U kremtua Dita e Mësuesit, që është domethënëse si e tillë, por Dita e Shkollës mund të jetë diçka tjetër, më e largët në kohë se 7 Marsi i vitit 1887 kur u hap mësonjëtorja e parë shqipe e Korçës. Ditën e Shkollës na duhet ta kërkojmë te shkollat shqipe të shekullit XVII: Kurbin (1632), Velë të Mirditës (1632), Pllanë të Lezhës (1638), Blinisht e Troshan të Zadrimës (1639), Shkodër (1698), shkollën e Prishtinës, Vlorës etj. Veç mirë do të jetë nëse thyhet ndonjë tabu e historisë, në të mirë të kësaj të fundit, kur shkollat e para shqipe (vini re: shkollat e para dhe jo shkollën e parë!) fatmirësisht i kemi dy shekuj e gjysmë më herët se “shkolla e parë”, saktësisht 255 vjet përpara. Se, përveçse shkolla, si mund t’i quajmë ndryshe ato çerdhe të diturisë ku fëmijëve u mësohej ABC-ja bashkë me Ungjillin. Nuk duhet të na trembë ky i fundit, përderisa dhe librin e parë shqip e kemi një libër ungjillor, si dhe Formulën e Pagëzimit etj. Nuk është çeshtje feje kjo, por arsimi, kulture, identiteti shqiptar, përçuar në kërë rast përmes misionarëve të kishës katolike. Zor se historiografia jonë moderne, e çliruar nga klishetë ideologjike të së kaluarës, nuk do ta përfillë realitetin e atyre shkollave dioqezane, siç na vjen përmbarë t’i quajmë, ku në të njëjtin rrafsh kulturologjik kemi dhe Kuvendin e Arbërit me 1703, monumenti i të cilit sapo ka filluar të ngrihet. Por dhe ngjarje të tjera si këto që e bëjnë me (sadopak) dritë mesjetën e shurdhër shqiptare, duke na ftuar ne të bëjmë detyrën tonë karshi historisë.
Ja, me këso meditimesh për historinë tonë arsimore, shkuam këtë 7 Mars në qytetin e Lezhës, duke shpresuar se vitin tjetër do të mund të mblidhemi si “pelegrinë” të dijes në disa nga ato stacione të vjetra të arsimit shqiptar, për të ligjeruar ndonjë kumtesë a vënë ndonjë memorial. DAR Lezhë këtë herë e kishte kthyer fytyrën nga ana njerëzore e shkollës, mësuesit që dilnin në pension, të cilëve iu “merreshin” paksa këmbet tek ngjiteshin në podium, në sallën e pallatit të kulturës, për të marrë fletën e mirënjohjes, para një auditori të madh arsimtarësh. A nuk është Gjelosh Toma shëmbëlltyra e mësuesit model, që prej 42 vitesh mëson e edukon nxënësit e tij në shkollën e Zejmenit, duke i formuar ata në lëndën e matematikës? Me të vetmen medalje, urimin e përzemërt të nxënësve të tij, pa u dekoruar ndonjëherë, pa u shpërblyer moralisht, pa u ngritur në përgjegjësi, e megjithatë duke qenë përherë një edukator i merituar. Falenderimi ishte dhe për të gjithë të ngjashmit e tij, mësues të pasionuar që kurrë nuk pretenduan më shumë se sa moren, nuk u ankuan për kushtet e punës, nuk u ligështuan as kur Shqipëria kalonte kriza social-politike, por i shtuan përpjekjet për ta nxjerrë shkollën nga tranzicioni, si nga një lëngatë e gjatë. Në misionin e tyre kishte vetëm një “parti”, edukimin e shkollarëve me dritën e diturisë naimjane, pasi mësuesit tanë janë të mbrujtuar me vetëdijen rilindase dhe pedagogjinë e Pestalocit.
Demokracia funksionuese e shkollës
Një shoqëri e hapur nuk mund të kuptohet me një shkollë të “mbyllur” dhe kjo ngjet kur dhe komuniteti merr përgjegjësitë e tij. Pas 90-s shkolla u hap ndaj ndryshimeve demokratike, ndodhën ngjarje në jetën e saj, por ka patur ndërkohë dhe luhatje mes stilit tradicional dhe atij bashkëkohor. Në një shkollë të mesme qyteti u punua për shumë vite me idealitet, nga të djathtë e të majtë, me donatorë të huaj e projekte, u ngriten klasa kabinet, departamente të lëndeve të ndryshme etj. U krijuan kushtet që të punohej dhe pasditesh nga mësues, nxënës etj. Mirëpo ndërroi “kursi” drejtues për disa kohë dhe shkollës iu vunë drynat duke e bërë atë hermetike (!) Natyrisht që këtë lloj disipline formale e pëlqejnë disa drejtues të stilit të vjetër, pavarësisht moshës, por nganjëherë kjo i duket punë me mend dhe vetë komunitetit të prindërve, apo disa zyrëtarëve lokalë me psikologji puniste. Mendësia të dalë dikush e t’i bëjë zap nxënësit e mësuesit të kujton organizatën e Frontit, ku mësuesit jepnin llogari katundçe. Ky është modeli i dështuar në demokraci, tipare të të cilit janë dora e fortë, stili komandues, trajtimi i stafit me “ca të nënës e ca të njerkës” etj., prandaj shkollës i duhet të ikë prej tij. Këto janë mure dhe shkolla nuk ka nevojë për mure, as për ato rrethuese. Demokracia e shkollës është një proces që kërkon vizion të kohës, përfshirje, përformancë etj. Vite më parë ka patur një projekt të ndryshimeve demokratike në shkollë të qeverisë shqiptare me tre partnerë ndërkombëtarë, si Këshilli i Europës, “Soros” dhe Kultur-Kontakt (Austri), që do të ishte mirë t’i riktheheshim si filozofi, sa u përket nismave në bazë komuniteti etj. Shkolla nga kuadri ligjor demokratik ka dalë nga tradicionaliteti, dikur ishin vetëm tri organet e saj: drejtoria, këshilli i mësuesve dhe komiteti i prindërve, kurse tani janë dhe një varg organizmash të tjera vendimarrëse, po që duhet të fitojnë më shumë peshë, si bordi i shkollës, ekipet lëndore, qeveria e nxënësve, shërbimi psikosocial, komisioni i disiplinës, komisioni i etikës dhe sjelljes, apo sindikatat etj.
Reformë arsimore deri kur?
Sistemi arsimor në Shqipëri është në kërkim të vetvetes, duke u përpjekur për t’u modernizuar në ngjasim të shkollës europiane, por pa mundur deri tani të reformohet cilësisht. Reforma është formula e çdo qeverie (jo vetëm në arsim), po se kur e si do të përfundojë, ajo askush nuk mund ta thotë. Të krijohet ideja se me këtë reformën do të vazhdohet pa fund, përderisa nuk ka një forum mbipartiak, kombëtar që të përcaktojë se çfarë është bërë mirë në këtë apo atë qeverisje e nuk ndryshohen dhe çfarë duhet reformuar më thellë. Reformë arsimore është bërë dhe në kohën e mbretërisë shqiptare, dhe në kohën e monizmit, dhe në përiudhën e demokracisë, prandaj kur do të përfundojë ajo dhe të vendosen standardet në sistemin arsimor? Për shumëkënd nga publiku reforma koceptohet thjesht me ndërrimin e drejtuesve dhe jo me anën përmbajtësore të shkollës.
Analiza do të kërkonte se çfarë ka prodhuar reforma çerekshekullore në arsimin shqiptar dhe çfarë nuk ka mundur ende të (për)kryhet. Ka nisma të përbashkëta për gjuhën, historinë, kulturën me qeverinë e Kosovës etj., që vlerat kombëtare në një shoqëri globale të mos humbasin. Ka shqetësim akademik e qeveritar për të mos u bjerrë asnjë flurizë e shqipes në fëmijët e emigracionit. Ka synim për të patur studentë të ekselencës në universitetet tona e të huaja, një elitë bashkëkohore që shfaqet përherë e më e pjekur, në gjurmë të Konicës, Nolit, Marlaskës, Çabejit, Poradecit, Ivanajt, Maleshovës e të tjerë korifenjve të kalibrit europian. E ndërsa sytë i mbajmë te ata që vunë themelet e shkollës moderne shqipe, nuk mund të mos rrekemi në zhvillimet e sotme arsimore, ç’ndodh me aulat e diturisë? Me shkollën shqiptare në të gjitha nivelet? Me kurrikulat mësimore të mbingarkuara dhe një handikap të mbartur tekstesh alternative? Me 15 universitete shtetërore e 37 private, shpesh të kapluar nga mastro-mania, diplomat false etj? Me kredite që “shiten” nga 20 agjensi trajnuese që nuk dimë të jenë akreditur nga ndonjë insitucion europian i fushës? Me një arsim profesional që ka nisur, por nuk ka mbërritur te tregu i punës? Krahas zhvillimeve pozitive dhe politikave arsimore janë dhe këto problematika të grumbulluara. Kush ikën nga hierarkia e arsimit, prej rotacionit të pushtetit, krijon entin e tij privat arsimor, që mund të jetë shkollë e lartë, agjensi, shoqatë etj. Asnjë me një. Një gjë nuk mund të fshihet, arsimi tash për tash është i “kioskëzuar” nga krerët drejtues të tij në njëzet vite, ndërkohë që shëlbyesit e devotshëm të përjetshëm të arsimit mbetën arsimtarët.
Kjo puna e reformës me gjasë nuk është një çështje vetëm shqiptare, zhargoni politik kudo është njësoj. Kryeministri i ri i Italisë, Matteo Renzi, në shaplosjen e programit të qeverisë së tij para senatit, foli për katër drejtime të reformimit të arsimit në vendin e tij. Por tjetër gjë nënkupton reforma arsimore atje dhe tjetër këtu. Reformimi te ne ia vlen të nisë që te përzgjedhja e pjesëve letrare që vihen në librat shkollorë, ku ende ka vjersha patetike të njëqind viteve më parë, që e ftojnë nxënësin se si të jetë patriot i shekullit 19-të dhe jo qytetar i shekullit të 21-të. Deri sajesat që bëjnë vetë autorët e teksteve shkollore, duke improvizuar vjersha të rëndomta, tregime moralizuese, dialogje fabuleske dhe kjo grafomani “ekselente” nis që nga këndimi i klasës së dytë, në mos abetarja. Është e njohur aksioma se shkalla e qytetërimit të një vendi matet jo me sa të madh e ka ai arsenalin ushtarak, sa pozant rendin ekonomik, sa të shtrenjta pasarelat e modës, por në radhë të parë sa efikas e ka sistemin arsimor.