Shënime për librin “ Zoti im, po të rrëfehem…” të poetit Ruzhdi Gurra
Poezi te zgjedhura nga libri dhe nje shenim i autorit
Pjetër Jaku
Poeti Ruzhdi Gurra, dhe libri i tij poetik “ Zoti im, po të rrëfehem…”, një binom i pandarë me autorin, brenda kopertinave të tij mban afro tre libra, jo për numrin e poezive që kapet në 150, por edhe tematikën frymëzuese, për ta kthyer të zakonshmen në metaforë, krahasim, hipërbolë etj etj.
Ndoshta, kjo ka ardhur nga mungesa e kurajos për t’u paraqitur para lexuesve, vargjet e tij jepnin e merrnin veç me veten, nga pamundësia për të publikuar atëherë, kur frymëzimi fluturonte deri në poezinë e bukur persiane, gjer në majat ma të larta të artit model e flinte në zemrën e poetit të robëruar.
Në këtë libër peshon krijimtaria e të paktën dyzet viteve, ku autori vetëm shkruante dhe ruante, duke mos guxuar t’i thotë askujt. Disa herë, as vetes nuk i besonte, se copëzat e shkruara nëpër fletore shënimesh mund të ishin vërtet poezi.
Ruzhdiu , poezinë e quante me të vërtët artin hyjnor, që bëhëj këngë, që bëhëj hymn, që mbahej mend e transmetohej në shekuj. Si një besimtar i denjë dhe paqësor, ai lutet dhe rrëfehet një Zoti të gjithëpushtetshëm, që është për gjithë njerëzimin.
Formimi dhe besimi në fenë e tij, që ka afro gjysmën e popullsisë së botës, e frymëzoi dhe vuri më tepër në rritjen e përgjegjësisë së tij krijuese. Poeti rrëfehet në çdo fjalë, në çdo varg. S’ka si të ndodh ndryshe dhe me Mistër Rudin, siç do e thërrisnin Ushtria Amerikane.
I drejtëpërdrejtë, siç e sheh ( shih e shkruaj, – thotë populli), poezia e tij është vetë natyra e poetit, e qetë, varg i matur, konstatues, por jo revoltues, i durueshem, por jo i përulur, flet atë që ndjen, thotë ma shumë se flet. Jo zhurmë, por mendim, jo vetëm cinik, si në rastin e “ Burrave porstitutë?!” fq 69 por, edhe njëshmërinë e poezisë për motrën; “ Baladë për time moter, Hatixhenë!” fq 113
“Pse po qanë moj nënë? Nënë pse po qan?
Vënë shamizezën, hallet nuk t’u ndanë…
Ti se ke bashkëshortin, unë s’e kam babanë,
Qanë e zeza nënë, si gurra nën thanë!”
Veç motrës, vëllait, nënës, babait e shokut, poeti thërret edhe vende që njeh, edhe Shkumbin e rrëmbyer, që të kuvendoi me të:
“… Ti rrëshqet poshtë, unë ngjitem nga mali,
Poshtë gulon Bushtrica, natën fle te zalli,
Vite pa u parë, ndjekur të dy malli,
Si do vejë kjo punë, Zot na nxirr nga halli!”, fq 107
Nga teknika e të shkruarit pëlqen rimën dhe vargun e matur, por jo duke i ndejtur strikt vetëm një mase. Nga 6 rrokshi deri në 16, poeti i jep vetes liri veprimi në varësi të mesazheve që përcjellin poezitë e tij dhe mënyrës së të rrëfyerit. Në më të shumtën e rasteve poeti e gjen veten te 12 rrokshi, duke u munduar sa më shumë t’i largohet rimës foljore me diftongje të njohura për rapsoditë. Përshkrimet poetike vijnë shumë ëmbël dhe natyrshëm me një përsëritje funksionale si në rastin e poezisë “ E prapë zilja bie”, “ Ditë feste ”, “ Jeta vazhdon…”, “Ndodh edhe kështu”, “ “Erërat”, “Mulliri i fshatit”, “ Kritikë vetes”, “ Njëherë e një kohë”, “ Romancë zogjësh”, “ Lasgushi i fshatit tonë”, “ Motet e lajthitjes”, “ Qaje moj minushe!”. Duke u ndalur në këtë rreshtim, që më bëri të ndalem, dua të theksoj se, në asnjerën prej këtyre poezive, që mund të jenë vetëm një e pesëmbëdhjeta e librit, poeti në asnjë rast nuk ka një model fiks. Frymëzimi i momentit ka bërë që poeti të shprehet me mjetet që ia lehtësojnë nëntekstin, por pa rënë në nivelin e rrëfimtarit në vargje.
Shmangia e prozaizmit dhe ruatja nga figuracioni falls dhe sajimet e shtërzuara, të cilat kuptohen lehtë, luhet me fjalën , në ndonjë rast edhe në përsëritjen ngulëse të idesë.
Poeti luan bukur me domethenien e tyre artistike. Gjithësesi, si të gjithë krijuesve edhe Gurrës i duhet punë në skalitjen e leksikut, herë herë deri në lënien jashtë vargut të ndonjë fjale që nuk tingëllon bukur, edhe pse thotë diçka, duke iu larguar sa më shumë rëndomësisë së të shprehurit pa peshë emocionale.
Poezia e Gurrës ka atmosferë ngjallëse dhe frymëzuese dhe jo përshkrime të thata piktoreske. Poeti t’i sjell stinët e jetës me veçoritë e tyre dalluese dhe me simbole domethënëse poetike:
“… venë e vijnë bletët, verës plot me shije
Zilja bie ëmbël… ëmbël zilja bie…”
Dhe, për të ardhë te vjeshta:
“Trumcakët mërdhijnë, shenjë dhembshurie,
Zila bie ëmbël… ëmbël zilja bie…”
Për poetin dashuria, mirësia dhe paqa zbresin nga qielli në shpirtin e njeriut të mirë, sa, kur zemrat hapen edhe malet qeshin, sa edhe xhindet lidhen, aq sa dielli bëhët kopshtar, rapsodia e zogjëve vjen në kohë me pjekjen e frutave, ku qershitë u ngjanë fytyrave njerëzore, të shëndetshme dhe bash kështu; “ … dhe ulliri, fiku, shtogu, sot i fallen Perëndisë.” Për të ardhë te mesazhi sa njerëzor, aq dhe moralizues: “ As kaq gjë se bën dembeli, ky që kohën i merr jetës”. Fq 28
Morali i poezisë së Gurrës është edhe i drejtëpërdrejtë, por edhe thumbues, çka duhet theksuar se fabula te ky poet mund të jetë shumë më e realizuar se sa poezia e subjektit dhe këshilluese në ndonjë rast:
“Ç’burra prostitutë
Veshur me pushtete,
Mjerë populli i urtë,
Se ç’ka përmbi vete…”
Kapërcimet poetike dhe gjendjet e poetit vijojnë si dallgë të trazuara, por edhe si një det i qetë me një trazim të këndshëm që valëzon bukur, me një shkallëzim të të ndjeshëm:
“Derdhen hallet, shuhen dertet, merr Shkumbini i çon në det
Diku këngë, diku dhembje, diku shpresë dhe plot shëndet…”
Por, në këtë libër, nuk mungojnë as poezitë e dashurisë, si një nga temat më të përdorura në të gjitha llojet e krijimtarisë. Veç përshkrimeve të bukura të natyrës, të zogjëve e këngëve të tyre, të rrjedhës së lumejve fizik dhe shpirtëror, poeti i këndon edhe moshës, viteve të lajthitjes, të lajthitjes së bukur, të ndjenjës, duke i kënduar bukur gruas, vashës, krahasuar ato me lulet, me stinët, me bukurinë natyrore që nuk ka të mbaruar, si:
“Lule, lule, moj ty të qafsha,
Porsi dru, në mal u thafsha,
N’dorën tënde, vafsha-rafsha,
Parajsën me sy e pafsha.”
Vargjet e njohura popullore që shoqëronin një valle po aq të njohur, “ Qaje moj Minushe!”, në poezinë e Ruzhdi Gurrës vijnë si një krua që kurrë nuk shteron, përshkruese dhe shumë të ndjeshme:
“Qaje moj Minushe, qaje, moj rininë,
Te kroi ku laje, ta pashë bukurinë!
Në një cep të buzës, shtërngoje shaminë,
Laje e shkëlqeje, porsi yll që ndrin…”
Vetëm në këto katër vargje, ka objektin, ka nënkuptimin e subjektit, ka veprimin, ka ndjenjën edhe përshkrimin, që dallohet në vargun e katërt. Vetëm në shtërngimin e shamisë, lexuesi që i ka përjetuar vitet e vështira të kohës që ë lamë pas, të një dënimi kolektiv, poeti thotë pa e thënë me fjalë vuajtjen, vetëkafshimin nga vështirësitë e përditëshme, ndjenjën që femra, vetëm ashtu kishte mundësi ta shprehte.
Kështu do lexojmë edhe në poezi të tjera të ndjejnës si: “ Shoqës së klasës”, “Nuses time”, “ Si ta përkthej fjalinë tënde?”, “ Çupë e Dragostunjës”, “ Pesha e ndarjes”, Eja thëllënzë”, “ Shegarushja ime”,etj.
Mendoj se autori, në të ardhmen duhet të përqëndrohet më tepër në poezinë e llojit të ciklve të fundit “ Kameleonë të politikës” dhe “ Ushtria e karkalecave”, ku maturia dhe humori janë model të një fabulisti të talentuar.
Për autorin qentë e kollarisur janë shumë më të rrezikshëm, sidomos ata të qyteteve, ku qenushkat u përdridhen dhe kazanat u “afrohen” , por më e keqja është se zemrimi i tyre dhe, sidomos kafshimi, është pa shërim, pasi nuk ke kujt t’i ankohesh.
Qentë e kollarisur vetëm të shqelmojnë, pa ta lejuar edhe atë pak liri të fituar me luftën qenërishte për të ngrënë sa të jetë e mundur shoqi-shojnë. Një histori e tillë kishte ndodhur te “ Qeni i Xha Sadikut” i cili vërdallosej pas bishtit të tij në kohën e demokracisë, ndërsa në diktaturë ishte gjithëmonë kryetar dhe i përkëdhelur i sigurimit.
Poezitë: “ Minjtë dhe thinjtë”, “ Mundimi i kalit”, “ Replikë lugësh”, “ Ushtria e karkalecave”, “ Përrallat kineze”, “ Qeni dhe bushtra”, “ Dhia”, “ Dhelpra fallxhore”, “ Macja dhe zogu”, “ Kur shqetësohen derrat” etj. janë modeli i fabules së arrirë, ku nënteksti është i mençur dhe ka domethënie, që rrallë të shijon në fabulen e sotme.
Poezi nga libri “ Zotim im, po të rrëfehem…”:
E prap zilja bie…
1.
Streha qan dëborën…Çelte një korije…
Dashi tund këmborën, e një fyell bie,
Vijnë plot pranvera, dalldisje rinie,
Zilja bie ëmbël….Ëmbël zilja bie…
2.
Gugon një kumri, mu në majë selvije,
Lart përmbi hardhi, plot rrush zarakije,
Venë e vijnë bletët, verës plot me shije,
Zilja bie ëmbël…Ëmbël zilja bie…
3.
Bien gjethet në heshtje…Shenjë pafuqie,
Fryn era prej vjeshte , paralajm stuhie,
Trumcakët mërdhijnë, shenjë dhëmbsurie,
Zilja bie ëmbël…. Ëmbël zilja bie…
4-
Vjen dimri sarhosh, ngrihet edhe bie,
Të gjen me lug bosh, kohë pleqërie,
Sa do të jetosh?.. Punë Perëndie?…
Zilja bie ëmbël…Ëmbël zilja bie…!
Erërat…
Se nga vjen, e fryn një erë,
Herë me vrull, herë pa u ndjerë
Fryn mbi shkëmb, e shkërmoq gurë,
Na mbyll ëndrrat në qivurë…
Se nga vjen e fryn kjo erë…
Erë pa miq, e erë pa shokë,
Se ç’baloz rrëzon mbi tokë.
Dashurisht, urrejtje sjell,
Ç’farë të keqe, që na mbjell !…
Se nga vjen e na mbështjell…
Vjen stuhia vendit tuaj,
Stuhi malesh!…Zot, na ruaj!…
Mblidhi bijtë, moj gjokse-rënda,
Që kjo “erë” mos hyjë përbrenda!…
Se nga vjen, e zëntë shëmbja!…
Një herë e një kohë…
Fillojnë shirat, qaset vjeshta, ,zverdhen gjethet,
mblidhen vathat, zë bagëtia,dhe ndërzehet.
zihen rrugët, me dushkajat bashkë me llafet,
skuqen nuset,flasin vjehrrat, djali s’qahet.
Mblidhen arrat, zihet djathi, thahet mishi…,
dredh mustakët, këmbëkryq te oxhaku, rri dervishi.
Bum dybeku, vlon dyfeku, buçet kënga, harmonia
tundet vallja, bie bora, gëzojnë qentë dhe fëmia.
Derdhen hallet, shuhen dertet, merr Shkumbini i çon në det’
diku këngë, diku dhembje, diku shpresë dhe plot shëndet…
Romancë zogjsh
Nën degën e ftoit, rrinte cinzamiu,
Me gjethen përsipër, mos e lagte shiu.
Shiu binte butë, tokën vlagëronte,
Cinxami ferraku, ferrën cinxëronte…
Si mbaroi vlagimi, dielli rrëzoi sytë,
Aty në një degë, i panë vetë i dytë…
Ojnej cinxaresha, puplat shpupuriste
Me gjethen e ftoit, që e guduliste.
Baladë për time motër, Hatixhenë!
-1-
Pse po qan moj nënë?… Nënë, pse po qan?…
Vënë shamizezën, hallet nuk t’u ndanë…
Ti s’ke bashkëshortin, unë s’kam babanë,
…Qan e zeza nënë, si gurra nën thanë!…
Ti ngele te dera… Unë- në dritare,
Shaminë me temina, as e preka fare!…
Po më nxjerr ti nuse,si qengje manare,
Pa dasmë e dasmorë, pa cyrle dyjare.
-2-
Dilna ti moj nënë, dilna në dritare,
Mos ndiz më qirinj, e mos shko në varre,
Shoh një kurbetli, te çezma n’ugare,
Jam a s’jam në vete?…Zot u çmenda fare!…
-3-
Moj shtëpiza ime, gur më gur latuar,
Ngrije pak ti kryet, qeshu, e bekuar!..
Po na vjen babai, vitesh i larguar,
Të bijën e vetme, vjen për ta fatuar.
-4-
Hape dasmën nënë, vishe ti stolinë,
Ma beko ti gjirin!… Bekomë nusërinë!..
Hape dasmën –hape-… Uromë lumturinë!..
Ushtria e karkalecave…
Një natë vere, një karkalec hyri në shtëpi,
E lamë nëpër dhomë…Shkonte edhe në magje…
Prindërit na thoshnin:- “ Karkaleci ka mbarësi…
Mos e trembni, djema!… Ai të sjell paqe…!”
Gjithë verës, s’i ndaloi kërr-kërret,
Megjithëse me huqe, s’ia prenë rutinën.
Për çudi vera, e gjatë dhe e thatë,
Sa gjarpëri lopën, ia thau shpinën.
Kërr-kërr vazhdoi avazin, dhe vitin tjetër,
Kalin hëngri ujku , poshtë në fierishte,
Vazhdonin të mëdhenjtë, me avazin e vjetër:
“Të vrasësh karkalec, ç’mëkat do të ishte!…”
Erdhi vera tjetër…Një flamë i ra kopesë,
Delet e qentë i kthyen, këmbët nga dielli.
Karkaleci u shtua,u bë dajë me mbesë,
Dhe hiqej e fryhej, si i sjellë nga qielli…
Na u shtuan shumë, kërr-kërret e “shenjtë!..”.
Njerëzit e shtëpisë,në minorancë mbetën,
Zemërgjerësinë, po e paguajnë shtrenjtë
Me mendjen e tyre, belanë keq e gjetën.
Kur erdhën burrat, duart vunë në kokë,
Ushtria e kërr-kërre, kishte bërë hatanë
…Që të shpëtonin, bërtitën ndër shokë;-
-Nxirrni në livadh, atje le të hanë!….
Kur shqetësohen derrat..
Në haur, brenda në terr
Qe një dosë dhe një derr
Po i thotë derri dosës:-
..ne në shekullin e bretkosës…
Hanim, pinim ndër moçale,
Asnjeri s’kishim havale…
Eh,-tha dosa- ca fjalë t’arta
..Kërkoke kumblla të tharta….
Sot u bënë të gjithë derra
Ta mbyllin derën me ferra….
Ulën kokat, e nuk folën
Derra hynë, e derra dolën.
Gëzo Jetën..
Gëzo jetën o njeri
Mos përfol e mos bëj ligje
Atje lart ka Perëndi
Që sheshon male e brigje.
Gëzo jetën o njeri
Rrëzo male shesho brigje
Atje lart ka Perëndi
Që mban hapur për ty shtigje.
Gëzo jetën o njeri
Zemrën tënde prapa ndiqe
Atje lart ka Perëndi
Sikur rrojte sikur vdiqe.
Gëzo jetën o njeri
Faqen tënde ti përligje
Atje lart ka Perëndi
Që të mbron nga plot rreziqe.
Dashuro ti o njeri
Dashuro sikur nuk vdiqe
Falë të qofshim Perëndi
Që na dhe këto ofiqe.
Dashuro ti o njeri
Jeto vdis në dashuri
Atje lart ka Perëndi
Mëshirë madh, Mrekulli.
Vetërrëfim…
Ruzhdi Gurra
Kam lindur më 2 qershor të viti 1955 në fshatin Dragostunjë të Librazhdit. Prindërit e mi, kryesisht im atë Selimi, për arsye të bindjeve të tij politike, persekutohet nga regjimi i atëhershëm dhe dënohet me 17 vjet burg.
Ndërkohë që krejt ne Gurrajt e Ngurrëzës, ishim të cilësuar kulakë që nga viti 1950. Shkollën fillore dhe atë tetëvjeçare e mbarova shkëlqyeshëm në fshatin e lindjes. Për arsye biografie, nuk m’u dha e drejta e vazhdimit të shkollës së mesme. Edhe pse fillova punën fizike qysh në vegjëli, librin nuk e ndava kurrë nga dora.
Lexoja pa preferencë, çdo gjë, derisa gjërat erdhën duke u saktësuar vetvetiu. Qysh në rininë e hershme,fillimisht më ranë në dorë shumë libra fetare, ruajtur me kujdes nga një mik i shtëpisë sonë,- teologut Isuf Sali Bardhoshi. Këto libra ai i ruante fshehur nëpër haure e qivure, ngase kishin karakter teologjiko-filozofik e mistik, që binte ndesh me pikëpamjet komuniste. Prej tyre mund të veçoj koleksionin e revistave “Zani Naltë”, “Mevludi Sherif”, vëllimi poetik –“Jeta e Profetëve” te Hafëz Ali Korçës, Rubairat e Omer Khajamit e Sadi Shiraziun me “Gjylistani dhe Bostani” “Udha Muhamedane”, e shumë të tjera.
Pra në rrafshin teologjik, në kohën e duhur mora formimin e besimit në një Zot, se çdo gjë, si e mira dhe e keqja vjen nga Ai. Kjo mua më rrënjosi ndjenjën e shpresës,se pas vështirësisë vjen lehtësimi. Ndërsa letërsia e orientit për mua qe shkëndija e parë e dashurisë për poezinë.
Ndërkohë lexoja romane e novela të ndryshme të shkimtarëve të huaj përkthyer në shqip. Me respekt dua të veçoj Hemingway-in, Shekspirin, Nabakovin, Tolstoin, Dikinson, Dostojevski, Bukovski, Pushkini, Çarl Dikens, Franz Kafka, Dante Aligeri, Anton Çehovi, Gabriel Garsia, Xhek Londoni e shumë e shumë të tjerë.
Nga ana tjetër zhanri i poezisë lirike shqiptare me motiv popullor më tërhiqte shumë. Por, të jem i sinqertë me gjithsecilin prej jush, përbrenda ndjeja një siklet, dhe isha vërtet jo dashamirë i atyre poetëve e romancierëve të realizmit socialist që i bënin elozhe diktaturës me talentin e tyre të papërsëritshëm.
Gjithashtu rashë në kontakt me Isa Hoxhën, teologun, poliglotin, historianin dhe antikomunistin e flaktë. Prej tij fillova të mësoj se ç’është durimi dhe urtësia, se si urrejtja duhej flakur tutje që ti lironte vend dashurisë. Prej tij, në fshehtësi të madhe, pak nga pak fillova mësoj gjuhën arabe, dhe herë pas here gjuhën perse.
Sidoqoftë, përbrenda meje rrinte ndezur flaka e shpresës. Isha aktiv, pëlqeja sportet e të gjitha llojeve, futboll, basketboll, volejboll, gjimnastikën dhe notin. Ndërtoja me shoqërinë ura lidhjeje nëpërmjet humorit dhe dashurisë. Isha një valltar i mirë dhe një këngëtar i pëlqyer. Por kam patur dhe një gjë të keqe. Kam besuar shumë. Dhe sot po ashtu jam. Nuk ka ndryshuar asgjë. Naiv njëzet e katër karatësh.
Në vitin 1973 vete e kryej shërbimin e detyruar ushtarak dyvjeçar në Berat. Bie në kontakt me oficerin,që u bë komandanti im,- shef seksioni ekonomik- Rakip Xhangollin. Atë e kishte ulur në gradë sistemi totalitar,si pasojë e vëllait të tij, Ramadanit, që kishte qenë sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Punës.
Si i lëshuam besim njëri tjetrit, shefi im nuk më la gjë pa thënë kundër atij sistemit bastardësh. Unë veç dëgjoja, nuk jepja asnjë koment, por nga ana tjetër ai plotësonte kornizën time që ai regjim një ditë vetvetiu do të shkërmoqej, ashtu siç ndodhi në të vërtetë.
Si lirohem nga ushtria, më nisin çoban me dele të kooperativës për disa vjet. Për të qënë i sinqertë me ju, nuk e desha atë punë, por sot mendoj se ajo kishte qenë periudha më e artë e imja. Lexoja shumë,nisa të shkruaj poezi dhe fabula, që për momentin i mbaja për qefin tim, dhe për disa shokë të ngushtë.
Më vonë kur ia paraqita një poeti me emër të asaj kohe në rrethin e Librazhdit, ai jo vetëm që m’i refuzoi por më këshilloi të mos ndjehesha fare. Poeti kishte pasur shumë të drejtë. Ishin vitet kur kishte filluar gjuetia e shtrigave ndaj poetëve.
Më vonë del një vendim qeverie që shkolla e mesme ishte e detyrueshme për çdo nivel shoqëror. Nuk u vonova. Vete e regjistrohem në shkollën e mesme pa shkëputje nga puna, megjithëse edhe aty hasa goxha pengesë. Isha kulak…. Vitin e dytë, nëpërmjet një njeriu shpirtmirë, pa njohur e pa ditur, rregjistrohem.
Vazhdoj për pesë vjet shkollën e mesme bujqësore pa shkëputje nga puna. Ndërkohë isha i dhënë pas gjuhës, tingujve të fjalëve, shprehjeve të ndryshme frazeologjike. Kisha një bllok timin që i shënoja direkt nga goja e popullit, fare për qefin tim.
Aty nga mbarimi i shkollës së mesme, mësuesja e matematikës, Veronika Cfarku më thotë rastësisht, që këto fjalë të rralla dhe shprehje gjuhësore kërkohen me insistim nga kabineti pedagogjik i rrethit. Të nesërmen vete atje me fletore në dorë. Në kabinetin pedagogjik të rrethit, takoj dy mësuesët e gjuhës dhe letërsisë, Leka Skëndo dhe Qani Çela.
Materiali im ishte befasues. Me dashamirësinë e këtyre dy mësuesish bëhem korrespondent i jashtëm gjuhësor i këtij kabineti. Njëkohësisht më vonë po këta dashamirës të gjuhës dhe të mi, më njohin në Tiranë me profesorë, doktorë shkencash të fushës linguistikë, në Institutin e Gjuhës dhe të Letërsisë, që asokohe e drejtonte i ndjeri Prof doktor Androkli Kostallari.
Ishin vënë të tërë në lëvizje për të më gjetur një rrugë studimesh të larta. Ishte absurde për Institutin e Gjuhësisë që një punëtor krahu të bënte punë shkencore në lëmin e gjuhësisë,dhe ato me një gjuhë standarte bashkohore, ndërkohë që një mësues apo pedagog i diplomuar, bënte akoma gabime ortografike në drejtshkrim.
Thyerja e këtij muri të madh ishte totalisht e pamundur për mua të vazhdoja më tej. Akoma kisha shpresë. Kot nuk thonë që shpresa vdes e fundit. Një ditë profesori ( i ndjerë) Androkli Kostallari më thirri në zyrë. Përshëndetemi. Flasim vetëm pak. Androkliu, një burrë i shkurtër, trup ngjeshur, me ato vetullat e trasha, çohet në këmbë, vjen vërdallë tryezës së tij të punës, nuk m’i heq sytë. Duke matur pulsin tim më thotë:-Ruzhdi! Dëgjo! Ju e shikoni se dhe mua më gënjejnë. Atje në Librazhdin tënd me japin fjalën për ty, e sa iki unë, ata vazhdojnë në të tyren. Ujërat ,-djalë i mirë- një ditë do të kullohen-por nuk e di që unë e ti do të pimë ndonjë gllënjkë të pastër!
Nuk e mbaj mend ekzakt sa ndenja, folëm për punën diçka apo jo. Ngrihem, i japim dorën njëri tjetrit, e drejtohem nga dera. Në sapo dalje,ja bëri;- Të pres të hënën tjetër!- Mos harro!… Vura buzën në gaz. Ajo kishte qënë e fundit herë…..! Si për të, dhe për mua.
Zbres shkallët duke menduar gjithë kohën. “Çfarë donte profesori të thoshte me ato fjalë?! Atë vit sapo isha martuar. Nusen e kisha të re,dhe nënën të moshuar. Kur shikoja zymtësinë e jetës sime, pa ardhshmëri,mora një vendim final prej të çmenduri, për jetë a vdekje.
Me Zotin përpara, një natë behari, u thashë ‘lamtumirë’ në heshtje,nënës që më kishte sjellë në jetë, nuses sime që erdhi të bëhej pjesë e jetë sime, shtëpisë që më kishte mbajtur brenda, vendit tim, kaloj kufirin e arratisem në Jugosllavi.
Ishin prurjet e fund viteve të 1980-ës. Pasi kaluam ato peripecitë e fillimit,ngase vendi fqinjë e ka të zhvilluar kulturën e urrejtjes, sidomos ne shqiptarëve na kanë alergji, desh i madhi Zot, lajmërohet zyra qëndrore UNCHR në Beograd.
Aty menjëherë marr statusin e refugjatit politik . Vitin tjetër hidhem matanë oqeanit, në Amerikë me ndihmën e pakursyer të familjes Ferit Dosku. Pikërisht në shtetin e Nju Jorkut,futem në Kolegjin Sullivan County, me drejtimin gjuha dhe literatura angleze dhe të Burimeve Njerzore. ( Human Resuorces )
Si mbaroj kolegjin, punësohen me orar të reduktuar në dy zyra, në gjykatën e qytetit të Nju Jorkut si përkthyes, dhe në zyrën e emigracionit përsëri në rolin e përkthyesit. Aty nga viti 1995 punësohem në Departamentin e Ministrisë së Mbrojtjes Amerikane,si civil me uniformë me Forcat Speciale Amerikane.
Ky privilegj iu dha ‘Mistër Rudit’ nga Presidenti Amerikan Bill Clinton dhe Gjenerali Wesli Clark në Bondstill !… ( Nga kulak, punëtor krahu, i persekutuar deri në palcë nga çmenduria allakomunsite në vendlindje, arrij deri në gradën e Majorit të Forcave Speciale Amerikane, pjesëmarrës aktiv në përbërje të forcave Paqeruajtëse në trazirat e fundit të luftrave në Bosnjë e trevat Shqiptare ).
…Zoti e bekoftë Amerikën.
….Zoti e tej bekoftë Shqipërinë time të dashur!…
Ruzhdi Gurra
( ’Mistër Rudi’)