AMBASADOR OSE JO, ZHITI ËSHTË FUQIPLOTË

NDUE DEDAJ

 

Çështja “Zhiti” është skanimi i fundit i një shoqërie demokratike të brishtë që nuk mirëfunksionon që nga kreu. Asnjë argument nuk e rrëzon zotin Zhiti për ambasador në Vatikan, të gjithë argumentet e bëjnë atë fuqiplotë për këtë post diplomatik. Një ish-ministër që shkon ambasador është emërim në hullinë e duhur. Si të thuash, ministër për ministër. Për më tepër që ambasadori i propozuar ka qenë në shërbimin diplomatik dhe më parë, madje po në Romë në ambasadën tonë atje. Mirëpo nuk është ky problemi në rastin e Visarit, pasi statura e tij është e patëmetë, por se “fati” nuk ka qenë më të asnjëherë. Në të vërtetë politika. Ajo nuk deshi ta kuptojë në rini dhe as ta mirëkuptojë tani, pra, si atëherë kur ishte diktaturë, si sot që është demokraci, pavarësisht ndryshimit thelbësor mes tyre. Dikur e mbërthenin në pranga për poezinë jo steriotipe, sot e shmangin me artifice procedurash burokratike, pa diçka substanciale. Aq më pak mund të përligjet “jo”-ja ndaj tij me anë refuzim-replikimesh presidenciale me qeverinë!? Nuk di se çfarë mund t’i jetë kërkuar Faik Konicës kur qe dërguar për ambasador i shtetit shqiptar në Amerikë, Luan Starovës si përfaqësues i shtetit maqedonas në Paris, apo shkrimtarit latino-amerikan Migel Angel Asturias, që gjithashtu ka shërbyer si ambasador i vendit të tij, Guatemales, po në kryeqytetin francez. Shërbimi diplomatik gjithnjë ka thithur shkrimtarë dhe padyshim ata kanë qenë ndër më të vlerësuarit dhe për faktin se ishin të tillë. Nuk është e rastit që Visar Zhiti është i gjithëpranuar në këto njëzet e pesë vjet, çka e dëshmoi më së miri dhe Komisioni i Jashtëm Parlamentar që e votoi unanimisht, por dhe qeveria e majtë që paraqiti një ish-deputet të djathtë, që në rastin e tij është më shumë se një format parlamentari, pasi në thelb Zhiti është i lirë nga politika, nuk ka ndonjë funksion politik dhe për më tepër ndonjë shpalim partiak. Nuk është fjala për ta glorifikuar personalitetin e tij, por, për paradoks, sikur duhej ky ngërç “institucional” (moskonsultimi i qeverisë me Presidentin për kandidaturat e ambasadorëve të rinj, ku përfshihej dhe ajo e tij, parapëlqimi nga kisha e një katoliku si më i përshtashëm për ambasador në Vatikan), që ky individualitet i njohur i shoqërisë shqiptare të merrte gjithë zërin e duhur. Zhiti nuk e ka fituar njohjen e gjërë publike thjesht se ka qenë i dënuar politik, por për sjelljen me lirinë pa e shpërdoruar atë; ndërkohë që është një autor që i kërkohen librat nga lexuesi, dhe pse asnjëherë nuk u kujdes për bujën mediatike, si jo pak të tjerë që shkrimtarinë e fituan si zejë në tranzicion e jo si ai që u maturua si shkrimtar brenda ngujimit politik, ku qëndronte i prangosur bashkë me lirinë e tij. Këtu janë kredencialet e tij, që ia legjitomojnë përfaqësimin e shqiptarëve në të gjitha nivelet, deputet, ambasador, ministër, pse jo dhe më shumë. Në të vërtetë nuk është Visari që duhet të shkojë tek institucionet, por këto të fundit tek ai. Gjithmonë një vend, një popull, një komb, një politikë do të ketë individë që ngrihen mbi institucionet me profilin e tyre shoqëror dhe kjo nuk i ul këto të fundit, përkundrazi ato lartohen përmes akteve që ua njeh ligji, në emër të Republikës, duke dekretuar njerëz të tillë, që në thelb janë ata që i kanë “dekretuar” institucionet, me qendresën e paepur morale mandeliane, apo artin e madh, shpikjet e zbulimet shkencore, doktrinat e reja ekonomike etj. Titullari i institucionit mund të jetë dhe i radhës, por jo dhe një flamurmbajtës i lirisë, disident ose jo, sido që ai ta ketë emrin, në Shqipëri a diku tjetër. Ndaj procedurat për individë të tillë janë gjëja e fundit. Se sa e vërtetë është kjo dhe se sa jorigorozisht merren procedurat nganjëherë e tregojnë disa tituj nderi që jep Presidenti i Republikës (jo domosdoshmërisht ai aktual) për persona të dorës së dytë e të tretë dhe jo gjithnjë për korifej të artit, kulturës, shkencës etj. Kurse figurat e kalibrit kombëtar nuk i bëjnë lobim emrit të vet me miq e me shokë të politikës. Ata kanë “mik” më shumë se të sotmen, të ardhmen.

Rasti “Zhiti” ndoshta ka hapur debatin se kush duhet të përfaqësojë dhe pse. Edhe kur emëri na vjen pa u përmbushur ca procedura mes institucionesh, që normalisht duhet të plotësohen. Edhe kur me kandidaturën nuk fitohet kapital politik etj. Ka gjasë që me Visarin ndodhi kështu për faktin se ai nuk është i askujt, duke qenë i të gjithëve. Nuk dihet se si do të kishte shkuar puna e këtij emërimi, nëse ky zotëri pas përfundimit të misionit diplomatik nuk do të dilte në pension, por do të kthehej në krye të partisë më të madhe të së djathtës?! Por puna është se Visari kurrë nuk ka bërë llogari. Ai ka qenë dhe mbetet një idealist, si poet avangardë, si ish-i dënuar i ndërgjegjes, si qytetar kurajoz, si shtetar që nuk di të bëjë kompromis me antiligjin, si ish-deputet që ka ditur të jetë njerëzor dhe si ambasador i vendit të tij në Vatikan a kudo tjetër. Është krejt i besueshëm në mirësinë e tij prej njeriu sokratik. Ai i ka përkthyer e botuar poezitë e Nënë Terezës pa kërkuar çmim moral apo diplomatik për to. Dhe nuk është i pari dhe i vetmi. Po aq ka lobuar për shenjtërimin e Nënë Terezës deri në Vatikan “myslimani” tjetër Ali Padrimja, bashkë me personalitet e kishës në Kosovë. Përkatësia fetare e dikujt sigurisht ka vlerën e saj, por në një përfaqësim shtetëror ajo që ka peshë është lartësia e përfaqësimit. Nuk mund të kishte një falmeshëndet më të mirë të shqiptarëve për Papa Françeskun se dërgimi atje fill pas vizitës së tij e një shkrimtari që ka vuajtur diktaturën e që shumë mirë atë ditë në katedralen e Shën Palit në Tiranë, Shenjtëria e Tij, krahas rrëfimit dramatik të Dom Ernestos dhe Motër Maries, mund të dëgjonte dhe rrëfimin e Visarit dhe asesi nuk do të kishte pyetur se i cilit besim është ky burrë i përthinjur. Le pastaj sikur kreu i shtetit t’i drejtohej duke i thënë: këtë njeri kemi përzgjedhur për ambasadorin tonë në Vatikan, që dhe nëse nga ngarkesa emocionale e çastit ka thënë diçka të panatyrshme në adresë të kishës, çka fundja nuk është ndonjë deklaratë zyrtare. Nga një anë tjetër, rasti Zhiti e kapërcen vetveten, duke mos qenë më thjeshtë rasti i tij. Na duhet të mësohemi tash e mbrapa me propozime jashtë “radhës”, jashtë të pritshmes dhe kjo është një shenjë e mirë. Aq më tepër nëse i referohemi shërbimit diplomatik ku nuk ka kurrëfarë kuptimi që të “lexohet” se ky apo ai diplomat është i përkatësisë politike ikës. E jo vetëm në shërbimin e jashtëm. Shoqëria jonë ka nevojë të promovojë figura pa kopertinën e politikës dhe jo vetëm kur kjo kërkohet për të dalë nga situatat kritike. Visar Zhiti vetëm këtë herë është thirrur jo vetëm për të shërbyer, por dhe për t’u shërbyer për meritat që ka. Vërtetë qe një vit Ministër Kulture, por në një rrethanë kur PD-së i duheshin formate jo aq politike në sytë e publikut, si dhe doktor Halim Kosova. Kjo do të rriste besimin te institucionet e pavarura, duke i bërë ato realisht të atilla. Të mos harrojmë, janë lakuar emra të rëndësishëm për institucionet kryesore të shtetit, por nuk janë votuar nga politika, si Kristaq Traja, Sandër Lleshi etj. Nesër me siguri do të dalin në skenë të tjerë emra të shquar, që sa më shumë t’i përfillim, aq më lehtë do të kalojë “Visari”…për ambasador duke qenë i fituar reputacioni kombetar dhe shtetëror i vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *