Të ishte koha e Naimit dhe e Çajupit, kushedi do të kishim thurur ndonjë poemë të përmallshme për mërgimtarët/ kurbetlinjtë tanë, të cilët në kohë moderne i quajtëm refugjatë e pastaj pak nga pak e moderuam termin në emigrantë. Por ç’rëndësi ka se si i kemi quajtur. Ata asnjëherë nuk janë zemëruar me këtë, as me ne që rrallë jemi kujtuar për ta, dhe pse janë të ikurit e një gjaku, fëmijët, vëllezërit, motrat, kushërinjtë, si dhe shokët, miqtë, kolegët, bashkëqytetarët, të njohur e të panjohur. Ikën larg, në dhé të huaj, siç kanë ikur gjithnjë njerëzit e këtij rruzulli, jo vetëm shqiptarët, për një jetesë më të mirë, për t’ia shmangur luftës, furtunës, skamjes. Në fillim zbritën nga mali në fushë, pastaj kapërcyen me mundim kufirin, detin, oqeanin, kontinentet. Ka patur ikje biblike, madhështore e ikje të vetmuara individësh të sfilitur. Dhe nuk është një histori e mbaruar. Rrjedhja njerëzore e atdheut vazhdon, shpesh me përmasa dramatike. Shqipërisë çdo vit i ikin të paktën 20 mijë vetë, kryesisht familje, të joshur së voni veçanërisht nga ëndrra gjermane. Në ikjet e kohëpaskohshme mbase më të paktat kanë qenë ato të aventurierëve, nisur për ta shijuar botën pa punuar, apo për të bërë prokopi përmes trafikimit e krimit.
Historia e shqiptarëve nëpër botë ende nuk është e shkruar, qysh e nizamëve të shekujve të shkuar, e veçmas ajo e diasporës që nis e konturohet me fillimet e shekullit XX në Amerikë, emigracionin politik të pas Luftës së Dytë Botërore dhe atë ekonomik të 90-s e mbrapa. Asaj i përkasin njerëzit e dy skajeve, edhe ata që ikën në Perëndim dhe u bënë prelatë kishtarë, ambasadorë të Skënderbeut, matematikanë të dëgjuar, shkrimtarë humanistë, edhe ata që ia mbajtën nga Stambolli dhe u bënë pashallarë të perandorisë otomane, me jo pak zullume në islamizimin me dhunë të vëllezërve të tyre e trevave shqiptare. Por nuk është analiza historike qëllimi i këtyre radhëve, thjeshtë një përkitje në kontekstin e kategorive e shtresimeve të të ikurve. Problemi ynë është e sotmja e shqiptarëve të emigracionit, të cilët nuk janë më as ambasadorë të Kryetrimit, as pashallarë të orientit, por punëtorë me “meditje” të kapitalizmit ndërkombëtar, ndokund dhe sipërmarrës, teknicienë, artistë të skenave të mëdha, sportistë të stadiumeve të famshëm etj. Askush këndej nuk e di se çfarë ndodh me këta njerëz, familjet dhe komunitetet e tyre. Ka vetëm statistika të përafërta, shifra dhe aq. Edhe në pastë patur ndonjëherë ministri të Emigracionit te ne, ministri ka qenë i partisë iks dhe jo i problematikave të shqiptarëve përtej…Atdheut. Ajo që të dhemb është se ata, të ikurit tanë në këto njëzet e pesë vjet, po vijnë këtu përherë e më të largët, përherë e më “miq”, më shumë për të kryer një si detyrim ndaj të afërmve, se sa për të kontribuar realisht për Shqipëtrinë, që është e atyre aq sa dhe e jona, dhe kur ka qëlluar që ne ua kemi tjetërsuar pronat më dredhi. Qeveritë që hipin në pushtet, dhe me votën e emigrantëve, ftojnë rregullisht të huajtë të vijnë e të investojnë këtu, paçka se cilët janë ata në vendet e tyre për nga kredibiliteti moral dhe ekonomik, dhe nuk ka një ftesë serioze, të posaçme, apo promovim mediatik të investitorëve shqiptarë që kanë bërë pará jashtë dhe kanë investuar këtu. Gjasat janë që ata bien pre e pushtetarëve për të paguar jo një euro metrin katror, por miliona euro nën dorë për të ngulur ndonjë fabrikëz etj.
Për këto e të tjera prapësi të vendit të tyre të pacivilizuar ata kanë filluar të vijnë gjithnjë e më tepër si të “huaj”, por dhe ne kemi filluar t’i presim si miq. A nuk kemi shpikur madje dhe një ditë në vit kushtuar tyre, që diku quhet dita e emigrantëve, diku dita e shtegtarëve. Po pse nuk qenkan të atyre këtu, sa dhe tonat, të 365 ditët e vitit, por vetëm ajo dita e përcjelljes? As ata nuk bëjnë mirë që i begenisin veprimtari të tilla publike kinse në nderim të tyre si një larje borxhi. Emigrantët nuk i kemi vetëm për t’i parë nga xhepat, sa lekë mund të lëshojnë për çatinë tonë që na pikon gjithandej, për të mbështetur fushatat elektorale të majme të kushërinjve, për dhurata “simbolike” shtetarëve, për t’iu botuar kujtimet e drejtorllëkut të kohës së monizmit baballarëve të etur për lavdi etj. Vetëm për këto gjera na duhen, por jo që dhe ata të bëhen pjesëmarrës në qeverisjen e këtij vendi. Ku i lëmë ne, që e kemi privatizuar dhe pjesën e tyre të atdheut, politikës etj. Ju kujtohet një ekonomiste e zonja që erdhi nga Amerika këtu dhe u bë deputete e mazhorancës së sotme? Askush nuk e di pse ajo u largua vetëm pak pas zgjedhjeve, por gjasët janë të mos e ketë gjetur veten në ujërat e parlamentarizmit shqiptar, që shpesh janë të ndotura. Duhet të dish të “notosh” në to sipas stilit të këtushëm, që t’i mbijetosh në politikë. Le pastaj kur ata të emigracionit duan të na japin mend, me anë të ndonjë artikulli në gazetë etj.? Ku i dinë ata punët tona! Ora e tyre ka ngecur në 90-n!… Kësisoj, duam apo nuk duam, është krijuar largësia shpirtërore mes nesh dhe atyre. Ata i kanë provuar të gjitha shkallët e ferrit deri te parajsa, kurse neve na kanë lënë purgatorin që nuk i qasemi. Ata kanë bërë të tyrën shkollën e punës si të gjithë perëndimorët, kurse ne kemi “shkollën” e kafeneve. Ata kanë qindpërqind nga atdheu vetëm flamurin me shkabën dykrenore, të tjerat i kemi ne në tapi. Qysh nga “Vatra” e Nolit në Amerikë ata kanë krijuar gjithkund vatra të shqiptarisë, po ne a jemi vatra e tyre e madhe, e pashuar? Sa pyetje të tilla mund bëhen, për të cilat nuk është se ka përgjigje të kënaqshme, pos nga diplomatët tanë vullnetmirë. Ka së fundi një lajm të mirë nga ana e qeverisë, se emigrantët do të mund t’i përsërisin dokumentet e qendrimit atje, pa qenë nevoja të marrin udhën për këndej për ca çërtifikata. Të shpresojmë që kjo të bëhet realitet përmes konsullatave apo shërbimeve online. Por nuk është vetëm kjo lehtësi, që do të duhej të ishte krijuar me kohë, atyre ua rrisim çmimin e avionit për në vendlindje, sa herë vijnë festat tradicionale të fundvitit dhe sezoni veror i plazhit, duke i detyruar ta paguajnë biletën dy e trefish. (Këtu nuk ua kemi ngrënë hakun, pasi ia kemi rritur dhe vetes.)
Emigrantët na e kanë lënë Shqipërinë neve në duar dhe kjo e ka varfëruar vendin numerikisht dhe intelektualisht. Truri ka emigeruar… truri të kthehet, thirret në podiumet e partive, por thellë nën-ndërgjegjes së politikës sikur i vjen përshtat kjo gjendje, se si do të mund të bëheshin këshilltarë, deputetë, drejtorë, prefektë, kryebashkiakë jo pak nga ata që kemi sot në këto poste, nëse do të ishin këtu dhe të ikurit, shumë prej tyre ndër më të shkolluarit e këtij vendi? A e keni vënë re, në Shqipëri statistikat flasin për tre milionë e ca banorë, sa në vitet ’80, kur ne dhe “ata” jashtë jemi më e pakta pesë milionë. Shkurt ua kemi hequr vizën. Rrini, se mirë jeni atje, në Gjermani, Zvicër, Amerikë, Kanada, Itali, Greqi, Belgjikë, Angli etj. Deshët tokën e premtuar, ja tek e keni, ç’doni ende këndej, ku iu ka rënë koka?
Fundja kjo është një marrëdhënie jo normale mes shqiptarësh të ikur e të paikur, ndërsa në një vështrim më kompleks problemi është kombëtar dhe territorial. Ata që ikin nuk janë vetëm shqiptarët e 28 mijë kilometrave katrorë, por dhe ata të Kosovës, Plavës e Gucisë, Tetovës e Strugës, Preshevës e Medvegjës etj. Kaq shekuj që ata ikin dhe trojet tona etnike mpakën, zihen nga të tjerët, por dhe në mos u zënshin nga ndokush i huaj, braktisja i ka shkretuar e bërë gati jo ekzistente. Zor se bëhen më disa vende thellësisht të lëna shkret me një vajtje në vit të emigrantëve atje, në ditën e Shën Mërisë apo ndonjë të kremte tjetër. As thjeshtë duke ndërtuar në fshat një muze të vockël kujtese. Tjetër është po qe se të ikurit kthehen dhe ndërtojnë së bashku me banorët e atyshëm gjera më atraktive dhe funksionale, si ndonjë shtëpi shëndeti, shkollë, bujtinë turistike, udhë të asfaltuar, monument kulture, lulishtet dhe trotuaret e qendrës së fshatit, qytezës etj., çka dhe ka ndodhur aty-këtu, por ende pa u bërë një dukuri e përgjithshme.
Kjo mbase do të ishte dhe thirrja mbarëshqiptare e kësaj kohe, t’iu kthehemi tani viseve tona për të rindërtuar së bashku atë që ka mbetur, sa nuk janë shuar trojet, kthyer arat në djerrina, shembur kullat, tharë pemët, shterruar përrenjtë, djegur mrizet, duke dëshiruar që këto radhë të ngjallin sadopak ndjeshmëri, pse jo dhe debat të frytshëm rreth kësaj. Të kthehemi vëllazërisht dhe pa politikën si udhërrëfyese, meqë nuk e patëm fat një politikë atdhetare largpamëse që të na krijonte shanset për t’u kthyer te kullat e malësive me projekte rimëkëmbjeje sociale dhe ekonomike. Ndoshta në gjuhën e rilindasve të mëdhenj të njëqind vjetëve kjo thirrje do të ishte rikthim për të mos e lëshuar Atdheun. Se atë e “lëshoke” dhe duke qenë këtu e bërë sikur po i del përzot. Atdheun, që është braktisur njësoj si nga ata që kanë ikur jashtë, si nga ne që kemi “ikur” brendapërbrenda folesë së shqipes.