Nga Agim Nezaj
Populli amerikan feston 239-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo ditë është një festë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara. Një ditë ku populli amerikan e feston ditën e pavarësisë plot madhështi. Dita zyrtare e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara u bë 4 korriku i vitit 1776, dita kur Kongresi Kontinental votoi për miratimin e Dokumentit të Pavarësisë. Në këtë dokument deklarohej se qeveritë kanë të drejtën të ekzistojnë vetëm për të mbrojtur të drejtat e popullit të tyre.
Në Deklaratën e Pavarësisë thuhej gjithashtu se populli ka të drejtën të ndryshojë qeverinë, nëse ajo u mohon atyre të drejtat. Komisioni që hartoi Deklaratën e Pavarësisë u udhëhoq nga Tomas Xheferson, ku merrnin pjesë edhe personalitete që kontribuuan për pavarësinë e Amerikës dhe për demokracinë e saj si Xhon Adams, Benxhamin Franklin, Roxher Sherman, etj.
Si gjithmonë, edhe këtë vit amerikanët dhe shqiptaro-amerikanët në SHBA kanë filluar përgatitjet për të festuar triumfin e demokracisë, historinë, qeverisjen, traditat e SHBA, me fjalime politike, parada, fishekzjarrë, karnavale, koncerte, piknikë, lojëra bejsbolli, pritje në ambasada etj., por edhe për projektuar një të ardhme më të mirë për brezat e ardhshëm.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë treguar se forcën e saj nuk e tregojnë vetëm nga shkalla e pasurisë dhe forca e armëve, por kryesisht nga idealet e popullit amerikan, të cilat bazohen tek forca e demokracisë, lirisë dhe besimin për të pasur një Amerikë të suksesshme. Amerika është një komb emigrantesh, por që janë patriotë të Amerikës. Amerikanët nuk e mbështesin patriotizmin në besnikërinë ndaj udhëheqësit apo qeverisë, por në përkrahjen dhe mbështetjen e atdheut në çdo kohë. SHBA, si vendi më demokratik ku jetojnë e punojnë shtetas amerikanë me origjinë nga Irlanda, Shqipëria, Italia, Kina, Afrika, Japonia, Meksika, Spanja etj., dhe ku të gjithë kanë barazi të plotë dhe mundësi për një jetë më të mirë, është një mesazh se si mund të funksionojë me sukses demokracia. Natyrisht, Amerika nuk është perfekte në gjithçka, por qeveritarët e saj punojnë dhe janë të përkushtuar çdo ditë për të rregulluar ato të meta që shqetësojnë qytetarin amerikan.
Gjatë këtyre dekadave, askush më shumë se sa Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka kontribuar për të ndihmuar demokracinë të triumfojë si sistem universal. SHBA kanë qenë dhe mbeten mbështetëse për të triumfuar ndaj përvojave të hidhura të të gjitha atyre vendeve që përjetuan fashizmin, nazizmin, diktaturën komuniste, regjimet ushtarake dhe qeveritë diktatoriale. Mbështetja e SHBA ndikoi që dëshira e zjarrtë e popujve për liri të rritej dhe në sajë të kësaj mbështetjeje, popujt vazhduan të marshonin të sigurt drejt fitores së demokracisë. E tillë ishte edhe Shqipëria, e cila e përjetoi demokracinë vetëm pas viteve ’90.
SHBA, si shteti më i fuqishëm i botës, ka qenë një aleat dhe mbështetje për Shqipërinë dhe shqiptarët që nga krijimi i shtetit shqiptar e gjer në ditët e sotme. SHBA kanë kontribuuar në njohjen e pavarësisë së Shqipërisë. Kjo datë (4 korriku) është e lidhur edhe me fatet e vendit tonë. Kjo datë ishte kushtrim shprese për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë. Pikërisht më 4 korrik 1917, Presidenti Wilson deklaronte: “Unë do të kem vetëm një zë në Konferencën e Paqes në Paris dhe këtë zë do ta përdor për të drejtat e Shqipërisë”. Ky mesazh i Presidentit Wilson krijoi shpresën te shqiptarët se një aleat i madh si Amerika do të mbronte çështjen shqiptare. Ndërsa më 15 shkurt 1920, Presidenti Wilson deklaroi se “qeveria amerikane kundërshton me fuqi çdo dëmtim në kurriz të Shqipërisë e në përfitim të Jugosllavisë”. Ai shkoi edhe ma larg duke kërcënuar bashkëpunimin me europianët dhe tërheqjen nga Traktati i Paqes me Gjermaninë. Vetëm një ditë më vonë, Londra e Parisi u tërhoqën para presionit amerikan. Më 17 dhjetor 1920, Shqipëria u pranua si anëtare e Lidhjes së Kombeve.
Në vitet në vazhdim, në rrugëtimin e bashkëpunimit midis dy vendeve tona, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur një rol të veçantë për vendin tonë në konsolidimin e demokracisë, në anëtarësimin në NATO dhe në mbështetjen që u ka dhënë shqiptarëve të Kosovës për pavarësinë e saj.
Kësisoj, kjo festë është në memorien e shqiptarëve edhe për faktin se marrëdhëniet e SHBA me Shqipërinë kanë qenë gjatë gjithë këtyre viteve të demokracisë të shkëlqyera, niveli i bashkëpunimit dhe miqësisë që përjeton populli shqiptar për Amerikën dhe popullin amerikan vështirë se haset diku tjetër. Mijëra shqiptarë që jetojnë në Amerikë jo vetëm që janë integruar, por janë bërë pjesë e suksesit të shoqërisë amerikane. Është i shumtë numri i shqiptarëve të gjeneratës para viteve ’90-të dhe atyre pas viteve ’90-të që kanë arritur suksese mahnitëse në fusha të ndryshme, për të theksuar në biznes, por edhe që punojnë në institucionet më të rëndësishme amerikane.
Është me rendësi të theksohet fakti se gjatë këtyre 20 viteve të demokracisë, të gjitha qeveritë shqiptare kanë pasur dhe kanë një admirim të madh për Shtetet e Bashkuara, duke u angazhuar për të intensifikuar bashkëpunimin në të gjitha fushat. Por, nga ana tjetër herë pas here drejtues të qeverisë shqiptare kanë acaruar përkohësisht marrëdhëniet me ambasadorë të SHBA-ve, kjo për shkak të euforisë së pushtetit të liderëve tanë, ose nga paaftësia e ndonjë ambasadori për të moskuptuar se kush është “burri shteti” i vërtetë në Shqipëri. Gjithashtu, ka pasur raste të pakta të keqkuptimit të iniciativave amerikane siç ishte rasti i refuzimit të armëve kimike të Sirisë (të cilat nuk përbënin asnjë rrezik për vendin tonë, përkundrazi do të përfitonim siç përfituan ato vende ku u bë demontimi i armëve kimike) ka qenë një gabim i pafalshëm për politikën shqiptare. Pavarësisht nga këto raste sporadike, gjatë këtyre 20 viteve, SHBA ka qenë aleati ynë strategjik. Marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA kanë pasur një bashkëpunim të shkëlqyer në fushën politike, ekonomike, të sigurisë e të mbrojtjes, si dhe luftës kundër terrorizmit. Ky bashkëpunim ka qenë një mbështetje e vazhdueshme për reformat dhe stabilitetin e vendit tonë.
Në këtë 239-vjetor të SHBA duhet të kujtojmë dhe vlerësojmë rolin dhe kontributin e të gjithë ambasadorëve shqiptarë dhe ambasadorëve amerikanë të akredituar në Tiranë si: Ulysses Grant-Smith, emëruar më 22 shtator, 1922 – larguar me 8 shkurt 1925; Charles C. Hart, emëruar më 27 maj, 1925 – 12 dhjetor 1929; Herman Bernstein, emëruar më 17 shkurt, 1930 – 24 shtator 1933; Post Wheeler, emëruar më 26 gusht, 1933 – 1 nëntor 1934; Hugh G. Grant, emëruar më 9 gusht, 1935 dhe e përfundoi misionin kur forcat italiane pushtuan Tiranën më 7 prill 1939. Grant u largua nga Shqipëria më 27 shtator 1939;
Christofor Hill, i ngarkuar me punë, 15 mars 1991; William E. Ryerson (2 dhjetor 1991- 13 tetor 1994); Joseph E. Lake (5 korrik 1994 – 15 mars 1996); Marisa R. Lino (2 korrik 1996 – 20 maj 1999); Joseph Limprecht (7 korrik 1999 – vdekur në Shqipëri me 19 maj 2002); James F. Jeffrey (3 tetor 2002 – 2 maj 2004); Marcie B. Ries (18 tetor 2004 – 30 tetor 2004); John L.Withers II (28 qershor 2007 – 2010); Alexander Armando Arvizu (10 nëntor 2010 – dhjetor 2014); Donald Lu (17 dhjetor 2014 dhe në vazhdim).
Gjithashtu, kontribut të veçantë në marrëdhëniet midis dy shteteve kanë dhënë edhe përfaqësues të tjerë të Ambasadës Amerikane në Tiranë, si konsujt dhe stafi i zyrës konsullore, atashetë ushtarakë dhe kulturorë, si dhe sekretarët ekonomikë dhe politikë si Lynn Gurian, Thomas Jadzgerdi (aktualisht Drejtor i Zyrës për Europën Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit), etj.
SHBA-të nëpërmjet ambasadorëve dhe pjesës tjetër të stafit të ambasadës kanë dhënë një kontribut të veçantë dhe ka inkurajuar marrëdhëniet bashkëpunuese të Shqipërisë me të gjitha vendet e rajonit në dobi të paqes, stabilitetit dhe progresit të vazhdueshëm në drejtim të reformave. Kjo, bazuar në dy parime themelore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë qenë e mbeten aktuale; mbështetja në drejtësi dhe vetëvendosja për të gjitha kombet, të mëdha e të vogla.
Askush më mirë se SHBA-të nuk e kanë përcjellë mesazhin se një Europë të lirë dhe në paqe i duhet një rajon i qëndrueshëm dhe i integruar ballkanik. SHBA kanë kontribuuar në harmonizimin e politikave rajonale, të cilat kanë gjeneruar stabilitet dhe siguri më të madhe për Shqipërinë dhe pjesën tjetër të Europës Juglindore.
Sot, SHBA kanë një vizion dhe strategji për një botë më të mirë. Strategjia e SHBA është një strategji partneritetesh që afirmon rolin jetësor që kanë NATO dhe aleanca të tjera që kanë SHBA, duke përfshirë edhe OKB-në. Kjo strategji është e rrënjosur në promovimin e lirisë dhe dinjitetit në të gjithë botën, që ka të bëjë me shtetin ligjor, lirinë e fjalës, lirinë e fesë, tolerancën fetare dhe etnike, të drejtat dhe respektin për gratë dhe respektin për pronën private etj.
Strategjia e SHBA është për të siguruar një botë ku të gjithë njerëzit të jetojnë me dinjitet, në liri dhe në paqe. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë promovuar dhe promovojnë dinjitetin njerëzor dhe demokracinë jo vetëm në Amerikë, por edhe në botë, me qëllimin që paqja të ruhet, të mbrohet dhe të zgjerohet. Demokraci do të thotë komunikim midis njerëzish, të cilët shkëmbejnë mendime me njëri-tjetrin për hallet e përbashkëta dhe punojnë për një të ardhme më të mirë. Demokracia kërkon kompromis, tolerancë dhe bashkëpunim. E ardhmja u përket atyre që duan të ndërtojnë, jo të shkatërrojnë. E kjo është bërë realitet në Amerikë. Por, këtë mund ta bëjmë më mirë edhe ne shqiptarët. Në këtë 239-përvjetor të Pavarësisë së Amerikës, të gjithë i bashkon fort shpresa e përbashkët se mund ta bëjnë botën një vend më të mirë për brezin e tanishëm dhe ata të ardhshëm. E këtë mund ta bëjmë edhe ne shqiptarët.
Në tekstin e Shpalljes së Pavarësisë Amerikane thuhet se: “Ne i konsiderojmë këto të vërteta si krejtësisht të qarta se të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta, se perëndia u ka falur atyre disa të drejta të pamohueshme, ndër të cilat janë jeta, liria dhe mundësia për të ndjekur suksesin dhe lumturinë”. Këtë mesazh, pas 25 viteve demokraci, duhet ta kuptojnë dhe ta zbatojnë politikanët shqiptarë. Ky është një mesazh domethënës se Perëndia dhe natyra i ka falur popullit të drejta themelore dhe të pamohueshme, kësisoj qeveria dhe parlamenti duhet të respektojë popullin e saj, duke qenë se krijohen nga populli, me qëllimin për t’i shërbyer atij në mbrojtjen e këtyre të drejtave natyrore të pamohueshme. Këtu qëndron edhe suksesi i qeverisjes amerikane, ku për rreth dy shekuj e gjysmë ka tërhequr në tokën e saj breza të tërë nga vende të tjera për faktin se ka respektuar testamentin e saj të shpalljes së pavarësisë, bazuar në idealet dhe filozofinë e saj se njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta.
Megjithëse kanë kaluar 239 vjet, demokracia amerikane ka qenë dhe mbetet e suksesshme për faktin se drejtuesit e politikës amerikane, pavarësisht sukseseve që ka arritur në standardin e jetesës dhe zhvillimin ekonomik, ata janë realistë dhe përgjegjësia e tyre nënkupton për të bërë më të mirën për vendin dhe qytetarin. Natyrisht, Amerika nuk është perfekte në gjithçka, por qeveritarët e saj punojnë dhe janë të përkushtuar çdo ditë për të rregulluar ato të meta që shqetësojnë qytetarin amerikan. Vizioni i Presidentit Obama është realist, i ndjeshëm për qytetarin amerikan dhe optimist për një të ardhme më të mirë kur ai thekson se: “E dimë se ka nëna e etër që pasi do të përcjellin për në gjumë fëmijët, do ta kalojnë natën zgjuar duke vrarë mendjen se si do ta përballojnë pagesën e kredisë, faturat e dritës, ilaçet apo shkollën e fëmijëve. Duhet të krijohet një energji e re, duhet të hapen vende të reja pune, të ngrihen shkolla, të përballohen rreziqe e të ndreqen aleanca. Përpara na pret një rrugëtim i gjatë. Do të ngjitemi në rrëpira”. Dhe në fakt, Amerika çdo ditë krijon një energji të re si dhe mirëqenie për qytetarin amerikan, ku shpresa dhe besimi për një jetë më të mirë është një realitet.
Gëzuar 239-vjetorin e Pavarësisë së Amerikës! Një vend i bekuar, ku asgjë nuk është më e çmueshme se sa pavarësia dhe liria. Amerika, një tokë e lirisë dhe mundësive të mëdha.