SHQIPTARËT NË MAQEDONI PSE NUK I MORËN TRE DEPUTETËT E DIASPORËS?!

Nga Ramiz  LUSHAJ
1.
Risi: në Elektoriadën 2011 u shtuan edhe tri njësi zgjedhore. Kjo kërkesë e kahershme edhe e partive politike shqiptare. Nga këto njësi elektorale, kemi si thuhet në përditshmëri: “Deputetët e Diasporës”. Kësaj nuk ia ka mbrri ende as Shqipëria, as Kosova, as Mali i Zi.
Kështu, Kuvendi i Maqedonisë ka 123 deputetë gjithsej.
Në dy zgjedhjet e fundit (2011, 2014) kjo risi prodhoi vetëm fitore për partinë maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE. Të tre deputetët në dy herat elektorale janë të saj.
Në koft se VMRO-DPMNE nuk do t’i kishte fitue këta tre deputetë, atëherë situata paszgjedhore në Maqedoni do të ishte disi ndryshe, pasi kjo forcë politike që doli e para në zgjedhjet e 27 prillit do të kishte 58 deputetë. Prapë ky numër i deputetëve do të ishte ma i larti që koalicioni VMRO-DPMNE me 22 parti politike ka siguruar në tetë palë zgjedhje parlamentare. Mirëpo nuk do ta kishte fuqi aq të madhe për diktat e hjekësi në zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit, në ndamjen e portofoleve ministrore me partitë shqiptare, etj.
Përndryshe: këto tre mandate të Diasporës e kanë ngritë partinë e Gruevskit në kuotën e 61 deputetëve gati sa në vitin elektoral 2008. Ajo sot mundet të formojë qeverinë në koalicion vetëm me koalicionin maqedonas GROM (Partia Opsioni Qytetar për Maqedoninë, Partia Liberale, Partia Përparimtare Serbe në Maqedoni, Lidhja e Forcave të Majta të Titos e Partia e Demokratëve të Lirë) që ka fitue një deputet.
Kësisoj, Koalicioni Qeverisës i Gruevskit kap 28 parti politike nga 47 parti që morën pjesë në zgjedhjet e fundprillit 2014. Numerikisht mbi gjysmën e tyre.
2.
Çështja shtrohet hapur e qartë: A munden partitë politike shqiptare në Maqedoni që të fitojnë tre deputetët e Diasporës ndërkontinentale? Sigurisht që po. Shembujt flasin vet. Po i hedhim një sypamje Amerikës.
“Kërçova e dytë” në Çikago (SHBA) në zgjedhjet lokale të vitit 2013 i dha fitoren shqiptare pas 70 vitesh komunës së Kërçovës tue zgjedh një kryetar komunar shqiptar (Fatmir Dehari i BDI), pasi rreth 1.000 shqiptaro-amerikanë kërçovas, me vullnetar kombëtar e shpenzimet e tyre mortën pjesë në votim.
Kryebashkiaku i Tiranës metropolitane, Lulzim Basha, në janar 2013 në përurimin e xhamisë së Sahatit në Dibër të Madhe në fjalën e tij përcolli simbolikën e  “Tri Dibrave”, ku njëra prej tyre është në Amerikë.  Rreth 15.000 dibranë thuhet se jetojnë në Nju Jork me rrethina, aqsa “Staten Island” thirret edhe “ishulli i dibranëve”, të cilët i dhanë tone luftës së UÇK-së nëMaqedoni e fitoren e thellë kandidatit të BDI mr. Ruzhdi Lata në Dibër të Madhe.
Në Nju Jork, në zonën e “Tri Shteteve”, kemi diasporë të madhe të shqiptaro-amerikanëve të Strugës, të cilët i dhanë fitoren në komunën e Strugës, Ziadin Selës, kandidatit të PDSH.
Njësia zgjedhore nr. 8 e “dy Amerikave” në vitin 2011 ka pasë 1.824 votues të regjistruar në 24 vendvotime në Nju Jork, Uashington, Çikago, Detroit (SHBA) e Toronto (Kanada) po votuan vetëm 994 prej tyre. Fitoi VMRO-DPMNE, partia e Gruevskit.
Në zgjedhjet parlamentare të sivjetme (sipas të dhanave paraprake) në SHBA-Kanada ishin të regjistruar 3.337 votues e morën pjesë në votime 1.776 prej tyre. Kandidati Pavle Sazdov i VMRO-DPMNE fitoi mandatin e dytë si “deputet i Diasporës”, ashtu sikurse edhe kandidati Tefik Abdullahi i BDI në Çikago (me komunitet të madh të shqiptarëve nga Kërçova e Prespa) mori rreth dy herë ma shumë (351 vota) se kandidati i VMRO-DPMNE.
Dihen të gjitha ndikimet elektorale të partisë maqedonase VMRO-DPMNE me koalicionin e saj, si shkelja ekstreme e Kodit Zgjedhor, ndihma shtetërore infrastrukturore për votuesit e saj maqedonas (si dërgimi në qendra votimi me autobuza, etj.), përfshirja e ambasadave e konsullatave të Maqedonisë në përkrahje të partisë maqedonase në pushtet, votimi me pasaporta të vjetra, etj. Dihen dhe mungesa të mëdha të emrave të shqiptaro-amerikanëve nga Kërçova, Dibra e Madhe, Struga, etj. të cilët figuronin edhe në lista votimi në vendlindje qyshse nga zgjedhjet lokale, etj. Po asnjana nga partitë, as BDI e aq ma pak PDSH, as LSDM e opozitës maqedonase nuk mund të kërkojnë ripërseritjen e zgjedhjeve në “Dy Amerikat” pasi nuk ua mundëson as rezultati i tyre elektoral i pakët.
BDI e Ali Ahmetit duhet ta ketë aksiometrike fitoren e deputetit të saj në Diasporë (Dy Amerikat) për dy arsye: Flitet se numri i shqiptarëve nga FYROM (Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë) në Amerikë (në zonën e “Tre Shtetshit”) si kumton gazetari dibran Beqir Sina në Nju Jork, kalon mbi 25 mijë vetë. Kanë votuar vetëm 478 shqiptaro-amerikanë për dy partitë politike shqiptare: BDI e PDSH. Një shifer që mund t’i bahen dhjetra komente nga ma të ndryshmet. Tjetër: PDSH duhet t’i matin ma mirë forcat e veta politike, pasi kandidati i saj Ferki Bekteshi në Amerikë-Kanada ka marrë vetëm 3 apo 4 vota(!) Ndoshta PDSH duhej t’i hapte rrugë elektorale BDI në “Dy Amerikat”, pasi prania e saj nuk pati vota elektorale, po krijoi imazhin në Diasporë se “shqiptarët në Maqedoni janë të përçarë në parti politike”, etj. çka ndikoi sadopak në pjesmarrjen në votime, sidomos diaspora e Strugës, etj.
3.
Në njësinë zgjedhore nr. 7 që përfshin në hartën elektorale shtetet në  Europë-Afrikë, ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2011, gati u trefishue numri i të regjistruarëve për votim dhe u mbi trefishue numri i pjesmarrjes së votuesve. Natyrisht u rrit edhe numri i votuesve shqiptarë. Ishin gjithsejt rreth 3.500 vetë. Përndryshe mbi 1.000 shqiptarë ma shumë se ç’ishin krejt votues nga Maqedonia në vitin 2011 në zonën Europë-Afrikë.
Votimi në Europë-Afrikë dritëroi një fakt të errët të partive politike shqiptare në Maqedoni: koalicioni politik elektoral në mes tyre. Sikur tri partitë politike shqiptare: BDI, RDK (Rilindja Demokratike Kombëtare e Rufi Osmanit) e PDSH të dilnin sëbashku me një kandidat fitorja ishte mëse e sigurt përballë kandidatit Risto Mançev (inxhinier në Itali) të VMRO-DPMNE, i cili fitoi mandatin e dytë si deputet i Diasporës Maqedonase. Po mundej të ndodhte edhe tjetra: të fitonte i vetëm edhe kandidati i BDI gostivarasi Ismail Beluli, biznesmen në Zvicër, i cili mori rreth 3.000 vota. Kandidati i RDK, Enver Osmani, mori rreth 500 vota, ndërsa kandidati i PDSH, Shpend Saiti (në Zvicër) mbi 100 vota (sipas të dhanave jo përfundimtare).
Në njësinë zgjedhore nr. 9 Australi-Azi, ku figurojnë të regjistruar për votim 3782 votues, mbi katër herë ma shumë se në vitin 2011. Mirëpo pjesmarrja në votim ishte e pakët. Kjo njësi zgjedhore mund t’i lihej edhe PDSH të Menduh Thaçit e mbështetur nga të gjitha partitë e tjera shqiptare. Mirëpo, BDI doli e vetme me kandidatin e saj Driton Maliku, ku edhe mund të fitonte po të kryente ma shumë punë kryehere, pasi numri i shqiptarëve në Australi të shkuar nga Maqedonia është i madh, disa herë ma i madh se numri i të regjistruarëve për votim.
 
4.
Në tri njësitë zgjedhore për “deputet i Diasporës” (në ato nr. 7, 8, 9) në zgjedhjet parlamentare të 27 prillit 2014 figurojnë të rregjistruar rreth 21.000 shtetas të Maqedonisë (edhe shqiptarë) me të drejtë vote. Sipas një përllogaritje: mbi tre hërë ma shumë se në zgjedhjet parlamentare të 5 qershorit 2011.
Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYROM) ende nuk e ka të saktësueme diasporën e saj shumetnike, pasi në regjistrimet e saj manipulon herë pas here e ma së forti në dam të shqiptarëve etnik. Agjensia për Emigrim flet për 433.233 shtetas të Maqedonisë (edhe shqiptarë) në diasporë. Ministria e Punëve të Brendshme për 125.000 vetë. Komisioni Shtetëror Zgjedhor i Maqedonisë publikon se vetëm 68.000 shtetas të Maqedonisë kanë të drejtën e votës në tre njësitë zgjedhore në Diasporë.
Sidoqoftë shqiptarët në Maqedoni, ma saktë: BDI e Ali Ahmetit, ishte afër mundësisë reale për të fituar tre “deputetë të Diasporës” apo, tekefundja vetëm dy prej tyre, në Amerikë e në Europë. Kështu, BDI do të ishte sot me 21 apo 22 deputetë në Parlamentin e Maqedonisë.
Nëse sivjet partive politike shqiptare në Maqedoni ua mirëkuptojmë shfajësimet e ndryshme, etj., në elektoriadën tjetër parlamentare do të ketë vetëm përgjegjësi politike e qytetare për mos fitoren e tre “deputetëve të Diasporës”.
Tiranë, 29 prill 2014

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *