Bija E’res – drejt lexuesit, nga Bukureshti…

Me bukurinë e “Bija E’res” (si titull, por edhe si mishërim i një metafore të shumëfishtë), autorja arrin të shkrijë kufijtë gjeografikë dhe historikë që e ndajnë vendlindjen dhe gjuhëlindjen nga hapësirat e tjera globale, pa cënuar, madje duke pastruar e përsosur verbin poetik.

 

Dr. Ardian Kyçyku

 

Botohet në Bukuresht, nga Librarium Haemus, libri “Bija E’res” – Vargje dhe një Gur
në vend të (jetë-a-vdekje)shkrimit, e poetes dhe prozatores Elinda Marku*. Hartuar njëherazi si antologji autori dhe si manifest i pabujshëm i një poezie krejt të lirë nga ana estetike dhe stilistike, “Bija E’res” sjell një frymë të panjohur në poezi.
Njëra nga përmasat e brendshme që shquan librin është gjuha, një gërshetim i natyrshëm dhe befasues i shqipes së epërme, të zgjedhur, me atë ‘arkaike’, të folme, nga të gjitha hapësirat shqiptare, nga dje – sot – nesër, çka i lehtëson lexuesit hyrjen dhe madje edhe njësimin shpirtëror me universin poetik të Elinda Markut. “Në fshatin tim e në fëmijërinë time, – shprehet autorja në një bisedë me Revistën Haemus (2012), – jo vetëm njerëzit flasin bukur, por pemët, shpendët, lulet… Madje edhe varret flasin mrekullisht bukur atje”.
Kjo gjuhë e përhershme, që ngërthen çdo të folme e të shkrueme të mundshme, i falet lexuesit nga një vetëdijë poetike tejet e çiltër, pa kompromise, ndonjëherë alpine, për të mos thënë e ashpër (por një ashpërsi që s’mund të këqyret veçse si reagim i drejtësisë, apo dhimsurisë së përdhosur nga kohërat dhe veset e tyre). “Nuk është i talentuar ai që din, ose mëson me shkru, beson Elinda Marku. I talentuar asht ai njeri që din e mundet me dhimb. Kam dhimb para se të mërgoja, dhe mërgova prej pothuaj gjithçkaje që më shkaktonte dhimbje… Por mërgova duke e marrë dhimbjen me vete, e duke e bërë edhe më të bukur”.
Mund të thuhet se me bukurinë e “Bija E’res” (si titull, por edhe si mishërim i një metafore të shumëfishtë), autorja arrin të shkrijë kufijtë gjeografikë dhe historikë që e ndajnë vendlindjen dhe gjuhëlindjen nga hapësirat e tjera globale, pa cënuar, madje duke pastruar e përsosur verbin poetik. Nga ana tjetër, libri shton një gur të ndritshëm në traditën e botimeve shqip të Bukureshtit, ku kanë dalë së pari veprat e disa prej korifejve të letrave shqipe, por edhe në trekëndëshin tradicional të shqiptarëve të Rumanisë, Amerikës dhe të krejt Shqiptarisë.
Figurat e librit janë trandëse dhe syçelëse (duke nisur me atë derën pa shtëpi, që pret t’i trokasë autorja e mërguar, me parajsën ku edhe ndodh të vdiset, me pyllin që pret të shpërthejë sythet e tu, me retë që krijuan gjuhën e tyre prej shiu / për t’i hyrë tokës në gji, e deri tek varka që shpëton gjurmë, ose det – gjaku im që të kam harruar etj).
Duke përsëritur se ky libër ‘nuk mund të quhet vëllim, ngaqë është shumë më tepër thelb’ (poetik), do ta mbyllja këtë paraqitje të shkurtër me fjalitë që hapin prozën “Gur”:
Tash jemi në liri të plotë. Veçse shumë të zënë, tuj folë pafundësisht për shëmtimin dhe shterpësinë tonë. // Të bukurën, kur nuk mundemi ta çenzurojmë plotësisht, e shpërfillim…
“Bija E’res” gjendet edhe në Panairin e Librit në Tiranë, në stendën e Botuesve të Kosovës, falë zemërgjerësisë së “Buzukut”.
* Poete dhe prozatore lindur në vitin 1969 në Fierzë – Rubik, Mirditë, ka kryer gjimnazin në Rubik dhe Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, dega Gjuhë-Letërsi Shqipe. Është autore e librave “Dy herë e virgjër”, “Struktura e ferrit” dhe “Macia_blu@poezi”. Jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Elinda Marku, Bija E’res – Vargje dhe një Gur në vend të (jetë-a-vdekje)shkrimit, Librarium Haemus, Bukuresht, tetor 2013, 111 faqe, ISBN 978-606-8093-52-9.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *