 2003 “Si krijues, të ndodhur në kushtet e vështira të emigrimit, qe fat i madh që e gjetëm njëri-tjetrin (…) Kjo lidhje, ky bashkim që u pagëzua si Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, tregon se të gjithë ne, duke mos përdorur asnjë lloj përcaktimi në cilësi apo sasi veprash të shkruara, gjendemi në të njëjtën udhë plot rreziqe, ku ecim në kërkim të një shtegu, i cili do të na çojë vazhdimisht e kurdoherë drejt të bukurës në art. Dhe për të gjetur këtë shteg unë mendoj se duhet të jemi të qartë e të kthjellët(…) me një frymë të bekuar.*
I pari që hodhi idenë për të krijuar një urë shpirtërorë lidhëse në të dyja kahet e Atlantikut, në konvergjencë me idetë e paraardhësve të atyre që shënuan fillimet e vazhdimësisë së integritetit të letrave shqipe tek emigrantët shqiptarë, me lindjen e gazetës “Dielli” e “Kombi”, themelimin e “Vatra”-/ës dhe Rilindjes Kombëtare, ishte poeti dhe studiuesi Dr. Gjekë Marinaj, i cili hapi një shteg historik, Themelimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, përjetësimin e përvojës letrare dhe identitetit kombëtar në mbarë botën shqiptaro-amerikane. “Transmetimin e vlerave kombëtare ndër breza, të gjuhës, traditës, historisë dhe identitetit shqiptar: përpjekjet për të mbajtur gjallë shpirtin krijues”. Mandatin e parë si Kryetar i Shoqatës do ta mbajë shkrimtari dhe mjeshtri i rrëfimit e dialogut z. Naun Prifti, nga sekretarët, Sami Milloshi dhe Luigj Cekaj. Pena e mprehtë e lirikës së Kolec Traboinit, shkrimtarja e gazetarja Albana Mëlyshi Lifschin e cila midis të tjerash përcolli nën dritën realiste të tragjizmit, shpërnguljen biblike, masakrat dhe heroizmin e popullit martir të Kosovës, nga genocidi serb, “Children of Kosova-Stories of horror”- për ngjarjet e vitit 1999-të, libër që tronditi shekullin dhe vuri në lëvizje të drejtën. Prof. Peter R.Prifti, vijojnë radhët me poeten Rozi Theohari, (sekretare dy mandate), poetja dhe aktivistja e “Vatra” dhe “Dielli” në Amerikë, Merita Bajraktari McCormack, shkrimtari Petraq Janko Pali (sekretar dy mandate), Dr. Selaudin Velaj, aktivist i shquar i çështjes kombëtare, bashkëpunëtor i drejtpërdrejtë prej mëse 30 vjetësh i At’Arthur Liolinit, klerikut të nderuar e pasardhës i Fan Nolit, mbështetës dhe anëtarëve të Shoqatës që me themelimin e saj: poetin martir të Demokracisë Viktor Martini, Prof. dr.Thanas Gjika, shkrimtarin Spiro Gjikondi, poeti Luigj Cekaj, poetja Julia Gjika, Genc Leka, poetja Sidorela Risto, Kreshnik Ndreu, Lek Gjoka, Marash Mali, Andon Kote, poeti Sami Milloshi, Tom Paloka, Nikolin Markaj, Ferhat Ymeri,etj.
“Mblidhnu tok si kokrrat n’sheg”- la amanet poeti kombëtar At Gjergj Fishta! I beftë, si një agim mes territ dhe dritës, nga Tempulli i mëmëdheut lindi një Katedrale, brenda ikonave të së cilës shpirti lutet e falet, urtohet, trazon ujërat e fatit të kombit me majën e hollë të penës, gurgullon, kërkon dritë, lëçit, hap rrjedha drejt ardhmërisë, prej nga un-i krijues është zëri, fuqia, një pjesë e arterieve të kombit shqiptar në tokën amerikane.
Ishte viti 2001, i mijëvjecarit të ri! U themelua Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, me President poetin Gjekë Marinaj, Poeti emblematik i Letërsisë Postkomuniste të Diasporës dhe publicisti i mirënjohur nga Presheva, z.Adnan Mehmeti, u zgjodh në vitin 2009 President i Shoqatës, status që e mban aktualisht.
Në dy mandate radhazi, Kryetar i Shoqatës u zgjodh shkrimtari Ramiz Gjini i cili punoi me përkushtim e devotshmëri dhe shoqata njohu progres të jashtëzakonshëm.Në vazhdën e traditës, dy mandate radhazi si Kryetar i SHSHSHA-së ka qënë poeti dhe prozatori Dalan Luzaj, autor i disa vëllimeve me poezi e prozë, e hulumtime letrare. Gazetarja dhe poetja, Këze Zylo është zgjedhur sekretare për shtypin dhe informacionin në Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.Vijojmë me kontributin e Nënkryetarit të Shoqatës, për disa mandate e poetit e prozatorit pejan, Mëhill Velaj. Poeti Kostaq Duka- ka qenë Sekretar i SHSHSHA-së, duke vazhduar traditën me shkrimtarin dhe publicistin Pierre Pandeli Simsia si sekretar i SHSHSA-së, me një mandatet në vazhdim.
Në Letërsinë post-komuniste të Diasporës, poetja dhe publicistja Iliriana Sulkuqi, gëzoi një mandat, si Nën/Kryetare e Shoqatës, e shpallur Ambasadore e Paqes. Poeti e Prozatori Fatjon Pajo, Shkrimtarja investigative nga Mitrovica Teuta Shabani Towler, Eleonora Gjoka Kosta risjell imazhin e figurës së gruas nga mitologjia në kohët moderne.
Nën presidencën e z.Adnan Mehmeti, Shoqata ka pasur rritje në anëtarësim dhe krijimtari në nivel të admirueshëm artistik e krijues, aktivitete të ndryshme me taban historik, kombëtar, atdhetar e letrar. Nën kujdesin e drejtpërdrejtë të z.Mehmeti, vazhdon botimi i revistës “Pena”, organ letraro-artistik, kombëtar e historik e cila gjendet në Bibliotekën Amerikane, në atë të Federatës Pan Shqiptare “Vatra” dhe Bibliotekën e Kishës Autoqefale Shqiptare e Shën Gjergjit, e Fan Nolit, Boston.
Kryetarja e SHSHSHA-së, zonja Raimonda Moisiu, është e njohur si poete, përkthyese, shkrimtare, publiciste. Aktiviteti i saj është gjithëpërfshirës e rendit në shumë lista të bashkësive të shoqërisë, amza interneti dhe forume bashkëatdhetarësh në internet. Nëpërmjet shkrimeve publicistike, prozë letrare, poezi, ngjarje të jetuara, dhe opinione të ndryshme për zhvillimin e proceseve shoqërore në Shqipëri dhe në Diasporën shqiptare, përpiqet të tërheqë vëmendjen e publikut për dukuri të mprehta shoqërore.
Autor i disa veprave letrare, shkrimtari Vlash Fili shtjellon metamorfozën e një populli të tërë në diktaturë, kalvarin e dhimbjeve (të cilin ai e ka provuar), sakrificave, burgun, internimin, degradimin shpirtëror. Zgjidhet me mandatin e Nënkryetarit për herë të parë në historikun e shoqatës.
Dr. Yllka Filipi, është vlerësuar nga kritika me disa çmime të para kombëtare dhe ndërkombëtare, si një zë unikal në letërsinë moderne shqiptare në shkrime kritike, poezi, prozë dhe esse. Mban denjësisht në dy mandate radhazi detyren e sekretares të SHSHSHA-së.
SHSHSHA ka zhvilluar aktivitete shumë të rëndësishme dhe ka patur një sukses të jashtëzakonshëm në simpoziume letrare, promovime autorësh, ndarje çmimesh artistike, shkëmbim përvojash dhe për këtë vlen të përmendet puna e palodhur e kryesisë me në krye zonjën Raimonda Moisiu.
Vlen të përmendim: Rita Saliu, poete, luftëtare dhe humaniste e shquar e çështjes së Kosovës, e nderuar me Certifikatën e Mirënjohjes nga ish-presidenti Bamir Topi, Skifter Këlliçi me biografi të pasur publicistike, Roland Musta poet e prozator, publicisti Agim Bacelli, Bardhyl Mezini, poet e fabulist, Përparim Hysi, poet, esseist e prozator, Ivzi Cipuri, poet, publicist e diplomat, Klajd Kapinova studiues, shkrimtar e publicist, Uk Lushi shkrimtar e publicist shqiptaro-amerikan, dalë nga gjiri i luftës së UÇK-së, Tom Mrijaj studiues, monografist, esseist, shkrimtar e publicist, Shpresa Vrana romanciere dhe esseiste, Anton Çefa, poet, kritik,shkrimtar, Pal Ndrecaj, shkrimtar, esseist, Dr.Adem Harxhi, publicist, Dedë Elezaj poet e filantropist i Shoqatës, Makfire Canolli poete, Sabije Veseli, shkrimtare, Ramiz Mujaj, Aulona Goxhaj, Gjeto Turmalaj, Ndue Hila, Guri Stefani, Skënder Kodra, poeti e piktori Nexhat Imeraj, Eduard Dilo,Valter Lazri, Ilir Spata, Margita Markaj, Isuf Grejcevci, Veneta Callpani, poetja dhe gazetarja e talentuar Marjana Zeneli Bulku, Artur Vrekaj, Aristotel Mici, Qazim Rrushaj e deri dek anëtarët më të rinj Bora Balaj, Idriz Celaj, Teuta Osmani, Bexhet Asani,etj.
Brenda e jashtë SHSHSHA-së jetojnë, punojnë e shkruajnë në emigrim figura të njohura të letrave shqipe; Shkrimtari Fatos Kongoli, bën jetën mes Amerikës, Europës dhe Shqipërisë, poeti Petraq Risto, shkrimtari e publicisti Roland Gjoza, shkrimtarja e gazetarja, Elvira Dones, prozatori Vaid Hyzoti, shkrimtari Pëllumb Kulla, poeti Thani Naqo, poeti i talentuar, martir i demokracisë, Alfons Grishaj, poetja novatore Elinda Marku, publicisti e akademiku Shpëtim Nazarko, liriku Nexhip Ejupi, poeti, Luan Kalana, poetët Hekuran Miraka, Genci Kastrati, Sami Gjoka, Valbona Dardha, Aida Dismondy-i, Agim Dëshnica, Makensim Bungo, Vasil Makoci, Monda Hamitaj, Vera Kurti, studiuesi Fuat Memeli, poetja Nimfa Hakani, kritiku Ilir Seci, poeti Shpend Gjocaj, studiuesi Sevdai Kastrati, poetet burrë e grua Ibadete dhe Shkumbin Tetaj, gazetarja Klara Buda, publicistja Blerta Alikaj, poetët Feriz Ukshini, Abdurraman Thaci dhe Jashar Esati,etj.
Ndihmesë dhe mbështetje e admirueshme e historike, të Federatës Pan Shqiptare Vatra nga Dr.Gjon Bucaj dhe editori i palodhur i gazetës Dielli, publicisti i mirënjohur Dalip Greca, ndihmesën e mbështetjen e Dr.Anna Kohen, Presidente e Shoqatës “Motrat Qiriazi”, gazetarit të talentuar Beqir Sina, ndihmesa dhe mbështetja Prof. Dr Fatmir Terziut nëpërmjet, “Fjala e Lirë”, ndihmesa e piktorit, Astrit Tota e aktorit Shaban Lajci, gazetarëve të palodhur Adem Belliu, Qazim Doda, Halil Mula. Aktivitetet dhe veprimtaritë e rëndësishme të krijuesve do të ishin pothuajse të pamundura pa bujarinë dhe mirësinë e individëve sponsorë/ vullnetarë të diasporës, ndër të cilët spikat filantropisti Zef Balaj.
Përmendim në Amerikën e Veriut, në Kanada poetin dhe shkrimtarin Mustafë Ismaili, Prof. Vangjush Ziko, poetja Majlinda Bashllari, Sose Dumani, prozatori Faruk Myrtaj, Shkrimtari dhe poeti i mirënjohur Kristaq Turtulli, shkrimtari, publicist e eseisti Vangjush Saro, shkrimtari e publicisti Nexhip Bashllari, shkrimtari për fëmijë Janaq Pani, Sillo Mucko, etj.
Një meritë të jashtëzakonshme zë organizimi i Ditëve të Letërsisë në Michigan, i cili është mbajtur pothuajse çdo vit në muajin e letërsisë, nga poeti, shkrimtari e Botuesi i Revistës KUVENDI në Diasporë, z. Pjetër Jaku, me mbështetjen e SHSHSHA-së, revistë ku konkurojnë vlerat letraro-artistike. Shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, tashmë është bërë simbol i epokës në diasporë me shumëllojshmërinë e aktiviteteve, tema të ndryshme nga arti, letërsia, tradita si edhe tematika sociale-historiko-atdhetare, nën kujdesin e SHSHSHA-së.
Sot, më 15 shtator 2016 Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, jashtë kufijve të atdheut dhe idealizmit, shpall të mbyllur votimin dhe numëron votat on-line, me vullnet të lirë dhe shpresë në suksese të mëtejshme drejt dimensioneve të reja në jetën shpirtërore të kombit, duke ju përulur një Zoti të plotfuqishëm, (të vetmit që ka shkrimtari, Muzës!), dhe zgjedh me shumicë votash Kryesinë: President- poetin e publicistin, Adnan Mehmeti; kryetare- shkrimtaren e publicisten, Raimonda Moisiu; nën/kryetar- shkrimtarin Vlashi Fili; sekretare- poeten, shkrimtaren e studiuesen, Dr.Yllka Filipi.
Dhe sikundër Zoti, i pëshpërit në vesh individit, të vetmes qenie trans-historiko-biologjike, krijuesi shqiptar përulet nën moton: Transmetimin e vlerave kombëtare ndër breza, gjuhës, traditës, historisë dhe identitetit shqiptar: përpjekjet për të mbajtur gjallë shpirtin krijues në ekzil.
Kënaqësia më e madhe? Detyra e kryer.
Forca më e madhe? Besimi.
Gjëja më e bukur në botë? Dashuria.”
(Nënë Tereza)
Dr.Yllka FILIPI
New Jersey, U.S.A