Një grup nxënësish adoleshentë, djem dhe vajza, 16-17 vjeçarë, aty nga ora dhjetë e paradites, në pikun e mësimit, kishin bashkuar tavolinat në një lokal afër kalasë së qytetit dhe ia kishin kërcitur muhabet, alkool e duhan. Është ky një embrion kur shfaqjet josociale marrin formën e grupit. Disa (pikë)pyetje lindin më këtë rast. Çfarë mendon kjo rini e “lehtë”, që lë mësimin pa vramendje dhe vrapon të grupohet kundër rregullit? Po ata që i shohin (mësuesit) e ata që bëjnë sikur nuk i shohin (prindërit)? Po shoqëria civile?… Po?… Dhe mbeten pa përgjigje pyetje të tilla, përderisa ky ritual shqetësuesh kafenesh i nxënësve dhe studentëve vazhdon sot e gjithë ditën. Flitet vazhdimisht mbi adoleshentët, shprehet shqetësim familjar, shkollor e qytetar për ta, por gjendja pak ndryshon, në mos përkeqësohet dita-ditës. Sigurisht që nuk janë të gjithë njëlloj, problematikë, të pabindur etj. Asesi. Ka madje adoleshentë që përqeshen, iu ngjiten nofka e pseudonime, dhunohen psikologjikisht e fizikisht nga bashkëmoshatarët e tyre, dukuri që tashmë njihet me emrin bulizëm. Sipas një studimi të Institutit të Shëndetit Publik, 23 përqind e nxënësve tallin shokët e tyre, duke iu shkaktuar stres. Ka adoleshentë me “busull”, po ka dhe të rinj ku rafsha mos u vrafsha, siç thotë populli, që s’duan t’ia dinë as për mësuesin, as për prindin, në mos vetëm për policin. “Më mërzisin të gjithë librat dhe të gjithë mësuesit”, shprehet në sy të prindit në mënyrë sfiduese një 15-vjeçar, që braktis mësimin për të luajtur. Nxënës të tillë nuk kanë një marrëdhënie miqësore me klasën, mësuesit, librat, nuk janë përfshirë në jetën e shkollës në atë mënyrë që ta gjejnë veten. Kontradikta është se në të njëjtin mjedis mësimor janë ata që duan të mësojnë dhe ata që e nuk kanë të fortë këtë motiv.
Mjedisi i dhunshëm politik, demon psikococial që nxit
shpërthimet agresive të adoleshentëve
Në Shqipëri ka urrejtje politike të skajshme që përçohet në çdo qelizë të jetës dhe kjo nuk është e re. E gjenerojnë me shumicë politikanët kundërshtarë dhe janë po ata që qahen nga kjo. Zor të ketë politikan, shtetar të lartë, ministër, deputet që nuk ka folur me merak për trysninë që ushtron mbi fëmijët dhe adoleshentët mjedisi i ndotur politik, dhuna verbale partiake e parlamentare, po dhe rrugaçëritë në publik, ekrani i televizorit përmes filmave horror, sjellja e ç’ekuilibruar e dikujt në familje etj. Dhe është shkolla e para që e ndjen këtë. Pranohet gjithnjë e më shumë se mësuesit e kanë të vështirë t’i menaxhojnë klasat ku japin mësim, sado me përvojë qofshin, pasi është një kontigjent jo i vogël nxënësish që nuk dëshirojnë të binden, që bëjnë të fortin. Në komunikimin e tyre nuk ka etikë, por fjalor banal, imitim të VIP-ave, ndonjëherë dhe të krimit. Disa adoleshentë janë të papërgjegjshëm në qendrimin ndaj shkollës dhe edukimit, duke u përpjekur të jenë “vetvetja”, ndër ta dhe përdorues hashashi. Ata zakonisht janë dy kategorish, fëmijë të përkëdhelur, apo të braktisur nga prindërit. Konfliktet mes shpesh adoleshentëve janë të nxehta, ka patur rrahje mes djemve e gjer thika. Një sondazh i “Save the Children” në 16 shkolla të vendit ka vërejtur se është rritur shkalla e agresivitetit te të rinjtë. Fëmijët që në ciklin fillor pranojnë se në një formë a në një tjetër dhunohen në familje e shkollë dhe se dhunojnë njëri-tjetrin. Psikologët shkollorë dhe ata të këshillimit përpiqen t’i orientojnë prindërit drejt një tjetër qasjeje psikosociale me fëmijët, larg tradicionalitetit të prindërimit, të përmirësojnë veçanërisht aftësitë komunikuese me ta etj. Në një klasë fëmijët deklaruan se me prindërit rrahin vetëm 20 përqind të shqetësimeve të tyre dhe as që bëhet fjalë që të flitet për tema tabu, si seksualiteti etj. Vërtet adoleshentët e sotëm janë ndyshe, më të pavarur e më shpërthyes, por janë ca veti të adoleshencës që nuk ndryshojnë kurrë dhe prapë të mëdhenjtë i shpërfillin. Çdo adoleshent kërkon vazhdimisht të duket, të bjerë në sy, të shfaqet, të dëgjohet, të provokojë, të rivalizojë, të jetë i rëndësishëm dhe në qendër të vëmendjes. Mjaftojnë dhe statuset e tyre në facebook për ta kuptuar këtë. Por ky potencial nuk mund të lihet të rrjedhë si një lumë i turbullt. Nëse shkolla dhe jo vetëm do të krijonte kushte për argëtim, lojëra, shfaqje, teatro, olimpiada, konkurse, panaire, spartakiada, kampionate, jo vetëm energjitë e tyre do të kanalizoheshin në kah pozitiv, por dhe adrenalina e tepërt do të binte, adoleshenti do të realizohej në mënyrë vetjake, atë çka ai aq shumë e dëshiron. Por që të kemi një rini të “bukur”, kryesore është të ndryshojë gjendja sociale, ekonomike dhe politike e vendit, pasi popullata është e mbërthyer nga papunësia. Ka varfëri, alkool, depresion, vjedhje, vrasje. Shkolla është në këtë “habitat” social dhe e kushtëzuar prej tij. Vëren fëmijë që kanë përjetuar drama të rënda familjare dhe kanë mbetur viktimë e tyre. Prindi nganjëherë nuk do që ta pranojë gjendjen kritike të fëmijës së tij kësisoj. Mësuesit janë të pafuqishëm ndaj fëmijëve “me nevoja të veçanta”, dhe pse të interesuar. Shërbimet sociale nuk ngjiten deri në fshatrat e bjeshkëve ku ata mund të ketë dhe nga ata, por vetëm në rrethinat e qyteteve. Ndaj është aq e vështirë rruga drejt njeriut “gri”.
Shkollë miqësore, efektive, ja se që na duhet
Në një seminar me psikologët shkollorë të një qarku u ngrit problemi se në disa shkolla ka edukatore kopshti autoritar(ist)e. Këtu fillon krisja me edukimin, këtu nis të çalojë ai. Është kultivimi skolastik i edukatorëve në kopshte, shkolla, konvikte, që nuk dinë të jenë ndryshe, veçse shtrëngues e detyrues. A mund të pritet për të patur një shkollë miqësore, kur fëmija diktohet që tre vjeç? Kështu është kjo punë, nis me ca edukatore të vrazhda, vazhdon me ca mësues pa zell profesional, deri te ca pedagogë universitetesh që marrin rryshfet për provimet, dalin në media si abuzues e në gjyq si mitmarrës dhe kthehen prapë te studentët. Shkolla është unike dhe diku po i pikoi çatia ajo nuk e përmbush misionin. Ishte therëse ironia e një burri të moshuar. Ai kishte parë se njëri nga librat e të nipit të tij gjimnazist nuk ishte hapur asnjëherë gjatë gjithë semestrit, ndërkohë tregonte që “fill pas Luftës ne nxënësit e asaj kohe kemi patur vetëm një libër historie (një kopje) për tri shkolla fillore në lokalitetin tonë. Një javë e mbante njëra shkollë duke kopjuar kapitullin e radhës, një javë tjetra…” Mund ta quajmë nostalgjik këtë burrë, mund të mos ua vëmë veshin fjalëve të tij qortuese, mund t’i hakërrehemi se ti do me lartësue dikaturën e me ul demokracinë, po kjo nuk e ndryshon thelbin e problemit, që sot kemi një analfabetizëm të fshehur apo të dukshëm, quajeni si të doni, në dashi dhe “funksional” me terma europiane. Sidomos në zonat rurale, ku ka shkolla me më shumë mësues sesa nxënës(!), të cilave u ka mbetur vetëm karabinaja. Nuk është problemi i një qeverie, i një mazhorance, kësaj që është apo i asaj që iku, është kriza social-politike që i sgfytyroi malësitë shqiptare, duke i shpopulluar ato në një përqindje të madhe të territorit të vendit. Vërtet që ka ndërruar teknologjia, nuk ka më kallamare boje të ngulura në bangë më gozhdë dhe nxënës që shkruajnë me penë, ka stilolapsa të të gjitha markave, megjithatë shkrimi është si mos më keq, bëhen shumë gabime drejtshkrimore etj. Adoleshentët shkruajnë gjithë ditën në celular kotësira, por nuk bëjnë detyrat e algjebrës, nuk shkruajnë esetë e letërsisë, nuk kryejnë eksperimentet e kimisë. Çfarë duhet më tepër për të dhënë alarmin?…
Dikur thoshim na duhet ta edukojmë e formojmë rininë, ku rolin kryesor ia njihnim vetes si shoqëri, si të kishim përpara një masë allçie që do t’i jepnim formë. Po kjo ishte më shumë një dogmë. Rinia nuk mund të formohet nga jashtë, ajo vetëformohet, ani se me ndikimin e një serë faktorësh që dihen nga të gjithë, si familja, shkolla, bibliotekat, shoqëria civile, mediat, puna etj. Por fëmijët tanë nuk edukohen më me punën, e përbuzin atë. Karta e përformancës së shkollës e MAS, shkurt 2014, e ngarkon shërbimin psikosocial shkollor me krijimin e një mjedisi që synon shmangien e dhunës fizike, psikologjike dhe sjelljeve të rrezikshme, por ai është veçse një hallkë. Është mësuesi jo pedant që e ka në dorë menaxhimin e përçdoorshëm të nxënësit drejt suksesit. Është prindi jo qortues i përjeshëm i fëmijës së tij. Është shoqëria jo një vorbull pa cak, por një mjedis edukues efektiv. Edukimi i adoleshencës së sotme mbetet sfida e botës moderne.