Mbi terminologjinë “populli vëlla” turk
Agron Gjekmarkaj
Marrëdhëniet tona me Turqinë kanë njohur një regjistër të ri emocional në epokën e demokracisë. Shumica e takimeve bilaterale apo e vizitave të ndërsjella kanë sfond togfjalëshin “populli vëlla”, nënkuptohet turk. Kaq shumë përdoret kjo terminologji, sa duket gati një herezi po të mos jesh dakord. Dalëngadalë, me parimin “përsëritja, nëna e dijes” këtij pohimi duket sikur i jepet statusi i së vërtetës. Duke gjykuar marrëdhëniet e mira aktuale në të gjitha nivelet ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë do të ishte më e pranueshme të thoshim populli mik turk, dhe kjo ulje në gradë nuk është aspak racizëm, por vlerësim real. Turqia e sotme nuk është Turqia otomane, por nëse në çdo rast theksojmë “vëllazërimin”, i bie që atë e kemi realizuar gjatë pushtimit otoman dhe e servirim sot si realitet afektiv ndërmjet vendeve tona. Por, edhe njeriu më i painteresuar në punë historie tashmë e di që jemi një racë (popull) pa asnjë lidhje gjaku e gjuhe me familjen e popujve turq. Francezët, italianët, spanjollët, popuj të trungut latin me gjuhë neolatine, në zhargonin e tyre të raporteve të ndërsjella nuk e kanë kurrë fjalën “popull vëlla”. Ndërsa ne shqiptarët, gjuhën, ashtu si armenët dhe grekët, e kemi indoeuropiane, antikitetin e kemi të kontekstualizuar me atë greko-romak, fqinjësi dhe vijimësi territoriale me turqit nuk kemi, dhe mendojmë që nënat dhe etërit i kemi thjesht shqiptarë. Një gjë e madhe na lidh vërtet me Turqinë dhe kjo lidhje është pushtimi gati 500-vjeçar. Por, pushtimi mund të merret si histori e përbashkët, aq sa është e tillë një marrëdhënie përdhunimi. Pushtimi osman (sot lavdia neo-otomane është tema më e preferuar e ministrit të Jashtëm Davatoglu), ishte fakti historik më i tmerrshëm, më i rëndë që u ka ndodhur shqiptarëve përgjatë gjithë historisë së tyre. Është shenjë e mirë që shqiptarët nuk mbajnë mëri për këtë fakt, sa ç’është e keqe që e harrojnë atë. Skolareske duket të përsërisësh disa të vërteta të thjeshta, por kur ato harrohen duhen kujtuar. Pushtimi osman ka qenë i përgjakshëm dhe asimilues, e mjafton të kujtojmë periudhën më moderne të jetës në viset shqiptare. Nuk është rastësi që fqinjëve tanë grekë e serbë u lejoheshin shkollat amtare pa kufizim dhe të vetmit që përndiqeshin si heretikë, kur donin të mësonin dhe shkruanin gjuhën e tyre, ishin shqiptarët. Vetëm në vitin 1887 lejohet e para shkollë shqipe me “ferman”, drejtori i së cilës vritet dhe shkolla mbyllet. Rilindësit shqiptarë, pa dallim feje, u përndoqën dhe u persekutuan si askush tjetër në Perandori. Lidhja e Prizrenit u tradhtua nga Turqia dhe tokat shqiptare u trajtuan si mall shkëmbimi. Patrioti Dervish Hima u rrah e torturua publikisht në Shkodër nga xhonturqit vetëm se në gji mbante flamurin kombëtar. Kur malësorët shqiptarë luftonin në Deçiç për pavarësinë e këtij vendi, Turqia, në grahmat e fundit, përçante shqiptarët, duke kundërvënë muhamedanët me të krishterët. Trojet shqiptare u copëtuan pas Luftës Ballkanike falë edhe keqpërdorimit të imazhit të shqiptarëve nga Perandoria Osmane si mbështetës të saj. Sikur kjo të mos mjaftonte, në kohën kur Shqipëria bëhej anëtare e Lidhjes së Kombeve, Turqia e re kërkonte që shteti shqiptar të paguante një pjesë të borxheve osmane, ndonëse prej tyre kishim mbetur shteti