Ne foto : Viktor Kasimati
Nga Agim Xh. Dëshnica
Jeta, kujtime.
Shumëkush si një udhëtari lodhur, pas një shtegtimi të gjatë, hedh vështrimin në udhën e përshkuar e përpiqet të gjejë vendin nga u nis. Vë re, në largësi vetëm një tis të përhimtë resh në trajta malesh, që ndryshojnë ngjyrat e shuhen diku, siç dodh me vitet. Në ato çaste kujton muajt e vitet, kur hidhërimet mposhtnin, edhe gëzimet e rinisë, ndjen në shpirt përsëritjen e tyre, diçka të kundërt nga thënia e poetit fiorentin, përfytyron një rreshtim të gjatë njerëzish, që nis nga gjyshi e vijon me brezin e pasardhësve. Pas tyre shokët e shkollës, bashkëpunëtorët e mirë në jetë e në punë.Të tjerët, misteriozët e asaj kohe të vështirë.i fshin nga kujtesa, siç ngjet me erën e gjethet në vjeshtë, ashtu sivalët mbi gjurmë në ranishte,
Shkollat shqipe.
Aty nga vitet e mashtrimit të madh 1945 e 1946, shkollat u hapën si ato të paraluftës, madje me librat cilësorë të asaj kohe të tronditur nga lufta boterore. Pas shkollës fillore me pesë klasa,në Tiranë vijonte Gjimnazi me tetë klasa, i ndarë në degët reale dhe klasike, më pasu prish, Më tej u vijua me uniket me tre klasa, shkollat e mesme me katër klasa, një prej tyrembajti emrin e pashpallur Gjimnazi “Qemal Stafa.”
Në krahun e djathtë të rrugës së Elbasanit, gjatë vitit shkollor 1945-1946, degjoheshin zërat e nxënësve të shkollës fillore me emrin e trashëguar e kuptimplotë“Kosova.” Aty mësonin zakonisht fëmijtë e familjevetë kulturuara, me banim në Tiranën e Re. Në klasën e pestë, diku në rreshtat e para, ulej një djalë me shtat mesatar e pak i hequr e me tipare fisnike, Viktori nga fisit i Kasimatëve, i lindur në muajin e luleve më 1935. I vemendshëm në mësime, i gatshëm në përgjigje, i dashur e bujar me shokët e çdo niveli, i pashkëputur nga shokët në argëtimegjatë pushimeve. Një ditë mësuesi i ri i fesë, sapo hyri në klasë për mësimin e parë të edukatës islame tha, se kushdo që dëshironte të dëgjonte mësimin e tij, mund të rrinte. U ngrit një vajzë me flokët kaçurel, e veshur me fustan të hollë e me pala ngjyrë rozë dhe foli, “unë nuk besoj” e doli me kokën lart nga klasa. Më vonë do të shquhej si balerinë. Askush tjetër nuk lëvizi nga vendi, as Viktori, i cili deri në vitet e fundit, në ditën e parë të Bajramit ndodhej ndërmjet besimtarëve para xhamisë së Et’hem Beut dhe uronte miqtë e vet. Siç dihet pas disa kohësh mësimi i fesë u ndalua. Familjes së balerinës ia shtetëzuan vilën me pishinë e lulishte. Viktori vazhdoi shkollën me nota të shkëlqyera në Uniken-3. Ndërtesa klasike e shkollës më parë shërbente për Muzeun Historik dhe Etnografik. Në oborr dergjeshin rreth e rrotull shtatore pa kokë, parzmore, mburoja e basorelieve mermeri të nxirra nga koha, të zbuluara nga arkeologët anglezë e italianë në Durrës, Apoloni e Butrint. Në kohën e pushimit mbiparzmoret e mburojat e gurta, uleshin nxënësit e hanin nga pesë biskota nga ndihmat e UNRA-s. Siç dihet shpeshherë në shkollë gjatë javës, kishte edhe ditë me ngjarje gazmore për të gjithë. Në stinën e ftohtë të dimrit apo në ditët me shi, ndalej para portës së shkollës një pajton i mbuluar, ku ishin mbrehur dy kuaj. Papritur u duk tek zbriste nën çadër Viktori i përcjellë nga nëna e mirë e fisnike. Mjaftonte kaq. Të nesërmen në gazetën e murit, ku bashkëpunonte edhe Viktori, shihej karikatura e një djali nën shi të strukur nën jorgan. Ditën tjetër do të mblidheshin para gazetës shumë vetë për një shkrim gazmor të Vikorit, ku tregohej sesi mësuesi i diturisë së natyrës, teksa shpjegonte mësimin për zhuzhakun, iu drejtua “piktorit” K. D, që kruante veshinm, “ç’e ke atë vesh, more djalë, minierë ari? “ Më pas Viktori mbaroi gjimnazin “Qemal Stafa”, i rreshtuar me maturantët, që do të shquheshin në jetë, në degët, siç qenë ekonomia, fizika e kimia, ndertimi e arkitektura, shendetësia e sporti, si Shefqet Ndroqi, Petrit Radovicka, Barjam Preza, Osman Kraja,Viktor Kasimati, Besim Daja, Egon Gjadri, Zihni Gjinali e Rexhep Spahiu etj. Në fushën e letrave: Jakov Xoxa, Mustafa Grablleshi, Mihal Hanxhari, Petro Zheji, Fatos Kongoli etj. Artistë, si Naim Frashëri, Sandër Prosi, Robert Ndrenika etj. Piktorët, si Nexhmedin Zajmi, Sali Shijaku, Ksenofon Dilo etj.
Kasimatët.
Viktori ashtu si kishte emrin, ashtu ka mbetur, i paharruar përjetësisht. Ky trashgimtar, që nis nga një brez jurishtesh, inxhinerësh, doktorësh e dijetarësh atdhetar. Këta shqiptarëtë aftë, me studime në Paris, Romë, Stamboll, patën fate nga më të ndryshmet, disa mbijetuan, disa humbën jetën në mënyrë tragjike, por kujtimi e veprat e tyre jetojnë. Gjyshi nga nëna, ishte Sulejman Delvina, Kryeminisri i zgjedhur nga Kongresi i Lushnjës. Gjyshi nga i ati, qe juristi libovit Abdurahaman Kasimati, babai i pesë fëmijëve, të gjithë me shkollë të lartë, në shërbim të atdheut. Ndër ta, ing.Refi Kasimati, i ati i Viktorit, i diplomuar ne Paris me punë në Ministrinë e Punëve Botore, ndërsa Sabiha Kasimati biologe e diplomuar në Romë, me punë në Institutin e Shkencave. Nëromanin “Nëntori i Kryeqytetit”,përshkruhet mjeshtërisht kryeqyteti, qëpo binte në duart e brigatave çlirimtare, me trokitje natën, rrëmbime e vrasjepa gjyq në zonën lindore të qytetit apo në Tiranën e Vjetër. Ishin ditë paniku, ndaj disa familje nëpunësish të vjetër, po linin qytetin. Në romanin “Nëntori i një kryeqyteti”, ndër të tjera shkruhej…”po ikin, po ikin Kasimatët!” Por, në portën e tyre në Tiranën e re, trokitën, vetëm tre ushtarë gjermanë me automatikë të cilët kërkuan pianon e shtëpisë, vetëm sa për një natë. Kasimatëve s’u kishte shkuar as ndër mend, të merrnin më kot udhët e mërgimit. Përse duhej të ikte me familjen ing. Refiu, aq i nevojshëm për rindërtimin e vendit, të dëmtuar nga lufta? Po dijetarja, Sabihaja, e paharruara, pse duhej t’i linte punimet në Institutin e Shkencave? Po dy vëllezërit, njeri mjek, aq i kërkuar në atë vit e tjetri jurist?
Krim e ndeshkim barbar.
Mesa kuptohet, në atë ikje imagjinare, paskësh qenë Sabihaja e gjorë, e kthyer në vitin 1945, për t’u masakruar mizorisht në mesnatën e ftohtëtë shkurtit 1951, për një bombë të hedhur nga Sigurimi në oborrin prapa Legatës Sovjetike, që plasariti disa nga xhamat e pasme të ndërtesës. Kumti i saj jeton edhe sot: “evolucioni është në natyrën e gjërave. Me dhunë nuk shkohet dot as në socializëm, as në demokraci; shkohet drejt shkatërrimit.”
Para disa vjetësh shkruesi ikëtyre radhëve, u kishte kushtuar, këto vargje të dhimbshme viktimëve tëasaj nate vrastare. Jepet vetëm një fragment:
“Erzeni trishtueshëm te Urë e Beshirit rrjedh,
e sillet e shtillet vorbull, te bregu nën gjeth.
Me zhaurimë në zall, mbi bar hedh lot-stërkala
sado krim në terr, me pëshpërimë përhapet fjala…
Dritaret e hijet, dushqet e shkurret, tregojnë,
për gropë martirësh në heshtje dhe gurët vajtojnë.
Dhe toka e zezë për njerëz të mirë pa faj,
ndër tela me gjemba thurur gjallë, skaj më skaj.
Nga gropa, nga gropa, shpirtrat fluturuan lart,
Me fllad Perëndie uqetua çdo lëngatë.
Një ëngjëllore, nimfa e gjallërisë ujore,
Sabi, Sabihaja, puhiza mëngjezore!
Në lumenj, det, oqean, dëgjohet thirrja e saj,
shpirti fëminor endet livadhesh në parajsë.
Mërmërojnë valët: Sabi! Sabi! Sabiha!
Buçasin dallgët: Sabiha! Sabiha! Sabiha!
Erzeni u zgjua, te urë e Beshirit rrjedh,
e sillet e shtillet nën lule e gjeth,
me zhaurimë në zall e mbi bar hedh lot-stërkala,
për krime terri me oshëtimë përhapet fjala!…”
Në atë kohë kur diktatura gjaksore u step nga jehona e krimit, Viktori mbushte 16 vjet. Dy vjet me vonë, më 1953, pranohet pa kundërshtim në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e inxhinerisë së ndërtimit, të cilin e përfundoi, si përherë shkëlqyeshëm, më 1958. Nxënësit e besueshëm edhe me nota nën mestaren, dërgoheshin jashtë shtetit në Universitete, në Moskë, Varshavë, Budapest, Bukuresht, disa në Romë apo Paris. Viktori nuk e pati atë fat, s’u dërgua në asnjë shkollë të huaj, sado i pari në mësime dhe zotërues i gjuhëve frënge dhe italiane, ashtu si gjatë kohës së punës, përdorues i anglishtes e rusishtes.
Emërimi në ndërmarrjet e institutet e ndertimit.
Për emërimin në punë, siç dihet u shqyrtuan dokumentet që tregonin prejardhjen e rrethin e tij familjar. Diplomës që dëshmonte për aftësitë e tij, mesa kuptohet, iu hodh një sy i ftohtë. Ndryshe nga shumë të tjerë, pas mbarimit të studimeve më 1959, u caktua në degën teknike të Ndërmarrjes së Ndertimit, me emrin shifror “21 Djetori”. Kjo nofkë pa vlerë, sipas forcës së zakonit, përdoret edhe sot nga shumë vet, pa e ditur, se bëhet fjalë për ditëlindjen e një diktatorit të egër sovjetik. Aty ku kryqëzohet rruga e Kavajës me Unazën, ndodheshin dikur, zyrat e asaj ndërmarrjeje. së bashku me kantierin e qendrës, me disa reparte, si zdrukthtaria për dyer e dritare, oficina e automjeteve dhe një park kamionash ndërtimi etj. Në degën teknike ing.Viktori punoi afërsisht dy vjet, për kontrollin teknik të ndërtimeve në Tiranë. Pastaj u transferua në Kombinatin e Materialeve të Ndërtimit në Laprakë, përgjegjës i laboratorit që merrej me analizat e çimentos, ranës dhe betoneve. Mandeju ngarkua nga Ministria e Ndërtimit, të kryentestudimin dhe eksperimentimin e betoneve të paranderur, një detyrë kjo, mjaftëe vështirë dhe me përgjegjësi. Kjo punë kërkimore e panjohur deri atëhere në vendin tonë, synonte përgjysmimin e hekurit në betone, me anën e tërheqjes së hekurit në të ftohtë. Pas provave të shumta me ngarkesë u arrit qellimi i caktuar. Në bashkëpunim me Institutin e Teknologjisë së Ndërtimit, kjo punë e re, u shpërnda, edhe në rrethet e tjera. Për disa kohë Viktori drejtoi, edhe byronë teknologjike të Kombinatit. Por, gjatë punës nuk iu ndanë shqetësimet nga ndërhyrjet e gabuara nga lart, edhe në betonet e zakonshme, me rrjedhoja të rrezikshme. Ndryshe nga arkitektët e pafuqishëm, kundër ndërhyrjeve, ing. Kasimati, me urtësinë e njohur, nuk lejoi asnjë ndryshim në konstruksionet betonarme. Kështu, kur arkitektura në botë përparonte, në vendin tonë, duke filluar nga kryeqyteti, u panë ndërtesa të rëndomta, me paraqitje aspak të hijshme nga jashtë dhe me mungesa të shumta brenda. E kundërta ndodhi me qendrushmërinë e tyre, falë plotësimit të kushteve teknike, sidomos për betonet për të cilat punoi me vendosmëri inxhineri konstruktor.Viktor Kasimati, Ai merrte pjesë në çdo mbledhjet teknike dhe bashkëpunonte me kënaqësi me ekonomistët. Emri tij shënohej rregullishtnë komisionet për hartimin e manualeve të Ministrisë së Ndërtimit.Në fabrikat e sheshet e Kombinatit punohej lodhshëm me tre turne. Me materialet e ndërtimit, furnizoheshin kantieret, që merreshin me ngritjen e banesave standarte. Ndërkohë u vu re një drejtim i ri, siç ishte ndertimi ifabrikave të reja të industrisë së rëndë, si Uzina e Traktorëve, Uzina e Tankave, Kombinati Metalurgjik dhe se fundi bunkerët e mbrojtjes për ushtrinë. Kjo marrëzi poltike dhe ekonomike e planifikuar, u mbyll me shembjen e sistemit socialist dhe fundin e diktaturës. Por, shqetësimet ing.Viktorit, nuk i ndaheshin, edhe nga ata, që dergonin letra lart. Kështu një tornitor poet, i kthyer pa diplomë nga kryeqyteti i një vendi lindor, përveç punës së mekanikut, nisi të mblidhte poshtë e lartë të dhëna për çështje ndërtimore. Shpeshherë në bisedë e sipër pyeste dhe shënonte shpjegimet që lidheshin me paranderjen. Viktori i dashur me të gjithë, ia përshkruante atë teori, pothuaj me terë hollësitë e saj. Të gjitha këto mjaftuan që mekniku poet, t’i dërgonte kryeministrit një letër të rrezikshme, ku ankohej, se burokratët dhe teknokratët, si Viktor Kasimati e dikush tjetër e kishin penguar të ecte përpara për të mësuar mjeshtrinë e betonimeve. Papritur në një mbledhje në Kombinat, u duk ministri i ngrysur e i rreptë i ndërtimit R. Hanku. Pas pyetjeve e përgjigjeve, u sqarua gjithçka. Pak më vonë, aty nga viti 1974, ing.Viktori Kasimati, i ngujuar katërmbëdhjet vjet rresht me punë në Kombinatin e tymosur nga pluhuri dhe intrigat, iku triumfues i emëruar në Institutin e Studimeve e Projektimeve të Veprave Hidroteknike, për t’u marrë me kërkime të tjera. Në romanin, siç u tha më lartë, pas një viti shkruhej: ”po i kin, po ikin Kasimatët!”
Ngadhnjimi i kohës së ëndërruar.
Më 1992 ing.Viktori është punonjës i Institutit të Teknologjisë së Ndertimi, mandej drejtor i tij. Mjerisht,edhe sotlexojmë në shtypin e përditshëm shkrime të gabuara për vlerën e betonimeve. Shumë vetë shqetësohen nga këto emërtime të frikshme gazetarësh. Ndërtimet me betonarme në vendin tonë të pasur me gurë e të varfër me drurë, janëe vetmja mundësi për ngritjen e porteve, digave, urave, banesave etj. në përputhje me kushtet teknike të miratuara shkencërisht nga specialist,si ing.Viktori me bashkëpunëtorët e tij. Shkelje të rënda vihen re vetëm në arkitekturë me projektime e ngritje pallatesh shumëkatëshe me probleme të vështira, mbi një plan urbanistik të gabuar. Ngadhnjyese del në çdo rast, përvoja e ndihmesa e ing Viktorit dhe e konstruktorëve të tjerë. Shembujt janë të shumtë, kur pas tritolit inatçor, ndërtesa qendron më këmbë e patundur, si emri i dashur Viktor, Victorious, Fitimtar.
Nga viti 1992 më 1997, veprimtaria e re e ing.Viktor Kasimatit, ishte detyrae drejtorit të Drejtorisë së Marrëdhënieve Ekonomike në Ministrinë e Jashtme. Pra, pas një përvoje te gjatë, do të punonte me ide të reja ekonomike, me shërbime në shtete, si Greqia, Italia, Franca, Austria, Gjermania, Turqia etj. Ndërkohë u realizua edhe një ëndërr e shuar e rinisë së vështirë, për të kaluar kufirin imagjinar midis robërisë dhe lirisë, tok me diplomatët në takime ndërkombëtare.
Shkurt veprat e ing.Viktor Kasimatit:
Kontrolli teknik i materialeve të ndërtimit dhe veçanërisht i betonit, çelikut, betonarmesë dhe materialeve të tjerë me bazë çimentoje.
Projektues në Sektorin e Porteve detare. Ka marrë pjesë në hartimin e projekteve të :Kalates lindore në Portin e Durresit ( kalata, sheshe,rrjete inxhinierike, rrugë, hekurudha, etj.)
Thellimet në Portet e Durrësit, Shëngjinit e Vlorës.
Projekt–idesë së plotë të Portit të Ri të Vlorës.
Projekt-Organizimit të Punimeve për ndërtimin e skolierës perëndimore në Portin e Ri te Vlorës.
Pontilit ne Himarë.
Ne studion “Port Projekt”:
Nga viti 1999 më 2010: Inxhinier për projektim portesh në studion “Port-Projekt”, konsulent e projektues.
Ka marrë pjesë në hartimin e projekteve:
Për rikonstruksione dhe ndërtime në Portin e Shëngjinit (Kalata, sheshe, skoliera, thellime).
Për ndërtimt e reja në Portin e Sarandës (kalata dhr sheshe).
Projekt–ide e infrastrukturës portuale për përpunimin e produkteve të naftës dhe të gazit të lëngshëm në Porto-Romano në Durrës.
Ndryshime dhe azhornime në zgjerimin e kalatës në molin “O” në portin e Vlorës.
Për ngarkesat e projektimin e strukturave të ndërtesave civile dhe industriale.
Për studimin e veprimit të erës mbi strukturat e ndërtimit.
Projektimi i strukturave beton arme të ndërtesave civile.
Artikuj shkencorë në shtypin e viteve 1961- 1973.
1961- Shkallët e montazhit, soletat e paratensionuara
1962- Shkallët e montazhit, godina montazhi dy katshe të parafabrikuara
Stylla në formë ” T” prej beton armeje të paranderur për armatimin e galerive të minierave.
Kollona me shtylla cilindrike b.a. Kapriata dhe trarë vinç-urë b.a të paranderura. Soleta “F” të paranderura. Soleta “V” të paranderura për hapësira deri 15m.
Parafabrikatet në masë të tipizuara, prioritet i paranderjes para betonimit.
1973- Për prodhimet e nevojshme, adaptimi i reparteve ekzistues ose ngritja e reparteve të reja. Ngritja e një vinçi CAP dhe zgjerimi i poligonit të parafabrikateve.
Disa mendime të trishtuara.
Duke u njohur me tërë këtë vepritariprej dijetari atdhetar,kurhedh një sy të shpejtë në vëllimin-2, të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, përgatitur nga Akademia e Shkencave, me qendrim te qartë opozitar, edhe më 2008, ndihetfryma e rëndë e luftës së klasave. Nga fisi i Kasimatëve me një shkrim tepër të varfër, përmendet sa për te kaluar radhën, vetëm Sabiha Kasimati, vajza shkencëtare, fama e cilës ka kaluar kufijtë e Shqiperisë, shumë vite më parë. Në atë Fjalor Enciklopedik, të ndrequr keq, shihen emrainxhinierësh që jetojnë, nën nivelin e ing.Viktor Kasimatit. Edhe në shtojcën mjerane, ku shihen emra të harruar dëshmorësh të kombit,si Gani Butka, apo e poetëve të lirisë, të pushkatuar mizorisht, si Vilsoni e Leka, emri i bukuri Viktorit, të përndjekur fshehtas, mungon, ndoshta si hakmarrje për emtën e vet të masakruar Sabiha, të cilën ai, e ringjalli me intervistat e veta të fuqishme.
Mbarimi i jetës së një dijetari krijuesdhe ngritja lart në qiell e një ylli të ndritur.
Në kohë të lirë Viktori, merrej edhe me leximin e letërsisë në gjuhën shqipe, frengjisht, italisht etj. Pëlqente gazetat 55 e RD. Gjithsesi në bibliotekën e vet të pasur, shumica e librave qenë botime të sferës teknike. Çdo javë, në ditën e orën e caktuar, takohej me miqtë e vet të punës, në një kafe, në krye të rrugës “Hoxha Tahasim.” Në raste përvjetorësh ndodhej gjithmonë, në takimin përkujtimor për 22 vitimat e Urës së Beshirit. Janë të njohura intervistat e tij për emtën vet, Sabiha Kasimati. Në raste të ndryshme takohej edhe me punonjësit e vjetër, teknik e inxinierë, të Kombinatit. Ditët e korrikut i kalonte familjarisht diku në një gji të ngrohtë në krahun jugor të Himarrës.
Në këto ditë të nxehta pushimesh,në një gji të ngrohtë të Himarës, banorët e mirë të asaj ane dhe valët e kaltra të Jonit, nuk do ta shohin më Viktorin, ulur në breg, në ajrin e pastër, për të soditur largësitë, se papritur në fillim të korrikut, në ditën e dytë, zemra tij e lodhur pushoi së rahuri. Ai u nda nga jeta, aq e dëshiruar prej tij. Por, si vazhdim i saj, do ta kujtojnë miqtë e tij, sidomos kolegia e vet, e palodhura ing. Elsa Kasimati, me trashgimtarët e saj, mes tyre nipi i vogël, Kostandin, njeriu i ri i Shqipërisë. Për çudi, ky emër na kujton hymning:“Flamur që lint Shën Kostandinin/Pajton Islamn’ me Krishterimin/ Çpall midis feve vllazërimin/ Flamur bujar për Njerëzi./” Ngadhnjimi i mendimit të lirë, ngriti lart në qiell, një yll të ndritur, Viktorin,studentin e shkëlqyer, inxhinierin e talentuar, publicistin e shkencës, diplomatin e aftë e patriot dhe idealistin e dashurisë njerëzore.
Korrik 2015