Iradeja
Deti i pamatë ngrohej në diellin e vakët të prillit. Bluja, ndehur syprinës së ujit, zgjaste duart të ledhatonte kaltrinë nazike të hapësirës. Loja e ngjyrave ngazëllente udhëtarët e ngeshëm në kuvertën e anijes luksoze “ Faraon ”, nisur para dy javësh nga Aleksandria. Vinin të vizitonin Stambollin. Ngjyra e qielltë zbriste përfund shpirtrave njerëzorë, ndizte fantazinë. Si çdo ditë, atij mëngjesi lyer me të bronztën e rrezeve të para të diellit, grupi i zotërinjve zhurmonte si zgjua blete. Po i afroheshin fundit të udhëtimit. Kur brigjet e mugëta u konturuan, ndërprenë bisedat të nemitur dhe derdhën shikimin tutje në horizont.
Përtej vijës së ujit u shpalos pamja përrallore e qytetit të vjetër.
Stërmadh pa fund e pa cak, i zhurmshëm e i pluhurt, Stambolli i ngjante një kafshe të shformuar parahistorike, që merrte frymë me tërë qenien. Përmbi Bosfor, avujt e detit formonin shtëllunga të bardha, tymnajë që u merrte sytë, turbullonte shikimin. Në dy anët e detit hijeshonte Qoshk Jëlldëzi, përzierje pafund ngrehinash të shumëllojta prej druri përqark xhamive madhështore. Rrugët e spërdredhura në faqe kodrash të gjelbëruara, lagur nga ujnaja e pamatë, zvarrisnin vështrimin e udhëtarëve në Portën e Lartë, ku fillëronte stema kuranike e Kalifatit dhe manteli i Profetit. Zërat e fuqishëm të ulemave çanin qiellin e murrmë të qytetit tundues dhe depërtonin vagëlluar në veshët e udhëtarëve.
Përkundruall spikaste Gallata, lagjja e të krishterëve dhe selia e ambasadave të huaja, me ndërtesa të larta mermeri sipas arkitekturës së kohëve të reja. Në ngushticën e Harkut të Artë, përmes Urës së Gallatës takohej Lindja me Perëndimin, dy botë krejtësisht të ndryshme. Nga çdo cep i vaporit vështrimi i shikuesve ndehej përmbi Dardanele, bukuroshen e hijshme të Lindjes. Në pragun e përbaltur të saj, përgjatë honeve të shekujve gurëzohej koha e thinjur.
Midis udhëtarëve binte në sy një burrë i gjatë e i pashëm që tërhiqte më së shumti vështrimet e kureshtarëve. Sy të kaftë zhbirues, mustaqe të shkurtra, kostum kamoshi vishnje dhe papion ngjyrë alle, mysafiri i huaj ngjallte nderim përmbi të tjerët. Këmisha e bardhë borë dhe jeleku kadife bënin kontrast me qostekun e rëndë prej ari të kulluar. Dukej sheshit, ishte benollaxhëm, njeri me rëndësi. Mbi supe i strukeshin gjashtëdhjetë vite.
Zbriti shkallët, ndjekur nga shoqëruesi me dy valixhe të rënda. Hamajtë e portit dhe lypsarët e ndoqën pas të huajin që shpërndante me bujari aspra argjendi. Turma rreth tij shtohej rrëmujshëm, pengonte lëvizjen e njerëzve dhe karrocave. Policia vendase zuri t’i shpërndante. Ofiqarët me uniformë i kërkonin ndjesë dhe përshëndetnin me përkulje pasanikun e largët.
Ngriti dorën, ndaloi një llandon me karroceri jeshile tërhequr nga dy kuaj të bardhë.
– Hotel “ Sheriat ”! – foli në turqishte të kulluar.
– Si urdhëron, efendi!
Si u përkul tri herë, karrocieri iu afrua shërbëtorit.
– Gjergji, jepja, – i tha me zë të ngrohtë shoqëruesit dhe shokut të udhës.
Djali muskuloz, me duar të mëdha tërë kallo, shikoi i frikësuar turmën e njerëzve përqark, pastaj gjithë kujdes i besoi valixhet të huajit.
Koçia e stolisur çante me vështirësi grumbullin e dendur të njerëzve. Gjergji përpinte i habitur shfaqjet mahnitëse të vendit. Prilli rrezëllinte përmbi Stamboll. Qyteti shtriqej në diell, teksa pamjet valëzonin me shpejtësi marramendëse në çdo hap të kuajve.
Nëpër rrugën e zhveshur tërë pluhur barisnin lloj – lloj njerëz të gjithfarë race e ngjyre me tërë veshjet, ngjizur moteve të përlargët apo stisur kohës së vonë. Çuditë e qytetit të madh nuk kishin të shteruar, ndërroheshin njëra pas tjetrës si në një film me xhirim të ngadalshëm. Gjergji sodiste i habitur këtë cep të pazakontë të dheut ku takohej mesjeta e vjetër me kohët moderne. Gjallonin kudo pranëvendosur kundërshti të skajshme, e vjetra me të renë dhe absurdi me të vërtetën.
Nga tirqet me xhufka dhe peshtemallët e mëdhenj dalëboje, te kostumet europiane me papion, prej jelekëve të shkurtër dhe pëlhurave të trasha aziatike që i mbulonin femrat kokë e këmbë, në fustanet gjoksehapura të gufuara, nga këmbët e zbathura dhe opingat me lëkurë kau, te këpucët lustrafine ardhur nga Parisi dhe Vjena.
Pranë sarajeve shekullore të mëdha e të vjetra buisnin shtëpi europiane me ndërtimet e përthyera sipas stilit barok të Rilindjes. Afër haneve të shëmtuar me dritare e dyer ngrënë nga koha, kishin mbirë hotelet e hijshme me ballkone të gjera e dritare zbukuruar nga perde damasku. Pranë e pranë udhëtonin qerret tërhequr nga buaj të zinj me brirët e mëdhenj të spërdredhur dhe llandonët e kohës, ku qenë mbrehur kuaj këmbëshpejtë stolisur me zbukurime shumëngjyrëshe.
Në hyrje të pazarit, udhëtarëve kuriozë u zuri syri dyqane të vegjël çikërrimash, artizanë që shtynin me këmbë rrotat e poçerisë. Llandoni kaloi rrugës kryesore përpara trekëmbëshit, ku qëndronin varur kufomat e pesë të dënuarve mbuluar me këmisha të gjata prej pëlhure lini. Pamja e lemerishme u vrau sytë. Vdekja llërëpërveshur kishte zënë pritë për t’u treguar të gjallëve se ishte po aq e pranishme sa jeta. Gjergjit i kaluan mornica nëpër lëkurë, bëri kryqin i tronditur.
Kuajt e shkumëzuar ndaluan në hyrje të hotelit elegant.
Ndërtuar sipas stilit europian në krah të godinës qeveritare bënte kontrast me godinat e vjetra përreth apo hanet ku rehatoheshin zakonisht të huajt. Burri sqimatar u habit nga pamja tjetërlloj e hotelit të para njëzet viteve.
Sapo u shfaq në hollin luksoz, një tog punonjësish erdhën t’i urojnë mirëseardhjen dhe t’i ofrojnë mysafirit të nderuar shërbimet e hotelit. E lutën të ulej në divanin me lëkurë krokodili, të mblidhte veten nga udha e gjatë nëpër detin e trazuar.
Pas pak u duk pronari, burrë i shkurtër, mustaqespicë, që shihte vëngër. Veshur me jelek dhe xhaketë të modës së fundit, Fatih beu mbante shallvare zbukuruar me xhufka të kuqe. Nuk merrej vesh në ishte i mençur shumë, apo trashëgimtar i zakontë pasurie të madhe me të cilën kishte ndërtuar atë hotel të bukur si dritë. Binte në sy klientela shumë e zgjedhur. Prej disa vitesh bujtnin mbretër, kryeministra dhe burra shteti, para ose pas takimeve me personalitetet më të larta vendase.
– Bujrum efendi, jemi të lumtur që zgjodhët hotelin “ Sheriat ”.
– Faleminderit! – u përgjigj ftohtë mysafiri. – Dua dy dhoma nga ana e detit.
– Po jap urdhër t’i bëjnë gati, – foli turku i shkathët. – Ju bëj rixha të pini çfarë të dëshironi.
– Birrë, – ia ktheu tjetri, me shprehje të papërcaktuar.
Fatih beu s’e kuptoi në i kishte pëlqyer hoteli këtij efendiu hijerëndë. Nuk i tha asnjë fjalë të mirë, si të tjerët që e kishin sajdisur.
Pastaj u afrua kryesekretari me defter në dorë.
– Efendi, një formalitet i vogël, emrin tuaj e të hyzmeqarit.
Zotëria nxori pasaportën. Tjetri e mori në duar dhe lexoi me zë.
– NikollaNaço, kombësi shqiptare, shtetësi egjiptiane, banues në Bukuresht, Rumani.
Nëpunësi, ndonëse i mësuar me gjithfarë vizitorë, nuk kuptoi asgjë. S’kishte parë ndonjëherë pasaportë të tillë, ndaj mbeti në mëdyshje.
– Më ndjeni efendi, si ta hedh në kartë adresën tuaj.
– Shkruaj se jam shqiptar, arnaut, – buzëqeshi me qesëndi Nikolla.
Sekretari u largua mbrapsht me përkulje i habitur prej këtij zotërie të pakuptuar.
Menjëherë në turmën e shërbyesve zunë fill hamendje në trajta të çuditshme, përthyer sipas mendësisë së gjithsecilit. Fantazitë përpiqeshin të zhbironin identitetin e vërtetë të ardhësit të mjegullt.
– Princ arnaut, mik i Vezirit me pasuri të madhe në Egjipt e Rumani.
– Porositi dhomën më të mirë përballë sarajeve qeveritare, – e mbështeti folësin një kamerier.
– Shumë i pasur duket, – u shpreh mendueshëm përgjegjësi i rojeve.
Thashethemet do të vazhdonin gjatë po të mos i ndërpriste pronari.
– Mjaft humbët kohë, shikoni punët tuaja. Zotëria kushdoqoftë është benollaxhëm.
Vetë Fatih beu e shoqëroi mysafirin e lartë te dhomat e hotelit, ndrequr e rregulluar posaçërisht.
Afër fundditës së gjatë e të lodhshme, Naçua zbriti ngadalë shkallët me parmakë të lartë, plasaritur nga kujtime të hershme. Si njëzet vjet më parë vegoi sërish Aleksia, rumunia e hijshme me kurmin e derdhur prej perëndeshe. Harresa ra në kurthin e dhimbjes, dallgët e mallit të pashuar e përmbytën. Duart e trëndafilta, vështrimi i ndezur i gruas së bukur e mbërthyen si atëhere. Lëngata rëndoi e plumbtë dhe hija e trishtimit u ndeh mbi ballin e plagosur. Në mesditën e shtyrë të jetës Aleksia i preu rrugën, ngjalli ëndrrën e venitur të martesës. Ishin gjashtë muaj të nxehtë që nuk i pati njohur kurrë më parë. Gratë patën hyrë shpesh në jetën e tij, por asnjëra nuk e robëroi si rumunka me shtatin e derdhur dhe përkëdhelitë e zjarrta.
Kur vendosi të martohej, gruaja e bukur u zhduk si hije fshehtarake, ashtu si pati ardhur. E kërkoi muaj të tërë. Nuk i hasi më sytë e shkruar, po vegimi i saj nuk u shkri kurrë. Brenga e mundoi gjatë dhe firoi ëndrrën e familjes. Fëmijët e munguar, pasardhësit u bënë vogëlushët e të njëjtit gjak në atdheun e tij. Si një baba i dhembshur iu përkushtua atyre me të gjitha energjitë dhe pasurinë e grumbulluar nëpër vite të gjata pune të vazhduar. I vetmi ngushëllim në fillesën e pleqërisë vetmitare…
Veshur me kostum mbrëmjeje ngjyrë bezhë, u drejtua nga restoranti. Porositi gjellët më të shtrenjta të listës që nxitoi t’i vinte përpara kryekamerieri. Klientët e rrallë vështruan plot kureshtje mysafirin e hijshëm.
Gjatë darkës përdori me elegancë takëmet e shumta, modë e vështirë për t’u ndjekur në Stamboll, ku vendasit hanin me dorë pilafin. Shumicën e pjatave vetëm sa i ngjëroi, ndërsa Gjergji përlante me oreks levrekët dhe havjarin e shijshëm. Nxori nga kutia e sermit një puro Havane, tymosi ngadalë me vështrim përhumbur hapësirës së hotelit. Mbajtësja e kushtueshme farfuriti në dritën e qirinjve.
Vezulloi sërish Aleksia, shkriu brymën e harresës me fije malli, zhytur kohës së largët. Lektisja ngjitej nëpër degët e kujtesës, godiste shpirtin e trazuar dhe çelte vetëm dhimbje. Tundi kokën ngadalë, mendueshëm, pastaj u kthye në dukjen e zakontë dhe misionin e udhëtimit.
Hodhi në tabaka një monedhë floriri me vlerë dy herë më shumë nga darka dhe u largua qetësisht. Kamerieri nxitoi të kthente kusurin, po ai bëri shenjë ta mbante. Me gojë hapur turku lëvizte buzët si peshku pa ujë. Bakshishi e kalonte pagën javore. Çudia e tij nuk kishte të sosur, ndaj mbeti i dyzuar me tabaka në dorë.
Me të njëjtën mënyrë shpërbleu punonjësit e tjerë. Shërbyesit të dhomës i fali dhjetë mexhite argjendi, kurse Fatih beut një napolon flori për nderet e veçanta që i rezervoi. Me të njëjtën sjellje fisniku të kamur plot sqimë e madhështi, të nesërmen dhe ditët e mëpastajme, zotëria i panjohur habiti nëpunësit e hotelit dhe klientët me emër në qytet. Shumë syresh u munduan të lidhnin miqësi. Ai qëndronte ftohtë, ndonëse i sajdiste me fjalë të zgjedhura.
Shumë shpejt arnauti hijerëndë u bë i njohur në rrethet më të larta të Stambollit. Nuk ishte parë ndonjëherë zotëri i kamur të shpërndante të holla pa kursim për cilindo që i shërbente.
Hamendjet nuk shternin dhe si qenie të gjalla depërtonin shtëpitë e para të qytetit nga klientët e sërës së lartë. Në trajtë hallkash zinxhiri stërgjatë mbërthyen një numër pafund njerëzish. Si gjithnjë në të tilla raste, çudia merrte pamje legjende, të dyshimtë e të pabesueshme, aq më tepër në një qytet si Stambolli që ishte vetë çudi e pakuptuar.
Mehmeti, vizitor i rregullt i hotelit, që e mbante veten për shkencëtar, u kumtoi në fshehtësi miqve besnikë përfundimin e meditimeve disaditore.
– Ka nxjerrë me mjete të holla thesarin e madh të Bermudës, groposur për qindra vjet nga anijet që kanë rënë në grackën e trekëndëshit ujor të oqeanit më të madh të botës. Pasurinë e ka grumbulluar në një vend të fshehtë të Arnautistanit me roje besnike. Në Stamboll ka ardhur të prishë një pjesëz të vogël të pasurisë së pafundme.
Rivali i përhershëm i Mehmetit, Orhan efendiu, e kundërshtoi prerë, me inat dijetarësh dhe argumente shkencore.
– Nuk ka asnjë mundësi të dalë thesari i Bermudës për arsye të shtjellave ujore, që e shpërndajnë në brendësi të oqeanit, – foli me bindje. – Dëgjova se është alkimist. Ka arritur të kthejë metalet e rënda në ar dhe gurë të çmuar. Ndërveprimin kimik e di vetëm ai, e mban të fshehtë. Ka lënë me shkrim të publikohet pas vdekjes.
Mehmeti e hodhi poshtë arsyetimin naiv të kolegut. Diskursi filozofik vazhdoi gjatë.
Vëmendja e njerëzve u mbërthye si me magji përdrejt këtij njeriu të veçantë që nuk ishte mbret, kryeministër apo princ trashëgimtar. Gazetat në fillim me kujdes e frikë shkruanin lajmin në kollonat e fundit, paragrafët e vegjël për bëmat e shumta të përditshme të Stambollit. Dalëngadalë filloi të zinte vende më të dukshme, derisa hyri në faqet e para fill pas lajmeve qeveritare. Shkrimet i bënin jehonë vizitorit enigmatik. Askush nuk besonte të ishte arnaut, siç u paraqit në hotel “ Sheriat ”. E quanin dredhi të mençur për të mos rënë në sy e bezdisje.
Vezirit ia dha lajmin ndihmësi për shërbimet e fshehta të shtetit, Damad beu. Rreth të pesëdhjetave, Damadi i rafinuar e dinak kishte zënë postin e lartë pas një lufte të gjatë bërrylash, falë aftësisë dhe dredhive thurur me kujdes. Në luftën për pushtet kishte vënë poshtë lakmitarë në zë, ca me të mirë, të tjerët përmes mënyrash të tërthorta. Të gjithë ia kishin frikën këtij nëpunësi të lartë autoritar, me sy të vegjël zhbirues. Fatihu, agjent i fshehtë rekrutuar herët, e vuri në dijeni të nesërmen e arritjes së mysafirit errëtiak.
– Dokumentet i ka të sakta, po s’më duket të jetë siç shtiret me tërë atë pasuri që e prish lehtësisht vend e pa vend, – i raportoi përgjegjësit të tij.
– Ndiq me kujdes çdo lëvizje, veri pas një hafije dhe më njofto dy herë në ditë, – urdhëroi Damad beu.
Ditën e tretë Nikolla u vu nën vëzhgim të rreptë në çdo hap, kudo shkonte. Një nëpunës i shërbimit të fshehtë, specialist i përndjekjeve të rëndomta, iu qep këmba – këmbës.
Me bisht të syrit dalloi lehtësisht spiunin. Sa herë binte rasti, nxirrte portofolin, i falte ndjekësit nga një monedhë për shërbime të parëndësishme, kur çelte derën ose i hapte udhë të kalonte përpara tij. Ishte fare i bindur se të gjitha këto do të vinin atje ku duhej.
Misioni formësohej ngadalë i sigurt.
Atë mbrëmje Naçua fërgëlloi nga emocionet e fshehura gjatë. Po ngrysej një ditë e lagur me shi të imët. Retë gri vraponin qiellit për të shkarkuar barrën e ujshme. Nga dritarja e dhomës derdhi shikimin jashtë, nëpër qytetin e zhurmshëm. Mugëtira e zbërdhylur mbështillte Stambollin me një rrjetë të padukshme. Peizazh i njëllojtë si atëhere. I njëjti diell i kuq, stërmadh kishte cekur sipërfaqen e detit, sikur mendohej të zhytej apo jo. Pamje të tilla përrallore, goditese, marramendëse prodhonte vetëm ky qytet i mallkuar. Njëzet vjet pareshtur përfytyronte atë çast ogurzi. Asnjëherë nuk e sillte të plotë në kujtesë. Tani e përjetoi po aq të prushtë, të padurueshme, të lemerishme çmendurinë e atij pragu nate.
Aleksandra e braktisi në një muzg të tillë.
Kurrë nuk besoi se iku vetë, dikush e rrëmbeu në prerjen e ditënatës, e fshehu përgjithnjë. Kur u zgjua dhe gjeti dhomën bosh, nuk kuptoi saktësisht qe ditë apo natë. Çast i përçudnuar, diçka e pezullt midis të dyjave, përzierje levarashe e dritës me errësirën. Me kohë rrëmbyesi u bë një me muzgun e hirtë. Ai nuk e ndante dot, nëse ishte vërtet dikush apo vetë mugëtira e shpëlarë. Tani që u rikthyen të plota mbresat, përshtypja e formësuar ngadalë nëpër vite i dukej krejt e vërteta e hidhur. Tani ishte i bindur se njëzet vjet të shkuara ky muzg i rrëmbeu rumunkën e bukur me sytë e qielltë, gremisi martesën, e la fillikat. Rivali i murrmë e fshehu Aleksian s’di se ku nëpër labirintet pafund, thau shpirtin e tij. Që nga ai çast i marrë, nuk pati kurrë pasardhës. Fëmijët e vendit të tij zaptuan imazhin e vijimësisë, i vetmi motiv i ekzistencës në dy dhjetëvjeçarë tejet të gjatë.
Dy pika lot trazuar me helm e shpresë morën udhë faqeve të burrit, drobitur nga kujtimet…
Raportet e Fatih beut vishnin vizitorin me vello misteri të pabesueshëm. Habitur prej informacionit të detajuar me hollësira tej reales, këshilltari deshi të njihej me këtë zotëri që nuk bënte asgjë të dyshimtë, përveç shpenzimit të parave. Rrahur me vaj e uthull në punë të tilla, vendosi të vinte në restorant ta shihte nga afër.
– Ku dihet se nuk është spiun? Përse ka zënë dhomën kundruall zyrës sime? – përpiqej të hynte në fshehtësirën që rrethonte bujtësin e çuditshëm të hotelit.
Damad beu nuk u vinte veshin gazetave. Pothuaj nuk i lexonte.
– Kalemxhinjtë atë punë kanë, – thoshte, – me këtë zanat nxjerrin bukën e gojës.
Pasi kaluan gjashtë ditë nga ardhja e Nikollës, në restorant u vu re lëvizje e pazakontë. Shërbyesit rregullonin tavolinat, drejtonin mbulesat e rrudhosura, qëndronin tërë merak nëpër vendet e punës, si rrallë herë ditët e qëndrimit të tij në “ Sheriat ”.
Së fundi hyri një burrë i shkurtër tullac, me krahë shumë të gjatë për trupin xhuxh, ndaj shpërpjestimi binte fort në sy. Prapa e ndiqnin një sërë burrash, mes të cilëve pronari i hotelit, i përngritur nga vizita e nëpunësit të lartë të shtetit. Autoritar e indiferent, nuk përfillte lajkatarët që përpiqeshin të tërhiqnin vëmendjen e tij. Shumica e klientëve u ngritën në këmbë, derisa këshilltari zuri vend në tavolinën e përgatitur enkas në krye të restorantit. Si u rehatua, Damad beu mjeshtër i zanatit, hodhi shikimin nëpër sallë. Pikasi menjëherë të panjohurin që e solli aty. Pamja krenare, shija në veshje e sjellje, qëndrimi hijerëndë i bënë përshtypje dhe përforcuan dyshimet.
Atmosfera u zymtua. Në thellësi të mbrëmjes mbiu trishtimi i hidhur ndehur nëpër hapësirën e gjerë të restorantit. Një heshtje skërmitëse mbështolli me vello të padukshme njerëzit dhe sendet. Ku shkelte Damad beu, pasojat nuk mund të llogariteshin. Nëpër të çarat e mëngëve të kohës vrundulluan tallazitë e shkurtabiqit të fuqishëm. Të nesërmen e vizitës së fundit në “ Sheriat ”, para gjashtë muajve, Hysni pasha vetë i tretë përfunduan në litar për tradhti të lartë. Pashai ishte klient i rregullt, i respektuar dhe i frikshëm.
Naçua ndiqte ritin e vet të përnatshëm. Thithte qetësisht puron, nuk ktheu kokën të shihte si shumë të tjerë. Kredhur në qetësinë mikluese të mbrëmjes, nanuritej mes ëndrrash të mëdha. Nuk i dinte bëmat e Damad beut, po atmosfera cingëritëse u përcoll përmes valëve të padukshme. Zemra i rrahu me forcë dhe djersë të lehta i bulëzuan nëpër trup. Cipa e qetësisë u turbullua, minutat e pritjes digjeshin ngadalë mes heshtjes së padurueshme. Akrepat e sahatit prej sermi në qostekun e artë dremisnin fushës ngjyrë kërmëzi. Era fshehtarake e heshtjes kafshonte gjysmerrësirën.
Nuk i honepste gjysmakët. Gjendja e turbullt kur drita dhe errësira grinden për t’i zënë vendin njëra – tjetrës i cifloste nervat. Në këtë situatë të pafavorshme shihte tërthoras siluetën e beut tek luhatej në dritën e vakur të qirinjve.
Dy burrat e mençur e dinakë ndienin praninë e njëri – tjetrit ashtu si luani nuhat afrimin e kundërshtarit disa qindra metra larg sinorit të tij. Rrinin tërë sy e veshë në përgjim dhe pritje. Nikolla e dinte se burri i shkurtër e vëzhgonte me nge, përpiqej të kuptonte nga larg peshën, karakterin, çdo lëvizje që mund të tradhtonte qasjen e tij prej zotërie të pasur. Turku kishte përparësi, e shikonte drejtpërdrejt pa larguar vështrimin asnjë çast. Ai duhej ta ndiqte vetëm me sytë e mendjes, pa lëvizje të tepërta që mund të zhvlerësonin qëndrimin hijerëndë.
Zuri fill një luftë e ftohtë me armë fluide të padukshme për klientët. Mprehtësi, nerva, mençuri, arsyetime memece mbanin nën përngritje të skajshme ndërluftuesit. Secili hepohej të lexonte mendimet e shfaqur tërthorazi të tjetrit, mbresat që kishte lënë, mundësinë e marrëveshjes. Ndonëse në rrethana dhe gjendje të pabarabartë, druheshin njëlloj mos gabonin në ndeshjen e afërme.
Damad beu s’e kishte vështirë ta thërriste ku të donte e si të donte. E kërkonte detyra dhe posti i lartë qeveritar, po i zgjuar me përvojë shikonte përtej këtij caku. Sikur të ishte agjent i huaj? Fërkimet e shtetit me fqinjët ishin mahisur dhe pritej luftë e përmasave të mëdha. Duhej ta zbërthente me mjeshtëri pa u nxituar, që do të thoshte ngritje tjetër në detyrë, ndoshta ministër i jashtëm. Në se qe hafie, prapë duhej ta peshonte mirë, të mos binte në grackë. Sidoqë u përpoq, nuk mundi t’u jepte rrugë mendimeve të ngatërruara. Vendosi të sillej me kujdes derisa të nuhaste misionin e vërtetë të vizitorit sqimatar.
Nikolla qëmtonte se shkurtabiqi në krah, me pushtetin e madh, zgjuarsinë e dukshme, qëndrimin e kujdesshëm mund t’i shërbente më shumë se cilido misionit të tij në Stamboll. Sjellja kundrejt atij njeriu, përshtypja që do t’i linte, kishin rëndësi vendimtare. Tendosur, me nofulla shtrënguar e dukje të qetë, priti më shumë se një orë përballë kundërshtarit dredharak derisa e mundi dhe arriti fitoren e parë. Beu nuk duroi dot më gjatë, dërgoi Fatihun.
– Efendi, Damad beu dëshiron të piqet me ju, nëse nuk keni kundërshtim.
– I thuaj beut se jam i nderuar të takohem me një burrë të mençur si zotëria e tij, kurdo që ai të dëshirojë, – u përgjigj njerëzisht me indiferencë të shtirë.
Beu u nis të dilte. Në ikje përshëndeti me dorë në zemër. Nikolla u ngrit në këmbë dhe e ktheu përfilljen me lëvizje të lehtë të kokës.
Tërë atë natë nuk fjeti. U përpëlit në krevatin e rehatshëm gjer ndaj të gdhirë. Peshoi me imtësi bisedën e ardhme, çdo detaj të mundshëm përballë grackave të kundërshtarit. Fundi i takimit duhej të ishte marrveshja me argumente e mençuri, po sidomos me para, shumë para. Të blinte turkun e pushtetshëm e të zgjuar, ta vinte në shërbim të tij. Suksesi apo dështimi tani qëndronin tek ky shkurtabiq, aftësitë e tij për ta bindur dhe joshur së toku. Gjumi u end rrethinave të syve gjer ndaj të gdhirë kur dita e vizitoi me rrezet e zbehta të mëngjesit. Nata brente mendimet e ngatërruara. Ëndrrat trazuan dremitjen e shkurtër gjersa në kapakët e syve trokiti zgjimi i beftë.
Shërbimit të tij po i buzëqeshte fati.
Damad beu i doli përpara ashtu si e kishte menduar gjatë, pa e ditur se cili funksionar do të interesohej. Nuk e njihte natyrën e beut, interesat dhe synimet e tij në dredhat e pushtetit. Biseda e pritshme do të zbulonte hollësi për të ndërtuar sjelljen e vështirë. E dinte se në postin e lartë të këshilltarit të shtetit për shërbimet sekrete nuk mund të qëndronte kushdo.
Me shumë kujdes, fshehur pas dukjes mospërfillëse prej benollaxhemi, mësoi nga kryesekretari se Damad beu qe dhelpër e vjetër. Kishte vënë përpara kandidatë të fuqishëm për të siguruar besimin e Vezirit. Kundërshtari dinak do të ngrinte kurth pas kurthi për të zhbiruar Naçon dhe misionin e tij të brishtë. Përpunoi në mendje disa variante për ndeshjen e pritshme. Do të nxirrte në tavolinën e lojës atë që i përshtatej më mirë natyrës së shkurtabiqit të fuqishëm.
Pas faljes së mëngjesit nga të gjithë punonjësit e kryeministrisë, sipas rregullit të pandryshuar në shekuj, te hyrja e pallatit qeveritar u shfaq zotëria misterioz. Fatih beu i pëshpëriti në vesh rojes; i priste Damad beu, dora vetë. Ai u priu me përkulje te oda e madhe e këshilltarit, pas një kontrolli të imtë nga të tjerë roje me feste të rënda.
Nikolla hoqi kapelen, u paraqit me fjalë të zgjedhura.
– Jam i lumtur zotëri të takohem me ju.
– Bujrum, mirëserdhe, – u përgjigj Damad beu, – urdhëro ulu.
Pas përshëndetjeve të para, shërbyesi solli kafe dhe ëmbëlsirë.
– Ma bëj hallall sëkëlldinë, efendi. Detyra ma kërkon të marr vesh kush je dhe për ç’punë ke ardhur në Stamboll, – e nisi fjalën nëpunësi i lartë i shtetit.
– Jam shqiptar, quhem NikollaNaço. Vij për një punë me rëndësi, që dëshiroj t’jua them vetëm ju në audiencë private, nëse është e mundur.
– Ah, arnaut, – qeshi beu në mëdyshje trazuar me ironi, – mua më pëlqeni shumë se jeni trima dhe të besës.
– Dashamirësia juaj ma lehtëson së tepërmi shërbimin. Kemi dëgjuar për mençurinë dhe shpirtin tuaj të madh, po fjalët që më thatë e tejkalojnë së tepërmi nderimin tonë.
Beu dha urdhër të dilnin, ta linin vetëm me zotin Naço të këmbenin ca fjalë kokë më kokë.
Pas një çasti, në zyrën e madhe mbetën vetëm të dy.
Nikollës i rrihte zemra si e zogut rënë në kurth, po nuk lëvizi nga paraqitja prej zotërie hijerëndë. Kërkonte të lidhte marrëveshje me interesa të ndërsjella, asgjë më tepër. Kishte ardhur më në fund shansi i madh. Do të ishte i zoti ta bënte për vete këtë burrë të djallëzur që e shponte me sytë e shpëlarë dhe nuk kuptohej çfarë bluante në atë kokë pa asnjë fije floku?
Nxori nga çanta prej meshini të zi një statujë kalorësi mbi kalë prej floriri njëzetekatër karat. Damadi e shikoi i mahnitur atë bukuri me vlerë. E mori në duar, e vendosi në dollap poshtë tavolinës, pastaj iu drejtua Nikollës, me sy të zbutur po dukje njëlloj të rëndë.
– Urdhëro e fol, efendi.
Nikolla, me fjalë të zgjedhura, i shpjegoi se bashkëkombësit e tij kanë qenë e do të jenë besnikë të Padishahut. Vendi i tij nuk mund të qëndronte jashtë perandorisë se do ta copëtonin dhe gllabëronin fqinjët që prisnin rastin e volitshëm.
– Ne kërkojmë vetëm lejë të hapim shkollë në gjuhën tonë, – përfundoi Naçua ligjëratën me shprehje të ftohtë, pa lënë asnjë shteg për prapamendim.
– Iradenë e lëshon Sulltani, – u përgjigj prerë këshilltari, – kjo punë nuk është në dorën time.
– Në dorën tuaj është Damad bej se keni dy armë të fuqishme, mençurinë tuaj dhe paratë tona. Ne paguajmë mirë, megjithë zemër.
Beut i bënë përshtypje çiltërsia e arnautit dhe florinjtë që premtonte. Vështroi me kujdes për një kohë të gjatë burrin krenar dhe fodull. Nuk i lëvizte qerpiku i syrit, s’e tradhtonte asnjë lëvizje sado e vogël. Kishte menduar tërë ato ditë se fshehja pas arnautit, ishte maskë e grisur e të panjohurit përballë. Përshtypje e gabuar. Tani u bind dhe ndihej i plotë, pa frikën e ndonjë rreziku të mundshëm. Uli sytë, u mendua. Në ballin e rrudhur damarët blu rekëtinin si pjavica.
Dashkan shkollë në gjuhën e tyre. Kush e ha këtë? Kur të mësojnë e bëhen të ditur nuk do t’u vejë mendja për më shumë? Jo, mor efendi, nuk është kaq e thjeshtë kjo punë. Po të qe kështu, përse paguani?
Ama shihte një mundësi të leverdisshme për t’u pasuruar. Ishte pesëdhjetë vjet, gjersa të hapnin shkollë këta e të mendonin për më tej duheshin edhe pesëdhjetë të tjera. Ku dihet ç’bën Allahu pas një kohe kaq të gjatë?
Pastaj foli me zë të ngadaltë e të ngjirur.
– Kërkesa juaj është me zarar. Kush na siguron se pas kësaj nuk do t’u vejë mendja për të tjera ndërmarrje të rrezikshme, siç kemi dëgjuar të përflitet?
– Zoti Damad, jemi vend i vogël, kemi treguar me vepra besnikërinë për një kohë të gjatë. E ardhmja jashtë shtetit tuaj është e errët. Nuk duhet t’u vini veshin thashethemeve të përhapura nga armiqtë tanë.
– Atëhere pse doni të paguani?
– Për të lehtësuar punë, të mos zgjaten pa fund proçedurat. Ato para janë mbledhur nga një grup njerëzish të pasuruar falë hapësirave që kanë krijuar ligjet e Padishahut. Në se nuk i merrni ju sigurisht do t’i marrë një tjetër. Kjo punë do të mbyllet se nuk i sjell dëm askujt, aq më tepër shtetit tuaj që është edhe yni, – hodhi fishekun e fundit me ton të ftohtë, pa ndonjë ngutje të posaçme.
Mosbesues, i padepërtueshëm dhe kërcënues, beu e shikonte përmes qepallave të rralla ngjyrë kashte. Vetëm me një lëvizje të kokës nëpunësi i fuqishëm i shtetit mund të zhdukte pa nam e nishan Naçon dhe misionin e tij të thyeshëm. Dyluftimi hyri në vragë dhelparake të rrezikshme. Pjavicat ngjyrëvjollcë përmbi ballin e madh të zbuluar u tendosën. Beut po i soste durimi.
Me tipare të zbutura njerëzore, Naçua theu heshtjen e rëndë të padurueshme.
– Zotëri, më lejoni t’ju bëj një pyetje intime?
Tjetri tundi i lodhur kokën në shenjë pëlqimi.
– Sa fëmijë keni?
– Gjashtë djem dhe dy vajza, – buzëqeshi lehtë Damad beu.
– Uroj të kenë jetë të gjatë dhe mendjen e të atit.
Pastaj me sy të mallëngjyer vazhdoi.
– Do t’ju rrëfej një sekret që më torturon prej njëzet vitesh, kur sosi përfundimisht ëndrra e martesës. S’kam fëmijë. Shpirti im është bosh si një rrënojë. Shterpësia është hiçi, shkretëtira dhe shurdhimi i jetës, fëmijët janë ardhmëria. Keni dëgjuar për murgjit e malit Athos në Greqi? Janë dënuar të mos martohen, të mos kenë trashëgimtarë. A mund të përfytyrohet gjëmë më e përbindshme?
Hyra në moshën e pleqërisë. Nuk dua të harrohet emri im si të mos kem qenë kurrë në këtë botë. Diçka e imja dëshiroj të gjallojë pas vdekjes. Kam vendosur të adoptoj të gjithë fëmijët e vendit tim, përndryshe nuk do të mund të vdes, as më tret dheu. Pa shkollë dhe pa dije është më ligsht se pa bukë. Ja pse kam marrë udhët deri këtu, të mos i le fëmijët e mi në errësirë. A nuk do të bënit edhe ju të njëjtën sakrificë për djemtë dhe vajzat tuaja? – përfundoi me vështrimin e ngulur dhunshëm në profilin e lodhur shëmtaraq të Damad beut.
Fjalët e Naços lëkundën nga rrënjët shtetarin e rëndë, e plasaritën dhe zbuluan ciflat e atit të dhembshur me zemër të butë. I donte shumë fëmijët, sidomos djemtë. Djali i madh oficer drejtonte divizionin e kavalerisë së Stambollit, pjesë e gardës perandorake. Ishte i rrezikur në çdo rast. Shpirti i babait dridhej sa herë përmendte të birin. Arnauti kishte të drejtë. Vetëm një zemër e madhe përballet në këtë mënyrë me të pamundurën. Sigurisht ai e di se ky mision mund t’i kushtojë jetën.
Mandej pse t’i shpëtonte nga duart një pasuri e tërë për hiçmosgjë? Ç’do ta gjente shtetin për një shkollë idiote në atë cep të humbur? Veziri e dëgjonte fjalën e tij si askënd tjetër, i besonte logjikës së shëndoshë që e kishte nxjerrë shpesh herë faqebardhë nëpër dava të sëkëlldisura. Sulltani nuk ishte në ditët më të mira. Pushteti i tij kish marrë tatëpjetën. Klanet brenda Portës, grindjet, mosmarrëveshjet dhe era e luftës së afërt zinin kohën më të madhe. Nuk ishtë punë e vështirë të bindej për të firmosur fermanin pa ndonjë rëndësi në rrëmujën e çështjeve të mëdha.
Po, me përvojë të gjatë në vorbulllën e ngatërruar të goditjeve, përplasjeve dhe dështimeve në misione të tilla, Damadi u përkiste atyre që shohin qimen në kashtë. Ata që nuk e donin mund ta futnin përçapjen e tij në të tjera hulli të luftës së vazhduar për pushtet. Do ta këqyrnin në kënde të errëta, do ta zmadhonin rrezikun e kësaj ndërmarrjeje të dyshimtë. Në qarqet e larta të shtetit dhe ushtrisë kishte jo pak shqiptarë. Ata nuk patën kërkuar ndonjëherë mësimin e gjuhës amtare në trojet e tyre. Përse ngrihet një pasanik i panjohur, vjen në Stamboll për një punë të tillë? Çfarë marrëdhënie kishte ky zotëri me ofiqarët arnautë të perandorisë?
Nikolla përpiqej të nuhaste përsiatjet. E pamundur të lexonte shprehjen e pandryshuar të beut. Nuk ishte nga ata që shfaqen lehtë. Maska e fytyrës nuk lejonte askënd të hynte në të fshehtat e mendjes së tij. Me të njëjtën pamje të jashtme, pa u trandur asnjëherë të vetme, çonte në litar njerëz të pafajshëm, apo shtronte udhën për gradime. Jo, nuk qe e mundur ta kuptoje këtë njeri – maskë.
Mjeshtër i marrëveshjeve, Nikolla nuhati se duhej sulmuar me guxim, të mos e linte turkun të merrte frymë e të tirte pa fund pengesa pas pengesash.
– Damad bej, e shoh se u zutë ngushtë. Bëni më të mirën. Në lojë janë njëzetepesë mijë napolona flori. Ju ose dikush tjetër do t’i marrë në çastin kur të dorëzohet iradeja që nuk i bën dëm kurrkujt. Fshehtësia është e siguruar se do të bëhet një shkëmbim i thjeshtë vetëm mes dy burrave. Dëshiroj të jemi unë dhe ti. Përfundimi i misionit më lehtëson shpirtin e zhuritur dhe rrit peshën në sytë e miqve të mi. Ndoshta këtë fat do ta ketë një tjetër.
Goditja e drejtpërdrejtë ngjante me kërcënim për tërheqje. Këshilltari u thye. Nikollakurajoz i mençur, me damarin e sertë të vendit të tij, arriti fitoren e dytë.
– Do të shoh ç’mund të bëj, efendi. Tri ditë si sot do të marrësh xhevapin, po nëse del fjala nuk do të shohësh më as fëmijët, as ata miqtë e tu.
Nikolla qeshi me frikën e dukshme të beut, maskuar dobët.
– Unë jam tregtar zotëri dhe tregtia ka një rregull të fortë e të përjetshëm në gjithë botën.
“Ai që bën kërkesën kurrë nuk tradhton, tjetri nuk dihet ”.
Qeshi edhe beu. Logjika e hekurt e arnautit e qetësoi përfundimisht, dërrmoi ngurrimin e gjatë. U ngrit, zgjati dorën, e përgëzoi si rrallë herë.
– Qenke i zgjuar, efendi. Mua më pëlqen të merrem vesh me burra të tillë.
Nikolla u ngrit, nderoi me përkulje të lehtë pa ndërruar shprehjen e papërcaktuar si përherë, pastaj i tha beut, gërmuqur në zyrën e tij të madhe, vetëm dy fjalë.
– Faleminderit zotëri.
Doli shoqëruar nga Gjergji dhe hyzmeqarët e zyrës së këshilltarit.
Mëngjesin e ditës së tretë Nikolla korri fitoren përfundimtare. Mori në dorë dekretin perandorak. Sulltani u jepte lejë të hapnin shkollë në gjuhën e tyre. Jashtë zakonit dhe natyrës së tij e puthi tri herë me gjithë zemër iradenë, lidhur me fjongo mëndafshi ngjyrë vjollcë, e vendosi në çantën e lëkurës dhe u nis me shpirt të ngarkuar.
Më në fund u groposën degët e kalbura të vetmisë.
Shirat qenë varur mbi det dhe mëngjesi hidhte supeve pelerinën e lagur. Qielli i grizhdë, i pamatë tretej tutje horizontit. Paradita me duart e ujshme përkëdhelte gëzimin e tij. Në trupin e NikollaNaços nuk qarkullonte gjak, po llavë. Ngriti kokën, vështroi hapësirën e murrmë përmbi qytetin e madh.
– Shpirtrat janë si retë, – mendoi, – mbledhin e derdhin.
IstrefHaxhillari
Janar 2008