më primitiv i Europës. Turqia osmane është sjellë më arsyeshëm me grekët dhe serbët, e ata për asnjë moment nuk e thërrasin “popull vëlla”. Lind pyetja: A ka ndonjë rast tjetër të ngjashëm kur i pushtuari thërret “vëlla” pushtuesin? Druajmë që jo. Nuk e bëjnë indianët me anglezët, ndonëse prej tyre trashëguan disa të mira. As algjerianët me francezët, as vendet e Amerikës Latine me spanjollët dhe portugezët e kështu me radhë. Modeli më tolerant e bashkëpunues ndërmjet popujve të një perandorie ishte ai i perandorisë dualiste Austro-Hungareze, e cila nuk e frenonte në përgjithësi identitetin dhe kulturat kombëtarë, e as të drejtat politike të përfaqësimit të popujve që e përbënin. Ishte një monarki paternaliste thotë Cvajgu. Sot, asnjëri prej këtyre popujve nuk shfaq nostalgji për atë periudhë e as nuk e ndien dhe as nuk e quan vetën vëlla me ndonjërin prej këtyre popujve komponentë të ish-Monarkisë Hasburge. Këtë terminologji, për hir të së vërtetës, nuk e gjenim as në Mbretërinë e Zogut, e interesuar për të forcuar karakterin nacionalist të regjimit të tij, e as në regjimin izolacionist të Enver Hoxhës, që përskuqej nga patetika kombëtariste. Ajo u shfaq menjëherë në fillim të vitit 1991. Përzgjedhja e “vëllait” bën përshtypje. Politikanët shqiptarë këtë term familjar e përdorin vetëm për popullin turk dhe kurrë për popujt e tjerë. P.sh., kulturalisht dhe si mentalitet jemi më afër me grekët apo italianët, por kurrë nuk kemi dëgjuar të përdoret termi popull “vëlla” grek dhe popull “vëlla” italian, madje as për popullin e SHBA-ve, i cili sot duket si protektori dhe miku më i madh i interesave shqiptare. Natyrisht, shumë mirë që nuk e përdorin dhe as këta popuj nuk do të pëlqenin të kishin vëllezër të paqenë. Fakti shndërrohet në problem kur këtë gjë e bëjmë veç për turqit. Do të ishte më e ndershme të thuhet që terma të tillë janë veshja emocionale e tezave të hedhura, të cilat periudhën e pushtim otoman e shohin bashkëjetesë dhe histori të përbashkët. Kurse disa të tjerë, më entuziastë, e shohin si periudhë prosperiteti e realizimi të individualiteteve shqiptare, apo si koha e modernizimit të kadastrave (edhe çështja e kadastrave kërkon diskutim nën parimin kujt ia morën tokën turqit dhe kujt ia dhanë). Në këtë 100-vjetor pavarësie, në shenjë nderimi për aktin sublim me panagjerikë kujtojmë etërit e pavarësisë, të cilët i bie që na paskëshin ndarë nga vëllezërit! Fatkeqësisht, konstatojmë se strukturat otomane edhe pas një shekulli pavarësi gjejnë bahçe ku lulëzojnë si “forma mentis”. Së paku duhet pyetur populli shqiptar nëse është dakord për këtë qark të shkurtër gjenetik me anketim apo referendum, dhe pastaj nëse e marrin miratimin, le ta përdorin. Me parimet e Frojdit, disa politikanë shqiptarë e konsiderojnë pushtimin otoman “histori dashurie” dhe popullin tonë “produkt” të saj!!! Le ta thonë. Në rastin më të mirë, pohime të tipit “popull vëlla” demonstrojnë inferioritet, servilizëm, gjendje mendore prej të pushtuari, megjithëse duket pak për të përligjur një gjë kaq antishqiptare. Naimi i madh nga Stambolli vjershëronte “dielli lind andej nga perëndon”, duke na përcaktuar qartë ideologjinë kombëtare. Dialektika integruese sot i thërret shqiptarët në kohën e ardhme të historisë së Naimit, si qytetarë me të drejta e liri, dhe jo si “vëllezër” të përdhunuar nga pushtimi.