Gjelbëroj tej e kënd ditën!…
Përpëlitesha në labirintet e shpirtit,
lodhshëm, vrapova të çel portat,
çudi, gjithkund dukeshin mbyllur!
Kërkova mes psherëtimave mermeruar,
Portën e dashurisë të çel, dhimbjen ta vras.
Vrapova, si zogtrembur, duke çukitur…
E dëshpëruar kthehem,
përdhe rashë, krahëkëputur,
Çaste errësire ma mbuluan shpirtin,
dëgjoja një zë mes heshtjes mbytëse,
vinte nga larg, si kor hapësire,…
Zëri gushës pëshpëriste lehtë,
hapi vrullshëm dorezën e portës së mallit…
Dielli çau retë e me sytë e mëdhenj
më çeli portëmadhen e kopshtit me lule,
Buzëqeshja e tij më treti buzët,
Duar dashurie tufëzuan tërë lulet e fushës,
Midis barit të blertë mblodhën ca të kuqe e ca
vjollcë,
Kurorë skeptri të bukur formuan mbi kokë…
Lehtas pëshpëriti dashuria:
“Kurrë mos kij frikë, se një ditë do të mbyllet kjo
portë,
mjafton, pëshpërit… “.
Me fllad të lehtë portën ta çel në buzë:
Pëshpërimë.
Gjelbëroj tej e kënd ditën!…
Kur ngjiz jetë në sytë e tu
Sytë e tu përkëdhelin butësisht vështrime,
Bulëza të nxehta ngrohin trupa, lotin prek,
s njoh formula në dashuri !
Unë e preka, e jetova,
lumturoj shpirtin.
Pres të nesërmen
të mbulohem me puthje pa fund,
për Ty, dashuri e parë ,
jam e fundit për ty,
e tillë mbeta
E di, kjo është e mundur.
S dua të humbas,
s do të shkoj larg,
duke lënë pas shpirtrat tharë,
nga etja për pak dashuri.
E ndjej prekjen tënde,
kam frikë mungesën tënde.
Ti jeton jetën time, unë prek çastin tënd,
ndërsa anija e jetës rrit shpejtësinë,
ndjej të të mbaj shtrënguar,
krahëhapur ditënetëve pa ndasi, pa ritual ndjenje.
Endrrat e mia janë prelud jete,
nëse do të më zgjojë nga kjo qetësi, do të hapja sytë të
të thosha:
Më ler të fluturoj në Univers,
bashkë me ty të ngjiz jetë syve të tu!
Kur dielli ngroh valën
Shkëputem nga zhurma,
të kuvendoj me valën,
në hapësirën e kaltër,
të gjërë, shoh sytë e tu,
në shpatet e kodrave
marr tëndin përqafim.
Nëse dielli i nxehtë,
më djeg pak shpinën
shtëpia e shpirtit tim,
mbetet midis jetës vdekjes,
në këtë jubile të një ditë plot rreze,
ashtu si, sytë e tu plot gjallesë.
Ndaj, të lutem,
merre në këngën tënde, puthjen time,
vishja atij lisi të fortë,
ta mbajë gjithnjë ngrohtë,
në natyrën e qetë të jetëve tona,
zbukuruar në dekore puthje – përkëdhelje,
derisa të rrahin këto dy zemra të brishta,
por të forta,
si vetë trungu i tyre,
rrënjosur thellë viteve,
sepse dielli do të vazhdojë
të ngrohë valën, ende,
për shumë kohë
Etje
Ëndrrat përziheshin reve të bardha
pafundësisë qiellore,
sytë njomështuar dirigjonin sonate hëne,
frymoheshin lehtë gushës,
mbuluar me vesë ndjenjash;
poshtë trupave
në heshtje solemne bari ngjyroste kohën
me shpresë pafundësie.
Ajo lëvdonte jetën,
Ai betohej dashurisë
Të dy përhumbur ëndrrës udhëtonin përqafuar,
skajeve të kaltërsisë,
pastaj zbrisnin ,
përsëri krahëve të dëshirës.
Vello bulëzash të bardha
u derdhej lëkurës,
ndriçuan sytë e tyre,
duke ndezur meteor
Flaka ndezi qiellin,
petale trëndafili të bardhë
u shkrinë mahnitshëm etjes
Qyteti im i zogjve
Qyteti im, sfilatë makinash,
ku luksi dhe tymi garojnë;
Aromë bliri,
erë pusetash përzier,
Magji ndërtesash antike,
ku bukurinë zbehin
peizazhe betoni,
pa formë…
Rrugë baltosur
prej gllabërie pushtetarësh,
Shpirtra të përvuajtur
nga skamja…
Qyteti im pushtuar
prej endacakësh,
shpirt brengosur,
Kambana lutjesh
ushton minareve …
Qyteti im asfaltverbues,
zbehur nga pikla gjaku
të pafajshmësh,
Pëlhurë blerimi,
dhunuar padrejtësisht,
prej majmërisë,
nën paformësi,
lokalesh gllabëruese
shpinën kërrus,…
Frymëmarrjen ka kohë,
s’e shijon,
Qyteti im, i zogjve
këndon
refren demokracie
pa zë…