TESTAMENTI I SAMI REPISHTIT

(“Idetë fisnike nuk shuhen asnjiherë”)

 

NDUE DEDAJ

 

Testamenti i Sami Repishtit nuk është ndonjë akt noterial për lënie pasurie trashëgim, as bankë me dollarë për dembelët e fajdexhinjtë. Është Shqipëria siç ka qenë e siç është. Shqipëria si dashuri dhe si ëndërr. A nuk thotë ai “Jam krenar që kam lindë shqiptar”! Vetëm pak ditë më parë në një të përditshme u botua një shkrim i gjatë i tij, i titulluar thjeshtë: “Refleksionet e një 90-vjeçari”, që në të vërtetë ishin gjykime të mprehta e kurajoze për njëqind vitet e shekullit XX dhe çerekshekullin e fundit në shoqërinë e hapur. Një sintezë nga më të veçantat e bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët nga një bashkëkohës që e sheh dheun e tij me sytë e Perëndimit. Është një zë që dëgjohet prej kohësh, qysh se kumtet e tij amtare nuk do të ishin më të ndaluara ta kalonin Atlantikun. Ka disa shtysa një njeri për të shkruar, por zoti Repishti ndjen dhe një detyrim më shumë, siç thotë ai, me fol si dëshmitar për të gjithë ato viktima të qelive të errëta të burgjeve komuniste që nuk patën mundësi me fol. Në Nju Jork, ku ai rron për më shumë se një gjysmë shekulli, kohët e fundit u mbajt një konferencë nga bashkatdhetarët kushtuar figurës së tij, kurse në Tiranë nuk dimë të jetë bërë asgjë në nderim të këtij personaliteti të dorës së parë të botës shqiptare, bashkëkohës me Martin Camajn dhe i të njëjtës ravë disidente me të, ikjes nga Shqipëria e izoluar komuniste drejt tokës së lirë. Ashtu siç ishin arratisur drejt lirisë dhe Arshi Pipa, Zef Nekaj, Bilal Xhaferri etj., që ne ende ngurrojmë t’i quajmë disidentë, duke u përdjerrur në anën teorike se ç’thonë përkufizimet për disidencën. Sami Repishti nuk e kishte ëndërruar kurrë fatin që e (për)ndoqi, ai kishte qenë student në Firence për Histori, por ishte kthyer në kohën e Luftës si mjaft studentë të tjerë antifashistë. Por “revolucioni proletar” bolshevik nuk kishte nevojë për shëmbëlltyra idealiste si ai, rritur në klimën kulturore qytetare shkodrane, me rrënjë në traditën vendase dhe atë klasike europiane, ku binte pianoja njëlloj si në Vjenë e Paris dhe ku hakmarrja politike nuk ishte në natyrën e qytetit të virtytshëm të Rozafës. Nuk ishte pra faji i Samiut që nuk mund të dilte nga vetja, ashtu si e gjithë elita e kultivuar shqiptare e gjysmës së parë të shekullit XX. Në biografinë e tij shkruhet: “Me ardhjen në pushtet të regjimit komunist Samiu punon në sektorin e Rindërtimit. Themelon një organizatë të Rinisë Demokratike që shpërndante trakte dhe i dorëzon një memorandum një deputeti anglez që vizitoi Shkodrën, ndihmon familjet e të arratisurve, merr pjesë në proçesionin e varrimit të Arqipeshkvit “antikomunist” Imzot Gaspër Thaçi etj. Kaq duhej që t’i piqej kulaçi shpejt e shpejt njëherë e përgjithmonë. Në tetor 1946 forcat e Sigurimit i vënë prangat me akuzën “Agjitacion e propagandë kundër shtetit” dhe dënohet me 15 vjet burgim politik në Shqipërinë e “demokracisë popullore”. Do të ketë qenë i ati ndonjë kolaboracionist (bashkëpunues me pushtuesit), s’ka si të jetë ndryshe? po mund thotë ndokush. Por në të vërtetë ka qenë krejt e kundërta. Vetëm tre vjet më parë se të niste kalvari i Samiut, me 1943 kishte patur një episod tragjik në familjen e tij. I ati, një figurë e njohur shkodrane e kohës, ish-deputet në Kuvendin Kombëtar, strehon në shtëpi një nip të tijin me ide komuniste, për çka autoritetet fashiste e arrestojnë dhe e torturojnë deri në vdekje, duke i mbetur barra e shtëpisë mbi supe të birit njëzet e një vjeçar. Brenda një kohë të shkurtër Samiu kishte parë shkëlqimin e vet studentor fiorentin dhe trandjen e madhe familjare, sociale e politike në atdhe. Asnjë regjimi nuk i nevojitej njeriu fisnik, për më tepër që tashmë kishte ardhur koha e njeriut ideologjik. Dhe vjen një ditë e Samiu arratiset në Jugosllavi në vitin 1959, pastaj kalon në Itali dhe nga viti 1962 vendoset në Amerikë.

Ishte e mjaftueshme kjo situatë e shkatërrimit të dinjitetit njerëzor që Sami Repishti të përcaktohej si një misionar i të Drejtave të Njeriut, duke organizuar në Amerikë konferenca për Kosovën që nga viti 1965 e mbrapa. Jetëshkrimi i tij është një roman ngjethës antidiktaturë, si i gjithë të arratisurve politikë nga Lindja në vendet e demokracisë reale, por ajo që duam t’i përcjellim lexuesit është se ky lloj misionari kombëtar është duke folur e shkruar pareshtur për Shqipërinë, ngaqë ka besim se mund të gjenden njerëzit për ta bërë atë. “Unë besoj se në Shqipëri ekziston elementi i fortë, i aftë me dëshirën të ndihmojë vendin me ec përpara.” Një optimizëm të tillë ai e bazon te shembulli botëror i mëshirës së nobelistes shenjte Nanë Tereza, shembulli i shkëlqyeshëm i arritjeve shkencore të nobelistit Ferid Muradi, shembulli i përsosmërisë artistike dhe krijuese në fushën e letërsisë botërore të nobelistit të ardhshëm Ismail Kadare, si dhe arritjet e shumta të shqiptarëve të shpërndarë nëpër botë në fushat e tyre të veprimit. “Legjone për t’u admirue. Në një Shqipëri të lirë, demokratike dhe përparimtare këta shembuj shkëlqimi nuk do të mbeteshin të kufizuem. Dhe ky asht nji përparim i vërtetë”, konkuludon në refleksionet e tij veprimtari, historiani dhe publicisti mendjehapur, duke të kujtuar Luigj Gurakuqin prijetar të mendimit e veprimit kombëtar etj. Por, i dashur profesor Repishti, nëse na lejohet, këtyre që thoni ju mund t’iu shtohen dhe plot të rinj që në dekadat e fundit kanë kryer arsimin e lartë e specializime brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe punojnë këtu si profesionistë të ekonomisë, projekteve të zhvillimit, jurisprudencës, politikës së jashtme, mjeksisë, arsimit, psikologjisë e të tjerë – problemi është se kjo elitë e re individësh të formuar nuk ka terrenin politik të përshtatshëm për ushtrimin e aftësive të tyre në nivel europian. Ngaqë në Shqipëri nuk ka një politikë sipas parimeve të demokracisë dhe, siç vëreni ju, “elita politike” e vendit nuk ka qenë në gjendje me e tejkalue dogmatizmin ideologjik për hir të bashkimit kombëtar. Refleksionet analitike të Repishtit 90-vjeçar përsa i përket shtetit dhe historisë janë po dorashka ideologjike, siç ndodh rëndom këtej ku mbahet krah. Ai argumenton shkaqet se pse nuk është nji “rastësi” që Shqipëria nuk pati mundësi me vendos themelet e një shteti të lirë, të pavarur, demokratik dhe ekonomikisht të zhvilluar, shtet ligjor me institucione, duke mbetur te një shtet i kapriçove individuale, siç vazhdon të jetë edhe sot. Sipas tij një varg zhvillimesh kritike kundrarrjedhë e kanë kushtëzuar këtë, si tronditja e shtetit shqiptar të 1912-s nga rrymat aventurore që shkelën premtimin e “asnjanësisë”, një Komision Ndërkombëtar dhe një mbret i huaj i imponuar nga bindja e Europës se ne shqiptarët jemi të paaftë për vetëqeverisje; okupimet austriake, italiane, franceze, greke, serbe e malaleze të Luftës I Botërore, moslejimi nga ana e Fuqive të Mëdha i bashkimit të trojeve shqiptare, ndërkohë që pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve (dhjetor 1920) vuri themelet e para si shtet i lirë dhe i pavarur, duke bërë që Shqipëria të hynte në “Histori”. Pati në vijim përpjekje shumëvjeçare për të ngritur shtetin, vendosur rendin, krijuar legjislacionin dhe parlamentarizmin, por që gjithsesi gjatë mbretërisë u “institucionalizue vorfnia”, çka solli “varësinë tonë politike”. Analisti vëren se agresioni fshist i 7 prillit 1939 e nxori Shqipërinë jashtë “Historisë” dhe zbuloi dobësitë tona që ishin: largimi i palavdishëm i Mbretit, mungesa e atdhetarizmit në radhët e oficerëve, korrupsioni i zyrtarëve që pranuan pushtimin (sidomos deputetët), varfëria e madhe e viteve të Pavarësisë, çka dobësuan fibrën e rezistencës dhe i mohuan Shqipërisë një rast të shkëlqyer për me tregue guximin tradicional kundrejt një force ushtarake që më vonë i vlerësua si e paaftë. “Rezistenca e lavdishme dhe kolaboracioni i turpshëm ishte binomi i viteve të Luftës”, shkruan profesori paanësisht. Pritej të ndodhte ndryshimi, por sipas tij me ardhjen e regjimit komunist në Shqipëri, nandor 1944, boshti i traditës shqiptare u thye në mënyrë të pariparueshme, duke e quajtur fitoren e PKSH-së “një vetëvrasje kombëtare”, që “historia do ta gjykojë randë”. Shqipëria, duke rënë nga njëra diktaturë në tjetrën, humbi shansin e madh për t’u rikthyer në “Histori” me 1991-1992. Dëshpëruese por e vërtetë, gjë që shihet dita-ditës në zhvillimet kaotike të shoqërisë së sotme. Disa herë gjatë testamentit të tij shpirtëror, moral dhe politik autori i mëshon idesë së “forcimit të një identiteti shqiptar kolektiv”, duke e pasuruar vetëdijen e njerëzve me humusin e traditës dhe vlerat e qytetërimit euro-atlantik, larg ndasive politike, fetare, krahinore e shoqërore që nuk u “zhdukën” me kalimin e kohës.

Testamenti i Repishtit, sa i thjeshtë për nga fjalët, aq i vlertë për kumtin që përmban. “Vllazën e motra, mjaft me luftën kundër njëni-tjetrit dhe me deskreditimin e shoqi-shoqit. Po të vazhdojmë kështu nuk arrijme natltësitë e dëshirueme. Po nuk arritëm bashkimin tonë shpirtënor, nuk mund të ecim përpara”. Një kambanë që bie qysh nga Rilindja e këndej, por që kryekrejet është politika që nuk e dëgjon. Jo se nuk ia do dhe ajo të mirën vendit, por më parë do të mirën e vetes. E prapë idealistët e mëdhenj bëjnë detyrën e tyre, do të thoshim presidenciale, duke iu kujtuar bashkëkombasve rrugën për nga dinjiteti njerëzor, si dhe duke i qortuar ata për vonesat dhe deformimet e historisë dhe të sotmes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *