SINDROMI I LUFTËS SË PARË BOTËRORE DHE LUFTA AKTUALE MIDIS RUSISË DHE UKRAINËS**

*Dr. Islam Lauka 

Aneksimi i Krimesë nga Rusia, në mars të këtij viti dhe mbështetja prej saj e forcave separatiste ukrainase në Donjeck dhe Llugansk, bëri që shumë historianë, analistë, studiues e politologë të përsërisin pyetjen e shtruar para gjashtë vjetësh, kur në gusht 2008, Rusia ndërhyri ushtarakisht në Gjeorgji, duke shkëputur prej saj dy krahina, Abhazinë dhe Osetinë e Jugut, të njohura ndërkombëtarisht edhe nga vetë Rusia, si pjesë e territorit gjeorgjian. Pyetja e atëhershme ishte kjo: Kush e ka radhën pas Gjeorgjisë? Përgjigja e një pjese të mirë të ekspertizës politike e shkencore të asaj kohe, fatkeqësisht, rezultoi të jetë e saktë-radhën do ta kishte  Ukraina.

E njëjta pyetje shtrohet edhe sot: Kush e ka radhën pas Ukrainës? Shtetet balltike, Lituani, Letoni, Estoni? Aq më tepër që  këto dy të fundit kanë komunitete të rëndësishme rusësh etnikë e rusishtfolës. Apo Moldavia, shteti i brishtë, ku si pasojë e ndërhyrjes së Armatës së 14 ruse, në fillim të viteve `90, sot e kësaj dite, ekziston konflikti “i ngrirë” i Transdnistrias, krahinës që këtë vit i kërkoi zyrtarisht Moskës përfshirjen në Federatën Ruse? Sipas analistit Pavel Sheremet, Putin do të përpiqet të dalë në Moldavi dhe krahinën e saj, Transdnistria për t`u ndërfutur në trupin e Europës Qëndrore dhe Lindore, duke e futur në rreth Ukrainën dhe duke e vënë plotësisht nën kontroll Detin e zi.1 Të gjitha shtetet e lartpërmendura kanë qenë pjesë e BS, deri në shpërbërjen e tij, në vitin 1991.

Të tjerë analistë e studiues shkojnë edhe më tej, duke mos përjashtuar nga lista e zezë e Putinit as Poloninë, dikur pjesë e Perandorisë Ruse.

Pyetje të tilla janë shprehje e shqetësimit të thellë të botës akademike, shkencore e politike  që shkaktoi aneksimi i Krimesë, akt, i cili përbën “rastin e parë të pushtimit territorial në Europë, që nga koha e Luftës së Dytë Botërore.2 Ky shqetësim ka të bëjë edhe me nëpërkëmbjen e hapur të së drejtës ndërkombëtare nga Moska , si dhe natyrën, historikisht, ekspansioniste të Rusisë, që, për hir të interesave të saj si fuqi e madhe, nuk është ndalur dhe nuk ndalet as para aventurave ushtarake të tipit të Gjeorgjisë  2008 dhe Ukrainës 2014.

Meqenëse lufta Rusi –Ukrainë përkoi me shënimin e 100- vjetorit të Luftës së Parë Botërore, shumë studiues kërkuan dhe gjetën paralele domethënëse midis tyre, pavarësisht se i ndan një shekull i tërë. Sipas Bashkëdrejtorit të Institutit të Analizës së Sigurisë Globale në Uashington, Gal Llaft “kuptimi i llogarive strategjike”3 që bënte Rusia në prag të Luftës së Parë Botërore na ndihmon të deshifrojmë kodin e sjelljes së sotme të Moskës në Ukrainë.

Në Manifestin e Carit, Nikollaj i II, të datës 20 korrik 1914, thuhet: “Duke ndjekur amanetin e vet historik, Rusia, një dhe e pandarë me popujt sllavë në besim dhe gjak, kurrë nuk ka qenë indiferente ndaj fatit të tyre. Këto ditë, kur Austro-Hungaria i paraqiti Serbisë kërkesa krejtësisht të papranueshme për një shtet, në mënyrë unike dhe me një forcë të veçantë, shpërthyen ndjenjat vëllazërore të popullit rus ndaj sllavëve…”4

Po të merret i shkëputur ky fragment, mund të biesh lehtë pre e stereotipit, sipas të cilit, Rusia u përfshi në Luftën e Parë Botërore, jo për shkak të interesave të veta perandorake, të cilat ajo i perceptonte si jetike, por për hir të aleates së saj ballkanike, Serbisë. 5

Kjo tezë, natyrisht, mbështetësit e saj kryesorë i ka të përqëndruar në Moskë dhe në Beograd, por nuk mungojnë as në Perëndim.6 Midis tyre është edhe ish Sekretari Amerikan i Shtetit, Henri Kisingeri, i cili, duke iu referuar lidhjeve ruso-serbe dhe mbrojtjes së Serbisë nga Rusia, arrin në përfundimin se “Kombet e Europës i lejuan vetes të bëheshin pengje të klientëve të tyre kokëkrisur ballkanikë, në vend që t`i frenonin ata”.7 Për hir të së vërtetës, duhet thënë se në librin e tij “Diplomacia”, Kisingeri, si një nga përfaqësuesit më të shquar të shkollës realiste, sjell fakte dhe argumente qe rrëzojnë tezën, sipas së cilës, fuqitë e mëdha të asaj kohe, përfshirë Rusinë, u tërhoqën në konflikt nga klientela ballkanike, në kundërshtim me vullnetin e tyre.8  Faktet dëshmojnë se Rusia hyri në Luftën e Parë Botërore për interesat dhe egon e saj si fuqi e madhe. Janë të njohura rivalitetet historike të Rusisë me fuqitë e tjera europiane për ndikim në Ballkan, në Europën Lindore, në Azinë Qëndrore etj.

Por në prag të Luftës së Parë Botërore, si kërcënim kryesor, Perandoria Ruse shihte Gjermaninë. Kjo situatë është fiksuar në një informacion  sekret të Shtabit të Përgjithshëm të Flotës Detare të Rusisë, drejtuar Carit, Nikollai i ll, në fillim të vitit 1914 : “Pesëmbëdhjetë vitet e fundit, Gjermania është përpjekur me të gjitha forcat për ta nënshtruar Rusinë ekonomikisht dhe për ta dobësuar atë politikisht dhe ushtarakisht…Por rilindja e Rusisë, tashmë, ka filluar dhe po përparon me shpejtësi. Për pasojë, në Gjermani po shfaqet frika, lidhur me shtrirjen e mëtejshme të ndikimit të saj, prandaj gjermanët po nxitojnë të marrin masa”.9

Por në prag të Luftës së Parë Botërore, si kërcënim kryesor, Perandoria Ruse shihte Gjermaninë. Kjo situatë është fiksuar në një informacion  sekret të Shtabit të Përgjithshëm të Flotës Detare të Rusisë, drejtuar Carit, Nikollai i ll, në fillim të vitit 1914 : “Pesëmbëdhjetë vitet e fundit, Gjermania është përpjekur me të gjitha forcat për ta nënshtruar Rusinë ekonomikisht dhe për ta dobësuar atë politikisht dhe ushtarakisht…Por rilindja e Rusisë, tashmë, ka filluar dhe po përparon me shpejtësi. Për pasojë, në Gjermani po shfaqet frika, lidhur me shtrirjen e mëtejshme të ndikimit të saj, prandaj gjermanët po nxitojnë të marrin masa”.9  Është koha kur Berlini kishte shpallur synimin për ndërtimin e një hekurudhe që do ta lidhte me Bagdatin, nëpërmjet Stambollit. Pikërisht në këtë periudhë , nisin e forcohen marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Perandorisë Osmane, sidomos në fushën ushtarake. Një mision ushtarak gjerman u vendos në Stamboll për të drejtuar stërvitjen dhe modernizimin e ushtrisë turke, në mënyrë të veçantë, Korpusin e saj të Parë, që kishte për detyrë mbrojtjen e kryeqytetit dhe të Ngushticave . Perandori gjerman, Vilhelmi i II, shprehu besimin se flamujtë e vendit të tij “së shpejti do të valëviten mbi fortifikimet e Bosforit”.10 Në takimin që Nikollaj i II pati me ambasadorin britanik në Shën Peterburg, deklaroi se në një situatë të tillë, Rusia do ta kundërshtonte me të gjitha forcat Gjermaninë “edhe sikur lufta të ishte e vetmja alternativë”.11 Kjo luftë, sipas shefit të administratës ushtarake të Rusisë, Nikollaj Obrushev, “do të ishte e përgjithshme, jo e lokalizuar”.12 Kërcënimin tjetër ndaj interesave të saj, Perandoria Ruse e shihte tek Austro-Hungaria. Viena konsiderohej nga Shën Petërburgu si një ndër rivalët e tij më të egër në Ballkan. Në qendër të politikës ballkanike ruse, për rreth tre shekuj me rradhë, ka qenë frenimi i ekspansionit austriak në drejtim të Ballkanit, duke përdorur të gjithë instrumentët që kishte në dispozicion, ushtrinë, diplomacinë, shpesh edhe popullsitë ortodokse të këtij rajoni duke i manipuluar dhe shfrytëzuar ato në funksion të interesave të veta, për ta mbajtur Austro- Hungarinë sa më larg Ballkanit. Në këtë kontekst, duke filluar që nga Lidhja e Prizrenit, por edhe para saj, Rusia nuk ka lënë gurë pa lëvizur për copëtimin e trojeve shqiptare dhe pengimin me çdo mjet të përpjekjeve për formimin e shtetit të pavarur shqiptar, i cili shihej prej saj si një projekt, kryesisht , austro – hungarez. Të tre projektet 13 e hartuar nga Shën Petërburgu, në prag të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, e gjymtonin atë territorialisht, deri në kufinjtë e një prefekture, midis Matit dhe Elbasanit, ndërkohë që një gjymtim akoma më i rëndë i bëhej përmbajtjes së tij: sipas projekteve ruse, ai do të quhej “shteti mysliman shqiptar”.

Rusia ishte ndër fuqitë e para, krahas Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë që, në fillim të Luftës së Parë Botërore, në vend që të mbronte pavarësinë e Shqipërisë si garantuese e saj, në bazë të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër,  i shkeli ato me të dyja këmbët, duke iu rikthyer, edhe një herë tjetër, tezës së vet të vjetër për copëtimin e trojeve Shqiptare. Në një takim me ambasadorin e Francës, Moris Paleologu 14, Cari, Nikollaj i II 15, i paraqiti atij pikëpamjen ruse, lidhur me Shqipërinë londineze, edhe ashtu të cunguar. Sipas tij, Serbia duhet të marrë pjesën veriore të Shqipërisë, Greqia, atë jugore, ndërsa Vlora duhej t`i kalonte Italisë. 16

Politikën e mbajtjes larg të Austro-Hungarisë në Ballkan, Rusia e ka ndjekur edhe lidhur me Serbinë. Sipas llogarive të Shën Peterburgut, me pushtimin e Serbisë, Vjena nuk do të ndalej vetëm me kontrollin e Adriatikut, por mund të dilte në Egje, duke pretenduar edhe ajo kontrollin e Ngushticave. Rusia mund të pajtohej me gjithçka, por kurrsesi me marrjen nën kontroll të Ngushticave nga një fuqi e madhe si Gjermania, apo aleatja e saj, Austro-Hungaria. Kjo do të thoshte asfiksi ekonomike për perandorinë cariste, pasi nëpërmjet Dardaneleve dhe Bosforit kryhej pjesa më e madhe e eksport-importit rus. Në të njëjtën kohë, do të shkaktonte asfiksi ushtarako-strategjike, sepse nëpërmjet tyre kalonin anijet luftarake ruse për mbrojtjen e interesave të saj si fuqi e madhe në Mesdhe dhe po nëpërmjet Ngushticave futeshin anijet luftarake të kundërshtarëve të saj, gjë që Rusia e kishte provuar, duke e pësuar keqas, në Luftën e Krimesë, gjatë viteve 1854-1856.

Një interes tjetër që e çoi Rusinë drejt përfshirjes në Luftën e Parë ishte ai i përmirësimit të imazhit. Pas poshtërimit nga Japonia, më 1905 dhe nga Berlini e Vjena, më 1908, duke e detyruar që të pranojë aneksimin austro-hungarez të Bosnjës, pa marrë asgjë në shkëmbim, Rusia dëshironte që, nëpërmjet fitores që ajo shpresonte ta arrinte në Luftën Botërore, të rivendoste autoritetin dhe prestigjin e saj si fuqi e madhe e klasit të parë.

Këto ishin interesat themelore që e shtynë Peterburgun drejt Luftës së Parë Botërore dhe jo sllavofilia apo serbofilia ruse, që propagandohet nga historigrafia ruse dhe një pjesë e historiografisë serbe.

Në manifestin e lartpërmendur të Carit, Nikollaj i II, nuk flitet hapur për këto interesa, sepse ai ishte një dokument moralizues e propagandistik që kishte për qëllim mobilizimin e perandorisë në emër, gjoja, të solidaritetit me vëllezërit serbë të një feje e të një gjaku.

Megjithatë, edhe në këtë dokument ka një fjali kyçe që shpreh thelbin e interesave ruse në Luftën e Parë Botërore, që, siç e formulon Cari, është “mbrojtja e pozitës së Rusisë si fuqi e madhe” .17 Këtij qëllimi i janë nënshtruar “serbofilia” dhe “solidariteti sllav” apo pretendimet e Peterburgut për, gjoja, mbrojtjen e paqes e të rendit ndërkombëtar.

Deshifrimi i kodit të sjelljes së sotme të Rusisë putiniste, nisur nga “kuptimi i llogarive të saj strategjike”, në vitin 1914, do të thotë që këtë sjellje ta shohim të kushtëzuar nga interesat e saj aktuale si fuqi e madhe, ashtu siç i percepton ajo.

Sot, pas 100 vjetësh, sipas  Moskës, pozitat e Rusisë përsëri janë të kërcënuara .18 Nëse atëhere problem themelor ishin Ngushticat dhe frika e kontrollit të tyre nga Gjermania apo Austro-Hungaria, këtë radhë, Presidentin Putin e ka kapur ankthi se mos, pas orientimit properëndimor të Ukrainës, Krimea kthehet nga një bazë e fuqishme ushtarake ruse, në bazë ushtarake amerikane ose të NATO-s, duke e kthyer Detin e Zi në një det të rrezikshëm, armiqësor për Rusinë. Qëllimi i aneksimit të Krimesë, duket se ishte parandalimi i një zhvillimi të tillë, që, në gjykimin e Moskës, cënonte interesat e saj jetike në fushën e sigurisë. Por duke fituar Krimenë, Rusia humbi Ukrainën.

Me humbjen e saj, si republika më e madhe dhe më e pasur, pas Rusisë, në ish-Bashkimin Sovjetik, merr fund edhe ëndërra e Putinit për Bashkimin Euraziatik, si një pol i veçantë fuqie, në botën shumëpolëshe. Ndërhyrja në Ukrainën juglindore dhe mbështetja e forcave separatiste në Donjeck dhe Llugansk, duket se ka si qëllim që, në pamundësi të kthimit të Ukrainës në sferën e saj të ndikimit, ta destabilizojë atë dhe të mos i japë asnjë mundësi që të integrohet në strukturat e BE dhe NATO-s. Pengesë kryesore për realizimin e ambicjeve si fuqi e madhe, Rusia e konsideron SHBA-në, NATO-n dhe BE-në.

Duke vazhduar me deshifrimin e kodit të sjelljes së sotme të Rusisë, mund të pohohet se, ashtu si me 1914, edhe me 2014, përmirësimi i imazhit, rikthimi i vendit  në hierarkinë e lartë të fuqive botërore, ishte një tjetër interes që e shtyu Kremlinin drejt goditjes së Ukrainës dhe aneksimit të Krimesë.

Mesazhi që ai dëshiron t`i japë Perëndimit, nëpërmjet ndërhyrjes në Ukrainë, është ky: Nëse nuk doni të dëgjoni zërin dhe mendimin tonë, nëse nuk doni të respektoni interesat tona, ne do t`ju detyrojmë ta bëni këtë. Në logjikën e Putinit, tani Rusia është bërë aq e fortë, sa t`i lërë pas fyerjet dhe poshtërimet që, sipas tij, Perëndimi ia ka bërë Rusisë, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe shpërbërjes së BS.

Ashtu si 100 vjet më parë, edhe në vitin 2014, Rusia nuk kursehet në përdorimin e demagogjisë. Për shkak të ndërhyrjes me forca ushtarake kundër një vendi tjetër sllav, siç është Ukraina, Moska nuk mund të flasë më në emër të “solidaritetit sllav”, si në rastin e Serbisë, por ka shpikur “mbrojtjen” e të drejtave të rusëve etnikë dhe të popullsisë rusishtfolëse” 19, duke i dhënë vetes të drejtën e ndërhyrjes, jo vetëm në Ukrainë, por në gjithë hapësirën ish sovjetike, kudo ku jetojnë pjesëtarë të së ashtuquajturës  “botë ruse” dhe sa herë që ajo vetë e gjykon se të drejtat e tyre po “shkelen”. Natyrisht, nuk janë të drejtat e rusishtfolësve ato që e shqetësojnë Moskën, por interesat shtetërore të saj, si fuqi e madhe.

Përtej Rusisë, në plan më të gjërë global, një tjetër ekspert amerikan, Ambasadori  Charles Freeman, gjen “ngjashmëri shqetësuese” midis sfidave të një shekulli më parë dhe atyre të sotme. Ai thekson se edhe në prag të Luftës së Parë Botërore procesi i globalizimit po zhvillohej me shpejtësi, ekuilibri i forcave po ndryshonte, fryma nacionaliste po përhapej, tensioni shoqëror-ekonomik po rritej, ndërkohë që teknologjitë ushtarake po përsoseshin, 20 duke paralajmëruar ndryshimin e karakterit të veprimeve luftarake.

Sot këto dukuri po shfaqen në progresion gjeometrik. Gazeta “Die Welt” konstaton “ngjashmëri të dukshme strukturore”21 midis sistemit të sotëm ndërkombëtar dhe atij që ekzistonte në prag të Luftës së Parë Botërore. Këtu, në radhë të parë, ajo ka parasysh lëvizjet tektonike në shpërndarjen e fuqisë dhe shfaqjen e lojtarëve të rinj që aspirojnë të sfidojnë rregullat e vendosura pas Luftës së Ftohtë, midis të cilëve, ndër më aktivët dhe më agresivët, paraqitet Rusia.

Pas zhvillimeve dramatike në Ukrainë, janë bërë gjithnjë e më të shumtë zërat për fillimin e një “lufte të ftohtë” të re  midis Lindjes dhe Perëndimit. Sipas politologëve rusë, Fjodor Llukjanov dhe Sergej Karaganov, “lufta e ftohtë”, as që është ndërprerë ndonjëherë, sepse, sipas tyre, edhe pas viteve `90- të të shekullit të kaluar, Perëndimi vazhdoi politikën e frenimit, të margjinalizimit dhe poshtërimit të Rusisë.22Profesori i Universitetit të Nju Jorkut,Stiven Kohen,  jo vetëm që e pranon se situata e tanishme në marrëdhëniet ndërkombëtare  i ka të gjitha shenjat e “luftës së ftohtë”, por e krahason atë me momentet më të mprehta të ballafaqimit midis Perëndimit dhe Lindjes, duke u shprehur se kriza aktuale është me e rrezikshme se ajo e Karaibeve në vitin 1962 .23

Nuk janë të paktë zërat, sipas të cilëve, po shfaqen fantazmat e luftës së tretë Botërore 24,  e cila, sipas tyre, nuk mund të jetë tjetër veç luftë bërthamore.

Profesori i Universitetit Kolumbia, Robert Levgold, paralajmëron se acarimi i krizës së sigurisë në qendër të Europës mund të kthejë rrezikun e kësaj lufte .25

Aq më tepër që Vladimir Putini, më se një herë, gjatë këtij viti, i është referuar arsenalit bërthamor rus dhe nevojës së modernizimit të tij. Në doktrinën ushtarake dhe atë të sigurisë të Federatës Ruse, që në vitin 1993, është hequr dorë nga parimi “i mospërdorimit i pari të armës bërthamore”.  Para pak kohësh, ishte pikërisht Moska ajo që kërcënoi se vetëm Rusia është në gjendje që ta shndërrojë SHBA-në në pluhur radioaktiv .26

Se çfarë do të thotë luftë bërthamore, këtë e ka paralajmëruar me kohë Albert Ajnshtajni: pas luftës së tretë, e katërta do të zhvillohet me gurë dhe me shkopinj .27

Nisur nga arsenalet e fuqishme bërthamore që zotërojnë SHBA dhe Rusia armagedoni eventual atomik, me shumë gjasë, do t`i jepte fund jetës në planetin tonë.

Sa janë reale gjasat për luftë botërore, në mënyrë të veçantë, për një ballafaqim bërthamor midis Rusisë dhe SHBA-së?

Për t`i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, duhet nisur nga rrethanat aktuale, si dhe nga raporti i forcave midis aktorëve kryesorë të skenës politike ndërkombëtare. Precedentët historikë janë të pamjaftueshëm për të arritur në përfundime të argumentuara shkencërisht. Analogjitë me të shkuarën mund të ofrojnë pjesë të së vërtetës, por asnjë prej tyre nuk pasqyron dot situatën e tanishme, sidomos sa u përket prognozave katastrofike .28 Duke pranuar që situata e sotme ndërkombëtare ka “ngjashmëri të dukshme strukturore” me atë në prag të Luftës së Parë Botërore, duhet vënë në dukje se ato janë larg së qëni identike. Mark Tuen ka shkruar se historia rimon 29, duke kuptuar me këtë që ajo nuk përsëritet, as nuk mund të përsëritet pikë për pikë.

Dallimi themelor është se me 1914, përballë njëri-tjetrit ishin dy blloqe antagoniste, nga njëra anë, Antanta (Britani, Francë dhe Rusi) dhe, nga ana tjetër, Blloku Qëndror, (Gjermani, Austro-Hungari).

Në mars 2014, Rusia ndërhyri e vetme në Ukrainë, pa patur ndonjë aleat pas vetes. Bile as Bjellorusia dhe Kazakistani, anëtarë të Bashkimit Doganor Euraziatik, nuk i mbështetën veprimet e Moskës në Krime.

Një dallim tjetër, gjithashtu thelbësor, ka të bëjë me raportin e forcave. Moska, vërtet, ka arritur paritetin strategjik me Uashingtonin, që në mesin e shekullit të 20-të, por në të gjithë elementët e tjerë të fuqisë ekziston një asimetri e dukshme midis këtyre dy vendeve. Mjafton të përmendim që ekonomia e SHBA-së është tetë herë më e madhe se e Rusisë, buxheti ushtarak amerikan është shtatë herë më i lartë se ai rus 30, pa folur për epërsitë e SHBA-së në teknologji, në telekomunikacion, në “fuqinë e butë”, etj.

Në këtë kontekst, vështirë të thuhet që Putini është i gatshëm për një ballafaqim me SHBA, me NATO-n dhe Perëndimin,  në përgjithësi. Deklaratat e tij kërcënuese duhen parë më shumë si mjet presioni ndaj Perëndimit, për të zbutur sanksionet apo për ta lënë të qetë në “tajgën” e tij, sesa kërcënim real për përdorimin e armës bërthamore. Kërcënime të tilla pati bërë edhe paraardhësi i tij, Boris Jelcin, në vitin 1995, gjatë luftës në Bosnje-Hercegovinë, si dhe në vitin 1999, gjatë luftës në Kosovë, si shprehje e pakënaqësisë së tij ndaj ndërhyrjes së NATO-s kundër forcave serbe .31 Ato mbeten pjesë e retorikës së nxehtë, më shumë simbol i dobësisë, sesa i fuqisë ruse. Siç do të mbeten të tilla, me siguri, edhe kërcënimet e Putinit. Sepse çdo udhëheqës shteti që ka pultin e komandimit të armës bërthamore e di që shtypja e tij çon në shkatërrimin e ndërsjellë, të sigurtë. Është vetë arma bërthamore që shërben si siguresë për mospërdorimin e saj dhe jo arsyeja e shëndoshë e Putinit dhe as triumfi i drejtësisë ndërkombëtare. Ka shumë të ngjarë që, po të mos ishte arma bërthamore, lufta botërore do të kishte filluar me kohë.

Megjithatë, siç konstaton me të drejtë studiuesi bullgar, Ivan Krastev, përkujtimi i 100 vjetorit të fillimit të Luftës së Parë Botërore, e bëri të pashmangshme referimin ndaj analogjisë me të 32, gjë që nuk kaloi pa ndikim në vendimmarrjen dhe reagimin e Brukselit dhe të Uashingtonit. Sipas këtij koncepti, që njihet edhe si “sindromi i Luftës së Parë Botërore”, meqenëse konflikti para 100 vjetësh erdhi si pasojë e keqkuptimit dhe mungesës së besimit midis fuqive të mëdha, pra, dështimit të diplomacisë, atëhere, mësimi që duhet nxjerrë është ky: kujdes nga reagimi i tepruar, jepi shans diplomacisë 33 ; ndaj veprimeve të Moskës të veprojmë me kujdes, të mos e provokojmë atë, përndryshe ajo do të bëjë ndonjë të keqe edhe më të madhe. Ky koncept gjeti vend në reagimet e para të Perëndimit ndaj aneksimit të Krimesë, të cilat ishin të vakëta dhe të mangëta 34, duke u kufizuar me disa sanksione ndaj një numri nëpunësish të administratës së Putinit.

Koncepti tjetër, që filloi të shfaqet me thellimin e krizës,  ishte i kundërt me atë të sindromit të Luftës së Parë Botërore: ndaj Rusisë duhet qëndruar fort 35, ajo duhet frenuar në agresivitetin e saj dhe ky frenim duhet të jetë sistemor, në të kundërt, lëshimet dhe pasiviteti e trimërojnë regjimin e Putinit dhe ai mund të ndërmarrë  aventura të tjera, me pasoja edhe më të rënda. Pra, jo reagimi, por mosreagimi do të ishte i rrezikshëm. Këtë kishte dëshmuar përvoja e Luftës së Dytë Botërore, kur politika e pajtimit me Hitlerin, veç i kishte shtuar orekset e tij dhe historia e saj, tashmë, dihet. Këtë dëshmoi edhe përvoja e Luftës së Ftohtë, kur politika amerikane e frenimit dhe sanksioneve ndaj BS dha frytet e veta.

Këtë dëshmoi edhe rasti i Kosovës, kur qëndrimi i fortë i Perëndimit ndaj Millosheviçit u konkretizua me ndërhyrjen e NATO-s, në pranverën e vitit 1999, duke parandaluar spastrimin etnik të shqiptarëve nga dhuna e strukturuar ushtarake dhe policore serbe.

Koncepti i qëndrimit të fortë gjeti konkretizimin e vet me sanksionet e nivelit të tretë të BE-së dhe vendimet e Samitit të NATO-s në Uells, të cilat, pritet që në të ardhmen e afërt, të japin efektet e duhura.

Përkujtimi i 100 vjetorit të fillimit të Luftës së Parë Botërore, si dhe zhvillimet e sotme ndërkombtare, sidomos lufta e Rusisë kundër Ukrainës, pra historia dhe e sotmja duhet të shërbejnë si momente reflektimi për shqiptarët. Popujt dhe kombet seriozë nxjerrin mësime të vyera nga përvoja historike dhe ajo aktuale. Ashtu si gjatë historisë, politika zyrtare e shtetit rus vazhdon të jetë në kundërshtim me interesat tona kombëtare shtetërore. Moska vazhdon të mbetet kundërshtari më i egër i pavarësisë së Kosovës. Si instrument të lojërave të saj gjeopolitike në rajonin e Ballkanit, ajo ka zgjedhur Beogradin dhe serbët, natyrisht, në funksion të interesave të veta dhe jo “vëllezërve sllavë”.

Nga ky këndvështrim, ngjarjet në Ukrainë, edhe një herë tjetër, rikonfirmojnë të vërtetën e shpallur, që në kohën e Rilindjes dhe të përsëritur si devizë kryesore në lëvizjet demokratike, në kapërcyell të viteve `80- `90-të të shekullit të 20-të, se për Shqipërinë dhe Kosovën, ashtu si për gjithë kombin shqiptar, nuk ka alternativë tjetër, veç forcimit të lidhjeve të gjithanshme me Perëndimin dhe, veçanërisht, me aleatin tonë strategjik-SHBA, si dhe vazhdimi i proceseve integruese në strukturat euro-atlantike.

_________________

1.Pavel  Sheremet, “Peredel Ukrainy”, Ukrainskaya Pravda, 14.04.2014

2. Robert Kagan, “Superpowers don`t  get to retire”, www.newrepublic.com,   26.05.2014

3.Gal Luft, “Tsar Vladimir the first”, www.foreignpolicy.com, 05.08.2014

4.Viktor Cernomyrdin, “Vyzov”, M., 2003, s. 193-194;

“Za balkanskimi frontami Pervoy  Mirovoy Voyni “, M., 2002, predisllovye, s.3

5.Nikolay Rizhkov, Vyacheslav Tetyokin, “Yugoslavskaya Golgofa”, M., 2002,  s. 22-35;

E. Yu. Guskova, “Istoriya Yugoslavskogo krizisa” (1990-2000), M., 2001, s. 508;

A. Bezhicky, “Voyna, kotoraya vsegda s toboy”, Ogonyok, nr. 30, iyul`, 1995

6.Henri Kisinger, “Diplomacia”, Tiranw 1999, f. 194;

Patrick. J. Buchanan, “Who and what is Vladimir Putin?”, The American Conservative, 18.03.2014;

Margaret Macmillan, “Sherri i madh i Serbisë së vogël”, Koha Ditore, 18.01.2014

7.Henri Kisinger, op. cit

8.Henri Kisinger, op.cit, f. 181;

N. Rich, “Diplomacia e fuqive të mëdha 1814-1914”, Tiranë, 2006, f. 260-261

9.Yu. Pisaryev, “Tayny Pervoy Mirovoy Voyny. Rossiya i Serbiya v 1914-1915 gg.”, M., 1990, s. 109-110

10.D.C.B. Lieven, “Russia and the origins of the First World War”, New York, St. Martin`s Press, 1983, p. 46

11.D.C.B. Lieven, Op.cit, p. 69

12.George F. Kenan, “The fatefull alliance: France, Russia and the coming of the First World War”, New York, Pantheon, 1984, Apendix II, p. 264

13.“Istoriya vneshney politiki Rossii”, M., 1997

14.Moris Paleologu, (1859-1944), diplomat i shquar francez, nga viti 1914 deri në vitin 1917 ka qenë  ambassador i Republikës së Francës në Perandorinë Ruse

15.Cari Nikollaj II (1868-1918), ka qenë perandori i fundit rus. Gjatë revolucionit të shkurtit të vitit 1917, abdikoi nga froni. Me urdhër të autoriteteve sovjetike, në vitin 1918 u pushkatua në qytetin Ekaterinburg, me të gjithë anëtarët e familjes së tij.

16. Moris Paleologu, “Tsarkaya Rossiya vo vremya mirovoy voyny”, M., 1991

17.Viktor Cernomyrdin, op cit

18.Gal Luft, op.cit

19. Vladimir Putin, “Obrascheniye Prezidenta Roossiskoy Federacii”, www.kremlin.ru, 18.03.2014

20.Charles W. Freeman, “Kogda bessil`na diplomatiya”, www.globalaffairs.ru, 03.09.2014

21.Dominik Geppert, Sonke Neitzel, Cora  Stephan, Thomas Weber, “Pochemu vinovata ne tol`ko Germaniya”, Die Welt, www.inosmi.ru, 12.01.2014

22.Sergey Karaganov, “Evropa: Okonchit` holodnuyu voynu”, www.globalaffairs.ru, 08.04.2014;

Sergey Karaganov, “Evropa i Rossiya: Ne dopuskat` novoy holodnoy voyny”, www.globalaffairs.ru, 27.04.2014;

Fyodor Lukyanov, “Mechta o holodnoy voynye”, www.globalaffairs.ru, 28.04.2014;

Georgiy Bovt, “Hotyeli russkiye voyny?”, www.globalaffairs.ru, 02.03.2014

23. Stephen F. Cohen, “The new cold war and the necessity of patriotic heresy”, www.thenation.com, 12.08.2014

Dominik Geppert, Sonke Neitzel, Cora  Stephan, Thomas Weber, “Pochemu vinovata ne tol`ko Germaniya”, Die Welt, www.inosmi.ru, 12.01.2014

Sergey Karaganov, “Evropa: Okonchit` holodnuyu voynu”, www.globalaffairs.ru, 08.04.2014;

Sergey Karaganov, “Evropa i Rossiya: Ne dopuskat` novoy holodnoy voyny”, www.globalaffairs.ru, 27.04.2014;

Fyodor Lukyanov, “Mechta o holodnoy voynye”, www.globalaffairs.ru, 28.04.2014;

Georgiy Bovt, “Hotyeli russkiye voyny?”, www.globalaffairs.ru, 02.03.2014

Stephen F. Cohen, “The new cold war and the necessity of patriotic heresy”, www.thenation.com, 12.08.2014

24. Jacques  Attali, “Geopolitique de l`humiliation”, www.slate.fr, 16.09.2014;

Gareth Evans, “Five reasons why the sky is not falling”, www.project-syndicate.org, 27.05.2014;

Han Siudun, “Pora gotovit`sya  k tret`yey mirovoy”, Huancin Zhibao, www.inosmir.ru, 16.09.2014

25..Robert Legvold, “Managing the new cold war”, www.foreignaffairs.com,   08.08.2014

26.Fyodor Lukyanov, op cit

27.Andrey Bystritskiy, “SMI v koren` ”, www.globalaffairs.ru, 27.01.2014

28.Dominique Moisi, “Vladimir Poutine donne un nouvel elan a l`axe Paris-Berlin”, Les Echos, FR, 24.03.2014

29.Graham Allison, “Could the Ukraine crisis spark world war?”, The national interest, 07.05.2014

30.Robert Legvold, op cit

31.John Mearsheimer, “Why the Ukraine  crisis is the west`s fault?”, www.foreignaffairs.com, (nr. 5, 2014), dt.31.08.2014

32.Ivan Krastev, “1914 protiv 1938: kak yubileynyie daty delayut istoriyu”, www.globalaffairs.ru, 19.07.2014

33. Ivan Krastev, idem.

34.Robert Kagan, op cit

35. David J. Kramer, “Action, not words needed for Ukraine”, The Washington Post, 22.04.2014; David Francis, “How NATO could confront the Putin doctrine”,www.foringpolicy.com, 26.08.2014

 

*Dr. Islam Lauka, Drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike

**Kumtesë e mbajtur para disa muajsh në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *