Nga Albert Vataj
Ai do të ishte në kryeradhën e vepruesve vullnetmirë, të cilët kremtuan në botëkuptimin e kohës dhe grishën në mbamendjen e brezave, visaret e njëmendta të traditës dhe vlerave shpirtnore të shqiptarëve. Qëndruesi i paepur i stuhive politike. I keqkuptuar dhe i anatemuar, kësisoj, prej çaprazit të rendeve politike dhe kapërcyellit të ndryshesave, ku ai ishte personazh i spikatur. Pakkush si ai, ishte i kudogjindshëm dhe i vetvetishëm për aktin shqiptar të njohjes së përbotshme të asaj pasurie të pashtershme. Si dishepull i dijes dhe apostull i krijimit, ai shëmbëlleu mëtimin më të qenësishëm të shërbestarit të devotshëm të shqipes dhe ngadhënjimtarit të ndryshesave në artin e rrëfimtarisë. Rrallëherë arsimi dhe letërsia shqipe asht ndesh me një model të tjetërllojtë, ngase ai ishte. Mbamendja shqiptare, në rrugëtimin e rrëmetshëm të vetëdijes kombëtarë, Ernest Koliqit i ka lënë një vend në panteonin e nderit, anipse për një kohë të gjatë emri dhe vepra e tij kaluan për nën tehun e anatemës dhe harrimit.
Ernest Koliqi, mbamendet njeri me dije të thella, erudit, vizionar, mbartës i traditës dhe trashëgimisë së vyeme shqiptare. Ky parak i modernitetit në letërsinë shqipe, ngultas dhe me një kurajo të pashoqe sendërtoi në botëkuptimin e tij krijues, në korpusin e sentimenteve estetike në kumt, risi dhe stil. Tematika e trajtesës në krijimtarinë e Koliqit është dashtazi mbartëse e elementeve dhe trajtimeve, të cilat u kthyen në shkreptima flakatare domethëniesh dhe kumtesh.
Nuk janë shum shkrimtarët t´onë, emni i të cilvet të njifët aq mirë në shtresat letrare shqipe sá ai i Koliqit; të pakët janë atá, prodhimet e të cilvet të kenë marrë aq hapt në çdo kând të Shqipnís, sá ato qi emnin e tij në çfaqje kulturore gjithëfarësh, në botime nëpër fletore e revista të ndryshme, disá prej të cilavet themelue dhe mbajt prej tij vetë, në botime veprash qi janë të pacaktueme të zánë nji vend të dukshëm, dashtas e padashtas, në historín e letrave t´ona, mëton Karl Gurakuqi.
Duke marrë shkas rreth një prej t’themeltave akte të Koliqit që është revista “Shêjzat”, Martin Camaj shkruan “Shêjzat shërbyen si tribunë dhe dritare informimi mbi aktivitetet shkencore albanologjike në botë. Ato regjistruen në kroniken e tyne edhe ngjarje shoqnore që në të ardhmen do të vlejnë sadopak si dokumentacion historik e kultural për nji periudhë rreth njizet vjeçare”.
Periudha kur ai u gjend për t’iu gjegjur mëtimeve të mëdha të udhëtimit të tij apostolik të dijes dhe shqipes ishin domethënëse për fatin e shkollës dhe gjuhës shqipe në trojet shqipjetuese, por edhe shkas për ta keqkuptuar rolin e patëdytë të këtij Prometheu. Ernest Koliqi, ka qenë ministër sekretar shteti i Arsimit që nga 12 prill 1939 deri më 3 dhjetor 1941. Është kjo një nga periudhat kur në Shqipëri u krye një nga aktet më të mëdha pas shpalljes së Pavarësisë, siç ishte dërgimi i mbi 400 mësuesve në të gjitha trojet shqiptare për hapjen e shkollave dhe mësimin e gjuhës shqipe. Me plot gojën do ta cilësoja këtë akt edhe si një shtrirje e Pavarësisë së trojeve kombëtare në të gjithë hapësirën ku flitet shqip, por që për arsyet e pas Konferencës së Londrës më 1913, këto troje mbetën jashtë kufijve shtetërorë të trungut shqiptar. Në këtë kuptim, Ernest Koliqi nuk është vetëm një figurë e shquar e arsimit mbarëkombëtar, por edhe një figurë e shquar e letërsisë dhe kulturës. Ka një bibliografi të tërë me emrin e tij. Ka arritur majat në vitet ’30.
****
Më 20 maj 1903, 113 vjet ma parë lindi në Shkodër në një familje me origjinë nga Dukagjini, e rame ma vonë në Anën e Malit, e masandej në Shirokë, Ernest Koliqi. Erdh në jetë djali i Shanit dhe i Age Simonit, me vëlla Mikel Koliqin, t’parin kardinal shqiptar, e tjerë vllazën, Viktorin, Guljelmin, Lecin, e motrat, Margeritën dhe Terezinën. Ai do të ishte themeltari i narrativës modernë shqipshkruese, poeti, romancieri, esseisti, përkthyesi, gazetari, dramaturg, vepruesi politik dhe kontrubuesi i pashoq i kulturës kombëtare shqiptare në atëkohjen e potershëm të shekullit XX.
Familja në zanafillë kishte mbiemrin Kolaj, por nga tregtia e vazhdueshme me Malin e Zi i mbet Koliqi nga një periudhë e mbrapa. Ndoqi mësimet e para në Kolegjin Saverian të Jezuitëve. I ati, Shani e dërgon për të studiuar në Itali kur ishte 15 vjeç. Studion në Kolegjin Jezuit Arici në Breshia. Në gazetën “Noi giovani”, të cilën e themelon vetë me disa bashkënxënës, boton poezitë e tij të para në italisht. Më 1921 kthehet në Shqipëri dhe ristudion shqipen me themel, mentori i tij, Imzot Luigj Bumçi e prezanton me përfaqësuesit më premtues të brezit kulturor, si Kolë Thaçi, Kolë Kamsi, Lazër Shantoja, e Karl Gurakuqi. Në një konkurs për himnin kombëtar, mes krijuesve, merr pjesë edhe Ernesti, i cili vlerësohet me çmim të parë nga një juri e përbërë prej Gj. Fishtës, F.Nolit, M.Frashërit, L.Gurakuqit. Dy vjet më pas themelon së bashku me patër Anton Harapin dhe Nush Topallin, revistën “Ora e Maleve”, me drejtor gjegjës Shuk Gurakuqin. Në vitin 1924, pjesëmerr zellshëm në shoqërinë patriotike “Bashkimi”, e krijuar nga Avni Rustemi. Thirret më pas Luigj Gurakuqi në Tiranë si sekretar personal. Emërohet gjithashtu sekretar i Ministrisë së Brendshme. I nxitur nga Gurakuqi dhe miqtë e tij, dërgon në shtyp poemthin dramatik “Kushtrimi i Skënderbeut”. Kjo vepër i dha shpresën për të hyrë përgjithmonë në botën e letrave shqipe. Për shkak të lidhjeve të tij të reja politike, detyrohet t’emigrojë për pesë vjet në Tuzla të Bosnjës për t’i shpëtuar ndonjë goditjeje nga forcat zogiste, pas lëvizjes së dështuar të Nolit. Në vitin 1929, i ndikuar nga ky rreth shqiptarësh, Koliqi shkruan vëllimin me tregime “Hija e maleve”, vëllim i cili e pagëzon edhe si krijuesin e prozës moderne shqiptare. Me një stil të mrekullueshëm narrativ, ai arrin të paraqesë në këtë botim një sërë episodesh të jetës malësore nën ndikimin e rregullave të ashpra të Lekë Dukagjinit, por pa munguar edhe skenat e jetës qytetare shkodrane, të cilat i njihte në qelizë. Me këtë vëllim ai mirëpritet të kthehet në qarqet letrare në Shqipëri. Monarkia e fal Koliqin më 1930 dhe e emëron mësues të thjeshtë gjimnazi. Nga viti 1930, ishte mësues në Shkollën Italiane Tregtare në Vlorë ku i jep mësim mes të tjerëve edhe Petro Markos dhe në gjimnazin e shtetit në Shkodër, ku i jep mësim Lazër Radit. Ku dhe i porositur nga Mustafa Kruja me mbledhë librat e bibliotekës së tij që qe shpërnda ndër françeskanë e jezuitë. Derisa shtrëngohet, sërish për arsye politike, të largohet për në Itali. Në vitin 1932, botoi vëllimin e parë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë”, me një parathënie nga Fishta, një antologji që u përdor menjëherë si tekst letërsie në gjimnazin klerik të Shkodrës dhe përmban katër poetët më të mëdhenj të Italisë: Aligierin, Petrarkën, Arioston, Tasson. Gjatë viteve 1933-1934 regjistrohet në Universitetin e Padovës për të vazhduar studimet. Edhe pse me punë në Padova, Koliqi nuk i shkëput lidhjet me Shqipërinë. Bashkëpunon me redaksinë e të përjavshmes kulturore “Illyria”. Gjitha vjershat e veta i përmbledh në vëllimin “Gjurmat e stinëve” ku paraqiten me një frymë krejt të re skenat e jetës shkodrane dhe gjejmë të pasqyruar shpirtin e poetit me ndjesina atdhedashurore. Ndërsa, autodafeja e vendosur në krye të këtij libri vlerësohet si një ndër aktet më të rëndësishme në fushë të mendimit estetik shqiptar. Në një sërë botimesh periodike dhe veprash të tij, Koliqi afirmohet si një talent i letërsisë shqiptare.
1935, Itali – Pas suksesit të vëllimit të parë me tregime, boton një libër me 16 novela me titull “Tregtar flamujsh” me lëndë të nxjerrë nga mënyra e jetesës së popullit tonë, sidomos të atij të qytetit të Shkodrës. Ngjarjet dhe problematikat sociale që prekin veprën gjithnjë i nënshtrohen një analize të thellë psikologjike. Ky vëllim novelash, siç vëren Miaser Dibra, i përket një shkalle pjekurie më të madhe të autorit. Po këtë vit boton edhe poemthin në prozë “Quattuor”.
1936 – Emërohet Lektor i Shqipes pranë Universitetit të Padovës që drejtohej nga Carlo Tagliavini. Boton vëllimin e dytë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë” (me parathënie nga Tagliavini). Ky vëllim përfshin vjersha të përkthyera të katër italianëve të tjerë: Parini, Monti, Foskolo, Manxoni. Personalisht çmonte Giosuè Carducci, Giovanni Pascoli, dhe Gabriele D’Annunzio-n.[5] Edhe vëllimi i tretë ishte i përgatitur por nuk u botua. 1937 kryen studimet në Padova me tezën “Epica popolare albanese” (“Epika popullore shqiptare”), tezë doktorate e cila u vlerësua nga shumë albanologë si N. Jokli, M. Lambertz etj, që u mbërrit me ndihmën e disa kangëve që ia dha Atë Bernardin Palaj.
Në shtatorin e vitit 1941 kur me një vendim, mbi 200 arsimtarë normalistë dhe të shkollës amerikane të Fullcit, shkuan në Kosovë, trojet shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi, si dhe në Çamëri. Një akt i tillë ka qenë dhe mbetet përjetësisht sublim se ai dha frytet e veta në hapjen e shkollave shqipe, në hapjen e dëshirës për të mësuar dhe rrënjosur shqipen në të gjithë trojet shqiptare. Nga 1942-1943 ishte kryetar i Institutit të Studimeve Shqiptare.
Më 1944 largohet për në Itali. Vepra e tij letrare u ndalua edhe pse nuk përmbante asfarë shenje a parashenje politike. U ndalua për shkak të veprimtarisë politike të autorit, përkatësisë fetare dhe gjuhës letrare të përdorur. “L’Albanie Libre” është një e përkohshme e sapodalë në Romë me të cilën Koliqi fillon bashkëpunimin. Ndër të shumtat shkrime, këtu nis të botojë nga viti 1954 deri më 1961, studimin krahasues “Dy shkollat letrare shkodrane – e Etënve Jezuitë dhe e Etënve Françeskanë”. Në këtë studim të tij vërehet përpjekja për të hartuar një histori të mirëfilltë të letërsisë shqiptare, jashtë ngjyrimeve ideologjike.
Themelon të përkohshmen “Shêjzat” që e drejtoi për 18 vjet, e përkohshmja kryesore letraro-kulturore e asokohe. Jo vetëm shpaloste letërsinë bashkëkohore në botën shqipfolëse, por gjithashtu i dha za letërsisë arbëreshe dhe vazhdoi me lavrue autorët e paraluftës, shumë prej të cilëvet të vdekur e pjesa tjetër në mërgim, që denigroheshin aq shumë nga kritikat e Tiranës. Koliqi kështu shërbeu si një zë i largët kundërshtues i shkatërrimit kultural të Shqipërisë nga rendi stalinian i vendosur. Prej veprimtarisë së tij, letrare e politike, u sulmua nga autoritetet shqiptare e pas-luftës si përfaqësuesi kryesor i letërsisë borgjeze, reaksionare e fashiste. Veprimtaria krijuese dhe promovuese e vlerave nuk do të reshte edhe në mërgim. përkundrazi ai e pasuroi lëmin e albanologjisë me universin e tij të pamatë dijetues,
Ky vërshim i jashtëzakonshëm ndalet në shtëpinë e tij në Romë më 15 Janar 1975 dhe u varros po në këtë qytet me datën 18, i nderuar nga i gjithë komuniteti shqiptar në mërgim, por i mohuar nga vendi i tij. Në ceremoninë e asaj dite kishin ardhur personalitete të ndryshëm, kolegë, shqiptarë, arbëreshë, miq të ardhur nga vende të ndryshme. Ai meriton mirënjohjen me të përunjur prej gjeneratave, për krejtçka ai bëri me kaq përkushtim e me pasion për letërsinë dhe arsimin shqip, për vlerat shpirtnore shqiptare, këto visare të paçmuara. Ai është një kujtesë kremtesh solemne, një akt historik.