POLITIKA E DROGËS PUSHTON AJRIN

NDUE DEDAJ

 

Në të vërtetë kishte mbetur vetëm ajri pa u pushtuar (dikush mund të thoshte: pa u ndotur) nga politika, pasi në tokë nuk ka mbetur asgjë që nuk i vjen era politikë. Një politi(kë)zim i çdo gjëje dhe i gjithçkaje. Për çfarë nuk kishin folur deri më tash politikanët, parlamentarët tanë, për malet e larta e fushat e gjera që “i kanë ndërmend ditë e natë”, pyjet e rrënuara dhe specialistët e dëbuar të tyre, mjedisin e “plehëruar” nga gjerat plastike dhe plehrat e mjedisuar, detet me tragjedi Otrantoje dhe moratorium skafesh, kufijtë detarë të rrezikuar nga grekët si dikur Pashalimani nga sovjetikët; por nuk ishin ngjitur sojlinjtë e politikës lart në qiell, në ajër, atje ku është Zoti. Po ja që e kaluan më në fund dhe këtë cak, prej tyre u pushtua dhe ajri. Ka disa javë që shqiptarët, prej politikanëve të tyre, zgjohen me zhurma avionësh që ulën dhe ngrihen me drogë në borde, si të jemi në Kolumbi. E gjitha nisi nga një akuzë e opozitës se në aerodromin e Gjadrit, i braktisur prej kohësh dhe me një pistë të dërmuar, ishin parë helikopterë të ngarkoheshin me drogë dhe se për këtë veprimtari të paligjshme narkotrafikuese ishte vënë në shërbim infrastruktura ushtarake. U duk se kjo kishte të bënte me ministren e Mbrojtjes, Kodheli, që disa muaj më parë kishte paditur në prokurori paraardhësin e saj, Imami. Dhe tani në Kuvendin e Shqipërisë flitet vetëm për këtë kolerë që na ka pllakosur befas tokën dhe ajrin, fluturimin e drogës drejt destinacionesh misterioze. Deputetët e opozitës në një anë e ata të qeverisë në anën tjetër. Është e vërtetë! Nuk është e vërtetë! Dhe shqiptarët e trysnuar nga politika rrinë e mbajnë vesh se çfarë iu thonë ligjvënësit dhe të kënduarit e këtij vendi, me pasion të madh, për këtë punën e mbrapshtë të drogës, si të jetë duke u folur për mbjelljet e pranverës apo të korrat e vjeshtës.

Është natyrisht një grishje jo e vogël të dish se si në botë me kohë ka shtegtuar në ajër jo vetëm droga nën masa të rrepta sigurie, por dhe floriri nga minierat e arit në uzina, depo e banka. Ndaj tash për tash na ka mbetur t’i mbajmë sytë për hava se mos shohim avionë me hashash të korrur në kopshtet e fshehura maleve, teksa diku matanë Atlantikut flitet për legalizimin e drogave të lehta. Mirëpo ne jemi një vend anëtar i NATO-s dhe kjo puna e qarkullimit të drogës veshur me rrobë ushtarake nuk mund të jetë kaq e lehtë. Një individ dhe mund ta ngarkojë gomarin apo kalin e tij me canavis sativa në katund, apo dhe një bos helikopterin e tij privat, nëse ka mjete të tilla dhe në Shqipëri, por zor që këtë ta bëjë një ushtri nën ombrellën e Aleancës, që shpie misione paqeruajtëse nëpër botë dhe këqyret ore çast nga radarët symprehtë. Këtë nuk e theni ne, por vetë Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, duke na treguar se hapësira jonë qiellore, ajrore shihet rregullisht nga NATO etj. Njëfarë çudie është se kjo puna e drogës u zgjua fill pasi në mediat italiane pati një fokusim për Lazaratin. Droga përflitet se është atje poshtë në jug, kurse helikoptetët ngrihen në Gjadër në veri?! Nuk është e para histori me drogë kjo në këto anë. Në Shkodër ka patur një proces gjyqësor për fermerët e Shkrelit që ka zgjatur me vite, rreth 50 të dënuar, me mbi 100 vite burg, por që më pas duket se ka dalë se ishte kërp industrial dhe jo drogë. A ka supe ky vend për të mbajtur histori të tilla “përrallore” droge, të qena e të paqena? Deri tash kemi parë vetëm Lazaratin nga larg, aty ku helikopterët italianë kanë shkelur vërtetë, jo për ta vjelur drogën, por për ta kundruar e fotografuar atë nga sipër?

Ndërkohë që droga zhurmon në qiell, nuk iu hedhim një sy shkollave, të dashur parlamentarë, ku nxënësit tanë dhe fëmijët tuaj, e ndezin nga një cigare hashashi?…  A thua do të ishte më e ndershme kjo se sa ta “drogojmë” politikën dhe me këtë punën e drogës? Nëse politikanët dhe shtetarët tanë mendojnë sadopak dhe për historinë, a iu shkon ndërmend se histori të tilla nesër mund të kthehen në parodi për ta, do të thuhet në të ardhmen se ata u morën me dokrra hini, siç do të thoshte Fishta, kur vendi kishte aq shumë probleme sociale dhe ekonomike, për më tepër kur po kryhej dhe ndarja e re territoriale e vendit dhe vetëm dy muaj më pas do t’i zgjatet prapë dora Brukselit për atë ftesën për antarësim që na u refuzua dhjetorin e kaluar për të tretën herë. A thua do të ishte gjëja e duhur pikërisht kjo, ashtu si dhe kontrollet policore nëpër postblloqet rrugore, kurse këtën punën e drogës hipur mbi avionë t’ia linim ligjit. Kreu i SHISH, Lika, në një deklaratë për shtyp tha se nuk ka prova për trafik droge nga Forcat e Armatosura, dhe se nga zyra e tij pak kohë më parë kishte dalë një shkresë me dyshime se në Gjadër ishte parë një helikopter i bardhë e një furgon i verdhë me targa të Vlorës?… Nuk ka kuptim që politika e drogës të shtrihet nga kupola e lartë e shtetit te vazot e luleve, se qenkan mbjellur dhe ato me bimën e mallkuar. Një politikë pa bereqet që zbriti dhe në nivelin lokal në një përplasje mes Prefektit të Tiranës dhe Bashkisë së saj.

Stuhia e drogës ishte ngritur në qiell dhe gjithandej, por ajo nuk ishte përcjellë te Presidenti i republikës, dhe se ushtria shqiptare, para se të ketë ministër, ka komandant të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, që është kreu i shtetit. Nëse duam vërtet të dëgjojmë institucionet, Presidenca është institucioni numër një dhe për këtë gjë. Siç është dhe prokuroria, ku dhe pse ka kaq zhurmë politike e denoncime retorike, atje askush nuk ka shkuar nga politikanët, deputetët, zëdhënësit, qytetarët për të dëshmuar nëse kanë parë ndonjë avion të vogël të bardhë apo ndonjë avion të madh të zi të ngarkohet me drogë, duke u shpëtuar vëzhguesve. Kjo që po ndodh ngjan të jetë më shumë politikë për politikë, që do të ishte mirë të shmanget të paktën tani, pasi do të këtë një hetim parlamentar (që zor se do të gjejë thasë droge në helikopterët e ushtrisë), duke shpresuar në një përgjegjësi më të madhe të organeve të informimit, në shpalimin e akuzave nga opozita etj. Një vend nuk mund të mbahet peng i dyshimeve, që prodhojnë politikë kalimtare. Por e ka dhe ky debat një të mirë, pasi zgjon vëmendjen e qeverisë dhe të hallkave të tjera të shtetit ndaj drogës, përdorimit të saj nga të rinjtë në shkolla e mjedise të tjera publike, më tepër se nga aerodromet.

I kishim harruar tregimet me diversantë, që në vitet ’50, netëve pa hënë, lëshoheshin me parashutë nga avionët specialë në pyjet e larta, por jo dhe në Gjadër, pasi ishte sumë pranë “radarëve”…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *