Pjetër Jaku
Një organizate që i njihet fillimi dhe që bëri emër në historinë e një kombi, arsyeshëm nuk duhet t’i dihet fundi. Një organizate që në fillim kishte bashkimin , sot i prinë ndarja, përjashtimi,censurimi, mashtrimi. Një vatran që don ta dojë Vatrën në shërbim të kombit, thotë se po ngjitet, kur në fakt po bën veç hapa mbrapa. Po të ishte për shifra, këto shifra i ka shumë here më të vogla se në vitin 1970. Po të ishte për bëma, këto bëma nuk ngjajnë aspak me bëmat e Vatres në vitin 1920. Nuk ka më 50 degë! Numri i degëve është zvogëluar, thua se u pakësuan shqiptarët! Pse ikin nacionalistët, intelektualët, shqiptarët , dhe ata që nuk ikin, përjashtohen prej Vatrës sot? A duhet të këtë ndonjë kriter për të zgjedhurit? Në kryesitë e Vatrës hyn kush të dojë, pa dashur t’ia dijë askush, qoftë edhe për kureshtje, CV-në e sotme. Ç’kanë bërë këta të zgjedhur që të vihen në krye të bashkësisë së tyre? Ç’pritet prej këtyre, që kurrë nuk janë prezantuar me një vepër në shërbim të dikujt, a te dickaje (veç në paçin ndonjë rreng që ua kanë punuar shqiptarëve të vet. Veç në paçin ndonjë dosje, ende të pahapur, a ndonjë çështje ende të pambyllur kundër shqiptarëve ). E vërteta e secilit dihet e mësohet pa patur nevojë të hapen dosjet, apo sido që të mbyllen çështjet. Hapja e dosjeve , do t’i shërbejë pasardhësve tanë, ndërsa ne, ende na kryen punë kujtesa dhe dëshmia e të gjallëve! Na dëshmojnë plagët që ende nuk janë mbyllur, ende nuk janë shëruar!
Perditë e më pak e njohin shqiptarët Vatren. Dhe ata që e njohin, e njohin prej se kujtojnë Vatren para 90. Vatra i godet dhe injoron intelektualët në radhët e saj, i eliminon e i shpall armiq, edhe pse fillimisht i ka mashtruar e pranuar në gjirin e vet, gati gati dhunshëm, sa për t’i përdorur, e pastaj prapë ajo vet, e prapë me dhunë, në menyren më të ulët çnjerëzore i eliminon, pa dashur t’ia dijë, të paktën për dëmin që po i bën Vatra-Vatres me këto veprime, aksione e taktika komuniste. Kujt i jep llogari Vatra dhe në emër të kujt e bën Vatra këtë “luftë” kundër shqiptarit? Ç’është Vatra, organizatë apo gjykatë? Kush qenka ky gjykatës kaq makabër? Kë po mbështet dhe kë mishëron Vatra me kësi sulmesh, më kësi censurimesh? Kush është qëllimi final i Vatres? Kujt i shërben mbështetja që i bën Vatra ish strukturave të shtetit komunist?
Nëse nuk qënka Virgjil Kule një ishbllokmen, që e mbështet Vatra me mburrje biles, për të cilin kjo Vatër mbledh dollarë emigrantësh t’ia shesë librat e të përpiqet t’i sponsorizojë përkthimin dhe botimin e libtrit tij edhe këtu në Amerike, (një libër që nuk sjell asnjë risi të re, asnjë zbulim të ri, asnjë sekret të panjohur rreth Skenderbeut , përveç përfitimit përsonal për veten e tij?! Kush atëherë qënka bllokmen, nëse nuk është ky që mbështet Vatra.
Edhe në pastë mbetur ende në Vatër, ndonjë antikomunist i vërtetë, ndonjë intelektual i denjë, ndonjë vatran, që ende beson në idealet e demokracise, vatranët e sotëm i tërheqin mbas vetes, t’a përlyejnë në bashkepunimin e tyre me ishbllokmenët, të cilët as nuk heqin dorë prej kauzës së tyre të përndjekjes, të cilët as nuk pendohen për çfarë ata kanë bërë edhe kundër Vatres. Përkundrazi, nuk na lënë as t’i harrojmë! Madje për më keq, i kanë vënë syrin e tyre të madh e kthetrat e tyre të përlyera edhe Vatres!
Historikisht, Vatra ka pasë në krye të saj përsonalitete që kanë bërë emër , qoftë edhe në një fushë të vetme. Shqiptarët e Amerikes ishin ata që krijuan Vatrën. Shqiptarët e Amerikes kanë prekur planete, prej se ky vend i takon demokracisë, prej se ky vend nuk ia mohon liritë, mundësitë dhe të drejtat, të aftit, të diturit, të urtit, të drejtit, të guximshmit!
Kujt i intereson dhe pse të jetë ende në fuqi Nyja 9 dhe 59 i Kanunores së Vatres, shkruar në vitin 1926? Pas 90-tës edhe në Shqiperi u hoq neni 55 i Kushtetutës Komuniste, për agjitacion e propagandë, që u ksuhtoi shtrenjte shqiptarëve që mendonin ndryshe, e kërkonin ndryshim, nga viti 1945 deri ne 1991, duke dënuar pa meshirë, nga 6 muaj (provë nëse mund të të bënte spiun e bashkëpunëtorë), përndryshe të dënonte me vdekje! Kë kërkon të kërcënojë e të trembë Vatra me këto nene, në këtë shekull?
Përse Vatra e fsheh listën e delegatëve për në Kuvendin Zgjedhor? E pra, Vatra ka një gazetë mujore (Diellin), ku mund e duhet të pasqyrojë me realitet veprimtaritë e saj.
Edhe “Zëri i Popullit” i para 90-tës, do ta kishte zili “Diellin” e Vatres, censurën që ushtron sot kundër lirisë së fjalës, kundër mendimit ndryshe, teksa mbush deng faqet e saj me mashtrime hiperbolike të “sukseseve”. Kush është editori i gazetës së Vatres, e cila historikisht ka patur editor, një përsonalitet të njohur të letrave shqipe? “Njeri i mirë”,- thonë për editorin , dhe kaq! E pra, nuk mjafton të jesh vetëm i mirë dhe i bindur, për të qënë editor i një gazete si “Dielli” ! Aq më tepër kur asnjëri nga eprorët e editorit nuk e njohin gazetarinë! Të jeshë gazetar, sidomos editor, së pari duhet të jeshë profesionalisht i aftë, kurajoz dhe i drejte!
Dielli është vërtetë Gazetë e Vatres, por kurrë nuk mund të jetë as nuk mund të bëhet, qoftq edhe me një shkrim të vetëm mbështetëse e strukturave që e dënuan shtypinë e lirë, lirinë e fjalës! Në Diellin e sotëm mungon hapsira për debat, hapsira për replikë (e drejta e replikës është e drejtë demokratike dhe mbrohet me ligj në të dyja shtetet, Amerikë-Shqiperi)! Dielli nuk ngurron të publikojë mbeshtetjen dhe promovimet që i bën Vatra vlerave pa vlerë të “veprave” të vonuara, të ishëve. Ndërkohë, në Dielli nuk pasqyrohet, qoftë edhe një pjesë e atij realiteti makabër, që përjetojnë shqiptarët sot në Shqiperi, të cilët ikin prej ishëve, që mbështet Vatra, teksa kërkojnë prapë azil politik, si në kohën kur çensuronin Konicen! Ata që më zërin dhe figuren e tyre i shpallnin në ekranet e diktaturës Vatren dhe vatranët armiq të rrezikshëm të komunizmit. Këta njerëz me fytyrë e zë, madje edhe me “libra” kanë hyrë deri në zemër të Vatres dhe po synojne të marrin në dorë fatet e saj.
Cila organizatë shqiptare në Amerikë më fort se Vatra është blinduar në të zgjedhurit si në byronë politike të PPSH-së, ku krejt mirë mund ta dish, se kush do të zgjidhet në krye të Vatres dhe degëve edhe pas 10 vjetëesh.
Vatra, tashmë është shndërruar në një Vatër që grumbullon para dhe supurton të “vuajturit” që vijnë të na vizitojnë e të na rrjepin direkt nga ishblloku, duke dashur të na bindë se ish të përsekutuarit u rehatuan, u shëruan, u shpëtuan, nuk ka me azilant politikë. E pra, sot kur ish bllokmenet kanë marrë peng Shqipërinë, këta të “varfërit” që mbështet Vatra i “gjetën” lekët ta blinin voten, teksa shqiptarët sot ikin ne kërkim të një azili politik, si dikur para 90-tës. Për Vatrën, ikja e shqiptarëve, varfëria e shqiptarëve, dhe rreziku qe i kanoset demokracisë shqiptare nuk është asgjë. Asnjë deklaratë për eksodin më trë ri, asnjë qendrim për gjendjen ekonimike të mjeruar. Për Vatrën, e vetmja “ajkë” e intiligjences kombëtare, të vetmit historianë që i paskan mbetur kombit, qenkan vetëm ishdrejtorët e përgjith’shëm të informacionit të dikurshëm.
Vatra nuk i referohet më Konices dhe krijuesve të saj, por është kthyer t’i referohet fletoreve te komunizmit, prej ku nxjerr citate pafund per artikujt “brilantë” dhe fjalimet pompoze që boton në Dielli.
Dhe, së fundi, nuk më ka mbetur tjetër veçëse:
T’u kërkoj ndjesë kolosve të mëdhenj që krijuan Vatrën, t’u kërkoj ndjesë të gjithë atyre nacionalistëve që Vatra i ka bërë delete prej listes së saj të publikuar së fundmi në Dielli, të gjithë shqiptarëve e vatranëve, që ende besojnë siç edhe unë besoj e kam shpresë e do të punojë për idealet dhe vlerat e demokracisë shqiptare, miqëve të sinqertë, fëmijëve të mi, gruas time Elinda Marku, secilit demokrat të vërtetë në Amrrikë, Atdhe e kudo qoftë, secilit antikomunist të denjë, secilit shqiptar që beson në të drejtat e barabarta, që i siguron vetëm demokratizimi i plotë. Secilit vatran të ndershëm, që ende nuk e di, ashtu siç unë nuk e kam ditur deri dje, se në Vatër po luhet një lojë e papranueshme.
Kërkoj ndjesë që u tregova naiv dhe shumë më i duruar se duhej, teksa iu besova gjoja miqëve, gjoja “pishtarëve” që hynë në Vatër, duke shkelur mbi besimin dhe ndershmërinë time, që gjoja më deshën me vete. Thank God që nuk më bënë dot si veten, as nuk do të mundin kurrë! E pra, me gjithë shpirt mendova, se do të mund të bëja diçka për të mirën e shqiptarëve që vuajten një gjysëm shekulli. Të mund të jepja ndihmesen time, sado modeste pro demokracisë së re shqiptare. Për ëndërren jo të re, por shekullore të shqiptarëve , atë te bashkimit të trojeve. Unë, kurrë nuk pranova as nuk pranoj, me mend në kokë e me sy në ballë , të bashkëpunoj me atë që copëtuan Shqipërinë, burgosen Shqipërinë, ndaluan demokracinë dhe, në vend të saj instaluan për gjysëm shekulli diktaturen.
Detroit, 29 Prill 2015