Gazetarit nuk i lejohet te shtrembërojë realitetin

“ Jam miku i Platonit, por ca më tepër mik i së vërtetës”

Sokrati

 

PjetërJaku

Me datën 23 Gusht 2014, në “The Imperial House” promovohet  ACTV, i cili kalon në pronësi të biznesmenit Ndue Ftoni. Më pare kjo vale televizive me një orë program  në ditë ishte në pronësi  të Armando Shtizes.

Moderatori i këtij takimi, Zef Përgega mbajti fjalen mbi historikun  e mediave në Komunitetin Shqiptar të Detroitit.

Nuk i falet gazetarit Pergega të mos di se:

  1. Me Gjon Lulgjurajn dhe Radion “ Zani i Komunitetit Shqiptar në Detroit”, para Kujtim Qafes e Julian Çefës kanë punuar Gjergj Dedivanaj e Nikollë Pashku.
  2.  Në shtëpinë e piktorit Ndue Gjelaj, Mark Prelë Gjokaj dhe Rrok Kalaj ( së bashku me Nduen) botuan Revisten “Arbri”,  të parën revistë shqiptare ne Michigan.
  3. Në Michigan, për më shumë se dy vjet transmetoi rubrika shumë interesnate dhe cilësore, sidomos konkursin historik, TV “ A-2” me pronar Agustin Shqalsin dhe kryeredaktor të talentuarin Bardhyl Ukcamaj.
  4. Gazeta “Tema Shqiptare” me pronar Adritaik Shekon u publikua po këtu.
  5. Gazeta e njohur Illyria e pati botuesin Ekrem Bardha nga komuniteti ynë dhe në mesin tonë.
  6. Gazeta më e vjetër shqiptare “ Dielli” për dy vjet u botua në Detroit.

Është e pamundur kur flet për mediat të lësh pa përmendur klerikun dhe dashamirësin e letërsisë e historisë shqiptare, Imam Vehbi Ismailin, i cili ribotoi në kushte shumë të vështira, duke i radhitur libra të tërë me makinë shkrimi, vepra nga më të njohurat të Letërsisë Shqipe, që regjimi hoxhian i kishte ndaluar.

Zef  Paloken, gazetarin e njohur të Televizionit Shqiptar, i cili ndihmoi në hapjen e televizionit te pare në komunitetin tonë, me parametrat cilësor të kohës, duke realizuar, falë punës së tij “ Miss Shqiptaren në Michigan”, për të vetmen here deri më sot, s’ke si e  harron!

Patjetër që ka dhe  emra, të cilët duhen nderuar e për të cilët duhet shkruar.

Harresa është tjetër gjë me mospërmendjen  e qëllimshme. E rëndësishme është e vërteta!  Gazetaria nuk shkruhet me inate. Ngjarjet nuk deformohen, pse ato i priu dikush qe nuk te pëlqen ty. A-ja e gazetarit është e vërteta. Në shumë raste ndodh që historianët t’i referohet një kronike, e si do të shkruhet historia kur kronikat janë të pavërteta? A nuk u mbush historia jonë me të pavërteta, që sot e kësaj dite po na kushtojnë rëndë?!

Kronikanët pushtues dhe vendas i shkruan kronikat, ashtu siç i donin eprorët e tyre, ndaj dhe Shqipëria mbeti e copëtuar kështu siç është. Shumë data i fiksuam gabim, duke i kthyer deri në festa kombëtare, siç është, fjala vjen, dita e mësuesit. Thua se shkolla e pare shqipe të jetë vetëm pak më shumë se 100 vjet më parë, kur shekuj më parë Durrësi kishte universitet!

Gazetari  Përgega “ harron” të përmend  Revistën “ Kuvendi” të printuar me më shumë se 150 faqe në muaj, në të cilën ishte editor, “funksion”  që e shënoi dukshëm në ndonjë kopertinë libri të tij, ose kur i nevojitej.

Kjo nuk përbën asnjë rëndësi për Revisten Kuvendi, u tha apo s’u tha nga Zef Përgega në një takim si ky.

Gazetarët kanë sakrifikuar jetën për të vërtetën, e jo të mos e shkruajn saktësisht një periudhë të caktuar të një komuniteti, në të cilin kanë jetuar.

E, kur “harron veten”, s’ke se si të mos harrosh të tjerët!

Revista Kuvendi u publikua e printuar rregullisht per 12 vjet pa ndërprerje. Në gushtin e vitit 2012 u ndalua sa për të marrë frymë për një nisje të re, por nuk u deklarua e mbyllur asnjëherë, pasi këtë vjeshtë do të rinis prapë me një drejtim tjetër publikimi i saj, për here në vazhdim të atij Kuvendi, me të cilin për më shumë se një dekadë u përcollen aktivitete, jo veç të komunitetit shqiptar në Amerikë, por edhe disa here ngjarjet dhe historinë, kulturen dhe arritjet e shqiptarëve kudo që ishin dhe janë.

Para se të merrte përsipër raportin e mediave, duhet t’i ishte drejtuar , së paku librit arshivë: “Shqiptarët në Detroit”, ose botimeve të tjera të Shoqërisë Botuese “ Kuvendi”, të cilat edhe jashtë deshirës së tij ekzistojnë. “Dielli nuk mbulohet me shoshë”, – thotë populli.

Ky shënim është vetëm një kujtesë miqësore, jo vetëm për rastin konkret, por të gjitha mediat dhe gazetarët që punojnë për to, të mos harrojnë në punën e tyre të thonë vetëm të vërtetën, ashtu siç ndodh. Në një kronikë gazetari s’ka pse të bëj komente nga vetja.

Me këtë rast,  i urojmë pronarit të ri të Televizionit të Komunitetit Shqiptar të Detroitit ( ACTV ), Ndue Ftoni suksese dhe kurajo në pasqyrimin e saktë dhe në kohë të jetës së këtij komuniteti vital.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *