Intervistojë Beqir SINA
Çefa: “ Gjatë punës sime si mësues, më ka mahnitur psikologjia e popullit tonë, të cilën e kam gjetur virgjin sidomos ndër malësorët e Veriut.
NEW YORK CITY Simbas një biografie të shkurtër mësojmë se Anton Çefa lindi më 1935 në Shkodër. Ishte student dhe pedagog i shkëlqyer, studiues dhe krijues i talentuar, por mbi të gjitha njeri i përkryer , i cili zgjodhi atë më të vështirën, heshtjen me pasojë harresën, fali gjithçka të bukur për të ruajtur më të shtrenjtën: dinjitetin.
Në vitet e para pas ’90-ës pa ditët e pakta të “ringjalljes”, si drejtor i Radio Shkodrës.
Aktualisht, shkruan në shtëpi. Ai ka qenë editori i parë, i periudhës pos-komuniste, i gazetës me të vjetër shqiptare, Dielli, organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”.
Çefa jeton në New Jersey, por si i thonë me sytë, mendjen e zemrën nga përtej oqeaniAtlantik… përtej të cilit ai është lindur, rritur dhe kalojë pjesën më të madhe të jetës, madje edhe i përndjekur – si një mësimdhënës, i thjesht në shkollat e thella të maleve në krahinën e Matit.
Antoni është studiues, dhe shkrimtar, autor i disa librave. Dy librat e parë të tij janë me poezi, “Dritarja e një britme” dhe “Heshtja ka tingull guri” nga shtëpia botuese Camaj-Pipa 2002 –
Ndërkohë, libri më i fundit i tij “Psikologjia etnike” ! nga ku kemi marrë shkas për këtë intervistë, ai thotë se e ka shkruar ngaqë gjithmonë “ Gjatë punës sime si mësues, më ka mahnitur psikologjia e popullit tonë, të cilën e kam gjetur virgjin sidomos ndër malësorët e Veriut.”
Me profesor Anton Çefa bisedojë gazetari ynë në New York, Beqir SINA.
Fillimisht urime për librin “Psikologjia etnike” !
Ju falem nderës !
Zoti Çefa, sa kohë ju mori shkrimi I këtij libri ?
Çefa – Libri nuk është shkruar në një kohë. Gjatë punës sime si mësues, më ka mahnitur psikologjia e popullit tonë, të cilën e kam gjetur virgjin sidomos ndër malësorët e Veriut. Po është e njëjta psikologji e mbarë popullit tonë. Mahnitja ka thënë Aristoteli është fillimi i filozofisë. Dhe është fillimi i cdo pune në lëmin studimor. Kështu kam filluar të mbajë shënime dhe kam vazhduar për shumë e shumë vite, derisa e kam gjykuar materialin e grumbulluar të mjaftueshëm me e sistemue në një libër.
-Përse zgjodhët këtë temë,?
-Populli ynë si popull i lashtë ka një psikologji krejt të veçantë, që e kanë vënë në dukje dhe e kanë vlerësuar edhe të huajt. Të njohësh vetveten është gur themeli i organizimit të jetës tënde, aq më shumë për një popull. Njohja e vetvetes në rang kombëtar është para së gjithash njohje e psikologjisë etnike, njohje e tipareve morale, mendore dhe volitive, që e karakterizojnë dhe e dallojnë një popull nga një tjetër.
-Në çfarë dokumentash e keni bazuar studimin tuaj për këtë çështje?
-Vepra ime e botuar në dy vëllime është një vepër pioniere. Ajo është mbështëtur kryesisht në kulturën time rreth këtij problemi, në vëzhgimet e mia të vazhdueshme, për çka më ka ndihmuar puna ime si mësues, sidomos për 20 vite në fshatra të ndryshme, ku kam pasur mundësi të njihem sidomos me fusharakun e malësorin, që janë më konservatorë në ruajtjen e kultivimin e natyrës së vet psikologjike të trashëguar prej të parëve. Shumë studiuesve dhe udhëtarëve të huaj u ka bërë përshtypje karakteri i veçantë i shqiptarit dhe kanë botuar përshtypjet e tyre. I kam çekur këto në punën time. Kam studiuar me vëmendje folklorin tonë. Një ndihmë të madhe më kanë dhënë proverbat, që përbëjnë një koncentrat të dijes dhe sidomos të filozofisë dhe psikologjisë së popullit tonë. Në fund të secilës pjesë të veprës kam dhënë bibliografinë ku jam mbështetur dhe, po ashtu, pas çdo teme kam shënuar referencat. Nga botimet tona në mënyrë të veçantë, më ka ndihmuar libri i Shpëtim Memës “Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë”.
-Çfarë elementesh psikologjike kanë të përbashkëta shqiptarët me ilirët ?
-Trashëgimia shpirtërore ilire në psikën tonë është e gjërë, e larmishme dhe e një rëndësie të dorës së parë. Ajo përfshin të gjitha hiset e saj. Ideali i lirisë, në radhë të parë, ndjenja e fuqishme për lirinë, qëndresa e vazhdueshme për ta mbrojtur dhe për ta fituar lirinë e humbur, trimëria e heroizmi që e shoqërojnë dhe e jetësojnë këtë ideal dhe këtë ndjenjë, janë atribute shpirtërore të ilirëve, të arbërve dhe të shqiptarëve. Lidhur ngusht me idealin dhe ndjenjën e lirisë qe ngjitur në shpirtin ilir karakteri luftarak, që u trashëgua tek ne shqiptarët.Të parëve tanë ilirë dhe ne, na është dashur të luftojmë tërë jetën për t’u bërë ballë sulmeve pushtuese të perandorive të fuqishme: Perandorisë Romake, Perandorisë Bizantine, Perandorive mesjetare kalimtare Bullgare e Serbe, Perandorisë Osamane, dhe pushtuesve tjerë të mëvonshëm italianë e gjermanë. E edhe kur kemi qenë të pushtuar, ne këmi ruajtur me dinjitet veten tonë dhe nuk jemi asimiluar.
Si ilirët edhe shqiptarët kanë qenë të njohur për grindjet ndërmjet fiseve, por në kohën e rreziqeve të përbashkëta janë bashkuar në luftë kundër armikut. Ambienti i fuqishëm luftarak ushqeu në shpirtin iliro-shqiptar një nderim thuaj mistik për armët. Si ilrët ashtu edhe ne, bijtë e tyre, jemi dalluar për aftësi organizative e administrative, bile për problemet më të larta shtetërore. Mjerisht, rrethanat historike kanë kushtëzuar që këtë veti të çmueshme karakteri ta vemë në jetë kryesisht në dobi të të huajve. Perandorët me origjinë ilire e shpëtuan Perandorinë Romake, kur ajo qe gati të shembej kur e sulmuan fiset barbare. Dhe sa e sa vezirë e udhëheqës të lartë shqiptarë, mjafton të përmendim vetëm Qiprilinjtë, e qeverisën Perandorinë Osmane për aq e aq kohë.
-A është trajtuar , gjuha shqipe si shprehja më e gjallë dhe prova më e palëkundshme e vijimësisë së një etnie ?
-Gjuha në vetvete nuk është gjithnjë element dallues i personalitetit të një kombi., sepse popuj të ndryshëm si p.sh. francezët e belgjikasit flasin të njëjtën gjuhë; po kështu anglezët, irlandezëy dhe amerikanët. Shqipja jonë ka plotësisht vlera etniciteti. Ajo është krejt e veçantë. Në Pemen e gjuhëve indpeuropiane ajo zë një vend më vete. Një studiues i kësaj fushe në Kaliforni shqipen e ka quajtur nëna e gjuhëve indoeuropiane.
-Duke iu referuar historisë, Çabej ka aritur në përfundimin që “është fuqia e personalitetit ajo që luan tek shqiptarët si edhe tek stërgjyshët e tyre ilirë një rol më të rëndësishëm sesa gjetiu … A pajtoheni ju me këtë, dhe si e argumentoni ?
-E si të mos pajtohem ! Kultura shqiptare ka pasur fatin të veprojë në gjirin e saj një Eqrem Çabej. Është më se i vërtetë roli i personalitetit në historinë dhe në kulturën tonë në përgjithësi. Një personalitet i fuqishëm i ka bashkuar gjithnjë shqiptarët dhe ka ngjallur tek ata ndjenjën e bashkëjetesës shqiptare, me gjithë individualitetin e theksuar që ka karakterizuar karakterin e shqiptarit. “Historia e Shqipërisë është histori e personalitetit” ka thënë Çabej. Këtë tipar të psikës sonë, ai e ilustron me Heroin tonë Kombëtar Skendërbeun dhe me Ali Pashë Tepelenën. Gjithsesi, duhet përcaktuar çka përfaqëson ky personalitet. Para së gjithash, duhet të dallojmë autoritetin e zgjedhur ose të fituar me merita nga ai i imponuari. Në rastin e parë, nëse duam t’i vemë këtij atributi shpirtëror një argument psikologjik që qëndron si shkak i kësaj dukurie, duhet të pranojmë se shqiptari njeh me ndërgjegje autoritetin e zgjedhur prej tij dhe është kundërshtar i atij që përpiqet t’i imponohet.
-Libri “Psikologjia etnike” a është shkruar më parë, dhe a ka tendenca manipulative, sidomos kur flasim për etnitetin ?, mbasi, një kritik, anaonim shkruan se :” Që në momentin që lexon se, ilirët erdhën këtu para aq e kaq vjetësh dhe u gërshetuan me Pellazgët e “blablabla”, e kupton që është një shkrim i manipuluar,” simbas tij, pasi, Pellazgët-Ilirët-shqiptarët – janë NJË! , thotë ai tek gazeta Illyria(11/05/2013)
-Si e thamë më parë, shumë studiues, tanë dhe të huaj, kanë folur për tiparet e karakterit që cilësojnë popullin tonë, janë shkruar jo vetëm ese, por edhe libra për virtyte të veçanta morale; por deri më sot nuk është bërë ndonjë përpjekje t’i trajtojë ato si hallka të një sistemi të lidhura me njëra-tjetrën në një strukturë të veçantë etiko-morale dhe ta trajtojë këtë strukturë. Vepra ime gëzon vlerën e parësisë.
Mungojnë të dhënat e nevojshme që të na lidhin ne me pellazgët. Partizanja e flaktë e lidhjeve tona me pellazgët, Ermin Vlora Falaschi, të vetmin mbishkrim ekzitues pellazg tek e ashtuquajtura Shtylla e Lemnos, e ka shpjeguar me shqipen. Kundërshtari i rreptë i këtij interpretimi, historiani Kristo Floqi, e ka mohuar plotësisht. Gjithsesi, nuk duhet tepruar me zanafillën pellazge të popullit e të gjuhës sonë. Shkencërisht, është vërtetuar vetëm origjina ilire e popullit tonë dhe e gjuhës shqipe.
-Edith Durham ka shkruar në parathënien e librit “High Albania”: “Nëse një njeri është i hirshëm dhe i sjellshëm ndaj të huajve, kjo tregon se ai është Qytetar i Botës, dhe se zemra e tij nuk është ishull i shkëputur nga tokët e tjera, por është kontinent që i bashkon ato”. “Psikologjia etnike” a e ka kapur këtë element etnik, dhe si e sqaroni ju ?
-Po, ashtu ka shkruar dhe ashtu është e vërteta. E tillë është psikologjia e popullit tonë. Shqiptari e vlerëson, e nderon, e pret si mik dhe e mbron çdo të huaj që i troket në derë. Ms. Durham na ka dashur dhe ka shkruar shumë mirë për ne, sidomos për malësorët e Veriut, tek të cilët ka jetuar për shumë kohë. Jo vetëm ka shkruar, por edhe ka ndihmuar popullin tonë dhe çështjen shqiptare para botës. Ka vlerësuar lart moralin e shqiptarëve dhe vlerat etnopsikologjike tonat. Në parathënien e librit “High Albania”, “një portret magjepës i fiseve krenare e të pavarura të Shqipërisë Veriore”, siç është shprehur botuesi i kësaj vepre, Durham na ka lënë vlerësimin e lartë e fisnik të shqiptarit të malevet të Veriut; por që është i vërtetë për gjithë popullin tonë. Marr leje këtu të jap ndonjë prej vlerësimeve të panumërta të saj për psikologjinë e popullit tonë. “Shqiptari mbetet gjithnjë shqiptar. Ai është në radhë të parë shqiptar. Feja vjen në radhë të dytë.”, “Edhe në fiset më të egra, me gjithë punët shumë të rënda që kanë mbi supe, gratë nuk janë aq të shtypura sa duken. Burrat i trajtojnë më njëfarë fisnikërie të ashpër dhe i respektojnë. . . . Nderi i gruas shqiptare është i panjollosur.”, “Shqiptari, edhe kur duket se i nënshtrohet rrethanave, e bën këtë për t’i detyruar rrethanat t’i nënshtrohen atij”, “Nga gjithë popujt e Ballkanit, vetëm shqiptari është artist. Në personalitetin e tij të pashtruar, ai del gjithnjë mbi të tjerët”.
-Siç keni thënë edhe në shkrimet e mëparshme, ligjet kanunore qenë ndërtuar nën frymëzimin dhe mbi bazën e virtyteve të çmueshme të shpirtit tonë etnik: burrërisë dhe nderit, besës dhe ndores, mikpritjes dhe faljes, ndjenjave dhe idealeve për liri e drejtësi, respektit për njeriun, etj. A i patën ilirët këto ?
-Kanuni etiko-moral ka qenë dhe është një kod etnopsikologjik i përgjithshëm për të gjithë shqiptarët. Burrëria, nderi, besa, ndorja, mikpritja, falja, idealet e lirisë,të drejtësisë, të respektit për njeriun etj., kanë qenë e janë tipare shpirtërore të të gjithë shqiptarëve. Periudha që kaluam nën diktaturë dhe kjo që po kalojmë sot i dobësuan, por nuk arritën t”i shlyejnë. Ky kanun etiko-moral ka rrënjë shumë të thella në kohë. Studiuesi japonez i Kanunit, Kazuhiko Yamamoto, ka shtruar hipotezën në formë pyetjeje: “Struktura etike e Kanunit: a përbën ai formën fillestare të etikës së shoqërisë njerëzore?”. Pa u zgjatur, këto rrënjë tejet të hershme, na japin plotësisht të drejtën të pranojmë që ilirët e kanë pasur të vetin këtë kod moral, dhe ne e kemi trashëguar prej tyre.
-Ju shkruani se Psikologjia etnike shqiptare është dëshmi e origjinës ilire të popullit tonë, Përse ?
-Trashëgimia ilire në psikën shqiptare, për të cilën kemi folur më lart, vjen si element vazhdimësie, dhe, si rrjedhim si argument i origjinës ilire të popullit tonë, i mbijetesës shqiptare nga ama ilire.
-A keni në plan të shkruani ndonjë libër tjetër mbi këtë studim ?
-Unë i kam shprehur mendimet e mia në këtë fushë të dijes. Nëse do të ketë ndonjë vërejtje a kritikë, pa tjetër do t’i përgjigjem.
Ju falem nderës !
Gjithashtu !