Zgjedhja e Presidentit nga populli-menyra me demokratike…


Zgjedhja e Presidentit nga populli-menyra me demokratike

dhe me e pershtateshme per Shqiperine.

                    Profesor i Asocuar, Dr. Zef Brozi  

Ka disa muaj qe ne Shqiperi politika dhe gjithe shoqeria shqiptare eshte perfshire ne debatin lidhur me zgjedhjen e Presidentit qe pritet te behet brenda pak muajsh. Mazhoranca e ka shprehur qarte se do te zgjedhe president dike nga lidershipi i PD-s.  Nderkombetaret dhe opozita kerkojne nje president te zgjedhur me konsensus. Shtypi, media, analistet dhe shume te tjere kane rene pre e lojes politike apo e bejne kete me vetedije duke u kapur me shume pas emrave se sa pas principeve.  Per me teper po i behet jehone e perkedhelje nje ish te privilegjuari te diktatures  dhe ish komunisti te demaskuar per korrupsion kur ishte disa here kryeminister.

E gjithe kjo zhurmnaje politike per presidentin, qe mund te kthehet edhe ne nje pazar te felliqur sic ka ndodhur shpesh ne politiken shqiptare, nuk do te kishte vend nese presidenti do te zgjidhej nga populli e jo nga Parlamenti.

Ne kete shkrim dua te jap mendimin tim lidhur me zgjedhjen e Presidentit me  votim direkt nga populli,  si nje nder menyrat me demokratike dhe me te pershtateshme per vendin tone.

Une inkurajoj te gjithe imigrantet shqiptare kudo qe ata jane, e sidomos inteligjencen qe ka mbaruar universitetet ne Perendim, qe te angazhohen me shume ne median dhe shtypin shqiptar, te shfaqin opinionet e tyre dhe te japin sugjerimet  dhe ekspertizen e tyre per te gjitha aspektet e jetes ne Shqiperi, e sidomos per reformat qe duhen bere, perfshire ketu edhe menyren e zgjedhjes se presidentit, heqjen e imunitetit per pushtetaret dhe politikanet etj. Mendoj se ky angazhim eshte nje kontribut qe ne imigrantet japim per vendin tone te dashur.

Mendimi qe disa ne Shqiperi kane pasur se vetem ne republikat presidenciale presidenti zgjidhet direkt nga populli eshte nje teori qe i perket shekullit dhe mijevjecarit te kaluar dhe qe eshte hedhur poshte nga  realiteti i  sotem boteror.  Aktualisht ne mjaft vende, perfshire dhe ato te Europes Lindore, edhe pse ne Kushtetute kane fiksuar formen republikane te qeverisjes, presidenti zgjidhet nga populli.  Edhe shteti me i ri, Kosova, ndonese Republike Parlamentare, e ndryshoi Kushtetuten dhe seshpejti do te beje  zgjedhjen e Presidentit me votim nga populli.

Propozimi qe Presidenti te zgjidhet direkt nga populli nuk eshte nje diskutim a propozim i ri ne Shqiperi.  Edhe ne Komisionin per Hartimin e Kushtetutes ne vitet 1993-1994 ka qene propozuar qe presidenti te zgjidhet nga populli. Besoj se edhe ne vitin 1997-1998 Komisioni  per Kushtetuten e ka diskutuar kete variant. Ne kohe te ndryshme, sidomos kur jane ne opozite, edhe kryetar partish e politikane jane shprehur pro zgjedhjes se Presidentit  nga populli.

Atehere shtrohet pyetja: kush pengoi me 1994, me 1998, dhe kush e pengon edhe sot vendosjen ne Kushtetute qe President te zgjidhet nga populli ?  Pergjigja eshte e thjeshteNe Shqiperi Kushtetuta dhe ligjet diktohen nga interesat  politike.  Nese kjo praktike nuk merr fund, Shqiperia nuk do te arrije te kete as stabilitet kushtetues e ligjor, as shtet te konsoliduar demokratik.

1.Pse duke filluar qe kete vit Presidenti duhet te zgjidhet nga populli?

 Presidenti mendoj se qe kete vit duhet te zgjidhet me votim direkt nga populli ne cdo kater vjet me te drejte rizgjedhjeje vetem edhe per nje mandat tjeter.  Ne kete menyre Presidenti del si perfaqesues jo i nje partie politike, por i shumices se popullit ; ushtron ne menyre me te pavarur kompetencat e tij dhe luan rol aktiv e merr vendime te guximshme sidomos ne raste krizash politike.

Zgjedhja e presidentit nga populli i jep mundesi  te gjithe votuesve qe ata dhe jo kryetaret e dy a tre partive parlamentare te vendosin se kush do jete kreu i shtetit dhe perfaqesuesi i unitetit te popullit.  Kryetaret  e partive nuk mund te perfaqesojne  as unitetin,  as vullnetin e popullit. Partite politike nuk mund te barazohen me popullin sepse ato jane vetem nje pjese e tij, nje fragment i organizimit te tij social e politik.

Zgjedhja e Presidentit nga populli do t’u krijonte mundesi konkurimi te gjithe atyre qe plotesonin kriteret per President dhe qe vendosnin te hynin ne nje gare te tille. Kandidatet do te vinin si nga partite e medha, ashtu edhe nga partite e vogla, shoqeria civile, rrethet mesimore e kulturore, biznesi etj. Kandidatet do te duhej te benin fushate, te benin takime me zgjedhesit dhe te shpjegonin programin e tyre dhe t’u pergjigjeshin pyetjeve te zgjedhesve. Me interes eshte organizimi i debateve publike dhe debateve te drejtperdrejata ne televizion me kandidatet per president. Ne keto debate behen edhe pyetje jo vetem nga ata qe jane prezent ne sallen ku behet debati, por edhe nga publiku i gjere, perfshire edhe shqiptaret qe jane me qindra a mijera kilometra larg, gje qe sot mundesohet nga mjetet  e shumta te komunikimit elektronik.

 

Konkurenca e disa kandidateve dhe komunikimi i tyre i hapur dhe direkt me publikun do te mundesojne qe zgjedhesit te njohin mire kandidatet dhe te kene mundesi te perzgjedhin me te mirin midis tyre.  Pra do te marrin fund menyrat e derisotme te zgjedhjes se presidentit, menyra keto qe shpesh kane qene qesharake, aspak serioze, aspak dinjitoze, e mbase edhe korruptive.  Do te marrin fund edhe pazaret politike midis drejtuesve te partive parlamentare, edhe humbja e kohes per te arritur ne te ashtuquajturin “president konsensual” a gjetjen e nje presidenti kukull ne duart e kryetarit te partise.

 

2.Duhen bere  ndryshimet e nevojshme ne Kushtetute lidhur me zgjedhjen e Presidentit nga populli qe kete vit si dhe per kriteret e kandidateve per president dhe kompetencate e presidentit.

 Po te jete vullneti politik per ta zgjedhur presidentin nga populli, ndryshimet e neneve   perkatese ne Kushtetute jane shume te thjeshta dhe  mund te behen shume shpejt. Me qellim qe t’i vij ne ndihme komisionit qe mund te krijohet per keto ndryshime sugjeroj edhe formulimet e disa neneve me kryesore lidhur me Presidentin.

Mendoj se Neni 86 i Kushtetutes mund te formulohet keshtu :

  1. President i Republikes eshte Kryetar i Shtetit dhe perfaqeson unitetin e popullit.
  2. President mund te zgjidhet vetem shtetasi shqiptar qe nga lindja, qe ka mbushur moshen 35 vjec dhe qe ka banuar ne Shqiperi jo me pak se 10 vjet.
  3. Presidenti zgjidhet me votim te drejtperdrejte e te fshehte nga populli.
  4. Presidenti zgjidhet per 4 vjet dhe me te drejte rizgjedhje vetem nje here.

Sic shihet ne kete formulim sugjerohet qe mosha minimale e kerkuar per Presidentin te ulet nga 40 vjec qe eshte sot, ne 35 vjec. Kjo per faktin se Shqiperia ka nje perqindje te larte popullsie te re ne moshe dhe se u duhet krijuar mundesi edhe grupmoshes 35-40 vjec,kesaj pjese vitale te popullsise, qe te konkurojne per President. Edhe ne Ameriken qe ka sot mbi 300 million banore kufiri minimal i moshes per President eshte 35 vjec. Gjithashtu mendoj se mandate i Presidentit duhet te jete 4 vjet dhe jo  5 vjet sa eshte sot.

Ne vitin 1998 nje Profesor i se Drejtes Kushtetuese ketu ne Washington, DC  dhe njohes shume i mire edhe i Kushtetutave dhe situates ne Europe, perfshire edhe Shqiperine, duke komentuar Projekt-Kushtetuten e vitit 1998 (Kushtetuta  e sotme e Shqiperise) kishte kapur nje detaj te rendesishem te saj: venia e kushtit qe per t’u zgjedhur president personi duhet te kete banuar  10 vjetet e fundit pa shkeputje ne Shqiperi. “Me kete kufizim, tha ai, duket se lideri socialist (Ne ate kohe ishte Fatos Nano) ka frike nga rinia shqiptare qe studion, punon a jeton jashte ne imigracion. Duket se edhe ky projekt nuk i ka shpetuar mendesive e praktikave komuniste…” .  Ndonese venia e kriterit qe personi qe konkuron per president te kete banuar njefare kohe ne Shqiperi eshte i drejte, kushti qe kjo kohe te jete pa shkeputje ne 10 vjetet e fundit eshte i padrejte, aq me teper ne kushtet e vendit tone me nje emigracion unik ne bote sepse me se 1/3 e popullsise se Shqipeerise eshte ne imigracion. Aq me teper ky eshte  shekulli i globalizmit dhe levizjes se lire. Edhe Kushtetuta Amerikane kerkon qe personi qe kandidon per president duhet te kete banuar jo me pak se 10 vjet ne Amerike. Por nuk ve asnje kufizim tjeter se kur duhet te jete ky afat 10 vjecar.

 

Neni 87 i Kushtetutes mund te formulohet si vijon :

  1. Kandidatet per president mund te propozohen nga partite politike, shoqeria civile ose te dalin si kandidate te pavarur.
  2. Zgjedhjet per president behen jo me vone se dy muaj para mbarimit te mandatit te Presidentit.
  3. Nese  asnje kandidat nuk merr me shume se gjysmen e votave te pergjithshme, atehere behet votim i dyte, jo me vone se 2 jave pas shpalljes se rezultateve,ku votohet per dy kandidatet qe kane marre me shume vota ne raundin e pare. Quhet i zgjedhur kandidati qe siguron me shume vota.
  4. Nese ne votimin e dyte kandidatet marrin numer te barabarte votash, atehere te dy kandidatet votohen ne Kuvend dhe kandidati qe merr me shume vota quhet i zgjedhur.
  5. Ne rast se ne votimin e pare ne Kuvend te dy kandidatet marrin numer te barabarte votash, behet votim i dyte brenda nje jave. Ne rast se edhe ne kete votim rezultati i votave eshte i barabarte, shperndahet Kuvendi dhe behen zgjedhje te reja per Kuvendin dhe Presidentin.
  6. Presidenti qendron ne detyre deri ne zgjedhjen e Presidentit te ri.

3.Mendoj se duhen rishikuar edhe disa kompetenca te Presidentit me qellim qe te mos jete thjesht nje figure pa tagra pushteti.

 Me kryesorja mendoj se duhet te ndryshoje Neni i Kushtetutes qe ka te beje me veton e Presidentit per ligjet dhe duhet sanksionuar qe ne rast se Presidenti ia kthen ligjin Parlamentit per rishqyrtim, ky ligj mund te miratohet me jo me pak se 2/3 e gjithe deputeteve te Kuvendit. Sot ne nje rast te tille Kuvendi e miraton ligjin e kthyer nga presidenti me shumicen e thjeshte te anetareve te Kuvendit. Nje zgjidhje e tille e ben veton praktikisht pa asnje vlere.

Prandaj mendoj qe Neni 85 duhet ndryshuar dhe mund te formulohet keshtu :

  1. Presidenti i Republikes ka te drejte ta ktheje ligjin per rishqyrtim vetem nje here.
  2. Ligji i kthyer nga Presidenti per rishqyrtim mund te miratohet nga Kuvendi kur per te votojne jo me pak se 2/3 e te gjithe anetareve te Kuvendit.  Ne kete rast Presidenti nuk ka me te drejte ta ktheje per rishqyrtim kete ligj.

Mendoj se do ishte mire qe Garda e Republikes te ishte ne varesine direkte te Presidentit dhe komandanti i saj te emerohej dhe shkarkohej nga Presidenti dhe Garda te mos jete ne strukturen e varesine e Ministrise se Brendeshme a te ndonje ministrie tjeter.  Gjithashtu mendoj se do ishte efektive qe ne rastet kur per shkak te implikimit te qeveritareve ne korrupsion, ne akte te renda diskredituese dhe ne pengim te organeve te Drejtesise, Presidenti te kete te drejte te shkarkoje kryeministrin a ministra te vecante.

Sefundi, mendoj se per keto ndryshime kushtetuese lidhur me zgjedhjen e  Presidentit nga populli  nuk ka asnje nevoje per te humbur kohe me eksperte konstitucionaliste te huaj, madje as me Komisionin e Venecias a institucione te tjera.  Qe zgjedhja e Presidentit nga populli eshte rruga me demokratike kete e dine te gjithe shqiptaret, perfshire edhe fshataret e zonave me te thella. Prandaj shqiptaret (me perjashtim te ndonje pushtetari te inkriminuar) nuk kane me nevoje per leksione a keshilla per kete ceshtje. Kjo duhet bere edhe per te kursyer parate e taksapaguesve Perendimore ne kete periudhe te veshtire ekonomike, edhe per te mos u marre kohen e cmuar  institucioneve nderkombetare dhe ekperteve te huaj.

Dhe me e rendesishmja eshte se sot  Shqiperia  ka eksperte shume te mire per Kushtetetuten, ligjet dhe fusha te tjera, te cilet  edhe kane studiuar, ose jane kualifikuar, ose edhe kane punuar ne institucione nderkomebtare dhe lexojne edhe literature ne disa gjuhe te huaja. Shqiperia ka nje potencial te madh intelektual edhe ne imigracion sepse me mijera imigrante kane perfunduar universitetin ne vendet Perendimore ku jetojne. Politikanet dhe shtetaret e Shqiperise duhet t’i angazhojne ata dhe t’u marrin mendimin e tyre te kualifikuar per problemet e shumta dhe reformat qe duhen bere ne vendin tone. Ne Tirane eshte edhe ish Gjykatesi i nderuar i Gjykates Europiane te te Drejtave te Njeriut dhe ish anetar i Komisioneve  te Kushtetues. Politikanet dhe pushtetaret shqiptare duhet te kene me shume besim ne pasurite  e cmuara intelektuale qe ka sot vendi yne dhe ta degjojne realisht zerin e tyre. Atehere edhe Kushtetuta, edhe ligjet do jene per Shqiperine e jo per interesat e individeve a partive, do te jene me demokratike dhe me jetegjata.

 Washington, DC,  21 Prill 2012

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *