FAIK KONICA GJENIU E NDERI I KOMBIT SHQIPTAR

ME RASTIN E  140 VJETORIT TE LINDJES

 

“ Faik Konica është një enciklopedi ambulante.”

Apollinaire

 

Nga Agim Xh. Dëshnica

 

Faik Konica e kritizerët vogëlanë.

Në një kohë, kur diktatura po rrokullisej drejt honit, disa kritizerë me grada shkencore, morën përsipër të shkonin më larg. Në librin Historia e Shqipërisë, vëllimi II 1984, shtrembërimi i historisë kaloi çdo kufi, me përcaktime si këto:„përfaqësuesit e rrymës reformiste të lidhur me regjimin e sulltanit synonin të kufizonin Lëvizjen kombëtare vetëm me disa kërkesa kulturore dhe ekonomike. Shprehëse e ideve dhe programi i kësaj rryme ishte revista Albania e Konicës.“ Po kush ishin këta „përfaqësues?“ Në revistën Albania Konica mblodhi rreth vetes poetë e shkrimtarë të talentuar, si Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Çajupi, Fan S. Noli, Asdreni e Filip Shiroka, të njohur në histori si patriotë të lirisë e pavarësisë së atdheut. Kurse në librin „Historia e Letërsisë Shqiptare-1983, gjenden këto rradhë të shoqëruara me shpifje e fyerje: „Faik Konica (1875-1942). Bir i një familjeje të vjetër bejlerësh, kryesisht publicist, ai nisi veprimtarinë letrare me botimin e revistës “Albania” (Bruksel 1897) dhe drejtoi për disa kohë gazetën “Dielli” të emigracionit shqiptar në SHBA, ku e kaloi pjesën më të madhe të jetës. Që në vitin e saj të parë, “Albania” u vu në shërbim të politikës austo-hungareze ndaj Shqipërisë. Politikan i paskrupull, Konica ishte i paqendrueshëm, brutal e agresiv tërë jetën, duke sulmuar me një rast e me një tjetër shumë patriotë përparimtarë, duke u orvatur të diskretitonte qeverinë e parë të Ismail Qemalit, apo të godiste Kongresin e Lushnjës. Pas kundërrevolucionit të vitit 1924, ai u lidh me regjimin e Zogut, u përpoq të dëmtonte pabesisht Nolin me polemika e kërcënimet, apo të përçmonte veprën e Naimit. Shpesh ai paraqiti në mënyrë të tillë të errët pamjen e vendit, sa ushqeu mosbesimin në një të ardhme të përparuar e përgjithësisht në forcën popullore e përparimtare, duke mbrojtur, nga ana tjetër, që në krye të herës, tezën se vetëm paria aristokrate ishte në gjendje të udhëhiqte Shqipërinë, Këto të tëra, të veshura me një petk oksidentalizmi.“

Megjithatë gjithë kjo tymnajë nuk mundi kurrë të mbulonte shkëlqimin e një prej yjeve të botës  kulturore  e  letrare shqiptare, Faik Konicën.

Edhe pas vitit 1990, në disa libra, jeta e vepra e Konicës e rindërtuar po prej atyre duarve, trajtohet kryesisisht nga ana kulturore e letrare.

Po ç’thotë  jeta  dhe vepra e tij?

Lindja dhe shkollimi.

Lindja e Faik Konicës më 15 mars 1875, në një familje fisnike shqiptare në Konicë, vendbanim i hershëm shqiptar, pa dyshim ndikoi në edukimin e shtegtimin e tij patriotik, arsimor e kulturor. Mësimet e para i mori në vendlindje, mësimet e mesme në Kolegjin e Jezuitëve në Shkodër e në Liceun Perandorak francez të Gallatës në Stamboll dhe i përfundoi në Francë. Pas tyre ndoqi studimet e larta për filozofi në Dizhon e Paris, Atje, në disa konkurse për hirë të aftësive intelektuale, u nderua me çmime të para. Mandej la Europën e udhëtoi për në Amerikë. Më 1912 u diplomua për letërsi në Universitetin e Harvardit.

Veprimtaria atdhetare.

Historia e vërtetë për Faik Konicën rendit një varg vlerash: atdhetar i madh, politikan, drejtues i lëvizjes patriotike dhe diplomat. Mbi të gjitha ai njihet, si veprimtar në shërbim të kombit, me kryeveprën e vet, revistën Albania, në Bruksel e Londër dhe lidhjet e pandërprera me atdhetarët e mëdhej të Rilindjes Kombëtare, me letra dhe në kuvende. Përgjigjen më të gjetur ndaj shpifjeve për dashurinë e madhe ndaj bejlerëve turkoshakë, e jep Konica vet me vjershën e njohur satirike, Anadollaku në mësallë dhe thëniet filozofike të shpërndara në gazeta, revista e librat e veta. Konica aq sa qe i rreptë ndaj „festellinjëve“, që humbisnin kohën larg lëvizjes për pavarësi, po aq urtë shtronte çështjen e pavarësisë, teksa shkruante:“Vërtet  Shqiptarët sot për sot zunë të kenë një dëshirë të pambajtur për gjuhën t’onë; vërtet ata më të ftohtët zunë të kuptojnë se është nevojë t’i fryjmë gjallim kombit; vërtet dalin libra e të përkohëshme, në të cilat kombi mori shije e pa të cilat nuk jeton dot pas sodit; vërtet, me një fjalë, punët ndryshuan në ca vjet e sipër, e kush nuk është i verbër s’mundet të mohojë që sot për sot shumë Shqiptarëve u digjet zemra për përparimin e Atdheut. Po, me gjith këto, nuk kemi lumtimin të shohim një bashkim të vërtete e të fortë.“ Hasan Kaleshi, një nga studjuesit seriozë të veprës së Konicës, rreth zhurmës akademike në lidhje me qendrimin ndaj Austrisë, shkruan: „Edhe sikur kjo pasqyrë e (Konicës) të na dilte me disa njolla, madje edhe krejt negative ashtu sikurse duan ta paraqitin dogmatikët e Shqipërisë dhe mjerisht, nën ndikimin e tyre, edhe disa në Kosovë, prapë se prapë nuk do të kishte të drejtë askush që ta hjekim Konicën nga lëvizja jonë kombëtare, nga historia e jonë e kulturës dhe e letërsisë. Sepse, duke e hjekur nga këto, ne s’bëjmë gjë tjetër veçse varfërojmë kulturën tonë edhe jo aq të pasur dhe si pasojë varfërojmë edhe vetveten.“ Gjithashtu edhe dijetari i njohur Namik Resuli duke mbrojtur Konicën shpjegon, se „Austria i ka mbrojtur gjithmonë shqiptarët, ndryshe sllavët dhe grekët do ta merrnin zvarrë Shqipërinë.“ Në një prej librave të publicistit nga Kosova, Bejtullah Destanit, botohet një shkrim i vitit 1912, i poetit të shquar francez  Guillaume Apollinaire, i njohur me Konicën më 1903, në Londër. Ndër të tjera ai shkruan: „një nga njerëzit që kam takuar e kujtoj me nderim të veçantë, Faik Bej Konica, është një nga më të pazakontët.“Apollinaire, na bën të ditur se gjatë studimeve në Francë, Konicën e mundonte malli për atdheun e vet, Shqipërinë. I kthyer në Turqi ai kishte marrë pjesë në një lëvizje të fshehtë kundër Sulltanit. U dënua në mungesë, dy herë me vdekje. Më tej poeti francez tregon një ndodhi rreth Konicës e revistës Albania në Bruksel: „Një ditë ai tërhoqi vemendjen e një polici. Ai e pyeti:-‚Nga ç‘vend jeni?‘–‚Jam nga Albania.‘-Ku banoni?‘–‚Në rrugën Albania.‘- ‚Ç‘punë  bëni?‘-‚Punoj në Albania.‘-‚Mos doni të talleni me mua?‘, u përgjigj polici, e kështu  atdhetari shqiptar e kaloi natën në rajonin e policisë.“

Në një nga  shkrimet e veta Konica thotë: ”Ne Shqipëtarët  e  anës kombëtare, nukë kemi tjatër  mendim përveç të heqim Shqipërinë nga balta, kërkojmë të jetojë kombi ynë me gjuhë të tija, me mendim e me nder të tija.” Më 14 prill 1912, merr pjesë në themelimin e Federatës Panshqiptare Vatra në Boston dhe zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj. Më 1913 Fan Noli e Faik Konica, përfaqësuan  Federatën Vatra për çëstjen e kufijve të Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Po atë vit në Kongresin e shqiptarëve në Trieste, të mbledhur për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut, Konica zgjidhet kryetar. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, ai kreu shërbime  diplomatike për Shqipërinë, në Austri, Zvicër, Itali etj. Më 1921 i kthyer në Boston, zgjidhet kryetar i Federatës Vatra. Me anën e gazetave Dielli dhe Shqiptari i Amerikës. përkrahu zhvillimet demokratike në Shqipëri. Kështu, në gazetën Dielli 22 janar 1922, Faik Konica shkruan:”Fan Noli do t’i bënte shërbimin më të madh Shqipërisë, sikur të ish i zoti të klliste pakë frymë regulle, drejtësie dhe bindjeje në mes t’asaj turme të dehur e cila vë në rrezik një popull të pafajshëm, të shënuar nga dora e fatit për një vdekje t’afërme dhe të turpshme.” NdërsaNoli i ngritur në mbrojtje të Konicës në Parlamentin e vitit 1923, u shpreh:”Faiku është krylëronjësi i gjuhes sonë, është zbulonjësi i flamurit tonë të harruar, është kryekalëronjësi i lirisë dhe independences kombëtare, dhe ne të gjithë s’jemi veç dishepujt e tij. Historia e paanshme s’munt ta mohojë këtë gjë, as s’munt të mohojë që i ka falur çështjes tërë rininë e tërë mendjen këtu e njëzetë e shtatë vjet me radhë pa reshtur.” Faik Konica gjatë qeverive të viteve 20-30, vijoi të punote si një qytetar atdhetar, shpesh herë i zemëruar,  në kërkim të një  shteti me njerëz të ndershëm e të aftë. Me detyrën e konsullit, më pas të ministrit fuqiplotë në Uashington i shërbeu Shqipërisë deri në fund të jetës më 15 dhjetor 1942. Letrat në fillim të Luftës së Dytë Botërore me Mbretin Zog, ministrat apo sekretarët e tij në Londër, me Fan Nolin në Boston dhe Departmentin e Shtetit në Uashington, dëshmojnë për shqetësimin e tij të madh për fatin e atdheut të pushtuar.

Veprimtaria letrare e kulturore.

Komentuesit e majtë në Shqipëri, sipas zakonit të vjetër thonë, se Faik Konica krijoi pak ose disa shkrime i la të papërfunduar. Përkundrazi! Gjithë ajo veprimtari e gjerë në Shqipëri, Europë e Amerikë, ligjëratat, shkrimet pa mbarim në gazeta e revista, qindra letra e dokumente në arkivat e Uashingtonit, dëshmojnë krejt ndryshe.

Faik Konica përmendet në historinë e vërtetë të kulturës sonë kombëtare, si krijues i prozës moderne, shkrimtar i talentuar e poet me ndjesi të veçanta, eseist i rallë, themelues i kritikës letrare shqiptare, publicist, përkthyes, mjeshtër i gjuhës shqipe dhe studjues i gjuhëve të tjera. Në rrethet intelektuale të Parisit, ai njihej si një nga shqiptarët më të kulturuar, zotërues i disa gjuhëve, i papërmbajtshëm në polemikë, kur bëhej fjalë për mbrojtjen e dinjitetit të kombit shqiptar, i gatshëm t’u përgjigjej në çdo gjuhë, atyre që fyenin atdheun, ashtu siç dinte ai vetë, Faiku i Albanias historike. Namik Resuli, shkruan: „Proza e Faikut është shumë e këndëshme, shumë e limuar e njëkohësisht shumë e thjeshtë e fort e rrjedhëshme. Ajo zbret në zëmër të lëçitësit mu si nektari i perëndivet që deh dhe ngreh shpirtin në një botë tjetër, në një botë bukurishë të pasosura. Artikujt e Albanias e të Diellit, shtyllat e Dr. Gjëlpërës e përkthimet si ato të përrallave arabe, përbëjnë në vetvete më se një vepër të plotë e të kryer. Ato do të mbesin për Shqiptarët si ca nga faqet më të bukura e më të hijeshme të prozës, si një model i gjallë i shqipes, jo vetëm nga pikëpamja estetike po edhe nga pikëpamja e  punimit të gjuhës.“

Veprimtaria letrare e Konicës në shërbim të atdheut përshkoi shtigje të shumta në Europë e Amerikë. Më 1895 në Paris nxjerr në dritë librin Shqipëria dhe turqit. Në Bruksel e më pas në Londër, boton revistën Albania dhe Albania e Vogël. Më 1909 i ftuar nga atdhetarët shqiptarë të Amerikës vendoset në SHBA. Në Boston drejton gazetën Dielli, krahas saj të përkohëshmet Trumbeta e Krujës, Ushtimi i Krujës. Bota e Re etj. Këto gazeta e revista politiko-kulturore dhe letrare të Rilindjes sonë, bënin të ditur këdo  me historinë e pasur e kulturën e popullit shqiptar dhe programin e lëvizjes kombëtare. Disa nga këto krijime janë: Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit, Shqipëria kopshti shkëmbor i Europës Juglindore, Një ambasadë e Zulluve në Paris, Katër përralla nga Zullulandi, Shqipëria si m’u duk, përkthimi Nën Hijen e Hurmave, Ndryshe nga tërë krijimet e realizmit socialist, Konica me rrëfimet mjeshtërore, pa fyer asnjë me emër, pajis me dijeni të gjithanëshme çdo lexues, mëson si duhet folur e shkruar shqip. Shkruan me nderim për traditat e mira kombëtare, edukatën e moralin, thjeshtësinë në veshje e sjellje, për historinë e vërtetë, politikën, filozofinë dhe kryerjen e detyrave në përputhje me ligjet në fuqi. Pa zbukuruar asgjë, ai kritikon të metat e shoqërisë pa tepri me qellim të qartë prej atdhetari, përparimin  e mëtejshëm në vendin tonë. Me thirrjen ”Vëllezër! Ruajuni nga vetvetja! Ruajuni nga e keqja që rron e rritet në mes tuaj…”, ai u drejtohet bashkatdhetarëve si prind e vëlla.

Shumë nga krijimet e Konicës kanë ngjyresat e një proze poetike. Të tilla janë Malli i Atdheut, Ca kujtime mi At Gjeçovin, Anës Liqenit, Në liqen, Bora, Jeta e Skënderbeut, Abdul Frashëri, Naim Frashëri. Nga leximi i tyre zbulohet poeti i ndijshëm i dashurisë për atdheun dhe heronjtë e kombit, për njeriun e mirë e natyrën shqiptare. Krahas veprimtarisë atdhetare e diplomatike, shkrimet e botuar deri më sot, gjuha e bukur shqipe me prirje drejt njësimit, mënyra fisnike e të folurit, janë shembëll për të gjithë, edhe sot, qoftë për poetët, shkrimtarët e kritikët e letërsisë, qoftë për politikanët e gazetarët shqiptarë. Faik Konica me kritikën e përkryer, vlerësonte sipas meritave të gjithë pa përjashtim, poetët e shkrimtarët, Naimin, Fishtën, Nolin, Asdrenin, Çajupin, madje për çështje politike, edhe Ismail Qemalin, Ahmet Zogun, Fan Nolin etj. Ndërkohë ai mbeti deri në fund miku i tyre besnik. Veçojmë edhe raste, kur Konica në kritikat e veta përfshinte edhe ndonjë poezi të Naimit, për të cilin zhurmojnë më kot edhe sot analistët soc-realistë dhe heshtin për vlerësimin në tërësi prej tij të veprës së Naimit. Ata harrojnë, se Konica si kritik kërkues i palodhur, i mësuar me poezinë e poetëve të mëdhej modernë në Paris e Londër, duke çmuar dhuntinë e poetit tonë kombëtar, aftësitë shprehëse e hijeshinë e gjuhës shqipe, dëshironte një Naim të niveleve bashkëkohore europiane. Kundër tërë kësaj zhurme, Konica në shkrimin Naim Frashëri, rendit një varg cilësish të poetit të madh romantik, si: “zëmër–gëzuar, mëndjehollë, fjalë kripur, ndjesë hollë, yll i ndritshëm e i rrallë në qiell të Shqipërisë.” At Gjergji Fishta, adhurues i Naimit e quante Konicën “arbiter i shkrimeve ma elegante të shqipes”, ndërsa Fan S. Noli “euridit të shkëlqyer dhe patriot i madh.”Për poetin Apollinaire ai ishte një “enciklopedi ambulante”

 

***

Shumëkush befasohet nga dukuri të pabesueshme, kur edhe në vitet 40-44, në Shqipëri nxënësit vijonin të njiheshin me jetën e veprën e Faik Konicës, përmes librave Te Praku i Jetës, Rreze Drite, Shkrimtarë Shqiptarë, Bota Shqiptare. Gjithashtu, siç ndodhte shpesh, ndërsa më 1955 në Prishtinë botoheshin veprat e plota të Konicës, në Shqipëri gjatë tërë viteve të diktaturës ndalohej çdo shkrim i tij. Në ato kushte, kur shkrimet e Konicës nuk njiheshin as nga nxënësit, as nga studentët, vihej re, se profesorët pa kulturë tejkalonin çdo cak. Në përpjekjet e tyre për të zhvleftësuar gjithçka,  përdornin shprehi të huaja për mendimin estetik, larg të vërtetave, madje përbuzëse, si këto: “reaksionare,” “borgjezo-klerikale,”“mistikofetare,”“formaliste,””paskrupull,”“brutale,””agresive,”etj.  Veçse pasi sistemi komunist u shemb,  po ata profesorë që shtrembëruan me ngulm jetën e veprën e Nolit, me qëllime të caktuara u sulën të botonin veprat e Konicës, meqë sipas tyre s’ishin më, as “reksionare”, as “formaliste”, por “madhore.” Dhe shi për shkak të paaftësisë e ngutjes së tyre, qarkulluan me bujë një dokument të paqenë, “Testamentin”, kinse të shkruar nga Faik Konica më 1942, me lutjen për prehjen e trupit të vet në atdhe, por pas një kohe të gjatë, befas kërkuan të ndjesë, se paskëshin  qenë “viktimë” i një të panjohuri në Përmet!  Nik Kreshpani në gazetën Dielli 20 tetor 1965, hedh dritë. mbi këtë çështje të shtruar nga Noli në një takim me disa të dërguar nga Tirana rreth vitit 1945. “Ata u përgjigjën: ‘Shumë mirë; munt ta varrosim Konicën në Shqipëri, po më parë duhet ta sjellim përpara gjyqit të popullit.’ Noli i ndezur u tha: ’Po dëgjojmë dita ditës, se jeni dyke gjykuar kundërshtarët tuaj të gjallë, po kurrë nuk na kishte shkuar mendja, se jeni aqë trima sa të hidhni në gjyq edhe të vdekurit.” Pra, edhe “letrat” për këtë çështje, të dërguara gjoja “me konsiderata” diktatorit, madje të botuara për habi më 1996, nga këta soj profesorësh, janë të pabesueshme e pa kurëfarë vlere.

Dijetarët e mirëfilltë të historisë, bashkohen në një mendim: Faik Konica, ky gjeni i shqiptarizmit, është ndërlidhësi më i fuqishëm i Rilindjes Shqiptare me zhvillimet e mëdha historike dhe ngadhnjimin e Pavarësisë Kombëtare, mjeshtër i madh i gjuhës shqipe dhe personalitet i kulturës e i letërsisë. Vetëm pas triumfit të demokracisë në Shqipëri më 1992, Faik Konica u nderua me titullin e lartë, Nderi i Kombit dhe vepra e tij filloi të botohej lirshëm. Me nismën e Qeverisë Demokratike u plotësua,  edhe dëshira e tij e fundme: tashmë ai prehet në tokën amtare që e deshi aq fort, në kodrat e Tiranës, pranë Sami, Abddyl e Naim Frashërit. Në vitin 2010, në Ministrinë e Kulturës u zhvillua një mbledhje e posaçme në të cilën u paraqit përmbledhja e Revistës Albania, si një enciklopedi e rrallë, e botuar në gjuhën shqipe, frënge e pjesërisht  turke. Faik Konica, ky demokrat i pavdekshëm, larg çdo romantizmi jeton midis nesh, edhe në ditët e sotme me veprat Dr. Gjëlpara zbulon dramën e Mumurasit apo Shqipëria, si m’u duk. Flet hapur kundër korupsionit, të paaftëve, mashtrimeve e gafava të atyre, që sipas bindjeve të vjetra, për interesa vetiake, kapen fort pas pushtetit, shkelin rëndë kushtetutën demokratike dhe pengojnë përparimin e mëtejshën të shoqërisë shqiptare drejt një jete më të mirë.

 

Nga proza e Konicës.

 

 

MALLI  I  ATDHEUT

 

Kur vete njeriu, i lirë e i vetëm, larg atdheut, viset e reja, ndryshimi i zakoneve, ëmbëlsia e udhëtimit e një mijë gjëra qe vihen re ndër popuj te huaj, te gjitha këto ta pergëzojne zemrën e të bëjnë jo te harosh Shqipërine, po te mos te vejë tek ajo aq dëndur mendja. Me tutje, si ngopen sytë së pari ndryshime, gazi shuhet pak nga pak. S`di ç`të mungon, s`di se ç`te duhet. Një hije trishtimi ta mbulon fytyrën; e, pikë së pari herë-herë, mbastaj më dëndur e më në fund shpesh e pothuaj kurdo e kudo, kujtimi i prindërve, i miqve e shokëve, kujtimi i dheut ku u lindëm e u rritëm, ku qajtëm foshnja e ku lozëm djelm, kujtimi i atyre maleve larg te cilëve nuk rron dot mirë nje shqiptar, kujtimi i kombit, që, me gjithë ca të liga që ka, është kombi ynë, e më tepër kujtimi e dëshira e etja e gjuhës sonë ta shtrëngojnë e ta dërrmojnë me të vërtetë zemrën. Ah, malli i Shqipërisë, malli i Atdheut të dashur, i shenjtë mall e dashuri e shenjtë, kush është ay shqiptar që s`e ka pasur në dhe të huaj! Duhet të jeshë jashtë Shqipërise, e të jesh lark, për te kuptuar se ç`forcë e ç`bukuri t’ëmbël ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri! Ajo më e zbrazura letrë, ajo fjala m’e vogël, na sjell, kur vjen nga Shqipëria, një gas të parrëfyeshëm, se na sjell si nje copë t’Atdheut…

 

 

CA  KUJTIME  MI AT GJEÇOVIN

 

At Gjeçovin e pata njohur me anë latrash disa vjet përpara luftës ballkanike. Më 1913 shkova në Shkodër dhe atje, në Kuvent të Françeskanëvet, një ditë u njohmë me sy e me fjalë të gjalla. Mendimet, nderimi që kisha patur për At Gjeçovin për së largu, m’u shtuan dhe ca më tepër që kur u poqmë. I mesmë nga gjatësia e trupit, pak si i thatë, me një palë sy të zez  ku shkëlqente mendja po dhe zemërmirsija, At Gjeçovi fitonte me njëherë besimin dhe dashurinë. Fjalët i kish të paka, po kurdoherë me vent. Vetëm kur në të kuvënduar e sipër takohej ndonjë pikë mbi të cilën kish dituri të vecantë, si për shëmbëll Kanuni i Lek Dukagjinit, ase vjetëritë greko-romane- At Gjeçovi çelej ca më gjatë, dhe ahere  ish gëzim t’a dëgjonte njeriu.

Aso kohë At Gjeçovi ish “famullitar”, domethënë  prift i ngarkuar me shërbimin e një fshati, dhe rronte në Gomsiqe, i pari katund i Mirditës, mb’udhë nga Shkodra në n’Orosh. -A i vemi  mysafirë At Gjeçovit ndonjë ditë të kësaj jave?- më pyeti një herë At Fishta, me të cilin piqesha çdo ditë në Shkodër. Mendimi i një vizite At Gjeçovit më pëlqeu pa masë.  Ashtu pa humbur kohë, u nismë. Një gjë për të vënë re, dhe që më mbushi me habi dhe trishtim, është se nga Shkodra gjer në Gomsiqe, një udhëtim shtat’ a tetë orësh me kalë, nuk gjetmë as katund, as shtëpi; veç një hani të varfër, ku qendruam për të pirë një kafe, s’pamë gjëkundi ndonjë shenjë gjallësije, një vent i zbrazur e i shkretë, si i harruar nga Perëndija dhe nga njerëzit. Po mërzia e udhëtimit na u çpërblye përtej shpresës posa arrijtëm në Gomsiqe, ase, që të flasim më drejtë, në famulli të Gomsiqes,-se katundi vetë i shpërndarë tutje-tëhu, një shtëpi këtu, një shtëpi nj’a dy milje më tej, as që dukej.

Famullija-një ndërtesë prej guri, e ndritur dhe e pastër, gjysm’ e zbrazur nga plaçka, po e mbushur dhe zbukuruar nga zemra e madhe dhe nga buzëqeshja e të zotit të Shtëpisë-qendronte, mikpritëse dhe e qetë anës një lumi. Këtu rronte At Gjeçovi. Këtu e shkonte jetën, në mes lutjes e mësimeve, një nga njerëzit më të lartë që ka patur Shqipërija: një lartësi e përulur, në mund t’afroj e të lidh dy fjalë aqë të përkundërta; një lartësi shpirti dhe mendje e panjohur, nga njeriu vetë, i cili bir i vërtetë i të Varfërit  t’Asisit, në pastërti e në robëri të zemrës së tij e dinte veten të vogël. Famulli, shkolla dhe vent këshillash të mira u jipte femijve themelet e stërvitjes, u përndante fjalë të urta dhe ngushëllimet e njerësve në nevojë. Kohën që i tepëronte, At Gjeçovi i a kushtonte studimit.

Merrej ahere me institutet e vjetra të Shqipërisë, nga të cilat një arrin gjer në ditët t’ona ësht Kanuni i Lek Dukagjini. Askush nuk mund t’i afrohej At Gjeçovit në diturinë, e këtij Kanuni. Na tregoi një dorëshkrim nj’a dy mijë faqesh, studim i palodhur e i hollë, ku kish mbledhur, radhitur dhe ndritur të gjitha sa kanë mbetur nga mendimet juridike të Shqipërisë në Kohën e Mesme, mendime të cilat ngjan t’i kenë rrënjët shum përtej Kohës së Mesme.

Në kat të sipërm të famullisë, përmbi një tryezë të madhe, ishin shtruar një tok vjetërirash greko-romane të zbuluara e të mbledhura një nga një, me një fatbardhësi të rrallë dhe me një shije të mbaruar, nga dora e vetë At Gjeçovit. Mbaj mënt, veçan, një enë të vogël të quajtur ”lacrumatorium”,-lotore, asish që të vjetërit, në besim se të vdekurit qajnë të shkuarit e jetës së tyre, i mbulojn në varr bashkë me të vdekurin që ky të kish se ku të mblithte  lottë. Nuk më shkonte ahere kurr ndër mënt se pas ca vjet cilido prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë që në gjallësi për nga një lotore ku të mbledhim lottë t’ona për At Gjeçovin.

 

 

ANES LIQENIT

 

Gegë Postribës

Nata po afërohet. Drita e ditës, tretet dalë nga dalë; e, mbi tjegullat e shtëpive, mbi drrasat e rrugëve, mbi fletët e pemëve, mbi trupet e epta të çupave që shkojnë, një ngjyrë manushaqje-një ngjyrë gushë pëllumbi, si thonë në ca male t’ona-shtrihet, e i mpshtjell. Mbasandaj, pakë nga pakë manushaqet çfletohen. Hijet bëhen më të dëndura, më të zeza . Njëri mbas tjetërit, yjtë çpojnë qiellin, pikëlojnë dritë. Nata u afërua. Nata erdhi.

E kur afërohet nata, kur vjen nata, më pëlqen të vete të rri anës liqenit. S’është si liqeni i Ohrit, me ujëra të kulluara si të një rrëkeje, si liqeni i Janinës, që shkëlqen si një fushë e shtruar me pasqyra, si liqeni i Shkodrës, det i vogël i rrahur tej e këtej me lundra të moçme sa Shkodra e n’anë të të cilit gjallojnë malësorë të rreptë. Eshtë një liqen nuk m’i math se një kopësht, në mes të një pylli të punuar, liqen i ndyrë e i bukur,- i ndyrë se uji i qelbet, i bukur se pemët që e rrethojnë mvarin degët e tyre gjer mbi faqe të tij, edhe mbi faqe të tij hëna ndrit e lot. Në pushim të natës bretkosat këndojnë. Herë herë, një peshk,  e një tjetër, e një tjetër, shumë pishq, tingillojnë ujin. Uji  përsëri pushon e fle. Po një erë e ngadaltë ( shumë e ngadaltë!) unjet mbi liqen e i zhubravit faqen.

 

(Marrë nga” Albania”- Bruksel)

 

 

NE LIQEN

 

Fletët, të thata e të verdha, kanë rënë, nga lisat e rreth-e-rrotull, mbi liqen, edhe duken si njolla ari në një pasqyrë të vjetër.  As erë, as zë zogu. Një pushim i trishtimshëm. Vetëm, lark së largu, ushtimi i çapeve të një ëndërrimtari… Remat, herë herë, e në një hop që të dyja, i bien ujës: qark e hapen, që venë duke u-madhuar e duke shtyrë fletët: suli shket duke u-shulluar. Edhe nata po bie. Përtej u-ndes një dritë, që rrënjen në një copë të liqenit…

 

BORA

 

Kthielltësia e qiellit shkoi me diellin, me lulet, me verën. Vjeshta e trishtishme erdhi dhe iku. Tani po hyn dimëri, edhe qiellin e kanë mbuluar re të qeta e të ftofta. Edhe sot, për të parën herë, zuri të bjerë bora…

Prapa qelqeve të dritores, po shikonj. Nga dale nga dale, si kur ka frikë të ndëgjohet, bora fluturon flokë flokë e shtrohet mbi dhe. Bie kudo, e duket se kërkon të ndreqë e të zbukuronjë: Dy çupa  të vockëla shkojnë, e, në leshërat e arta të tyre, të lëshuara mbi shpatullat, bora shkruan trëndafile të ergjenda. Djelmt qeshin, hidhen, lozin, e lëftojnë me topa. Zoqtë vërtiten rreth e rrotull prakeve: ciu, ciu, një thrime bukë! Si në verë, gjithë bota janë veshur në të bardha.

Flokë flokë, nga dale, po bie bora…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *