KUJDES NGA ORA! KOHA SHKON PERPARA!

agim deshnicaNga Agim Xh. Dëshnica

 

Tek po kaloja përmes një dyqani vigan, me orë nga më të larmishmet, të mbyllura brenda xhameve, sado i hutuar, m’u kujtuan sahatët e viteve të shkuar. Qysh në fëmijëri dhe më vonë në shkollë, dëgjonim tregime, se koha në fshat, matej edhe me hijen e pipës mbi shuplakën e dorës, ose me një shufër druri mbi tokë, teksa sahati i gjallë, këndesi, zgjonte gjumashët, ashtu si në rubairat e Nol-Khajamit:

“A e di përse këndesi po këndon

Menatë dhe nga gjumi po të zgjon?

Që shkoi një ditë po të lajmëron

Dhe ti, çkujdesur, fle dhe ëndërron!

 

Zgjohu! Mëngjesi me shigjetë e grisi

Perden e Natës, Yjt’ i arratisi,

Dhe Dielli gjahtar me rreze kapi

Çdo majë mali e pallati e lisi!

Pas mengjesit flitej, se dielli qe ngjitur një hosten, apo dy pashë mbi Dajt!

Mësonim, se matësit e kohës, në rrjedhën e viteve, ishin sahatët e diellit të gdhendur në rrasa guri, orët me ranë, qostekët me kapak e zinxhir ari e sahatë e xhepit, me kurdisje etj. etj. Dëgjonim edhe histori nga më tërheqëse shekujsh për orë të çuditshme mjeshtrash të mëdhenj, sesi në kohë të caktuara, hapeshin e mbylleshin perde, si në skena operash, ku shfaqeshin figura grash e burrash që këndonin lavde për mbretër, princa e princesha. Sipas gjuhëve në botë, orëve u thonë: në anglisht-clock, frëngjisht-horologe, italisht-oro’logio,  shqip-orë,  turqisht-sahat, rusisht- ças, etj, etj.

Sot kanë marrë dhenë orët elektronike të dorës me bateri, me zë njeriu për ata, që dremisin e shohin ëndrra, apo vuajnë nga sytë, orë luksi me rreze drite, orët e murit me zogj e pula, sahatet me lavjerrës në dollapët e drunjtë me xhama e të tjera. Orët elektronike janë vendosur edhe në kompjutera e celularë, disa me vlerë janë ndrydhur në muzeume, shumë të tjera presin të shiten, ose janë harruar nëpër sirtare, apo janë hedhur në kosha plehrash. Çmimet e tyre janë nga më të ndryshmet. Orët e shtrenjta hyjnë në sferën e stolive. Kur i sheh çmimet e tyre, të dhembin sytë dhe koka. Përdoren vetëm për në opera, teatro e udhëtime të largët. Orët e lira i quajnë edhe roskop. Ato u hyjnë në punë qytetarëve për të vajtur të qetë nga xhepistët në punë, në kafe dhe në takime,

Edhe qytetet hijeshohen nga kullat e larta të sahatëve. Në sheshin San Marko të Venecies, mbi një kullë, në orë të caktuara, dy shtatore burrash të fuqishëm godasin me çekanë një kambanë bronzi. Kulla shumëkatëshe me kulm e Sahatit në Boston, shërben edhe si hotel; Big-Bengu i Londrës, 96 metra i lartë, çohet hijerëndë mbi kryeqytetin britanik. Pra, në të njejtën kohë tingëllojnë miliona zile e kambana në tërë skajet e rruzullit tokësor. Shpikësit e panjohur u bënë shkak, edhe për ndërtime punishtesh e fabrikash e një varg shitoresh e kioskash me fitime, pas tyre për orëndreqësit apo sahatçinjtë.

Bota e orëve apo e sahatëve Omega e Zenith, pas luftës në vendin tonë qe harruar. Në pazare na mjaftonin Kullat e Sahateve. Papritur akrepat frenonin në pikat e zeza të fushës së bardhë, posi një tren i prishur në shinat e hekurudhës. Kambana pushonte. Flitej se njerëz të caktuar me detyrat e sigurisë qytetare ndaj rreziqeve, sidomos natën, merreshin me çrregullimin e kohës të ndonjë kryengritjeje të mundshme nga “armiqtë e klasës”. Mbase edhe mungesa e orëve në dyqanet e shtetit dhe e telefonave në shtëpitë e qytetarëve, lidhej me parandalimin e ndonjë komploti kundër pushtetit socialisto -popullor. Kur akrepat lëviznin përsëri, do të thoshte se rreziku qe larguar. Mirëpo nuk ndihej më kumbimi i forte i kambanës, “dang!” në orën e plotë, as tingëllimi“trang!” në gjysmën e orës dhe “tring!” në çdo pesëmbëdhjetë minuta. Ora të gëzon e të tmerron, por pas zgjimit e zhgënjimit  të sjellë në vete.

* * *

Ishte ditë e diel. S’di përse, hapa e mbylla disa dosje të pluhurosura. Në njërën prej tyre, gjeta një tregim të harruar. Në atë letër zverdhur nga motet, munda të lexoja këto rreshta për Zenith-in e babait:

“Kur punoja në një ndërmarrje ndërtimi buzë lumit pak larg nga qyteti, isha fare i qetë për të vajtur në punë. Më zgjonte babai në pension, pasi hapte kapakun e sahatit të markës Zenith, nga vitet e marmalatës, të makaronave dhe vino Chiantit. Ora Veglia e tryezës e po asaj kohe, nuk punonte më. Dikur zilja e saj binte fort tri herë në mëngjes. E treta binte pa pushim, deri sa zgjonte, edhe komshinjtë. Tashmë në orën relike, ndrijnë vetëm numrat e akrepat me fosfor, ndërsa zilja e çtingëlluar po u prek pak, zgjohet e bie si e çartur kot më kot. E mbajmë si stoli mbi komodinë. Duke punuar deri vonë, harrohesha midis letrave dhe s’më binte ndër mend të pyesja sa ishte ora, sepse si shumë të tjerë duhej të mbushja formularët e pafund për zyrtarët e lartë, të cilët flinin rehat në vilat e partisë. As në sheshin e ndërmarrjes, apo në zyrat e drejtorisë, nuk shihej e as dëgjohej ndonjë sahat. Ata dukeshin në çastin e përurimit, por pasi prisheshin e “mbeteshin në tako”, s’merrej më, askush me ta. Ai mjet aq i nevojshëm ishte mall jashtë liste dhe vinte me raste nga importi. Orët e markave Gub, madje edhe Pabjeda ishin me çmime më të lartë se paga e një nëpunësi, palé e punëtorit. Për çdo rast në shtëpi na ndihmonte Zenithi i babait. Befas një nipçe, duke luajtur na e prishi Zenithin. Qysh atë ditë për t’u nisur me biçikletë në punë, më zgjonte babai, kur shkonte në radhën e kosit, pas thirrjes e trokitjes së komshiut përballë në portën tonë, herët në mëngjes.

Për fat të mirë, teksa kalova bregut të Himarës, te një kiosk i harruar, gjeta disa orë gjermane të markës Umf-Ruhla, të tipit roskop, të trasha sa një kokërr qepe, me çmime pothuaj falas. Pa e zgjatur, bleva një prej tyre. Kështu, me Umf-Ruhlan në dorë, u ktheva në shtëpi plot gëzim. Pra, shqetësimi, për t’u nisur në punë mori fund. Shpëtova edhe nga thirrjet e trokitja e komshiut në portë, nganjëherë në mes të natës. Por, një ditë, kur asfaltohej rruga pranë drejtorisë, u afrova të shihja ziftin në kazan. Për dreq, roskopi im u shkëput nga rripi e ra brenda në llumin e zi. Një punëtor nxitoi me lopatën në dorë, e futi në fuçi, e gjeti dhe e nxori jashtë. Një mekanik i moshuar, mjeshtër për gjithcka, e mori dhe e zhyti në një enë me benzinë. Umf – Ruhla u pastrua për bukuri dhe nisi rrahjet: tik- tak, tik-tak, tik-tak! Qysh nga ai çast, ata që mburreshin me Zenith e Gub, kur më ndeshnin udhës, më thoshnin me buzën në gaz: “Të lutem, sa është ora ekzakt?”

Tregimi vazhdonte më tej, por qe e pamundur të lexohej. E pashë me vend ta plotësoja sipas kujtimeve dhe t’ua tregoja miqve të mi. Në fund, shkrova: Mos e vrisni kohën! Koha flori, sado e shqetësuar nga të papriturat, shkon përpara, si puhiza mbi detin e kaltërt! Kujdes nga ora!….

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *