Sfida e Vatrës

Alfons Grishaj,

Kryetar i Deges se Pan Federates “Vatra” ne Detroit

 

Institucioni i Vatrës i ka mbushur 102 vjet jetë dhe veprimtari të dendur në dobi të interesave të atdheut dhe çështjes kombëtare. Misioni historik i Vatrës fillon me themelimin e saj, me 31 Mars 1912. Faik Konica dhe Kristo Floqi punuan për hartimin e rregullores dhe Kanunores. Konica  parashtroi dy emra për shoqërinë e re: “Parmenda” me kuptimin kultural, dhe “Vatra” me kuptimin patriotik, duke përcaktuar kësisoj edhe orientimin programor, por edhe mënyrën e funksionimit si një organizatë gjithëpërfshirëse që mbështetej tek parimi i solidarësisë, ashtu sikurse familja shqiptare përgjatë gjithë traditës së saj etnojuridike. Detyra themore që Vatra i ngarkoi vetes ishte shpëtimi i Shqipërisë nga aneksionizmi shovinist i fqinjëve të saj.  Me 14 Korrik 1912, Vatra u mblodh ne Boston, nën drejtimin e Lambi Kreshpani, kryetar i degës së Massacusets. Në këtë takim, ku merrnin pjesë 14 degë, u zgjodh dhe Komisioni i parë i Vatrës, i cili zgjodhi Sekretar të Përgjithshëm dhe editor të “Diellit”, Faik Konicën (“Dielli” më parë qe organ i Shoqatës “Besa-Besë”). Ky personalitet do të ishte  dhe Ambasadori i parë i Vatrës në Europe. Pas kongresit të Triestes (1913), Konica u prit prej personaliteteve ndërkombëtare me mjaft peshë si Konti Berchtold, ministër i punëve të jashtme të Austro-Hungarisë, dhe San Giuliano, ministër i punëve të jashtme të Italisë. Me këtë fakt shënohet nisma e parë e diplomatike e Federatës Pan Shqiptare Vatra, e cila do të ushtronte suksesshëm atë rol të cilin nuk mund ta kryente dot qeveria shqiptare, për shkak të mungesës së autoritetit si brenda vendit ashtu dhe në arenën ndërkombëtare në ato çaste tejet të vështira për fatin e kombit. Nuk mund të harrohet kontributi i gjithë atyre figurave kombëtare, anëtarë dhe ambasadorë të Vatrës në Europë, duke filluar nga Mehmet Konica deri tek Mit’hat Frasheri. I vetmi njeri me të cilin Vatra nuk mundi të gjejë gjuhën e përbashkët qe, Ismail Qemali (të cilin Vatra e kishte brohoritur për punën e vigane të bërë me ngritjen e flamurit dhe shpalljen e Pavarësisë në Vlorë) dhe me këtë fakt lidhet dhe vetë përçarja e parë që pësoi Vatra. Kristo Dako, të cilit, i njihen meritat si Kryetar i parë i Vatrës dhe inisiativa për të bërë të njohur çështjen shqiptare tek Presidenti Ëilson, nëpërmjet mikut të tij, Charles Crane (më pas Noli do të takohej personalisht me Presidentin Ëilson) duke siguruar mbështetjen e shtetit më të fuqishëm të botës për moscoptimit të mëtejshëm të Shqipërisë, krijoi “Partinë Politike”, duke zgjedhur delegat në Europë Ismail Qemalin. Midis Vatrës dhe Ismail Qemalit u hap një hendek.  Vatra e kundërshtoi këtë përçarje, dhe më e çuditshmja ishte se, mikja angleze e shqiptarve, Miss Edith Durham, do t’i shkruante zonjës Sevasti Dako, se po të zgjidhej Ismail Qemali delegat, ajo do të hiqte dorë nga çështja shqiptare.

Sipas Refat Gurazezit, në Vatër ndodhën tri përçarje, më 1917, më 1925, dhe 1936. Përçarjet, rrjedhojë e rrymave kontrastante të politikës së brendshme, i bënë dëm çështjes shqiptare në përgjithësi, duke pasur parasysh momentet delikate në të cilat ndodhej Shqipëria.

Misioni i Vatrës qe i vështirë dhe i sukseshëm. Sigurisht, Vatra pati baticat dhe zbaticat e veta deri në ditët e sotme. Ajo shfaqi një lloj përgjumjeje të justifikueshme në disa vite. Komunistët shqiptar u munduan ta futnin në dorë Vatrën, por falë një vote të Prof. Arshi Pipa, Vatra është ajo që është sot. Pas Kryetarit Agim Karagjozi, u emërua kryetar Dr. Gjon Bucaj. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij ndezën dritën e gjelbër për ringritjen e Vatrës si imperativ të kohës. Çështja e Kosovës e shkundi Vatrën, në kuadër të protokollit të shtetit Amerikan, para se të niste sulmi mbi Serbinë… E theksoj këtë për të treguar se Institucioni i Vatrës, ishte dhe është pjesë e protokollit të shtetit më të fuqishëm në botë, SHBA, dhe se shteti Amerikan, në vendimet e tij, për çdo rast që ka të bëjë me Shqipërinë apo Kosovën, bazohet edhe në konkluzionet e konsultimeve me Vatrën. Le të sjellim ndërmend pranimin e Shqipërisë në NATO. Vatra ishte e prezent, kur Presidenti Bush, do të nënshkruante aktin historik të rreshtimit të Shqipërisë si e barabartë midis të barabartëve në paktin ushtarak më të fuqishëm në botë…

Besoj mjaftojnë këta shembuj si përgjigje ndaj disa njerëzve që nuk e dinë ende se çfarë është Vatra…

Dega e Vatrës në Michigan, u riformua më 28 Janar 2012, me praninë e Kryetarit të Vatrës, Dr. Gjon Buçaj dhe anëtarit të Kryesisë, Zef Balaj, ky i fundit jo si i deleguar i Vatrës, por si veteran i saj, meqënëse ndodhej për arsye private në Michigan. I pranishëm qe dhe Genc Kortsha, një nga intelektualët më të kompletuar në Michigan, i cili vite më parë kishte djersitur mbi një kanunore bashkëkohore, por që ky punim kishte mbetur i harruar diku në zyrat e Vatrës. Në Komisionin e mandateve dhe të numërimit të votave ishin, Pjetër Jaku, Armando Shtiza dhe Paulin Palushi. Me shumicë votash u zgjodhën: Alfons Grishaj Kryetar, Pjetër Jaku Zv.Kryetar, Mondi Rakaj Sekretar. Officerët e bordit: Julian Çefa Arkëtar, Kujtim Qafa, Ilir Myftiu dhe Enita Hajdari. Vlen për t’u theksuar se ka pasur dhe dy tentative të tjera për riformimin e degës së Vatrës në Michigan, por për arsye të ndryshme nuk u realizuan. Dua të sqaroj se themeli i veprimtarisë së Vatrës është Statuti dhe Programi i saj. Zbatimi i Statutit dhe Programit është kusht i padiskutueshëm që duhet respektuar nga çdo anëtar. Nëse ndokush mendon se duhet shkelur Kanunorja dhe të bëjë si t’i dojë qejfi, duhet të dijë se nuk është e ligjshme por dhe as e ndershme asnjë sjellje që shkon përkundër standarteve të një organizimi që tashmë e ka kaluar një shekull veprimtari. Nëse ndonjë nga ne mendon se zgjedhjet bëhen pa votuar, gabon! Ligji themeltar i demokracisë është: vota e fshehtë bëhet legjitime, kur numërohet. Kjo për të spjeguar dhe ndonjë romuz “shoqëror” aty-këtu.

Çfarë bëri Dega e Vatrës  në Michigan  pas riformimit?

Menjëherë i hyri punës për të bashkëpunuar me Institucionet Fetare, duke pasur parasysh se shqiptarët në emigrim janë të mbledhur me tepër pranë institucioneve të besimit. Vatra, si institucioni më i vjetër shoqëror dhe politik në diasporë, vendosi bashkëpunimin me Ambasadën e Shqipërisë në Uashington,me Ambasadorin Gilbert Galanxhi dhe Kosullatën e Përgjithshme në Neë York, me Konsull Dritan Mishto. Me Institucionin e Konsullit të Nderit në Michigan, Ekrem Bardha dhe me të gjitha shoqatat në Michigan. Gjithashtu vendosi lidhje dhe me Kongresistë dhe nënpunës të lartë të shtetit Amerikan. Duke shfrytëzuar këto lidhje, dega jonë, u mundua të ndihmojë bashkatdhetarë me probleme në emigracion. Dega jonë i hyri punës për të krijuar degë të reja në Amerikë dhe Kanada, së shpejti dhe në Europë. Kjo, jo për t’i bërë konkurrencë qendrës, por për të bërë secili atë që është në gjendje të bëjë, si pjestarë të të njëjtit mision.

Për çdo lëvizje, ne, marrim aprovimin nga Kryesia në Neë York dhe pastaj veprojmë. Dega e Michiganit, ka dy anëtarë të Kryesisë së Përgjithshme në Neë York, Alfons Grishaj dhe Z.Kujtim Qafa, çfarë tregon se jemi të përfaqësuar si Degë.

Manifestimi i organizuar me rastin e Njëqind Vjetorit të Pavarësisë, tregoi forcën e bashkimit të komunitetit dhe rolin e Vatrës në këtë drejtim. Drejtimin e këtij takimi e kryen dy anëtarë të Vatrës, Franz Grishaj dhe Rafaela Kondi. Sigurisht një falenderim i veçantë, vjen nga Vatra për të gjitha shoqatat dhe krerët e tyre, gjithashtu për drejuesit e qendrave fetare, si Don Fran Kola, Dom Ndue Gjergji, dervish Elidon Pashaj dhe Konsullin e Nderit Ekrem Bardha. Një rol të fuqishëm ushtron gjithnjë Këshilli i Kishës së Shën Palit me kryetar Kolë Gjokaj, bashkëpunimi me të cilin është gjithmonë një sukses i garantuar.

Dega e Vatrës Michigan punoi intensivisht për Dekorimin e Institucioneve Fetare, sidomos për Kishën Katolike të Shën Palit, e cila ka pasur një potencial patriotik që i ka shërbyer me devocion çështjes kombëtare. Vatra kishte parasysh se duke nderuar këto Institucione, nderohej puna e çdo patrioti dhe atdhetari që punoi në vite për liri. Pjetër Jaku punoi me përkushtim në formulimin e këtyre dosjeve, që më pas iu dorezuan nëpërmjet Sekretarit të Vatrës Mondi Rakaj, Ambasadorit Galanxhi, dhe ky i fundit ia dorëzoi Presidentit të Republikes.

Për të nderuar këto qendra “Nderi i Kombit”, punoi Partia Demokratike dhe njerëzit e saj. Çdo spekulim tjetër është i  turpshëm dhe i pavlerë.

Takimin madhështor me Presidentin Nishani, e organizuan Vatra së bashku me Konsullin Bardha dhe Don Fran Kola me Këshillin e Kishës së Shën Palit. Drejtuesi i këtij takimi ishte anëtari i Vatrës, atdhetari dhe intelektuali Nevruz Nazarko.

I vetmi që falenderoi Vatrën në këtë eveniment ishte Don Fran Kola, i cili e meritoi nderin që iu bë Institucionit dhe personalisht atij. Don Frani, qëkur i ka shkelur këmba në Michigan, ka rrezatuar vetëm mirësi dhe ka përkrahur pa rezerva si Vatren ashtu edhe të gjithë njerëzit besimtarë dhe atdhedashës!

Vatra, në bashkëpunim me  Konsullin Bardha dhe Don Frane Kola, organizoi dhe një fushatë ndihmash për ambasadën në Uashington dhe më vonë për Kongresmenin Peters, i cili ka përkrahur dhe përkrah shqiptarët me një dëshirë të admirueshme, sikur të ishte shqiptar. Ne organizuam dy takime me shkrimtarin Prof. Nusret Pllana, në promovimin e librit dhe të dokumentarit “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët”

 

Sfidat  Vatrës:

 

1-Të punohet pa u lodhur për finalizimin e bashkimit të trojeve Shqipetare.

2-Zgjerimi i Vatrës me anëtarë të rinj.

3-Nderimi i disa personaliteteve që kanë kontribuar në vite për çështjen kombëtare.

4-Hapja e Degeve të reja në Amerikë dhe në Europë.

5-Përditësimi i Statutit dhe Programit të Vatrës, në përputhje me kërkesat e kohës.

6-Thellimi i bashkëpunimit me shtetin Amerikan dhe miqtë e Shqipërisë, Senatorë, Kongresmenë dhe zyrtarë të lartë lokalë.

 

7-Dendësimi i bashkëpunimit midis Institucioneve, shoqatave dhe  personaliteteve të pavarura që kanë kontribuar dhe kontribuojnë për çështjen kombëtare.

8-Pregatitja e personaliteteve të Vatrës për t’u përfaqësuar në Atdhe. Kjo, në vijim të traditës së hershme të Vatrës së Nolit dhe Konicës. Sigurisht në bazë të një strategjie të mirëfilltë filozofike dhe pragmatiste.

9-Të ndihmojmë në bursat dhe shkollimin e të rinjve tanë.

10-Të ndihmojmë në çështjet e emigracionit njerëzit në nevojë.

11-Botimi i historikut të Degës së Vatrës Michigan.

 

Puna ime si kryetar, nuk e di si do të ishte pa kontributin e zotërinjve dhe zonjave të nderuara vatrane. Nuk mund te lë pa përmendur bashkëpuntorët e mi të ngushtë, Pjetër Jaku, Don Fran Kolaj, Kujtim Qafa, Ekrem Bardha, Nevrus Nazarko, Petrit Doda, Donika Bardha,Julian Cefa,Gjeto Ivezaj, Nikollë Vneshta, Vasel Ujka, Valentin Lumaj, Elinda Marku. Falenderoj gruan time Mirela Grishaj për mbështetjen dhe mirëkuptimin, e cila s’ka reshtur së qeni bashkëpuntore dhe këshilltare pothuajse prej njëzet vitesh. Përsonalisht falenderoj Z.Mond Rakaj ,që prej dy vjetëve  financon herë pas here për  Vatren dhe duke  paguar  kuotizacionin  e disa  prej shokëve të tij…

Nuk mund të lë gjithashtu pa falenderuar, aktivistët patriotë të Michiganit, si Gjergj Ivezaj, Zhozef Dedvuka, Rrok Juncaj, Taulant Kadia, Luigj Gjokaj, Lulash Palushaj, Imam Shuaip Gerguri, Ndue Ivanaj, Nikollë Hysa, Pal Rakaj, Arben Dervishi, Agustin Çupi, Prekë Gjokaj, Minyr Nazifi, Fran Gjokaj, Luigj Sterbyqi, Gjevalin Gega, të cilët kanë ndihmuar Vatren sa herë që u është kërkuar.

Falenderojmë dy televizionet, atë të Gani Vilës dhe Armando Shtizës, për pasqyrimin e punës së Vatrës në përgjithësi.

Falenderoj çdo anëtar të Vatrës, të vjetër dhe të ri, duke u kërkuar që ta ruajmë e ta kultivojmë frymën e identitetit kombëtar këtu në diasporë, si amanetin e shenjtë të të parëve.  Kështu merr kuptim krenaria që jemi vatranë, vijues të asaj vepre që shpëtoi Shqipërinë!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *