Poezi nga Pjetër Jaku
Vetëm një…
Gjithë të bukurat të sillen
Nuk ka tjetër, vetëm një
Si vetima të na fshihen
Syri njërën do ta zë.
Sheh nga sheh e sillesh prapë
Nuk ka tjetër , vetëm një
Mendja jote mund të kapë
Çka ty syri nuk ta sheh.
Ka në botë vërtetë shumë
Por s’ka tjetër, vetëm një
Le të ngrihen dallgë e shkumë
S’ka stuhi t’a marrë atë.
S’ka në botë një të dytë
Bota ka vetëm një
Kur e sheh shpirti dhe sytë
Gjithë të tjerat janë asgjë.
Nuk ka tjetër kurrë , askurrë
Nuk ka tjetër, vetëm një
Që e mban në jetë një burrë
Të mos jetë një çast pa të!
Nuk ka tjetër , vetëm një
Që bën dritë dhe është lule
Që e mban një mal të tërë
Veç në gjoks edhe në supe.
Asaj femër ne i themi
Por s’ka tjetër vetëm një
Shkojmë e vijmë , ngado që vemi
Një minut s’jetojmë pa të!
Nuk ka tjetër, vetëm një!
20 Janar 2016
Dora është grua
Vetëm dorën ti më dhe
Rastësisht në rastësi
Syrin nuk munda ta zë
Strukur ishte si flori.
Si floriri aq i paktë
Që nuk shihet aq kollaj
Në fytyrën e përflaktë
Ishte fshehur brenda saj!
Nuk u lodha të të thëm
Qoftë vetëm dhe një fjalë
Kur përdore ishim zënë
Më rëndoje sa një mal.
Vetëm tokën shihje ti,
Ndoshta udhën, ndoshta veten
Por, për mua nuk e di
Se ku sytë e mi u gjenden.
Kur padashur dorën time
E shtërngove pak më fort
Emocionet s’u bënë trime
Se poshtë syve ra një lot.
Ra një lot sa një ortek
Që bjen malit rrokullim
E rrëzon edhe një shkëmb
Aspak toka pa iu dhimb.
Veç ndalon aty në mes
Tek një rrafsh, tek një burim
Sa një grusht do ta gjeshë
Siç u bë në fillim…
Vetëm dorën ti më dhe
Brenda saj ishte gjithë bota
Çdo ortek e dinte se
Do të shkrihej veç nga dora.
Vetëm dorën ti më dhe….
O4 shkurt 2016
Kam një mike
( JP )
Kam një mike që e dua
Gjithësesi nuk është mëkat
Nëse n’kokë je mjegullua,
Nëse veten merr inat!
Herë më duket njëra motër
Që ma thotë një këshillë
Herë herë më duket nënë
Gjithësesi një grua e mirë!
Kam një mike, që në jetë
Se kam pasur kurrë më parë
Të ka bir dhe n’mos të ketë
Vjen aq ëmbël si ujvarë.
Unë i thëmë mrekullia
Siç një femër duhet t’jetë
Në gjithë rruzullin dashuria
Është mrekulli e tetë…
Dashuria është femër
Si ajo në botë nuk ka
Ngjiz njeriun n’çdo vërteber
Globin mbi vete e mba!
Shkruaj hartime e bëj këngë
Bëj portrete e bëj art
N’çdo qelizë e mba një brëngë
Një planet leviz n’çdo hap!
Është ajo pra mrekullia
Femra-mrekulli e parë
Nuk vjen kurrë lumturia
Kur një femër s’të ka ardhë!
Që pa lindur gjer kur vdesim
Atë ne e kemi pranë
Shpirtit t’saj borxh i mbesim
Kur dhe fryma bëhët fjalë.
Le t’i duam dhe t’i duam
Ato janë për t’u dashur
Kur sëmuremi dhe vuajm
Dhe kur jemi zemërplasur.
Kërkojmë nënën, duam motrën
Me sy gruan e kërkojmë
Kam një mike sa gjithë botën
Dashuri asaj i thonë!
04 shkurt 2016
Dashuria nuk është faj
Një lum vërshon prej meje tek ti
Të prek në këmbë, të zë padashur
Siç një rreze mengjesit të ndritur
Udhëton me ty!
Kur s’e ke pritur,
Të bëhët pjesë e mendimit
Uliks, Odise sa shkëmbi i Munellës
Gurë i rëndë në mendje
Si ai Sizifit
Që e shtyn sa mundet drejt majes
Më beso, nuk është faji im
Se unë nuk e di masen e faljes!
Të të thëm më fal se të ndesha
Me sytë e mesditës
Tërë zjarr!
Të të thëm më fal
Se të vrava me një ëndërr
Që kurrë s’ta thashë!
Unë jam ai që i dua dhe gurët
Dhe fjalët, gjithë hiret e botës
Veç për veten time!
Ndoshta, pa qënë i zoti t’i mbaj
Përsëri nuk është faji im
Se nuk di kur jam në faj!
Ritëm gjethesh
Si një gojë e zëzë hapsira
Seç m’i ha mengjeset mua
Sytë në shtigje të vështira
Mi rrëmbeu veç një grua!
Përpiqem të shkruaj fjalë
Në rrebeshe të vështira
Kur nga zemra nuk kanë dalë
Nuk janë fjalwë, janë vetëm shifra.
Ritëm gjethesh krejt të rëna
Në një heshtje që shumë flet
Nuk e di si i zgjon kënga
E i ngjit serish në degë.
Isha …
Isha një pikë kalimi
për të shkuar ti
atje ku duhej
Një Nostradamus gjenial
Parashikues i fundit që nuk thuhej
Isha një urë mendore që lidhte e zgjidhte fjalë
Në ndjekje shpirtërore te ngadaltë…
Isha në të djeshmen e ndjeshme
Gurë me rënje të menjëhershme……
brenda thellësisë tënde
të pa skajshme….
Burimeve tua të pashtershme!
06 shkurt 2016