Ju lutem hapni dosjen e tyre !

 
Ka ditë që njëra prej gazetave më të lidhura me ish Sigurimin e Shtetit, gazeta DITA (pronarët e saj janë eksponentë të njohur në krye të ish-kupolës së Sigurimit famëkeq) ka publikuar një intervistë të Isabela Çoçolit – gazetares të Zërit të Amerikës. Intervista mban titullin: “Një histori arratie që bëri bujë në ’84-n dhe Shqipëria dje e sot sipas Isabela Islamit”- 14 Janar 2014.
Me këtë rast vendosa për të drejtuar një reagim me anë të kësaj letre tek ju Zëri i Amerikës, për të sqaruar se si qëndron e vërteta e arratisjes së dy motrave Islami – Zamirës dhe Isabelës, ashtu si e dimë ne ish të internuarit së bashku me ato.
Duke qenë se unë vetë isha i interrnuar, në kampin tjetër Savër të Lushnjes, më lejoni t’ju tregoj si e di unë atë çka ka ndodhur më 4 Gusht 1984 – pra lidhur me “arratisjen” e tyre dhe përse unë e quaj të papranueshme rrëfimin e tyre.
Simbas kujtimeve të mija : nga internimi me Apel dy herë në ditë në Çermë të Lushnjes – papritmas atyre të dyjave ju vjen vendimi nga lart në qershor 1984 – pikërisht një muaj para se të arratiseshin – se do të denoheshin me masën e dënimit Dëbim një lloj dënimi ky që ishte me liri të kufizuar.
Pra nuk ishe në Apel dy herë në ditë, kishe pak më tepër liri lëvizje – çka përkufizonte se për çdo largim nga vendbanimi duhej të paraqiteshe në Degën e Punëve të Brendeshme, që të merrje një flet-leje për të shkuar në ndonjë qytet tjetër – me perjashtim të qyteteve kufitare, që nuk të lejohej në asnjë mënyrë.
Më 1 Gusht 1984 brigadieri i kampit Sul Saliasi, të dy motrave dhe vëllait të tyre, u dha lejen e zakonëshme pra 15 ditëshin – Kjo sipas tij kur u pyet tha se ishte bërë me ndërhyrjen e operativit Bujar Peza – një djalë nga Tirana – ky që në kamp përflitej se kishte edhe marrdhënie imtime me njërën nga dy motrat.
Të nesërmen ato së bashku nisën pushimet në Divjakë, dhe më datën 4 Gusht nuk u kthyen më.
Në kapmin e interrnimit në Çermë të Lushnjes më datën 5 Gusht u hap lajmi se Zamira, Isabela dhe Kelmenti, ishin arratisur në Korfuz – Greqi. Më vonë u morë vesh se i vëllai i tyre, ishte mbytyr në det duke tentuar për të dalë në anën tjetër të kufirit detar.
Ngjarja bëri bujë të madhe – dhe të interrnuarit e shifnin me dyshim dhe frikë me njëri tjetrin – mbasi nuk i besonin aspak fare kësaj alibie, që u përhap në kampin e interrnimit, sidomos kur tregohej mënyra se si ato ishin arratisur.
Sepse, e para : Si shkuan ata të tre brenda natës deri në Sarandë, pa u diktuar dhe u kontrolluar në postblloqet, që ishin atëhere në segmentin e rrugës nga Jorgucati deri në Delvinë?
E dyta : Si u vendosën ato tek Kampi i Punëtorëve në Sarandë – një zonë e kontrolluar rreptë nga ushtarët e kufirit gjatë gjithë natës – çdo 5 minuta ndizej një prozhektor i fuqishëm dhe bënte dritë gjithë detin mes Sarandës dhe Korfuzit?
E treta : Një siluruese patrullonte gjatë gjithë natës ujrat territoriale.
E katërta : Si ndodhi që vëllai i tyre Kelmenti – një djalosh shpatull gjerë dhe një notar i shkëlqyer, nga notarët më të mirë të kampit – u mbyt dhe dy motrat e tij – që nuk dinin fare not, kaluan 12 milje me notë?
Kjo përmbledhje faktesh – nuk është hamëndje, thashetheme apo albi paragjykuese dhe fyese për ato dy ish të presekuturat, të cilat vujatën ashtu si edhe unë, në një kamp paksa më larg se ato në Savër të Lushnjes. Por unë dua të denoncoj publikisht, dhe tua bëjë ju të qartë se ato janë arratisur 100% me ndihmën e dikujt tjetër, që me siguri ka qenë i lidhur me Sigurimin e Shtetit. Mendoj se këjo është e nevojshme të hetohet.

E fundit duke filluar me këtë rast Ju lutem hapni dosjen e tyre ! dhe të gazetarëve të tjerë që janë me dosje

Beqir Sina

138 Avenue “S”
Brooklyn NY 11223
New York – USA
Tel: 718 864 2413
E-Mail BeqirS@aol.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *