GAZETAEXPRESS E martë, 08 Prill 2014 21:20
-
Një numër shoqatash shqiptare në Shtetet e Bashkuara u mblodhën sot përpara Shtëpisë së Bardhë për të kërkuar më shumë të drejta për shqiptarët në Mal të Zi.
Demonstrata u organizua me rastin e vizitës në Uashington të Kryeministrit malazez Milo Gjukanoviç, përpara takimit të tij në Shtëpinë e Bardhë me Nënpresidentin Joe Biden.
Shqiptaro-amerikanët, pjesmarrës në demonstratën e sotme në Uashington, përfaqësonin shoqata nga Nju Jorku, Detroiti dhe Çikagoja.
Ata thanë se ishin mbledhur përpara Shtëpisë së Bardhë për të ngritur zërin kundër asaj që ata e quajnë politikë diskriminuese të qeverisë malazeze ndaj shqiptarëve. Protestuesit thanë se shqiptarët e Malit të Zi duhet të gëzojnë të gjitha të drejtat sipas konventave të botës demokratike.
Pashko Gjokaj, kryetar i shoqatës Malsia e Madhe në Detroit, tha se shqiptarët e Malit të Zi kërkojnë të drejta të barabarta si të gjitha pakicat e tjera.
Don Fran Kolaj, famulltar i Kishës së Shën Palit në Detroit, thotë se shteti malazez, megjithë premton liritë nacionale, kur vjen puna te çështja e shqiptarëve ai nuk i praktikon dhe nuk i realizon ato me kushtetutën e vet.
Mark Gjonaj, anëtar i asamblesë së Nju Jorkut, është shqiptari i vetëm që përfaqëson komunitetin në një organ të rëndësishëm si asambleja e shtetit:
“Zemra ime është plot kur shikoj kaq shumë shqiptarë nga të gjitha territoret shqiptare të mbledhur bashkë, nga Kosova, nga Shqipëria, nga Mali i Zi, nga Çamëria, për të diskutuar çështjet e trajtimit të shqiptarëve në Mal të Zi, nuk ndjej veçse gëzim. Ky bashkim në vetvete dërgon një mesazh të fortë jo vetëm për qeverinë e Malit të Zi por për të gjithë udhëheqësit shqiptarë, se ne jemi ketu per ata, se do te jemi zëri për gjithë shqiptarët në Mal të Zi dhe në të gjitha territoret shqiptare.”
Disa prej pjesmarrësve në tubim u bënë thirrje qeverive në Tirane dhe Prishtinë që të interesohen për rregullimin e statusit të shiptarëve në Mal të Zi.
Ata thonë se fakti që janë kaq shumë shqiptarë të Malit te Zi që jetojnë në emigracion provon se ata nuk gezojnë te drejta në territoret e tyre./voa/