Ditën e Dielë më 17 Janar 2016, Komuniteti Shqiptar i qytetit të Filadelfias, në Qendrën Social Kulturore të Shoqatës Shqiptaro – Amerikane “Bijtë e Shqipes”, kishte një vizitor të veçantë, Ambasadoren e shtetit të tyre, znj. Filloreta Faber. Prej kohësh zonja ambasadore kishte planifikuar një vizitë të tillë, dhe ja sot ajo arriti që ta realizojë atë. “Kam dëshirë që te vizitoj shkollën shqipe “Gjuha Jonë” pranë shoqatës tuaj”-, u shpreh znj. Ambasadore në komunikimin telefonik me autorin e këtij shkrimi. Nuk mund të kishte përgjigje tjetër përveç fjalës: “Mirë se të vini”, në një rast të tillë. Ajo kishte zgjedhur këtë ditë, si ditë të dielë, megjithëse ditë pushimi për të, pasi në këtë ditë shkolla shqipe “Gjuha Jonë” në Filadelfia, është e hapur dhe frekuentohet nga të gjithë nxënësit e saj.
E kishim takuar para tre muajsh, kur se bashku me dy shokë të tjerë të kryesisë të shoqatës, bëmë një vizitë në ambasadën tonë në Washington DC. Ashtu u prezantua edhe në ambjentet e shoqatës “Bijtë e Shqipes”, si një zonjë e denjë për të përfaqësuar shtetin tonë në këtë shtet-kontinent ku ne jetojmë tani. E thjeshtë, e angazhuar, por dhe e shtruar në bisedë, si për të thënë pa mburrje origjinën e saj shkodrane, znj. Filloreta, prezantohet me nxënësit dhe mësueset e shkolles shqipe. Klasë më klasë, në të pesë nivelet (nga klasa e parë deri në të pestën), ajo pritet me mjaft dashuri prej tyre, si njeriu më i afërt i vend origjinës, i atdheut të tyre të dashur. Mësueset Rajmonda Bardhi, Kozara Doko, Adelina Ramizi dhe Irini Zenelaj, mundohen ta njohin me çdo nxënës, ndërsa mysafirja nuk përton të pyes shumë prej tyre e ti falenderojë për mësimin e gjuhës tonë të bukur shqipe. Për nder të kësaj vizite, fëmijët mundohen ta bëjnë respektin me recitime e këngë të ndryshme shqipe, të cilat sigurisht që e kënaqën pa masë znj. Filloreta. Gjithashtu të gjithë nxënësit e shkollës, 55 gjithsej, në kohën e pushimit midis orëve, kënduan bashkërisht me vizitorët e të pranishmit e tjerë këtu, Himnin e Flamurit tonë Kombëtar, megjithëse ai ishte kënduar në mëngjes, siç bëhet çdo të dielë para fillimit të mësimit. Pas kësaj ceremonia e thjeshtë e festimit të datëlindjeve për dy nxënësit e shkollës, Alma Sinani dhe Alexandra Ramizi, emocionoi të gjithë dhe me këngën “Shumë urime për ty”, fillon shpërndarja e tortës dhe dhuratave simbolike që shoqata “Bijtë e Shqipes” kujdeset të jenë aty në raste të tilla. Për të dy vajzat, është një moment i paharruar që këto dhurata ju jepen nga përfaqësuesja e shtetit shqiptar në Amerikë.
Më pas, zonja ambasadore njihet edhe me ambjentet e tjera të shoqatës, bibliotekën e librit shqip, arkivin, muzeun, dhe kafenenë e shoqatës, në të cilën ishin shumë bashkatdhetarë. Biseda e hapur dhe e përbashkët me të gjithë ata që u ndodhën aty, qe mjaft e këndëshme. Në emër të tyre, Abedin Teme nga Vlora, më i moshuari, ngrihet dhe uron ambasadoren dhe e falenderon atë për ardhjen në komunitetin shqiptar të Filadelfias. Më tej biseda kalon në domosdoshmërinë e të qenit bashkë, pasi emri dhe forca kur jemi të bashkuar, është shumë më e madhe. “Unë kisha dëgjuar për shoqatën tuaj dhe për shkollën shqipe “Gjuha Jonë”, por ajo që pashë sot është megjithë mend emocionuese për mua; shoh nxënës që jo vetëm kanë mësuar të flasin e shkruajnë shqip, por me ndjenja të një dashurie të madhe për atdheun e tyre, ata recitojnë e këndojnë me shpirt e zemër. Sigurisht edhe në përfaqësuesit e shtetit tonë, marrim barrën e zgjidhjes së disa problemeve, sidomos paisjen me tekstet e nevojshme shkollore sipas nevojave. Siç ramë dakord edhe me drejtuesit e shoqatës, bashkërisht do të punojmë për vendosjen e aktivitetit të shkollës shqipe, në kornizat e plota ligjore të këtushme, me qëllim që gjithë kjo punë e madhe që bëhet tek ju, jo vetëm të pasqyrohet por të funksionojë duke u njohur si gjuhë e dytë në të gjitha institucionet shkollore të shtetit. Gjithashtu, jemi gati të ftojmë ministren tonë të arsimit, për një vizitë pune këtu, për të ndihmuar me autoritetin e saj në zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohen shkollat shqipe në Amerikë, por pasi të kemi shtruar e programuar më parë ato”, – thotë znj. Ambasadore.
Pas kësaj, asaj i dhurohet libri i shoqatës “Bijtë e Shqipes”, që pasqyron aktivitetin 10 vjeçare të saj, botuar para tre viteve, me rastin e 10 vjetorit të krijimit të shoqatës si dhe disa stilolapsa të dizenjuar me logon e shoqatës dhe Famurin tonë Kombëtar.
Disa foto me mësueset e fëmijtë e shkollës shqipe si dhe me të gjithë pjesëmarrësit e tjerë që ishin aty, mbyllën vizitën e ambasadores shqiptare në Amerikë, znj. Filloreta Faber, pranë Komunitetit Shqiptar në Filadelfia dhe shkollës shqipe “Gjuha Jonë”që ka hapur shoqata jonë. Ajo qe një vizitë e frutshme me shkëmbim mendimesh, se si të rrisim akoma më shumë në sasi e cilësi shkollën shqipe, jo vetëm në Filadelfia, por kudo në diasporë.
TAJAR DOMI
Kryetar i Shoqatës Atdhetare-Kulturore
“Bijtë e Shqipes”
Filadelfia