“ABETARE, SA TË DUA, ME ATO SHKRONJAT E TUA!…”

(Festë e  bukur e klasës I-b, me mësuese Dava Markun)

Nga: MURAT GECAJ

Kur po shkoja për në mjediset e Teatrit të Metropolit, në kryeqytetin tonë, shumë gjëra mendoja. Mundohesha të sillja në kujtesë vitet e fëmijërisë sime, kur kishim mësuar shkronjat e shqipes dhe numrat, nga mësuesi ynë, Rifat Domi. Ishin vitet e pasçlirimit dhe, sigurisht, as që dinim gjë, se dikur brezat e nxënësve të klasës së parë do ta kishin edhe një gëzim të tyrin, pra “Festën e Abetares” ose “Festën e Shkronjave”…Por, po më kujtohej edhe një ftesë e këtyre ditëve, për të marrë pjesë në përurimin e librit të ri të autores poete Zyra Ahmetaj, me aftësi të kufizuara shëndetësore dhe nga vendlindja ime, pra Malësi e Gjakovës (Tropojë). Titulli i atij libri është grishës e domethënës: “Alfabeti ynë”…

Kur arrita te dera e hyrjes për në sallën, ku do të organizohej ajo festë aq mbresëlënëse, mezi kalova nëpër disa shkallë, për t’u ngjitur në katin e tretë. Përkrah meje kisha mjaft fëmijë, veshur me rroba të bukura, por dhe mësues e prindër. Brenda, salla gumëzhinte nga zërat gazmorë të vogëlushëve, të cilët në gjokse kishin të dukshme nga një shkronjë të Alfabetit të Gjuhës sonë Amtare. Pranë tyre, tërë buzëqeshje e kënaqësi, ishte mësuesja e shkollës 9-vjeçare “7 Marsi”, Dava Marku. Ndërsa, pak më tej, lëvizte nëpër skenë artisti Mikel Kalemi. Ai më “qortoi” që mos të bënim aty foto, pasi shfaqja po niste?! Megjithatë, nuk mund të mos e fiksoja atë çast të bukur, kur do të “festoja” edhe unë, atë ngjarje të munguar, të pranverës së vitit 1947…

2.

Gjërat e thëna nga zëri i femijeve, ndjerë nga zemra e tyre, shoqëruar me muziken e shpirtit, u ndërthurën me mikun artist, në  “Festën e Shkronjave”. Pra, në atë shfaqje të këndshme të nxënësve të klasës së I-rë B, në shkollën 9-vjeçare “7 Marsi” të Tiranës, i përshëndeti pjesëmarrërsit dhe salla shpërtheu në duartrokitje të pandërprera. Pastaj, një e nga një, vogëlushët-shkronja, nisën të recitonin me zërat e tyre, si cicërima të bukura zogjësh.  Fjalën e mirëseardhjes e tha Ana dhe e vazhdoi  recitimin Era, “E lashë kopshtin”. Elisi, “shkronja A”, recitoi për një emër kaq të dashur për të gjithë ne, Atdheun. Por u recitua edhe vjersha, me atë shkonjë të parë të alfabetit të gjuhës shqipe,  “Abetare sa të dua, më ato shkronat e tua!…”. Më pas, vazhduan recitime: për nënën (Gerti) dhe mësuesen e parë (Dea), për gjuhën tonë të ëmbël (Kristeli), për Fishtën (Ana), për Mjedën (Alisja), për Tiranën (Franci) etj.

Zërat e vogëlushëve shpërthenin si tingujt e pranverës së jetës së tyre dhe mbushnin me gëzim e krenari zemrën e mësuese Davës dhe prindërve të tyre.

Mjaft tërheqës për fëmijët ishin dhe fragmentet e përrallave me kukulla, që paraqiti Mikeli. Pastaj, secilit prej tyre, mësuese Dava i dorëzoi “Çertifikatë”, ku shkruhej:”Për njohje të shkrimit dhe leximit të gjuhës sonë të bukur shqipe”. Ky çast i paharruar, ashtu së bashku, u fiksua në sa e sa fotografi e filmime. Ajo, mjaft e gëzuar, më tha: “Këta vogëlushë më dhanë krahë për t’u ndjerë aq mirë në edukimin dhe formimin e tyre. Me durim dhe dalëngadalë arritëm në përfundim, me objektiva të realizuar. Në vlerësimin e testit të Drejtorisë Arsimore Tiranë, testim i standartizuar, e radhitën klasën tonë të I-b, të parën në 4 klasat e shkollës sonë. Në abetare, 16 nxënës dhe në matematikë 20 nxenës, u vlerësuan me notën “shkëlqyer”. Kështu, ky është ndër vendet e para, në të gjitha shkollat e Tiranës”.

…Jehona e kësaj feste të bukur dhe të paharruar u pasqyrua nëpër faqet e FB, ku lexojmë dhe vlerësime për mësuesen e fëmijët, nga: R.Selmani, E.Topi, L.Prenga, E.Përgjegaj, A.Tusha, E.Bejleri, A.Zoto, Sh.Kastrati, F.Marku, K.Sidinaj, S.Bendaj etj. Ndërsa vetë mësuesja Dava Marku shkroi edhe këto fjalë zemre:”Faleminderit ju, prindër, që keni  qenë bashkëpunëtorët e mi më të afërt, në këtë rrugëtim! Udhë të mbarë, nxënësit e mi të dashur, në rrugën e nisur së bashku, drejt dijes, si qytetarë të dënjë të Shqipërisë sonë të dashur!”

Tiranë, maj 2015

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *